Fryma e Shenjtë si Shoqëruesi Juaj
Ne mund ta kemi, nëse jetojmë të denjë për të, bekimin e Shpirtit që të jetë me ne, jo vetëm herë pas here por gjithmonë.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës të jem me ju në këtë ditë të Shabatit në konferencën e përgjithshme të Kishës së Zotit. Unë e kam ndier, sikurse e keni ndier ju, Shpirtin, Frymën e Shenjtë, duke dëshmuar fjalët e së vërtetës që i kemi dëgjuar të fliten dhe të këndohen.
Qëllimi im sot është të shtoj dëshirën tuaj dhe vendosmërinë tuaj për ta kërkuar dhuratën që iu premtua secilit prej nesh pasi u pagëzuam. Gjatë konfirmimit tonë ne dëgjuam këto fjalë: “Merr Frymën e Shenjtë”1. Që nga ai çast, jeta jonë ndryshoi përgjithmonë.
Ne mund ta kemi, nëse jetojmë të denjë për të, bekimin e Shpirtit që të jetë me ne, jo vetëm herë pas here, si në përvoja të tilla të mrekullueshme që i kemi pasur sot, por gjithmonë. Ju e dini nga fjalët e lutjes së sakramentit se si ai premtim përmbushet: “O Perëndi, Ati i Amshuar, ne të kërkojmë ty në emër të Birit tënd, Jezu Krishtit, t’u bekosh e t’u shenjtërosh këtë bukë shpirtrave të të gjithë atyre që marrin prej saj, që ata të mund të hanë në kujtim të trupit të Birit tënd dhe të mund të të dëshmojnë ty, O Perëndi, Ati i Amshuar, se ata janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit tënd dhe gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre”.
Dhe më pas vjen premtimi i lavdishëm: “Që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta” (DeB 20:77; theksimi i shtuar).
Të kemi gjithmonë Shpirtin me ne është të kemi udhërrëfim dhe drejtim nga Fryma e Shenjtë në jetën tonë të përditshme. Ne, për shembull, mund të paralajmërohemi nga Shpirti për t’i bërë ballë tundimit që të bëjmë diçka të ligë.
Për vetëm atë qëllim, është e lehtë të shohim përse shërbëtorët e Zotit janë përpjekur ta shtojnë dëshirën tonë për të adhuruar Perëndinë në mbledhjet tona të sakramentit. Nëse marrim pjesë në sakrament me besim, Fryma e Shenjtë do të jetë atëherë në gjendje të na mbrojë ne dhe njerëzit që i duam nga tundimet që vijnë me fuqishmëri dhe shpeshtësi gjithnjë e më të madhe.
Shoqërimi i Frymës së Shenjtë e bën atë që është e mirë më tërheqëse dhe tundimin më pak bindës. Kjo e vetme duhet të mjaftojë që të na bëjë të vendosur për t’u kualifikuar për Shpirtin që të jetë me ne gjithmonë.
Ashtu sikurse Fryma e Shenjtë na forcon kundër ligësisë, Ai gjithashtu na jep fuqinë për ta dalluar të vërtetën nga gënjeshtra. E vërteta që ka më shumë rëndësi vërtetohet vetëm me anë të zbulesës nga Perëndia. Arsyeja jonë njerëzore dhe përdorimi i ndjenjave tona fizike nuk do të jenë të mjaftueshme. Ne jetojmë në një kohë kur edhe njerëzit më të urtë do ta kenë të vështirë për ta dalluar të vërtetën nga mashtrimi me zgjuarsi.
Zoti i dha mësim Apostullit të Tij, Thomait, i cili donte provë fizike për Ringjalljen e Shpëtimtarit duke i prekur plagët e Tij, se zbulesa është provë më e sigurt: “Jezusi i tha: ‘Sepse më ke parë, Thoma, ti ke besuar; lum ata që nuk kanë parë dhe kanë besuar’” (Gjoni 20:29).
Të vërtetat që shenjojnë udhën për t’u kthyer te Perëndia vërtetohen nga Fryma e Shenjtë. Ne nuk mund të shkojmë te korija dhe të shohim Atin e Birin duke i folur të riut Jozef Smith. Asnjë provë fizike, as edhe ndonjë argument logjik, nuk mund të pohojë se Elija erdhi sikurse u premtua, që të jepte çelësat e priftërisë tani, të mbajtura dhe të ushtruara nga një profet i gjallë, Tomas S. Monsoni.
Pohimi i së vërtetës i vjen një biri ose bije të Perëndisë, që e ka kërkuar të drejtën për të marrë Frymën e Shenjtë. Ngaqë të pavërtetat dhe gënjeshtrat mund të na paraqiten në çdo kohë, neve na nevojitet një ndikim i vazhdueshëm i Shpirtit të së Vërtetës për t’i shmangur çastet e dyshimit.
Ndërsa ishte anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, Xhorxh Q. Kenën na nxiti që të bënim një kërkim të vazhdueshëm për Shpirtin që të ishte me ne. Ai premtoi, dhe unë premtoj gjithashtu, se nëse e vazhdojmë atë udhë, ne “kurrë nuk do të na mungojë njohuria” e së vërtetës, “kurrë nuk do të ishim në dyshim apo në errësirë” dhe “besimi [ynë] do të jetë i fortë, gëzimi [ynë] … i plotë”2.
Na nevojitet ajo ndihmë e vazhdueshme nga shoqërimi i Frymës së Shenjtë edhe për një arsye tjetër. Vdekja e një njeriu të dashur mund të vijë papritur. Është dëshmia nga Fryma e Shenjtë për realitetin e një Ati të dashur Qiellor dhe të një Shpëtimtari të ringjallur që na jep shpresë e ngushëllim në humbjen e një njeriu të dashur. Ajo dëshmi duhet të jetë e gjallë kur ndodh vdekja.
Prandaj, për shumë arsye, na nevojitet shoqërimi i vazhdueshëm i Frymës së Shenjtë. Ne e dëshirojmë, prapëseprapë e dimë nga përvoja se nuk është e lehtë ta mbajmë atë. Ne të gjithë mendojmë, themi dhe bëjmë gjëra në jetën tonë të përditshme, të cilat mund ta fyejnë Shpirtin. Zoti na mësoi se Fryma e Shenjtë do të jetë shoqëruesi ynë i vazhdueshëm kur zemrat tona të jenë plot me dashuri hyjnore dhe kur “virtyti … t’i stolisë mendimet [tona] pa pushim” (DeB 121:45).
Atyre që po hasin vështirësi me standardin e lartë që nevojitet për t’u kualifikuar për dhuratën e shoqërimit të Shpirtit, unë i ofroj këtë inkurajim. Ju keni pasur raste kur e keni ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë. Mund të ketë ndodhur për ju sot.
Ju mund t’i trajtoni këto çaste frymëzimi si farën e besimit që përshkroi Alma (shih Alma 32:28). Mbilleni secilën prej tyre. Ju mund ta bëni atë duke vepruar sipas nxitjeve që ndiet. Frymëzimi më i vlefshëm do të jetë për ju të dini atë që Perëndia do që ju të bëni. Nëse është të paguani të dhjetën apo të vizitoni një mik të brengosur, ju duhet ta bëni atë. Çfarëdo që është, bëjeni atë. Kur e tregoni gatishmërinë tuaj për t’u bindur, Shpirti do t’ju dërgojë më shumë mbresa për atë që Perëndia do të donte që ju të bënit për Të.
Kur bindeni, mbresat nga Shpirti do të vijnë më shpesh, duke u bërë gjithnjë e më të afërta drejt shoqërimit të vazhdueshëm. Fuqia juaj për ta zgjedhur të drejtën do të shtohet.
Ju mund ta dini se këto mbresa për të vepruar për Të janë nga Shpirti më shumë sesa nga vetë dëshirat tuaja. Kur mbresat përputhen me atë që kanë thënë Shpëtimtari dhe profetët e Tij të gjallë, ju mund të zgjidhni të bindeni me vetëbesim. Më pas Zoti do të dërgojë Shpirtin e Tij për t’ju ndihmuar.
Për shembull, nëse merrni një mbresë shpirtërore që ta nderoni ditën e Shabatit, veçanërisht kur duket e vështirë, Perëndia do të dërgojë Shpirtin e Tij për të ndihmuar.
Ajo ndihmë i erdhi babait tim vite më parë kur puna e çoi atë në Australi. Ai ishte vetëm një të diel dhe donte që të merrte sakramentin. Nuk mund të gjente asnjë informacion rreth mbledhjeve të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme. Kështu që filloi të ecte. U lut te çdo kryqëzim udhe që të dinte se në ç’drejtim të kthehej. Pasi eci dhe bëri kthesa për një orë, ai ndaloi dhe u lut përsëri. Pati një mbresë të kthehej te një rrugë e caktuar. Shpejt filloi të dëgjonte të kënduarin që vinte nga kati i parë i një godine apartamenti aty pranë. Hodhi vështrimin nga dritarja dhe pa disa njerëz të ulur pranë një tavoline të mbuluar me një copë të bardhë dhe me tabaka sakramenti.
Tani, kjo mund të mos ju duket shumë juve, por ishte diçka e mrekullueshme për të. Ai e dinte që premtimi i lutjes së sakramentit ishte përmbushur: “Gjithmonë ta kujtojnë atë e të zbatojnë urdhërimet që ai u ka dhënë atyre, që të mund të kenë gjithmonë Shpirtin e tij me ta” (DeB 20:77).
Ky ishte vetëm një shembull i një rasti kur ai u lut dhe më pas bëri atë që Shpirti i tha atij se çfarë donte Perëndia që ai të bënte. Ai e vazhdoi këtë përgjatë viteve, sikurse ju dhe unë do të vazhdojmë. Ai nuk fliste kurrë rreth shpirtshmërisë së tij. Ai thjesht vazhdoi të bënte për Zotin gjëra të vogla të cilat u nxit t’i bënte.
Sa herë që një grup shenjtorësh të ditëve të mëvonshme i kërkuan atij t’u fliste atyre, ai e bëri atë. Nuk kishte rëndësi nëse ishin 10 apo 50 njerëz, apo sa i lodhur ishte. Ai dha dëshminë e tij për Atin, Birin dhe Frymën e Shenjtë dhe për profetët kurdoherë që Shpirti e nxiti ta bënte atë.
Thirrjet e tij më të larta në Kishë ishin në këshillin e lartë të Kunjit Bonëvill në Juta, ku ai pastronte barërat e këqija në një fermë të kunjit dhe jepte mësim në klasën e Shkollës të së Dielës. Me kalimin e viteve, kur ai kishte nevojë për të, Fryma e Shenjtë ishte atje si shoqëruesi i tij.
Qëndrova pranë babait tim në një dhomë spitali. Nëna ime, bashkëshortja e tij e 41 vjetëve, ndodhej e shtrirë në shtrat. Ne ishim kujdesur për të për orë të tëra. Filluam t’i shihnim rrudhat e dhembjes të zhdukeshin prej fytyrës së saj. Gishtat e duarve të saj, të cilat ishin mbërthyer në grushte, u liruan. Krahët e saj pushuan anash trupit të saj.
Dhembjet e dekadave të kancerit po mbaronin. Pashë në fytyrën e saj një vështrim paqeje. Ajo mori frymë pak herë, pastaj edhe një frymëmarrje dhe më pas qëndroi e qetë. Qëndruam atje duke pritur të shihnim nëse do të kishte edhe një frymëmarrje tjetër.
Më së fundi, babai tha qetësisht: “Një vajzë e vogël u kthye në shtëpi”.
Nuk derdhi asnjë lot. Kjo ishte ngaqë Fryma e Shenjtë i kishte dhënë atij prej kohësh një pamje të qartë se kush ishte ajo, nga erdhi ajo, çfarë ishte bërë ajo dhe ku do të shkonte ajo. Shpirti i kishte dëshmuar atij shumë herë për një Atë të dashur Qiellor, për një Shpëtimtar që e kishte thyer fuqinë e vdekjes dhe për realitetin e vulosjes në tempull që ai e ndau me bashkëshorten dhe familjen e tij.
Shpirti e kishte siguruar atë prej kohësh që mirësia dhe besimi i saj e kishin cilësuar atë për kthimin në një shtëpi qiellore, ku ajo do të mbahej mend si një fëmijë i mrekullueshëm i premtimit dhe do të mirëpritej në shtëpi me nder.
Për babanë tim, ajo ishte më shumë sesa një shpresë. Fryma e Shenjtë e kishte bërë këtë gjë një realitet për të.
Tani, dikush mund të thoshte që fjalët e tij dhe pamjet në mendjen e tij rreth një shtëpie qiellore ishin thjesht një ndjenjë e këndshme, gjykimi i errësuar i një bashkëshorti në çastin e humbjes së tij. Por ai e njihte të vërtetën e përjetshme në mënyrën e vetme se si mund ta njihni atë.
Ai ishte një shkencëtar i cili e kërkoi të vërtetën rreth botës fizike gjatë gjithë jetës së tij si i rritur. Ai i përdori mjetet e shkencës mjaft mirë sa të nderohej nga bashkëpunëtorët e tij anembanë botës. Shumica e punës që bëri në kimi, erdhi nga të shikuarit me sytë e mendjes të molekulave duke lëvizur përreth dhe më pas duke e vërtetuar përfytyrimin e tij me anë të eksperimenteve në laborator.
Por ai kishte ndjekur një udhë të ndryshme për t’i zbuluar të vërtetat që kishin më shumë rëndësi për të dhe secilin prej nesh. Vetëm nëpërmjet Frymës së Shenjtë ne mund t’i shohim njerëzit e ngjarjet siç i sheh Perëndia.
Ajo dhuratë vazhdoi në spital pasi bashkëshortja e tij vdiq. Ne i mblodhëm gjërat e nënës sime për t’i çuar në shtëpi. Babai u ndal që të falënderonte çdo ndihmësmjeke dhe çdo mjek që e takuam në udhë e sipër drejt makinës. Më kujtohet që ndjeva, me ca acarim, se ne duhej të largoheshim që të ishim vetëm duke ndier hidhërimin tonë.
E kuptoj tani që ai pa gjëra që vetëm Fryma e Shenjtë mund t’ia kishte treguar. Ai i pa ata njerëz si engjëj të dërguar nga Perëndia për t’u kujdesur për të shtrenjtën e tij. Ata mund ta kenë parë veten e tyre si punonjës në fushën e mjekësisë, por babai po i falënderonte për shërbimin e tyre në emër të Shpëtimtarit.
Ndikimi i Frymës së Shenjtë vazhdoi me të kur mbërritëm në shtëpinë e prindërve të mi. Ne folëm për pak minuta në dhomën e ndenjes. Babai kërkoi leje që të largohej për në dhomën e tij të gjumit aty pranë.
Pas pak minutash, ai hyri sërish në dhomën e ndenjes. Ai kishte një buzëqeshje të këndshme. Eci drejt nesh dhe tha qetësisht: “Isha i shqetësuar që Milldredi do të mbërrinte e vetme në botën e shpirtrave. Mendova se ajo mund të ndihej e humbur në mes të turmës.”
Më pas ai tha plot gëzim: “Sapo u luta. E di se Milldredi është në rregull. Nëna ime ishte atje që të takohej me të.”
Më kujtohet që buzëqeshi kur e tha atë, duke përfytyruar gjyshen time, këmbët e saj të shkurtra duke vrapuar, duke nxituar përmes një turme që të sigurohej që ajo ishte atje për të takuar dhe përqafuar nusen e saj kur të arrinte.
Tani, një nga arsyet që babai im e kërkoi dhe e mori atë ngushëllim ishte ngaqë ai gjithmonë lutej me besim që nga fëmijëria e tij. Ai ishte mësuar me marrjen e përgjigjeve që i vinin në zemër për t’i dhënë ngushëllim dhe drejtim. Përveç pasjes së zakonit të lutjes, ai i njihte shkrimet e shenjta dhe fjalët e profetëve të gjallë. Kështu që ai i dallonte pëshpëritjet e shumënjohura të Shpirtit, të cilat mund t’i keni ndier sot.
Shoqërimi i Shpirtit kishte bërë më shumë sesa ngushëlluar dhe udhërrëfyer atë. Ai e ndryshoi atë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit. Kur e pranojmë atë premtim për ta pasur Shpirtin me ne gjithmonë, Shpëtimtari mund të na japë pastrimin e kërkuar për jetën e përjetshme, dhuratën më të madhe të të gjitha dhuratave të Perëndisë (shih DeB 14:7).
Ju i mbani mend fjalët e Shpëtimtarit: “Tani, ky është urdhërimi: Pendohuni, të gjitha ju skajet e tokës dhe ejani tek unë dhe pagëzohuni në emrin tim, që të shenjtëroheni nëpërmjet marrjes së Frymës së Shenjtë, që të mund të qëndroni pa njollë para meje, në ditën e fundit” (3 Nefi 27:20).
Këto urdhërime vijnë me këtë premtim nga Zoti:
“Dhe tani, në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them, vëre besimin tënd në atë Shpirt që drejton për të bërë mirë – po, për të bërë të drejtën, për të ecur me përulësi, për të gjykuar me drejtësi; dhe ky është Shpirti im.
Në të vërtetë, në të vërtetë, unë të them ty, unë do të të jap nga Shpirti im, që do të ndriçojë mendjen tënde, që do ta mbushë shpirtin tënd me gëzim” (DeB 11:12–13).
Ju jap dëshminë time që Perëndia, Ati, jeton, që Jezu Krishti i ringjallur e drejton Kishën e Tij, që Presidenti Tomas S. Monson i mban të gjithë çelësat e priftërisë dhe që zbulesa nëpërmjet Frymës së Shenjë e drejton dhe e mbështet Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe anëtarët e saj të përulur.
Unë ju dëshmoj më tej që këta burra të mrekullueshëm, të cilët na kanë folur sot si dëshmitarë të Zotit Jezu Krisht, si anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, thirren nga Perëndia. Unë e di që Shpirti e drejtoi Presidentin Monson për t’i thirrur ata. Dhe teksa i dëgjuat ata dhe dëshmitë e tyre, Shpirti i Shenjtë ju pohoi atë që unë po e them tani. Ata thirren nga Perëndia. Unë i mbështet ata, i dua ata dhe e di që Zoti i do ata dhe do t’i mbështetë ata në shërbimin e tyre. Dhe unë e bëj këtë, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.