Sigurimi i Ndihmës për Refugjatët
LDS Charities [Organizata Bamirëse SHDM], dega humanitare e Kishës, vazhdon të sigurojë ndihmë në zona ku kriza të ndryshme i kanë lënë shumë njerëz në rrethana të dëshpëruara. Ja tre shembuj:
Konflikti në Ukrainë ka zhvendosur një milion njerëz që nga viti 2014. Gjashtëdhjetë përqind e të zhvendosurve janë të moshuar. LDS Charities iu drejtua Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara [PNUD] për t’u bashkuar në një përpjekje të bashkërenduar me organizatat vendore joqeveritare për t’u kujdesur për të zhvendosurit e varfër dhe të moshuar. LDS Charities siguroi pajisje higjienike, paketa sanitare dhe vlerën e ushqimeve për 3 muaj për 37 godina që do t’iu shërbejnë 13.000 njerëzve.
Që nga janari, më shumë se 350.000 refugjatë, duke iu larguar luftës civile në Siri, kanë kërkuar azil në Europë, një numër që pritet të dyfishohet deri në fund të vitit. LDS Charities po bashkëpunon me organizatat ndërkombëtare joqeveritare, bashkitë vendore dhe agjencitë kombëtare qeveritare për të plotësuar nevojat e refugjatëve dhe po siguron burime për bashkësitë vendore të Kishës që të përdoren në përpjekjet e tyre për të ndihmuar.
Për të siguruar strehim më të mirë në kampet e refugjatëve anembanë botës, LDS Charities po merr pjesë në një projekt të Komisionit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët. Një shitës ndërkombëtar i mobilieve ka projektuar një strukturë që ka përparësi në krahasim me tendat. Struktura përfshin dyer dhe dritare për të shtuar sigurinë dhe një mbulesë çatie më të fortë për t’i mbrojtur banorët nga elementet klimaterike. Ndërtimi i strukturave po kryhet për 333 njësi banimi që LDS Charities i ka siguruar për një kamp refugjatësh në zonën e Kurdistanit në Irak.