2015
Fëmijët Thonë: ‘Ne Jemi Duart e Tij’
Nëntor 2015


Fëmijët Thonë: “Ne Jemi Duart e Tij”

Fëmijët anekënd botës në mënyrë entuziaste iu përgjigjën një fushate shërbimi të filluar nga revistat e Kishës. Revistat i ftuan fëmijët që të gjenin mënyra për të shërbyer, më pas ta konturonin dorën e tyre në një fletë letre, të shkruanin veprimin e tyre të shërbimit brenda formës së dorës dhe t’ia dërgonin atë Liahonës.

Revistat morën më shumë se 30.000 forma të duarve nga fëmijë të cilët ndihmuan të ndanin dashurinë e Shpëtimtarit, duke i bekuar familjet dhe fqinjët e tyre anembanë botës.

Frymëzimi për fushatën erdhi nga një bisedë në konferencën e përgjithshme të prillit 2010 prej Presidentit Diter F. Uhtdorf, Këshilltar i Dytë në Presidencën e Parë, e titulluar “Ju Jeni Duart e Mia”. Presidenti Uhtdorf tregoi historinë e një statuje të Jezu Krishtit të dëmtuar në Luftën II Botërore. Të paaftë për t’i rivendosur duart e statujës kur ajo u restaurua, njerëzit e qytetit shtuan këto fjalë në bazament: “Ju jeni duart e mia”.

Veprimet e shërbimit të fëmijëve kanë qenë po aq të veçanta sa edhe format e duarve që ata kanë dorëzuar. Për shembull:

Natali S., mosha 5 vjeç, nga Hong-Kongu dërgoi dy forma duarsh. Njëra formë thoshte: “Ndihmova nënën time për punët e shtëpisë” dhe tjetra: “Ndihmova që të shtyja një njeri në një karrocë invalidi”.

Erik S., mosha 11 vjeç, nga Rusia shpjegoi: “Në qytetin ku jetoj unë, dimri është i ftohtë”. Një familje u vendos në qytetin e tij dhe ata nuk kishin rroba që të mbanin ngrohtë. “Unë isha në gjendje t’ia jepja xhupin tim Arturit”, tha Eriku, “dhe ai u bë shoku im.”

Dhjetëvjeçarja Gabriela P. nga Venezuela shkroi brenda formës së dorës së saj: “Në shkollën time, shoqet e mia dhe unë ishim në klasën e shahut. Po kërkoja një partner me të cilin të luaja, kur pashë një djalë të sapoardhur që dukej i trishtuar. Doja të ndihmoja, por nuk dija se si. Atëherë një zë më tha se thjesht duhej të isha shoqja e tij. Shkova tek ai dhe i fola. Tani ne jemi shokë të ngushtë.”

Format e duarve u ekspozuan në zyrat qendrore të Kishës në Solt-Lejk-Siti të Jutës në SHBA për dy javë në shtator dhe tetor.