2015
Qëndroj Plot Habi
Nëntor 2015


Qëndroj Plot Habi

Dëshmia ime për Jezu Krishtin është ndërtuar nga shumë përvoja të veçanta, në të cilat kam arritur të njoh dashurinë e Tij të madhe për çdonjërin prej nesh.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura anembanë botës, unë i jam shumë mirënjohës Presidencës së Parë që më ftoi të ndaj dëshminë time të përulur këtë ditë Shabati. Fjalët e një himni të parapëlqyer të shenjtorëve të ditëve të mëvonshme i përshkruajnë ndjenjat e mia të tanishme:

Qëndroj plot habi kur shoh sa shum’ Krishti më do,

I shtangur nga hiri që ai kaq shum’ më dërgon. …

Çudi kur mendoj se nga fron’ i tij ai do zbres,

Shpëtim t’i sjell shpirtit tim krenar edhe rebel,

Që ta shtrij’ kaq shum’ mbi mua dashurin’ e tij,

Aq sa të mjaftoj’ shpëtim të gjej shpirti i im. …

Për mua ç’mrekulli, Zot, o ç’mrekulli!1

Pak ditë më parë pata privilegjin të takohesha me Presidencën e Parë dhe ta merrja këtë thirrje nga profeti ynë i dashur, Presidenti Tomas S. Monson. Unë dua t’ju dëshmoj ju të gjithëve për forcën dhe dashurinë që Presidenti Monson pati kur ai më tha: “Kjo thirrje vjen nga Zoti Jezu Krisht”.

Unë jam i pushtuar nga emocioni dhe dridhem deri në palcë kur marr parasysh rëndësinë dhe domethënien e atyre fjalëve të thëna me aq dhembshuri nga profeti ynë i dashur. Presidenti Monson, Presidenti Ajring, Presidenti Uhtdorf, unë ju dua ju dhe do t’i shërbej Zotit dhe juve me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën time.

O, sa i kam dashur Presidentin Bojd K. Paker, Plakun L. Tom Peri dhe Plakun Riçard G. Skot. Më merr malli shumë. Jam bekuar që të jem ushtruar dhe mësuar te këmbët e këtyre Vëllezërve të shtrenjtë. As në pjesën më të vogël nuk jam në gjendje të eci sipas shembullit të tyre, prapëseprapë jam i nderuar të qëndroj mbi supet e tyre dhe të vazhdoj punën në shërbesën e Zotit.

Kur mendoj për ata që më kanë ndihmuar të bëhem njeriu që jam, unë mendoj fillimisht për shoqen time të ëmbël dhe vetëmohuese, Melaninë. Përgjatë viteve, ajo ka ndihmuar për të më dhënë formë, sikurse argjilës së poçarit, në një dishepull më të përpunuar të Jezu Krishtit. Dashuria dhe përkrahja e saj, dhe ajo e 5 fëmijëve tanë, e bashkëshortëve të tyre dhe e 24 nipërve e mbesave tona, më mbështetin mua. Familjes sime të dashur, unë ju dua.

Si Nefi i lashtë, unë u linda në ungjill nga prindër të mirë dhe ata nga prindër të mirë duke shkuar pas gjashtë breza. Paraardhësit e mi të hershëm, që u bashkuan me Kishën, ishin nga Anglia dhe Danimarka. Këta pionierë të hershëm dhanë gjithçka që kishin për ungjillin e Jezu Krishtit dhe për të lënë një trashëgimi që ta ndiqnin pasardhësit e tyre. Jam kaq mirënjohës për një familje shumëbrezëshe, shenjtore të ditëve të mëvonshme dhe e di se ky është një synim i denjë për ne të gjithë që të përpiqemi për të.

Shumë njerëz të tjerë kanë dhënë ndihmesë për ta përgatitur jetën time për këtë thirrje të re. Ata përfshijnë miqtë e mi të fëmijërisë dhe familjen time, udhëheqësit, mësuesit e hershëm dhe këshilltarët gjatë gjithë jetës. Duhet të përfshij ata nga misioni im i hershëm në shtetet lindore të Amerikës dhe misionarët tanë të dashur nga Misioni i Nju-Jorkut Verior, në Nju-Jork. Për njerëzit e shumtë që kanë ndikuar në jetën time dhe i kanë dhënë formë asaj, unë jam tepër mirënjohës.

E kam dashur shumë shërbimin me Vëllezërit e mi të Të Shtatëdhjetëve. Për 15 vjet unë kam qenë në një prej kuorumeve më të madhërishme dhe vëllazërive më të dashura të Kishës. Faleminderit, bashkëshërbëtorët e mi të dashur. Tani mezi pres që t’i përkas një kuorumi të ri. Presidenti Rasëll M. Nelson, dashuria ime është e thellë për ju dhe secilin anëtar të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.

Motra Rasband dhe unë jemi bekuar të vizitojmë anëtarë gjatë detyrave të shumta në bashkësi dhe misione anembanë botës. Ne i duam shenjtorët e ditëve të mëvonshme kudo! Besimi juaj e ka rritur besimin tonë; dëshmitë tuaja u kanë shtuar dëshmive tona.

Tani, nëse mund të lija një mesazh të vogël me ju sot, do të ishte ky: Zoti ka thënë: “Ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur”2. Kam besim se nuk ka asnjë zgjedhje, mëkat apo gabim që ju ose çdo njeri tjetër mund ta bëjë, që do ta ndryshojë dashurinë e Tij për ju ose për ta. Kjo nuk do të thotë që Ai e shfajëson apo miraton sjelljen mëkatare – jam i sigurt që Ai nuk e bën këtë – por do të thotë që ne duhet t’u drejtohemi bashkënjerëzve tanë me dashuri për t’i ftuar, bindur, shërbyer e shpëtuar. Jezu Krishti vështroi përtej racës, pozitës dhe rrethanave të njerëzve, me qëllim që t’ua mësonte atyre këtë të vërtetë të thellë.

Më kanë pyetur shumë herë se kur e mora dëshminë time.

Nuk mbaj mend që të mos kem besuar tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. I kam dashur Ata që kur mësova për Ta i ulur te gjunjët e nënës sime engjëllore, duke lexuar historitë nga shkrimet e shenjta dhe historitë e ungjillit. Ai besim i hershëm tani është rritur në një njohuri dhe një dëshmi për një Atë të dashur Qiellor, i cili i dëgjon dhe u përgjigjet lutjeve tona. Dëshmia ime për Jezu Krishtin është ndërtuar nga shumë përvoja të veçanta, në të cilat kam arritur të njoh dashurinë e Tij të madhe për çdonjërin prej nesh.

Jam mirënjohës për Shlyerjen e Shpëtimtarit tonë dhe dëshiroj, sikurse Alma, ta njoftoj atë me borinë e Perëndisë.3 Unë e di se Jozef Smithi është profeti i Perëndisë për Rivendosjen dhe se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Dhe unë e di se Presidenti Tomas S. Monson është shërbëtori dhe profeti i vërtetë i Perëndisë në tokë sot.

Teksa e ndjekim profetin tonë, unë lutem që ne të kemi dashuri hyjnore në zemrat tona kundrejt të tjerëve dhe që ne do të bëhemi një dëshmitar i gjallë dhe me të vërtetë do të “qëndroj[më] plot habi kur [të] shoh[im] sa shum’ Krishti [na] do”. O, qoftë “për [ju dhe] mua ç’mrekulli, … ç’mrekulli”. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Qëndroj Plot Habi”, Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 22.

  2. Gjoni 13:34.

  3. Shih Alma 29:1.