Brajën K. Ashton
Këshilltar i Dytë në Presidencën e Përgjithshme të Shkollës të së Dielës
Vëllai Brajën K. Ashton u thirr të shërbente në presidencën e përgjithshme të Shkollës të së Dielës pikërisht kur po përfundonte shërbimin e tij si president i Misionit Jugor të Teksasit në Hjuston. Thirrja u njoftua në qershor dhe ai u mbështet gjatë konferencës së përgjithshme të tetorit 2015.
Vëllai Ted R. Kelister vazhdon si president i përgjithshëm dhe Vëllai Devin G. Durrant, i cili kishte shërbyer si këshilltar i dytë që nga prilli i vitit 2014, u bë këshilltari i parë.
Vendi bosh në presidencë u shkaktua nga caktimi i Xhon S. Tanerit për të shërbyer si president i Universitetit “Brigam Jang” – Havai.
Brajën Kent Ashtoni u lind nga Kent dhe Viki Braun Ashton në Provo të Jutës në SHBA, në vitin 1969. Ai është më i madhi i nëntë fëmijëve. Ai i mban mend prindërit e tij të ishin mësues të vazhdueshëm të ungjillit në shtëpi.
Vëllai Ashton shërbeu një mision kohëplotë në Misionin Jugor të Perusë në Lima. Vendimi i tij për të shërbyer u ndikua nga një shok i mirë, i cili ndjeu mbresën t’i thoshte atij se kishte nevojë të shërbente në një mision. Teksa shoku i tij i shprehu ndjenjat e veta, Brajëni e ndjeu pohimin e Shpirtit. Në misionin e tij ai po ndeshej me disa sfida të mëdha shëndetësore kur u thirr të shërbente si president i një dege të madhe. Gjatë kësaj kohe, ai iu lut në mënyrë të zjarrtë dhe të vazhdueshme Atit Qiellor për ndihmë. “Mësova të mbështetem tek Ai dhe Ai më ndihmoi mua”, tha ai. “Mësimi për të mirëbesuar tek Ai ka sjellë një ndryshim të madh.”
Pas misionit të tij, ai ndoqi Universitetin “Brigam Jang”, ku u takua me bashkëshorten e tij të ardhshme, Melinda Ërlin. Megjithatë, përpara se të martoheshin, ajo shërbeu në Misionin e Spanjës në Malaga, ndërkohë që Vëllai Ashton punoi në shtetet qendrore të Shteteve të Bashkuara. Pas misionit të saj ata u martuan në Tempullin e Seint–Xhorxhit në Juta. Ata kanë shtatë fëmijë.
Vëllai Ashton mori një diplomë masteri në administrim biznesi nga Universiteti i Harvardit, ndërkohë që Motra Ashton frekuentoi shkollën mjekësore. Vëllai Ashton është një sipërmarrës dhe ka krijuar disa kompani.
Vëllai Ashton ka shërbyer më parë si peshkop, këshilltar i lartë, president i kuorumit të pleqve dhe mësues i Doktrinës së Ungjillit.