2015
Plaku Gerit W. Gong
Nëntor 2015


Plaku Gerit W. Gong

Presidenca e Të Shtatëdhjetëve

Plaku Gerit W. Gong, i thirrur kohët e fundit për të shërbyer në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve, kujton një nxitje që i erdhi teksa po shërbente si misionar në Tajvan.

Një kërkues erdhi në mbledhjen e sakramentit. “U ndjeva i frymëzuar t’i shkruaja atij një shënim të shkurtër në kodin Mors, që ishte diçka si kjo: ‘Mirëserdhët në mbledhjen e sakramentit. Gëzohem që ju shoh këtu!’”

Kërkuesi ndodhi të ishte një operator radioje dhe u kënaq që e mori mesazhin. “U habita që diçka që e kisha mësuar vite më parë, mund të më ndihmonte … t’i afrohesha një individi të caktuar në një mënyrë të veçantë”, tha Plaku Gong.

Të mësuarit dhe të ndihmuarit e njerëzve të tjerë ka qenë udha e jetës së Plakut Gong që nga fëmijëria, kur ai mësoi kodin Mors si një djalë Skautist. Në vitin 1977 ai mori një diplomë të nivelit të parë për Studimet Aziatike dhe për Studimet Universitare nga Universiteti “Brigam Jang”, në vitin 1979 mori një diplomë masteri në filozofi dhe në vitin 1981 ai mori një doktoratë në marrëdhëniet ndërkombëtare nga Universiteti i Oksfordit.

Plaku Gong ka shërbyer në thirrje të shumta në Kishë, duke përfshirë thirrjen si këshilltar i lartë, udhëheqës i grupit të priftërinjve të lartë, president i Shkollës të së Dielës për kunjin, mësues seminari, peshkop, president i misionit të kunjit, president i kunjit dhe I Shtatëdhjetë Zonal. Në kohën kur mori thirrjen e tij si një I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm në vitin 2010, ai kishte qenë duke shërbyer si anëtar i Kuorumit të Pestë të Të Shtatëdhjetëve në Zonën Jugore të Jutës.

Në vitin 1985 Plaku Gong shërbeu si ndihmës i posaçëm i nënsekretarit të shtetit [zëvendësministri i punëve të jashtme] në Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe në vitin 1987 punoi si ndihmës i posaçëm për ambasadorin e SHBA-së në Pekin të Kinës. Nga viti 1989 deri në vitin 2001 ai shërbeu në disa pozicione në Qendrën për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, D.K.

Gerit W. Gongu u lind në Redud-Siti të Kalifornisë në SHBA në vitin 1953. Ai dhe bashkëshortja e tij, Suzan Lindsi Gongu, janë prindërit e katër fëmijëve dhe kanë tre nipër e mbesa. Gjyshërit e Plakut Gong emigruan nga Kina për në Shtetet e Bashkuara. Ai i ka gjurmuar paraardhësit e tij prej 33 brezash deri te Gongu i parë Dragua, i lindur në vitin 837 ps.K. në Kinën jugore gjatë dinastisë së fundit Tang.