2015
Fjala e Këndshme e Perëndisë
Nëntor 2015


Fjala e Këndshme e Perëndisë

Fjala e këndshme e Perëndisë na tregon nevojën për pendim të vazhdueshëm në jetën tonë që të mund ta mbajmë ndikimin e Frymës së Shenjtë.

Shumë prej nesh që po takohen për të marrë pjesë në këtë konferencë, kanë ardhur “për të dëgjuar fjalën e këndshme të Perëndisë, po, fjalën që shëron shpirtin e plagosur” (Jakobi [LiM] 2:8). Ajo fjalë mund të gjendet në shkrimet e shenjta dhe në mesazhet nga udhëheqësit tanë, duke na sjellë shpresë dhe ngushëllim në errësirën e vuajtjeve.

Nëpërmjet përvojave tona në jetë, ne mësojmë se gëzimi në këtë botë nuk është i plotë, por në Jezu Krishtin gëzimi ynë është i plotë (shih DeB 101:36). Ai do të na japë forcë që të mos na duhet të vuajmë asnjë lloj pikëllimi por që çdo gjë të përfshihet në lumturinë e Tij (shih Alma 31:38).

Zemrat tona mund të mbushen me ankth kur ne shohim një njeri të dashur që vuan dhembjet e një sëmundjeje të tmerrshme.

Vdekja e dikujt që ne e duam, mund të lërë një vend të zbrazët në shpirtin tonë.

Kur disa nga fëmijët tanë largohen nga udha e ungjillit, ne mund të ndiejmë faj dhe pasiguri rreth fatit të tyre të përjetshëm.

Shpresa e arritjes së një martese çelestiale dhe ngritja e një familjeje në këtë jetë mund të fillojë të zbehet me kalimin e kohës.

Keqtrajtimi nga ata që supozohet të na duan, mund të lërë shenja thellësisht të dhembshme në shpirtin tonë.

Pabesia e një bashkëshorti/eje mund të shkatërrojë një marrëdhënie që shpresonim të ishte e përjetshme.

Këto dhe shumë vuajtje të tjera që janë pjesë e kësaj gjendjeje të provës, disa herë na bëjnë t’i bëjmë vetes të njëjtën pyetje që bëri Profeti Jozef Smith: “O Perëndi, ku je ti?” (DeB 121:1).

Në ato çaste të vështira në jetën tonë, fjala e këndshme e Perëndisë që shëron shpirtin e plagosur, sjell mesazhin vijues të ngushëllimit në mendjen dhe zemrën tonë:

“Paqe i qoftë shpirtit tënd; fatkeqësia jote dhe mjerimet e tua do të jenë veçse një çast i shkurtër;

Dhe atëherë, në qoftë se i duron mirë ato, Perëndia do të të lartësojë nga lart” (DeB 121:7–8).

Fjala e këndshme e Perëndisë na mbush me shpresë, sepse ne e dimë se ata që janë besnikë në mundime, do të kenë një shpërblim më të madh në mbretërinë e qiellit dhe se “pas shumë mundimesh vijnë bekimet” (shih DeB 58:3–4).

Fjala e këndshme e Perëndisë, siç është folur nëpërmjet profetëve, na jep sigurinë se vulosja jonë e përjetshme, e mbështetur nga besnikëria jonë ndaj premtimeve hyjnore që u dhanë për shërbimin tonë të guximshëm në çështjen e së vërtetës, do të na bekojë ne dhe pasardhësit tanë (Shih Orson F. Whitney, në Conference Report, prill 1929, f. 110).

Ajo gjithashtu na jep sigurinë që, pasi të kemi jetuar një jetë besnike, ne nuk do të humbasim ndonjë bekim sepse nuk bëmë disa gjëra, nëse asnjëherë nuk na u dha mundësia për t’i bërë ato. Nëse kemi jetuar besnikërisht deri në kohën e vdekjes sonë, ne “do të ke[mi] të gjitha bekimet, ekzaltimin dhe lavdinë që mund të ketë një burrë apo grua që e pati këtë mundësi”. (Shih The Teachings of Lorenzo Snow, red. Clyde J. Williams [1984], f. 138.)

Tani, është e rëndësishme të kuptojmë se vuajtjet dhe mundimet gjithashtu mund të hyjnë në jetën tonë nëse ne nuk arrijmë të pendohemi me të vërtetë për mëkatet tona. Presidenti Marion G. Romni dha mësim: “Vuajtja dhe brenga që pësojnë njerëzit në këtë botë është rrjedhojë e mëkatimit të papenduar dhe të pandërprerë. … Njësoj si vuajtja dhe pikëllimi e ndjekin mëkatin, ashtu edhe lumturia dhe gëzimi shoqërojnë faljen e mëkateve” (në Conference Report, prill 1959, f. 11).

Përse mungesa e pendimit shkakton vuajtje dhe dhembje?

Një nga përgjigjet e mundshme është se “ishte vendosur një ndëshkim dhe ishte dhënë një ligj i drejtë, që solli… brejtje të ndërgjegjes” (Alma 42:18; shih edhe vargun 16). Profeti Jozef Smith dha mësim se jemi ne ata që e ndëshkojmë veten tonë, dhe se është mundimi i zhgënjimit në mendjen tonë që e bën atë [ndëshkim] po aq therës sa një liqen që digjet me zjarr dhe squfur (shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 236).

Nëse mundohemi ta qetësojmë ndërgjegjen tonë duke u përpjekur të “justifikohe[mi] [deri] në mënyrën më të vogël për mëkatet [tona]” (Alma 42:30) ose duke u munduar t’i fshehim ato, e vetmja gjë që do të arrijmë, është të fyejmë Shpirtin (shih DeB 121:37) dhe të vonojmë pendimin tonë. Ky lloj lehtësimi, përveçse është i përkohshëm, do të sjellë përfundimisht më shumë dhembje dhe hidhërim në jetën tonë dhe do ta zvogëlojë mundësinë tonë për të marrë heqjen e mëkateve tona.

Për këtë lloj vuajtjeje, fjala e këndshme e Perëndisë gjithashtu sjell ngushëllim dhe shpresë; na thotë se ka lehtësim nga vuajtja e shkaktuar nga efektet e mëkatit. Ky lehtësim vjen nga sakrifica shlyese e Jezu Krishtit dhe hyn në fuqi nëse ne ushtrojnë besim në Të, pendohemi dhe u bindemi urdhërimeve të Tij.

Është e rëndësishme që të kuptojmë se, ashtu si heqja e mëkateve, pendimi është një proces dhe jo diçka që ndodh në një çast të caktuar. Kërkon qëndrueshmëri në secilin prej hapave të tij.

Për shembull, kur e marrim sakramentin, ne i tregojmë Zotit se ne gjithmonë do ta kujtojmë Atë dhe do të zbatojmë urdhërimet e Tij. Ajo është një shprehje e qëllimit tonë të sinqertë.

Çasti kur ne fillojmë ta kujtojmë Atë dhe t’i zbatojmë urdhërimet e Tij çdo ditë – dhe jo vetëm ditën e Shabatit – është koha kur fillon të ndodhë shkallë-shkallë heqja e mëkateve tona dhe premtimi i Tij për të pasur Shpirtin e Tij fillon të përmbushet.

Pa bindjen e duhur e cila duhet të shoqërojë qëllimin tonë, efekti i heqjes [së mëkateve] mund të zhduket mjaft shpejt dhe shoqërimi i Shpirtit fillon të tërhiqet. Ne do të jemi në rrezikun e të nderuarit të Tij me buzët tona, duke i larguar ndërkohë zemrat tona prej Tij (shih 2 Nefi 27:25).

Përveç ngushëllimit, fjala e këndshme e Perëndisë na paralajmëron se ky proces për të marrë heqjen e mëkateve tona mund të ndërpritet kur ne ngatërrohemi “në kotësitë e botës” dhe mund të fillojë përsëri nëse ne pendohemi sinqerisht dhe e përulim veten (shih DeB 20:5–6).

Cilat mund të jenë disa nga ato kotësi që mund të ndërhyjnë në procesin për të marrë heqjen e mëkateve tona dhe që kanë lidhje me mbajtjen e ditës së Shabatit të shenjtë?

Disa shembuj përfshijnë ardhjen me vonesë për mbledhjen e sakramentit pa një arsye të vlefshme; ardhjen, pa i bërë një kontroll paraprak vetvetes, për të ngrënë bukën dhe për të pirë nga kupa padenjësisht (shih 1 Korintasve 11:28); dhe ardhjen pa ia rrëfyer më parë mëkatet tona Perëndisë dhe pa i kërkuar falje për to.

Shembuj të tjerë: të qenit çnderues duke shkëmbyer mesazhe në pajisjet tona elektronike, largimi nga mbledhja pas marrjes së sakramentit dhe angazhimi në veprimtari në shtëpitë tona që janë të papërshtatshme për atë ditë të shenjtë.

Cila mund të jetë një nga arsyet pse ne, duke i ditur të gjitha këto gjëra, shpesh dështojmë në mbajtjen e shenjtë të ditës së Shabatit?

Në librin e Isaias, ne mund të gjejmë një përgjigje që, edhe pse e lidhur me Shabatin, gjen gjithashtu zbatim për urdhërime të tjera që ne duhet t’i mbajmë: “Përmban këmbën që të mos dhunosh Shabatin, në rast se nuk i kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë” (Isaia 58:13).

Fjalët kyçe janë “përmban … në rast se nuk i kryen punët e tua”, ose me fjalë të tjera, bërja e vullnetit të Perëndisë. Shpeshherë, vullneti ynë – i gdhendur nga dëshirat, orekset dhe pasionet e njeriut të natyrshëm – bie ndesh me vullnetin e Perëndisë. Profeti Brigam Jang dha mësim se, “kur vullneti, pasionet dhe ndjenjat e një njeriu janë përsosurisht të nënshtruara ndaj Perëndisë dhe kërkesave të Tij, ai njeri shenjtërohet. – Është vullneti im, që të gllabërohem nga vullneti i Perëndisë, që do të më drejtojë drejt çdo gjëje të mirë dhe përfundimisht do të më kurorëzojë me pavdekësi dhe jetë të përjetshme” (Deseret News, 7 shtator 1854, f. 1).

Fjala e këndshme e Perëndisë na fton ta përdorim fuqinë e Shlyerjes së Krishtit për ta vënë në zbatim për veten tonë dhe për t’u pajtuar me vullnetin e Tij – dhe jo me vullnetin e djallit dhe të mishit – kështu që ne, nëpërmjet hirit të Tij, të mund të shpëtohemi (shih 2 Nefi 10:24–25).

Fjala e këndshme e Perëndisë që ne e themi sot, na tregon nevojën për pendim të vazhdueshëm në jetën tonë që të mund ta mbajmë ndikimin e Frymës së Shenjtë sa më gjatë të jetë e mundur.

Pasja e shoqërimit të Shpirtit do të na bëjë njerëz më të mirë. “Ai do t’i përshpërisë paqe dhe lumturi shpirtrave [tanë], … do të heqë keqdashjen, urrejtjen, zilinë, grindjen dhe gjithë të ligën nga zemra [jonë]; dhe e gjithë dëshira [jonë] do të jetë për të bërë mirë, për të sjellë drejtësinë dhe për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë” (shih Mësimet: Jozef Smith, f. 102).

Me ndikimin e Frymës së Shenjtë, ne nuk do të fyhemi, as nuk do t’i fyejmë të tjerët; do të ndihemi më të lumtur dhe mendjet tona do të jenë më të pastra. Dashuria jonë për të tjerët do të shtohet. Ne do të jemi më të gatshëm të falim dhe ta përhapim lumturinë tonë tek ata që na rrethojnë.

Ne do të ndihemi mirënjohës që i shohim të tjerët se si përparojnë dhe do të kërkojmë mirësinë tek të tjerët.

Është lutja ime që ne të mund të përjetojmë gëzimin që vjen nga përpjekja për të jetuar në drejtësi, dhe që ne të mund ta mbajmë shoqërimin e Frymës së Shenjtë në jetën tonë nëpërmjet pendimit të sinqertë e të vazhdueshëm. Ne do të bëhemi njerëz më të mirë dhe familjet tona do të bekohen. Për këto parime unë dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.