2015
Të Vërtetat e Qarta dhe të Çmueshme
Nëntor 2015


Të Vërtetat e Qarta dhe të Çmueshme

Shpërblimi zemërgjerë i Atit Qiellor për të jetuarin në kohë të vështira është që ne gjithashtu jetojmë në plotësinë e kohëve.

Vëllezër e motra të dashura, kanë kaluar shumë dekada që kur një konferencë e përgjithshme është mbledhur dhe Presidenti Bojd K. Paker, Plaku L. Tom Peri dhe Plaku Riçard G. Skot nuk ishin të ulur pikërisht prapa foltores dhe nuk kishin folur në një nga këto sesione. Kujtimet tona për ta janë emocionuese dhe unë shtoj lëvdimin tim për t’i nderuar ata, secili kaq i ndryshëm në vetvete, por kaq të bashkuar në dëshminë dhe dëshmimin e tyre për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

Për më tepër, unë, si edhe ju, gjejmë forcë te Presidenti Tomas S. Monson dhe e mbështetim atë si profet, shikues e zbulues dhe unë mahnitem me shërbimin e tij besnik dhe të përgjegjshëm apostullor, të shtrirë në mbi 50 vjet mbresëlënës.

Dhe pra, ishte të martën në mëngjes këtë javë, pak pas orën 09:00, teksa Peshkopata po fillonte një mbledhje me Presidencën e Zonës së Azisë, të cilët janë këtu për konferencën, që unë u thirra të takohesha me Presidentin Monson, së bashku me këshilltarët e tij. Çaste më vonë, teksa hyra në dhomën e mbledhjeve ngjitur me zyrën e tij, unë do të jem dukur nervoz, i ulur në anën tjetër të tavolinës, ndërkohë që ai foli me mirësi për të ma pakësuar shqetësimin. Bëri komentin, duke vënë në dukje moshën time, që dukesha mjaft i ri dhe madje dukesha më i ri sesa mosha ime.

Më pas, brenda pak çastesh, Presidenti Monson përshkroi se, duke vepruar sipas vullnetit të Zotit, ai po më jepte mua një thirrje për në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve. Ai më pyeti nëse do ta pranoja këtë thirrje, së cilës, pas asaj që jam i sigurt ishte një gulçim i pahijshëm që u dëgjua, në tronditje të plotë, unë iu përgjigja në mënyrë pohuese. Dhe atëherë, përpara se të mund të shprehja me fjalë një cunam të emocionit të papërshkrueshëm, shumica e të cilit ishin ndjenjat e papërshtatshmërisë, Presidenti Monson m’u drejtua me mirësi, duke përshkruar se si ai u thirr shumë vite më parë si një Apostull nga Presidenti Dejvid O. Mek-Kei, kohë në të cilën ai gjithashtu u ndie i papërshtatshëm. Ai qetësisht më udhëzoi: “Peshkopi Stivenson, Zoti do t’i kualifikojë ata që Ai i thërret”. Këto fjalë qetësuese të një profeti kanë qenë një burim paqeje, një burim qetësie në një stuhi të vetëshqyrtimit të dhembshëm dhe të ndjenjave të dhembshura në orët pasuese plot ankth që kanë kaluar ditë e natë që nga ajo kohë.

Ia tregova atë që sapo jua kam përshkruar juve, shoqes sime të dashur, Lisës, më vonë atë ditë, të ulur në një cep pa zhurmë në Sheshin e Tempullit, me një pamje të qetë të tempullit dhe të Tabernakullit historik të vendosur përpara nesh. Teksa përpiqeshim të kuptonim dhe analizonim ngjarjet e ditës, ne e kuptuam se spiranca jonë ishte besimi ynë te Jezu Krishti dhe dituria jonë për planin e madhërishëm të lumturisë. Kjo më çon drejt një shprehjeje të dashurisë sime më të thellë për Lisën. Ajo është drita në jetën time dhe e jetës sime, dhe një bijë e shkëlqyer e Perëndisë. Jeta e saj është një jetë e karakterizuar nga shërbimi vetëmohues dhe një dashuri pa kushte për të gjithë njerëzit. Unë do të përpiqem fort që të mbetem i denjë për bekimin e bashkimit tonë të përjetshëm.

Unë shpreh dashurinë time më të thellë për katër djemtë tanë dhe familjet e tyre, tre prej të cilëve janë këtu me gratë e tyre të bukura, nënat e gjashtë nipërve e mbesave tona; i katërti, një misionar, ka leje të veçantë të qëndrojë zgjuar pas orarit të kthimit të misionarëve në shtëpi dhe po e sheh këtë mbledhje drejtpërsëdrejti me presidentin e tij të misionit dhe gruan e presidentit të tij të misionit nga shtëpia e tyre e misionit në Tajvan. I dua secilin prej tyre dhe e dua mënyrën se si ata e duan Shpëtimtarin dhe ungjillin.

Ia shpreh dashurinë time çdo anëtari të familjes sime: nënës dhe babait tim të dashur, që ndërruan jetë vitin e kaluar, të cilët rrënjosën brenda meje një dëshmi që dukej se banoi brenda meje që nga kujtimet e mia më të hershme. Më tej ua shtrij këtë mirënjohje vëllait tim dhe bashkëshortes së tij besnike, motrave të mia dhe bashkëshortëve të tyre besnikë, si edhe familjes së Lisës, shumë prej të cilëve janë në fakt të pranishëm këtu sot. E shtrij këtë shkallë mirënjohjeje mbi të afërmit e shumtë të familjes, miqtë, misionarët, udhëheqësit dhe mësuesit përgjatë udhës së jetës sime.

Unë jam bekuar me një shoqërim të ngushtë me anëtarët e Presidencës së Parë, të Të Dymbëdhjetëve, të Të Shtatëdhjetëve dhe të presidencave të përgjithshme të organizatave ndihmëse. Unë ua shpreh dashurinë dhe vlerësimin tim secilit prej jush, motra e vëllezër, dhe do të përpiqem fort që të jem i denjë për shoqërimin tuaj të vazhdueshëm. Peshkopata Kryesuese gëzon një unitet pothuajse qiellor. Do të më mungojë bashkëpunimi im i përditshëm me Peshkopin Zherald Kosé, Peshkopin Din M. Dejvis dhe punonjësit e tjerë.

Qëndroj përpara jush si provë e fjalëve të Zotit të shënuara në seksionin e parë të Doktrinës e Besëlidhjeve: “Që plotësia e ungjillit … të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të [tokës] dhe përpara mbretërve dhe sundimtarëve”1. Këto fjalë paraprihen nga shpallja e Zotit, e cila vë në dukje dashurinë e një Ati për fëmijët e Tij: “Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime”2.

Ati ynë i dashur Qiellor dhe Biri i Tij, Jehova, me një dituri të fundit që nga fillimi3, hapën qiejt dhe një periudhë të re ungjillore për të kompensuar fatkeqësitë që Ata i dinin se do të vinin. Apostulli Pal i përshkroi fatkeqësitë në ardhje si “kohë të vështira”4. Për mua, kjo sugjeron që shpërblimi zemërgjerë i Atit Qiellor për të jetuarin në kohë të vështira është që ne gjithashtu jetojmë në plotësinë e kohëve.

Teksa ndieja ankth për papërshtatshmëritë e mia gjatë kësaj jave, mora një mbresë të dallueshme, e cila më qortoi si edhe më ngushëlloi: të përqendrohesha jo tek ato që nuk mund të bëja, por përkundrazi tek ato që mund të bëj. Unë mund të dëshmoj për të vërtetat e qarta dhe të çmueshme të ungjillit.

Këto janë fjalët që i kam shprehur qindra herë si me ata që i përkasin Kishës dhe me shumë njerëz të cilët nuk janë anëtarë: “Perëndia është Ati ynë [i dashur] Qiellor. Ne jemi fëmijët e Tij. … Ai vajton me ne kur vuajmë dhe gëzohet kur bëjmë çfarë është e drejtë. Ai dëshiron të komunikojë me ne dhe ne mund të komunikojmë me Të nëpërmjet lutjes së sinqertë. …

Ati Qiellor na ka dhënë neve, bijve të Tij, një mënyrë … për t’u kthyer të jetojmë në praninë e Tij. … Qendra e planit të Atit tonë [Qiellor] është Shlyerja e Jezu Krishtit.”5

Ati Qiellor dërgoi Birin e Tij në tokë që të shlyente për mëkatet e gjithë njerëzimit. Për këto të vërteta të qarta dhe të çmueshme jap dëshminë time dhe e bëj këtë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.