Plaku Dejll G. Renland
Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve
Pas befasisë fillestare të thirrjes në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, Plaku Dejll G. Renland ra në gjunjë me bashkëshorten e tij, Ruthin, duke kërkuar dëshmimin se “Perëndia e udhëzoi këtë drejtim”.
Plaku Renland e ka kërkuar atë drejtim shumë herë – si një I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm, si kardiolog dhe si bashkëshort e baba. Teksa punonte si mjek në stazh gjatë trajnimit në Merilend të SHBA-së, për shembull, bashkëshortja e tij u sëmur me kancer në vezore. Bija e tyre, Ashli, ishte vetëm 16 muajshe. Gjatë atyre ditëve të vështira, ndjenjat e Plakut Renland për afërsinë me Zotin u rivendosën kur Ruthi falënderoi Zotin në lutje për vulosjen e tyre në tempull.
Plaku Renland e kaloi karrierën e tij si kardiolog, duke trajtuar pacientë me insufiçencë të zemrës. Ai pa shumë pacientë të vdisnin. Por pasi vdiq një pacient i quajtur Çad, largësia emocionale që ai ruante në kohë krize si mjek, u copëtua kur prindërit e Çadit u bashkuan me të në dhomën e urgjencës. Në atë çast, e pa Çadin nëpërmjet syve të tyre.
Për këtë përvojë, Plaku Renland tha: “Tani e kuptoj se në Kishë, që t’u shërbejmë të tjerëve me efektshmëri, ne duhet t’i shohim ata nëpërmjet syve të një prindi, nëpërmjet syve të Atit Qiellor. Vetëm atëherë ne mund të fillojmë ta kuptojmë vlerën e vërtetë të një shpirti” (faqe 94).
Fëmijëria e Plakut Renland dhe shërbimi i tij në Kishë gjithashtu e kanë përgatitur atë që t’i shohë të tjerët nëpërmjet syve të Zotit dhe të kuptojë anëtarësinë e larmishme të Kishës.
Dejll Renlandi u lind më 13 nëntor 1952, nga prindër emigrantë suedezë që erdhën në Juta për t’u vulosur në tempull. Kur Dejlli ishte fëmijë, familja e tij u vendos në Finlandë dhe më pas sërish në Suedi. Ai u kthye në Juta me familjen e tij tre vjet më vonë. Në moshën 19-vjeçare, ai u thirr për të shërbyer në një mision kohëplotë në Suedi.
Në vitin 2009 Plaku Renland u thirr të shërbente si I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm. Caktimi i tij i parë ishte në Presidencën e Zonës Juglindore të Afrikës. Plaku Renland e përfundoi karrierën e tij si mjek dhe profesor, por bashkëshortja e tij, thotë ai, “bëri sakrificën më të madhe”. Kur Plaku Renland u thirr, Ruthi ishte presidente e kompanisë së saj avokatore dhe ajo gjithashtu e la punën e saj. Por që kur ata u martuan në vitin 1977, thotë ai, ajo gjithmonë ka qenë “e përfshirë në gjithçka” dhe një burim force të madhe për të.
Ndërkohë që ishin në Afrikë, Plakut dhe Motrës Renland iu “dha mësim nga shenjtorët lidhur me çfarë ishte vërtet e rëndësishme”. Një herë, në Republikën Demokratike të Kongos, Plaku Renland i pyeti anëtarët se cilat ishin sfidat e tyre. Ai sjell ndërmend që pas disa nxitjesh, “një zotëri i moshuar u ngrit në këmbë dhe tha: ‘Plaku Renland, si mund të kemi sfida? Ne kemi ungjillin e Jezu Krishtit.’” Plaku Renland shprehet: “Bashkëshortja ime dhe unë dëshirojmë të jemi si ata shenjtorë në Kananga. … Ata duket sikur nuk kanë asgjë, por kanë gjithçka.”
Duke e mbyllur bisedën e tij të parë si Apostull, Plaku Renland dëshmoi: “Me gjithë zemrën time unë dëshiroj të jem një pasues i vërtetë i Jezu Krishtit. Unë e dua atë. Unë e adhuroj Atë. Unë dëshmoj për realitetin e Tij të gjallë. Unë dëshmoj se Ai është i Vajosuri, Mesia” (faqe 94).