2015
Të ‘Zgj[edhur] për të Dhënë Dëshmi për Emrin Tim’
Nëntor 2015


Të “Zgj[edhur] për të Dhënë Dëshmi për Emrin Tim”

Është e mrekullueshme të kemi burra të moshuar, me një pjekuri dhe gjykim të madh shpirtëror, duke shërbyer në pozicione kryesuese të udhëheqjes së Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit.

Në vitin 1996 Presidenti Gordon B. Hinkli doli në programin televiziv amerikan të lajmeve 60 Minuta. Majk Uollasi, një gazetar me përvojë dhe këmbëngulës, e intervistoi Presidentin Hinkli rreth një numri temash të rëndësishme.

Pranë fundit të bashkëbisedimit të tyre, Zoti Uollas vërejti: “Ka njerëz që thonë: ‘Kjo është një gjerontokraci [qeverisje nga njerëz të moshuar]. Kjo është një kishë që drejtohet nga burra të moshuar.’”

Presidenti Hinkli u përgjigj gëzueshëm dhe pa ngurrim: “A s’është e mrekullueshme të kesh si udhëheqës një burrë plot pjekuri, një burrë plot gjykim të urtë, të cilin nuk e lëkund asnjë erë doktrineje?” (transmetim televiziv më 7 prill 1996).

Qëllimi im është të shpjegoj përse është me të vërtetë e mrekullueshme të kemi burra të moshuar, me një pjekuri dhe gjykim të madh shpirtëror, duke shërbyer në pozicione kryesuese të udhëheqjes së Kishës së rivendosur të Jezu Krishtit – dhe përse ne duhet t’i “dëgjo[jmë]” e t’ua “[vëmë] vesh[in]” (Mosia 2:9) mësimeve të këtyre burrave, të cilët Zoti i ka “zgj[edhur] për të dhënë dëshmi për emrin [e Tij] … mes gjithë kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve” (DeB 112:1).

Lutem që të gjithë të mund të udhëzohemi nëpërmjet Frymës së Shenjtë teksa e marrim parasysh së bashku këtë temë të rëndësishme.

Një Mësim nga Përvoja e një Jete të Tërë

Unë flas për këtë temë nga një këndvështrim tërësisht i veçantë. Për 11 vjetët e fundit, kam qenë anëtari më i ri në moshë i Të Dymbëdhjetëve për sa i përket moshës kronologjike. Gjatë viteve të mia të shërbimit, mosha mesatare e burrave që kanë shërbyer në Presidencën e Parë dhe në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, ka qenë 77 vjeç – mosha mesatare më e madhe e Apostujve gjatë një intervali 11-vjeçar në këtë periudhë të kujdestarisë ungjillore.

Unë jam bekuar nga përvoja dhe mprehtësia e përbashkët apostullore, vetjake dhe profesionale e anëtarëve të kuorumit me të cilët shërbej. Një shembull nga shoqërimi im me Plakun Robert D. Hejls vë në dukje mundësitë mbresëlënëse që kam unë, që të mësoj nga këta udhëheqës dhe që të shërbej me ta.

Disa vite më parë, e kalova një të diel pasdite me Plakun Hejls në shtëpinë e tij, ndërkohë që ai po shërohej nga një sëmundje e rëndë. Diskutuam për familjet tona, përgjegjësitë e kuorumit tonë dhe për përvoja të rëndësishme.

Në njëfarë pike e pyeta Plakun Hejls: “Ti ke qenë një bashkëshort, baba, sportist, pilot, drejtues biznesi dhe udhëheqës Kishe i suksesshëm. Çfarë mësimesh ke mësuar me kalimin e moshës dhe teksa po has kufizime për shkak të aftësisë fizike në rënie?”

Plaku Hejls mendoi për një çast dhe u përgjigj: “Kur nuk mund të bësh atë që e ke bërë gjithmonë, atëherë mund të bësh vetëm gjërat që kanë rëndësinë më të madhe”.

U befasova nga thjeshtësia dhe përfshirja tërësore e përgjigjes së tij. Bashkëpunëtori im i dashur apostullor më dha një mësim nga përvoja e një jete të tërë – një mësim të mësuar përmes sprovave të vështira të vuajtjes fizike dhe të kërkimit të përgjigjeve shpirtërore.

Kufizimet dhe Dobësitë Njerëzore

Kufizimet që janë pasojë natyrore e kalimit të moshës, në fakt mund të bëhen burime të mrekullueshme të të mësuarit dhe të mprehtësisë shpirtërore. Pikërisht faktorët që shumë njerëz mund të besojnë se e kufizojnë efektshmërinë e këtyre shërbëtorëve, mund të bëhen disa prej anëve të tyre më të forta, më të madhërishme. Kufizimet fizike mund ta zgjerojnë kuptueshmërinë shpirtërore. Qëndrueshmëria e kufizuar fizike mund t’i qartësojë përparësitë. Paaftësia për të bërë shumë gjëra mund ta drejtojë përqendrimin te disa gjëra me rëndësi më të madhe.

Disa njerëz kanë sugjeruar se udhëheqës më të rinj në moshë, më energjikë, nevojiten në Kishë për t’iu drejtuar në mënyrë më të efektshme sfidave të rënda të botës sonë bashkëkohore. Por Zoti nuk i përdor filozofitë dhe praktikat bashkëkohëse të udhëheqjes për t’i përmbushur qëllimet e Tij (shih Isaia 55:8–9). Ne mund të presim që Presidenti dhe udhëheqësit e tjerë kryesues të Kishës do të jenë burra më të moshuar dhe më të sprovuar shpirtërisht.

Modeli i dhënë me anë të zbulesës nga Zoti për qeverisjen nëpërmjet këshillave në Kishën e Tij, jep siguri për dobësitë njerëzore dhe e zvogëlon ndikimin e këtyre dobësive. Në mënyrë interesante, kufizimet njerëzore të këtyre burrave faktikisht pohojnë burimin hyjnor të zbulesave që iu vijnë atyre dhe që na zbulohen nëpërmjet tyre. Me të vërtetë, këta burra thirren nga Perëndia me anë të profecisë (shih Nenet e Besimit 1:5).

Një Model Përgatitjeje

Unë kam vëzhguar te Vëllezërit e mi të paktën një pjesë të qëllimit të Zotit për të pasur burra më të moshuar, me pjekuri dhe gjykim shpirtëror, që të shërbejnë në pozicione kryesuese në udhëheqjen e Kishës. Këta burra kanë pasur një periudhë të gjatë të mësimdhënies nga Zoti, të cilit i shërbejnë dhe të cilin e përfaqësojnë dhe e duan. Ata kanë mësuar t’i kuptojnë gjuhën hyjnore të Shpirtit të Shenjtë dhe modelet e Zotit për marrjen e zbulesës. Këta burra të zakonshëm i janë nënshtruar një procesi shumë të jashtëzakonshëm zhvillimi, që e ka mprehur largpamësinë e tyre, ka frymëzuar mendjehollësinë e tyre, ka shkaktuar dashuri për njerëz nga të gjitha kombet e rrethanat dhe ka vërtetuar realitetin e Rivendosjes.

Unë kam qenë dëshmitar në mënyrë të përsëritur teksa Vëllezërit e mi përpiqen me zell që t’i përmbushin dhe lartësojnë përgjegjësitë e tyre, ndërkohë që ndeshen me probleme të rënda fizike. Këta burra nuk kursehen nga mundimi. Përkundrazi, ata bekohen dhe forcohen që të shkojnë përpara me guxim teksa vuajnë në mundimet e tyre.

Gjatë shërbimit me këta përfaqësues të Zotit, unë kam arritur të di se dëshira e tyre më e madhe është ta dallojnë dhe ta bëjnë vullnetin e Atit tonë Qiellor dhe të Birit të Tij të Dashur. Kur këshillohemi së bashku, është marrë frymëzim dhe janë marrë vendime që pasqyrojnë një shkallë drite dhe të vërtete shumë përtej inteligjencës, arsyetimit dhe përvojës njerëzore. Kur punojmë së bashku në unitet për sa u përket problemeve të ndërlikuara, kuptueshmëria jonë e përbashkët për një çështje është zgjeruar në mënyra të mrekullueshme nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Jam i bekuar që i vëzhgoj ditë për ditë personalitetet, aftësitë individuale dhe karakteret fisnike të këtyre udhëheqësve. Disa njerëz i mendojnë papërsosuritë njerëzore të Vëllezërve si shqetësuese dhe pakësuese të besimit. Për mua, ato papërsosuri japin guxim dhe e nxitin besimin.

Një Mësim Shtesë

Tashmë kam qenë dëshmitar i faktit që gjashtë prej Vëllezërve kanë marrë një shpërngulje nëpërmjet vdekjes fizike drejt përgjegjësive të reja në botën e shpirtrave: Presidenti Xhejms E. Faust, Presidenti Gordon B. Hinkli, Plaku Jozef B. Uirthlin, Plaku L. Tom Peri, Presidenti Bojd K. Paker dhe Plaku Riçard G. Skot.

Këta Vëllezër të guximshëm i përkushtuan “tërë shpirtrat” e tyre (Omni 1:26) që të dëshmonin për emrin e Jezu Krishtit në të gjithë botën. Tërësia e ndërthurur e mësimeve të dhëna prej tyre është e paçmuar.

Këta shërbestarë në vitet përfundimtare të shërbesave të tyre në vdekshmëri na dhanë përmbledhje shpirtërore të fuqishme të mësimeve të mësuara përgjatë dekadave të shërbimit të përkushtuar. Këta udhëheqës përçuan të vërteta të një vlere të madhe në një kohë kur disa njerëz mund të besojnë se ata kishin shumë pak për të dhënë.

Merrini parasysh mësimet përfundimtare të profetëve të madhërishëm në shkrimet e shenjta. Për shembull, Nefi e mbylli analin e tij me këto fjalë: “Pasi kështu më ka urdhëruar Zoti dhe unë duhet të bindem” (2 Nefi 33:15).

Pranë fundit të jetës së tij, Jakobi këshilloi:

“Pendohuni dhe hyni në portën e ngushtuar dhe vazhdoni në rrugën që është e ngushtë, derisa ju të merrni jetën e përjetshme.

O, jini të urtë; çfarë mund të them më?” (Jakobi [LiM] 6:11–12).

Moroni e përfundoi punën e tij të përgatitjes së fletëve me një paraprirje shpresëplotë të Ringjalljes: “Së shpejti do të shkoj të pushoj në parajsën e Perëndisë, deri kur shpirti dhe trupi im do të bashkohen përsëri dhe unë do të çohem ngadhnjimtar nëpër ajër, për t’ju takuar para shufrës së këndshme të Jehovait të madh, Gjykatësit të Përjetshëm të atyre që janë gjallë dhe që kanë vdekur” (Moroni 10:34).

Ju dhe unë bekohemi që të mësojmë nga mësimet dhe dëshmitë përmbyllëse të profetëve dhe apostujve të ditëve të mëvonshme. Emrat sot nuk janë Nefi, Jakobi dhe Moroni – por Presidenti Faust, Presidenti Hinkli, Plaku Uirthlin, Plaku Peri, Presidenti Paker dhe Plaku Skot.

Nuk po sugjeroj që mesazhet përfundimtare të këtyre burrave të dashur ishin domosdoshmërisht më mbresëlënëset ose më të rëndësishmet e shërbesave të tyre. Megjithatë, përmbledhja e të mësuarit të tyre shpirtëror dhe e përvojave të tyre jetësore i aftësoi këta udhëheqës që të theksonin të vërteta të përjetshme me vërtetësi tërësore dhe fuqi të madhe përshkuese.

Presidenti Xhejms E. Faust

Në bisedën e tij të fundit në konferencën e përgjithshme në prill të vitit 2007, Presidenti Faust shpalli:

“Shpëtimtari na ka ofruar të gjithëve një paqe të çmuar nëpërmjet Shlyerjes së Tij, por kjo mund të vijë vetëm kur jemi të gatshëm t’i dëbojmë ndjenjat negative të zemërimit, mërisë ose hakmarrjes. …

Le të mbajmë mend se kemi nevojë t’i falim të tjerët që të falemi vetë. … Me të gjithë zemrën dhe shpirtin tim, unë besoj në fuqinë shëruese që mund të na vijë ndërsa ndjekim këshillën e Shpëtimtarit për ‘t’i fa[lur] të gjithë njerëzit’ [DeB 64:10]” (“Fuqia Shëruese e Faljes”, Liahona, maj 2007, f. 69).

Mesazhi i Presidentit Faust është një mësim i fuqishëm nga përvoja e një jete të tërë, nga një burrë që e dua dhe njëri prej burrave më falës që kam njohur ndonjëherë.

Presidenti Gordon B. Hinkli

Presidenti Hinkli dëshmoi në konferencën e tij të përgjithshme, të fundit, në tetor të vitit 2007: “Ju pohoj dëshminë time për thirrjen e Profetit Jozef, për këtë punë, për vulosjen e dëshmisë së tij me gjakun e tij si një martir i së vërtetës së përjetshme. … Ju dhe unë duhet të përballemi me pyetjen a do ta pranojmë apo jo vërtetësinë e Vegimit të Parë dhe të asaj që erdhi më pas. Tek çështja e vërtetësisë së tij qëndron vetë vlefshmëria e kësaj Kishe. Ai është i vërtetë dhe unë dëshmoj se është, prandaj puna në të cilën jemi zotuar, është puna më e rëndësishme mbi tokë” (“Guri që Shkëputet nga Mali”, Liahona, nëntor 2007, f. 86).

Dëshmia e Presidentit Hinkli pohon një mësim të fuqishëm nga përvoja e një jete të tërë, prej një njeriu që unë e dua dhe e di se ishte një profet i Perëndisë.

Plaku Jozef B. Uirthlin

Plaku Uirthlin e dha mesazhin e tij përfundimtar të konferencës së përgjithshme në tetor të vitit 2008.

“Unë akoma e kujtoj këshillën [e nënës sime] në atë ditë, shumë kohë më parë kur skuadra ime humbi një ndeshje futbolli amerikan: ‘Le të ndodhë ç’të ndodhë, duaje atë’.

… Fatkeqësia, nëse merret siç duhet, mund të jetë një bekim në jetën tonë. …

Ndërsa kërkojmë të qeshim, synojmë të ardhmen e përjetshme, kuptojmë parimin e shpërblimit dhe i afrohemi Atit tonë Qiellor, ne mund t’i durojmë vështirësitë dhe sprovat. Ne mund të themi ashtu si tha nëna ime: ‘Le të ndodhë ç’të ndodhë, duaje atë’” (“Le të Ndodhë Ç’të Ndodhë, Duaje Atë”, Liahona, nëntor 2008, f. 28).

Mesazhi i Plakut Uirthlin është një mësim i fuqishëm nga përvoja e një jete të tërë, prej një burri që e dua dhe i cili ishte një predikim i gjallë i mposhtjes së vështirësive nëpërmjet besimit te Shpëtimtari.

Plaku L. Tom Peri

Plaku Peri qëndroi te kjo foltore vetëm gjashtë muaj më parë. Në atë kohë ne nuk mund ta kishim përfytyruar se dëshmia e tij do të ishte dëshmia e fundit në një konferencë të përgjithshme.

“Më lejoni ta mbyll duke shprehur dëshminë (dhe nëntë dekadat e mia në këtë tokë më kualifikojnë tërësisht që ta them këtë) se sa më shumë që plakem, aq më shumë e kuptoj se familja është thelbi i jetës dhe është kyçi i lumturisë së përjetshme.

Jap falënderime për gruan time, për fëmijët e mi, për nipërit e mbesat e mia dhe për stërnipërit e stërmbesat e mia, dhe për … të afërmit e largët që ma bëjnë vetë jetën time kaq të pasur dhe po, madje të përjetshme. Për këtë të vërtetë të përjetshme jap dëshminë time më të fuqishme dhe më të shenjtë” (“Përse Martesa dhe Familja Janë të Rëndësishme – Kudo në Botë”, Liahona, maj 2015, f. 42).

Mesazhi i Plakut Peri është një mësim i fuqishëm nga përvoja e një jete të tërë, prej një burri që e dua dhe i cili e kuptoi nëpërmjet përvojës së madhe marrëdhënien thelbësore midis familjes dhe lumturisë së përjetshme.

Presidenti Bojd K. Paker

Presidenti Paker theksoi në konferencën e përgjithshme gjashtë muaj më parë planin e Atit për lumturinë, Shlyerjen e Shpëtimtarit dhe familjet e përjetshme:

“Jap dëshmi se Jezusi është Krishti dhe Biri i Perëndisë së gjallë. Ai qëndron në krye të Kishës. Nëpërmjet Shlyerjes së Tij dhe fuqisë së priftërisë, familjet që fillohen në vdekshmëri, mund të jenë së bashku për gjithë përjetësitë. …

Jam kaq shumë mirënjohës për … Shlyerjen e cila mund të na pastrojë nga çdo njollë, pavarësisht nga sa e vështirë ose për sa kohë apo për sa herë është përsëritur. Shlyerja mund t’ju bëjë të lirë sërish për të ecur përpara, me pastërti e denjësi” (“Plani i Lumturisë”, Liahona, maj 2015, f. 28).

Mesazhi përfundimtar i Plakut Paker është një mësim nga përvoja e një jete të tërë, prej një burri që e dua dhe i cili, në mënyrë të theksuar dhe të përsëritur, shpalli se qëllimi “i të gjithë veprimtarisë së Kishës është që të shikojë se një burrë e një grua me fëmijët e tyre janë të lumtur në shtëpi, të vulosur së bashku për kohën e për gjithë përjetësinë” (Liahona, maj 2015, f. 26).

Plaku Riçard G. Skot

Plaku Skot shpalli në bisedën e tij të fundit në konferencën e përgjithshme në tetor të vitit 2014: “Ne erdhëm në jetën në vdekshmëri pikërisht për t’u rritur nëpërmjet sprovave dhe vënies në provë. Sfidat na ndihmojnë të bëhemi më shumë si Ati ynë në Qiell dhe Shlyerja e Jezu Krishtit e bën të mundur që t’i durojmë ato sfida. Unë dëshmoj se, kur vijmë në mënyrë aktive tek Ai, ne mund të durojmë çdo tundim, çdo lëndim, çdo sfidë që hasim” (“Bëjeni Ushtrimin e Besimit Përparësinë Tuaj Parësore”, Liahona, nëntor 2014, f. 94).

Mesazhi i Plakut Skot është një mësim i fuqishëm nga përvoja e një jete të tërë prej një burri që e dua dhe një dëshmitari të dashur, të veçantë të emrit të Krishtit në gjithë botën (shih DeB 107:23).

Premtimi dhe Dëshmia

Shpëtimtari shpalli: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj” (DeB 1:38). I dëgjofshim dhe ua vënshim veshin të vërtetave të përjetshme të dhëna mësim nga përfaqësuesit e autorizuar të Zotit. Kur e bëjmë këtë, unë premtoj, besimi ynë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të forcohet dhe ne do të marrim udhërrëfim shpirtëror dhe mbrojtje për rrethanat dhe nevojat tona të veçanta.

Me të gjithë energjinë e shpirtit tim, unë dëshmoj se Krishti i gjallë dhe i ringjallur e drejton punën e Kishës së Tij të rivendosur dhe të gjallë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, të cilët janë zgjedhur të japin dëshmi në emër të Tij. Unë kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.