2015
Plaku Ronald A. Rasband
Nëntor 2015


Plaku Ronald A. Rasband

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Pasi Plaku Ronald A. Rasband e mori thirrjen e tij në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, ai lexoi Gjonin 15:16: “Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve dhe ju caktova”.

Plaku Rasband tha: “Pata një mbresë shpirtërore se nuk kishte asgjë për këtë [thirrje] që të ishte … dëshira ime. Ajo ishte vendimi i Zotit.”

Që në moshën 19-vjeçare Plaku Rasband kishte mësuar tashmë një mësim të ngjashëm rreth nënshtrimit ndaj vendimeve të Zotit. Ai kishte shpresuar të shërbente një mision në Gjermani, sikurse kishin shërbyer babai dhe vëllai i tij më i madh, por në vend të kësaj u thirr në Misionin e Shteteve Lindore (SHBA). Ai iu kthye shkrimeve të tij të shenjta dhe lexoi seksionin e 100-të të Doktrinës e Besëlidhjeve:

“Si rrjedhim, më ndiqni dhe dëgjoni këshillën time të cilën do t’jua jap juve.

… Një derë frytdhënëse do të hapet në krahinat përreth në këtë tokë të lindjes. …

Si rrjedhim, në të vërtetë unë ju them, ia ngrini zërat tuaj këtij populli” (vargjet 2, 3, 5).

Ai mori një dëshmim se Zoti donte për të që të shërbente në Misionin e Shteteve Lindore.

Plaku Rasband, i lindur më 6 shkurt 1951, e ka prejardhjen nga rrethana të përulura. “U linda nga një shofer kamioni [bukësh] dhe një nënë e dashur [shtëpiake]”, tha ai. Ai vjen nga një familje shumëbrezëshe shenjtore e ditëve të mëvonshme, një trashëgimi që ai e ruan si thesar.

Në vitin 1973 Plaku Rasband u martua me Melani Tuiçëllin. Ata kanë 5 fëmijë dhe 24 nipër e mbesa. Plaku Rasband ia atribuon meritën bashkëshortes së tij prej 42 vjetësh që e ka ndihmuar të bëhet njeriu që është sot. “Gruaja ime më ka marrë sikurse argjilën e poçarit dhe më ka dhënë formë në diçka që me të vërtetë është e rëndësishme. … Është ndikimi i saj shpirtëror që ka çuar drejt kësaj thirrjeje të bukur e të veçantë, por gjithashtu drejt gjithçkaje që unë kam bërë shpirtërisht.”

Në vitin 1987 Plaku Rasband u bë presidenti dhe drejtori kryesues operativ i një kompanie kimike mbarëbotërore. Ai mësoi nga udhëheqësit e tij se si të ishte më i efektshëm në shërbimin në Kishë. “Mësova në profesionin tim … se njerëzit janë më të rëndësishëm sesa çdo gjë tjetër që mund të bëjmë.” Ai gjithashtu “mësoi aftësi udhëheqjeje të shumta … që”, thotë ai, “më kanë shërbyer mirë si një Autoritet i Përgjithshëm”.

Plaku Rasband ka pasur mundësi të shumta për t’i përdorur ato aftësi. Ai ka shërbyer si peshkop, president misioni, I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm që nga prilli i vitit 2000, si mbikëqyrës i Zonës Perëndimore dhe Veriperëndimore të Amerikës Veriore dhe të tri Zonave në Juta, si këshilltar në Presidencën e Zonës së Europës Qendrore, si Drejtor Ekzekutiv i Departamentit të Tempullit, si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve që nga viti 2005 dhe si Presidenti më i Vjetër i Të Shtatëdhjetëve që nga prilli i vitit 2009.

Detyrat e tij të Kishës i kanë dhënë atij dashuri për shenjtorët e ditëve të mëvonshme kudo. Ai u thotë anëtarëve: “Besimi juaj e ka rritur besimin tonë; dëshmitë tuaja u kanë shtuar dëshmive tona” (faqe 90).

Plaku Rasband ndihet i përulur që të shërbejë si një Apostull i Zotit Jezu Krisht. “Gjithmonë kam pasur një dëshirë për t’i shërbyer Atij”, tha ai. “Unë do të përkushtoj kohën time, talentet e mia dhe gjithçka që kam tani, për tërë pjesën e mbetur të jetës sime. Jam i zotuar për ta bërë këtë. Jam i nderuar për ta bërë këtë.”