2015
Peshkopi U. Kristofer Uadell
Nëntor 2015


Peshkopi U. Kristofer Uadell

Këshilltar i Dytë në Peshkopatën Kryesuese

Si sportist në kolegj, Kristofer Uadelli mori një bursë për volejboll nga Universiteti Shtetëror i San-Diegos në Kaliforni të SHBA-së. Por ai mësoi të ishte mirënjohës për një peshkop, i cili i bëri atij pyetje për gjëra të tjera kur ishte në shtëpi gjatë pushimeve të shkollës.

“Ai nuk tha: ‘Si po shkon volejbolli?’ por ‘Si po ia çon? Po i thua lutjet e tua, po qëndron i fortë, po qëndron aktiv në Kishë?’ Me të vërtetë i vlerësova ato pyetje [rreth] … gjërave që ishin më të rëndësishmet”, kujton Peshkopi Uadell.

Përqendrimi tek ajo që është më e rëndësishmja, e ka ndihmuar Peshkopin Uadell që t’i përmbushë dy motot familjare, “Kthehu me nder” dhe “Mirëbeso në Zotin”. Ai mirëbesim e bëri atë të aftë për ta vënë mënjanë volejbollin dhe për të shërbyer në një mision. Pasi u kthye nga misioni, ai mirëbesim e bëri të aftë të vazhdonte një marrëdhënie romantike në largësi me një vajzë të re në një universitet tjetër. Më vonë, pasi u martuan, mirëbesimi në Zotin i bëri ata të aftë që ta dëgjonin Shpirtin kur merrnin vendime për t’u shpërngulur.

“Bëji gjërat sipas mënyrës së Zotit”, thotë ai, “dhe gjërat do të funksionojnë mirë.”

Mirëbesimi në Zotin do të vazhdojë ta bekojë Peshkopin Uadell, i cili ka shërbyer si një I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm që nga prilli i vitit 2011, ndërkohë që tani bëhet Këshilltari i Dytë i Peshkopatës Kryesuese.

Uejn Kristofer Uadelli u lind në Los Anxhelos të Kalifornisë në vitin 1959. Ai u martua me Kerëll Stensëllin në korrik të vitit 1984 në Tempullin e Los Anxhelosit në Kaliforni. Ata janë prindërit e katër fëmijëve dhe kanë tre nipër e mbesa. Ai ka qenë këshilltar në Presidencën e Zonës Veriperëndimore të Amerikës së Jugut dhe do të qëndrojë në Peru për një kohë të shkurtër.

Peshkopi Uadell mori një diplomë të nivelit të parë në vitin 1984 nga Universiteti Shtetëror i San-Diegos. Ai gjithashtu kreu studime pasuniversitare në programin ekzekutiv të Masterit të UBJ-së. Duke filluar nga viti 1984, ai punoi me kompaninë Merrill Lynch ku u bë zëvendëspresidenti i parë për investimet.

Peshkopi Uadell ka shërbyer si I Shtatëdhjetë Zonal, si president i Misionit të Spanjës në Barcelonë (ku më parë shërbeu si misionar kohëplotë kur ishte i ri), si president kunji, këshilltar në një presidencë misioni, peshkop dhe si këshilltar në një peshkopatë.