2015
Përkushtohet Vendi i Rivendosjes së Priftërisë
Nëntor 2015


Përkushtohet Vendi i Rivendosjes së Priftërisë

Më 19 shtator 2015, Presidenti Rasëll M. Nelson, President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, kryesoi në përkushtimin e vendit në Pensilvani të SHBA-së, ku Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri morën Priftërinë Aarone nga Gjon Pagëzori. Në vitet 1820 zona njihej si Harmonia në Pensilvani dhe shumë ngjarje në historinë e hershme të Kishës së rivendosur ndodhën atje:

  • Takimi i Jozef Smithit dhe Ema Hejlit, shoqërimi i tyre si çift dhe jeta e tyre e hershme si të martuar.

  • Ardhja e Oliver Kaudërit për të ndihmuar si shkrues në përkthimin e Librit të Mormonit.

  • Përkthimi i shumicës së Librit të Mormonit.

  • Rivendosja e Priftërisë Aarone dhe (ndonëse nuk njihet vendndodhja e saktë) rivendosja e Priftërisë Melkizedeke.

  • Pagëzimet e para të kryera nga autoriteti i priftërisë në kohët moderne.

  • Zbulesa u morën që u bënë 15 seksione në Doktrinën e Besëlidhjet dhe një pjesë e Perlës me Vlerë të Madhe.

Vendi i rikrijuar sërish përfshin një qendër vizitorësh, e cila luan rol edhe si një shtëpi mbledhjesh për një degë vendore; shtëpitë e rindërtuara të Jozefit e Emës dhe të prindërve të Emës, Isak dhe Elizabeth Hejlit; dhe një hyrje për në vendin pranë lumit Saskehana ku besohet që ndodhën pagëzimet e Jozefit dhe të Oliverit.

“Harmonia i siguroi Jozefit vetmi dhe mbrojtje shpirtërore, duke e lejuar atë të përqendrohej në përkthimin e Librit të Mormonit”, tha Presidenti Nelson. “Përgjatë kësaj periudhe, Zoti i dha mësim Jozefit për rolin e tij hyjnor si profet, shikues e zbulues.”

Presidenti Rasëll M. Nelson dhe bashkëshortja e tij, Uendi, vizitojnë modelin e shtëpisë së Jozef dhe Ema Smithit, ku u përkthye shumica e Librit të Mormonit.