Peshkopi Din M. Dejvis
Këshilltar i Parë në Peshkopatën Kryesuese
“Kur isha adoleshent”, thotë Peshkopi Din M. Dejvis, “më sillte gëzim që të kishim një oborr me barin të prerë më mirë në lagjen tonë dhe unë mësova një mësim të rëndësishëm: që një përpjekje e vogël shtesë mund të sjellë një ndryshim të vërtetë pothuajse në gjithçka që bëjmë.” Dhënia e diçkaje shtesë është bërë një standard që do të vazhdojë t’i shërbejë mirë atij si Këshilltari i ri i Parë në Peshkopatën Kryesuese.
Peshkopi Dejvis ka qenë duke shërbyer si Këshilltar i Dytë i Peshkopit Geri E. Stivenson, i cili u mbështet si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më 3 tetor 2015.
Din Majrën Dejvisi u lind në Solt-Lejk-Siti të Jutës në SHBA në vitin 1951. U rrit si njëri prej tetë fëmijëve. Ai shpreh mirënjohje për prindërit të cilët jo vetëm që i deshën dhe i ushqyen shpirtërisht fëmijët e tyre, por gjithashtu i ndihmuan ata të vlerësojnë bekimet e punës. Ai u martua me Darla Xhejmsin në vitin 1973, në Tempullin e Solt-Lejkut. Ata kanë 5 fëmijë dhe 14 nipër e mbesa.
Peshkopi Dejvis gjithashtu mësoi një mësim të rëndësishëm ndërkohë që jetonte në San-Francisko të Kalifornisë në SHBA në vitin 1989. Gjatë një tërmeti, ai dëshmoi dëmtimin e rëndë të apartamenteve të ndërtuara pa një themel të sigurt. “Meditimi për ngjarjet e asaj dite ripohon në mendjen dhe në zemrën time se për t’u bërë ballë me sukses stuhive, tërmeteve dhe katastrofave të jetës, ne duhet të mbështetemi mbi një themel të sigurt … themelin e Jezu Krishtit” (“Një Themel i Sigurt”, Liahona, maj 2013, f. 9).
Peshkopi Dejvis është punësuar nga Kisha që nga korriku i vitit 1995. Kohët e fundit ai ishte drejtori kryesues i Departamentit të Projekteve të Posaçme, me përgjegjësinë për pasuritë e patundshme për qëllime të posaçme, projektimin e tempujve dhe ndërtimin e tempujve.
Përpara punësimit nga Kisha, Peshkopi Dejvis punoi për kompanitë High Industries, Inc., në Lankaster të Pensilvanisë dhe Bechtel Investments, Inc., në San-Francisko të Kalifornisë. Ai mori një diplomë të nivelit të parë për ekonominë bujqësore nga Universiteti “Brigam Jang” dhe mori trajnime të përparuara për programet ekzekutive nga Universiteti i Stenfordit dhe Universiteti Northuestërn.
Peshkopi Dejvis ka shërbyer si president i Misionit të Puerto-Rikos në San-Huan, këshilltar i presidentit të misionit, president kunji, këshilltar i presidentit të kunjit, sekretar ekzekutiv i kunjit, këshilltar i lartë, në disa peshkopata lagjesh dhe si misionar kohëplotë në Misionin e Uruguait/Paraguait.