2015
Gëzimi i të Jetuarit të një Jete të Përqendruar te Krishti
Nëntor 2015


Gëzimi i të Jetuarit të një Jete të Përqendruar te Krishti

Jeta jonë duhet të përqendrohet me saktësi te Krishti, nëse duam të gjejmë gëzim dhe paqe të vërtetë në këtë jetë.

Bota në të cilën ne jetojmë po ushtron një trysni të madhe kudo mbi njerëzit e mirë, që t’i ulin ose madje t’i braktisin standardet e tyre të të jetuarit me drejtësi. Megjithatë, pavarësisht nga të ligat dhe tundimet që na rrethojnë çdo ditë, ne mundemi dhe do ta gjejmë sot gëzimin e vërtetë duke jetuar një jetë të përqendruar te Krishti.

Përqendrimi i jetës sonë te Jezu Krishti dhe tek ungjilli i Tij do të sjellë qëndrueshmëri dhe lumturi në jetën tonë, ashtu siç ilustrohet në shembujt vijues.

Plakut Taiçi Aoba, i Të Shtatëdhjetëve, i cili banon në një fshat të vogël malor në Shikoku të Japonisë, iu kërkua që të jepte mësim në një klasë në një konferencë për të rinjtë. “Qëndroni në Vende të Shenjta” ishte përzgjedhur si tema e konferencës. Pasi mori në shqyrtim temën dhe atë që do të jepte mësim, Plaku Aoba vendosi që ta përdorte profesionin e tij si një mjet mësimor. Puna e tij është që të bëjë poçari.

Plaku Aoba duke krijuar punime prej qeramike

Plaku Aoba tregon se klasa e tij me të rinj u bë shumë e interesuar kur pa se si ai ishte në gjendje që ta shndërronte pothuaj në mënyrë magjike formën e argjilës te duart e tij në pjata, tasa dhe gota. Pas kësaj paraqitjeje, ai i pyeti nëse ndonjëri prej tyre do të donte ta provonte. Të gjithë i ngritën duart.

Plaku Aoba bëri që disa të rinj të vinin përpara për të provuar interesin e tyre të ri. Ata hamendësuan, pasi e panë atë, se kjo do të ishte fare e thjeshtë. Sidoqoftë, asnjëri prej tyre nuk qe i suksesshëm në orvatjet e tij për të bërë qoftë edhe një tas të thjeshtë. Ata deklaruan: “Nuk mund ta bëj këtë!” “Përse është kaq e vështirë?” “Kjo është kaq e vështirë”. Këto komente u bënë ndërsa argjila fluturonte sa andej-këndej nëpër dhomë.

Ai i pyeti të rinjtë përse e kishin kaq të vështirë që të bënin poçari. Ata reaguan duke dhënë përgjigje të ndryshme: “Nuk kam asnjë përvojë”, “nuk jam stërvitur kurrë” ose “nuk kam talent”. Bazuar te përfundimi, ato që ata thanë ishin të gjitha të vërteta; sidoqoftë, arsyeja më e rëndësishme e dështimit të tyre ishte sepse argjila nuk ishte në qendër të rrotës. Të rinjtë menduan se e kishin vendosur argjilën në qendër, por nga këndvështrimi i një specialisti, nuk ishte saktësisht në qendër. Pastaj ai u tha atyre: “Le të përpiqemi edhe një herë”.

Plaku Aoba duke krijuar poçari

Këtë herë, Plaku Aoba e vendosi argjilën saktësisht në qendër të rrotës dhe pastaj filloi ta kthente rrotën, duke bërë një vrimë në mes të argjilës. Disa prej të rinjve u përpoqën sërish. Këtë herë gjithsecili filloi të duartrokiste kur ata thoshin: “Ua, nuk po dridhet”, “mund ta bëj këtë” ose “e bëra!” Natyrisht, format nuk ishin të përkryera, por përfundimi ishte krejt ndryshe nga orvatja e parë. Arsyeja e suksesit të tyre ishte ngaqë argjila ishte vendosur përsosurisht në qendër të rrotës.

Bota në të cilën ne jetojmë është e ngjashme me rrotën e poçarit që vërtitet dhe shpejtësia e asaj rrote po rritet. Ashtu si argjila në rrotën e poçarit, edhe ne duhet të qendërzohemi. Thelbi ynë, qendra e jetës sonë, duhet të jetë Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij. Të jetuarit e një jete të përqendruar te Krishti do të thotë që ne mësojmë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij dhe më pas ne e ndjekim shembullin e Tij dhe i zbatojmë më saktësi urdhërimet e Tij.

Profeti i lashtë Isaia tha: “Megjithatë, o Zot, ti je ati ynë; ne jemi argjila dhe ti je ai që na formon; ne të gjithë jemi vepra e duarve të tua”1.

Nëse jeta jonë përqendrohet te Jezu Krishti, Ai me sukses mund të na japë formë në atë që mund të jemi me qëllim që të kthehemi në praninë e Tij dhe të Atit Qiellor në mbretërinë çelestiale. Gëzimi që ne përjetojmë në këtë jetë do të jetë në përpjesëtim të drejtë me mënyrën se sa mirë është e përqendruar jeta jonë te mësimet, shembulli dhe sakrifica shlyese e Jezu Krishtit.

Vëllezër e motra, unë u linda në një familje shumëbrezëshe shdm, kështu që bekimet dhe gëzimi i pasjes së ungjillit të Jezu Krishtit si bazë e kulturës sonë familjare u ndërthurën në jetën tonë të përditshme. Nuk ishte deri në misionin tim kohëplotë si një i ri që unë e kuptova ndikimin tepër pozitiv që ka plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit tek ata që nuk i kanë përjetuar kurrë më parë bekimet e tij në jetën e tyre. Ky varg te Mateu pasqyron procesin që përjetojnë njerëzit të cilët janë kthyer në besim në ungjillin e Jezu Krishtit: “Mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë”2.

Më lejoni t’ju tregoj një shembull nga Libri i Mormonit që ilustron atë që një i kthyer në besim ishte të gatshëm të paguante me qëllim që të merrte gëzimin që e shoqëronte gjetjen e thesarit të treguar nga Jezusi në shëmbëlltyrën e thesarit të fshehur në arë.

Kujtoni se te libri i Almës kapitulli 20, Amoni dhe Lamoni po udhëtonin për në qytetin e Midonit me qëllim që të gjenin dhe të nxirrnin nga burgu vëllanë e Amonit, Aaronin. Gjatë udhëtimit të tyre ata takuan babanë e Lamonit, që ishte mbreti lamanit mbi gjithë vendin.

Mbreti ishte shumë i mërzitur që i biri, Lamoni, po udhëtonte me Amonin, një misionar nefit, të cilin ai e konsideronte armik. Ai mendonte se i biri duhet të kishte marrë pjesë në një festë që ai e kishte organizuar për bijtë e tij dhe popullin e tij. Mbreti lamanit ishte kaq i mërzitur saqë e urdhëroi të birin, Lamonin, ta vriste Amonin me shpatën e tij. Kur Lamoni nuk pranoi, mbreti nxori vetë shpatën e tij që ta vriste të birin për mosbindje; sidoqoftë, Amoni ndërhyri për të shpëtuar jetën e Lamonit. Ai përfundimisht e mundi mbretin dhe mund ta kishte vrarë atë.

Kjo është ajo që mbreti i tha Amonit kur e gjeti veten e tij në këtë situatë për jetë a vdekje: “Në qoftë se do të më falësh mua, unë do të të jap ty çdo gjë që do të kërkosh, madje gjysmën e mbretërisë”3.

Pra, mbreti ishte i gatshëm që të paguante çmimin e gjysmës së mbretërisë së tij me qëllim që ta kursente jetën e tij. Mbreti duhet të ketë mbetur i habitur kur Amoni i kërkoi vetëm që të lironte nga burgu vëllanë e tij, Aaronin, dhe shokët e tij dhe që i biri i mbretit, Lamoni, të mbante mbretërinë e tij.

Më vonë, për shkak të këtij takimi, vëllai i Amonit, Aaroni, u lirua nga burgu i Midonit. Pas lirimit të tij, ai u frymëzua që të udhëtonte atje ku mbreti lamanit sundonte mbi vendin. Aaroni iu paraqit mbretit dhe pati privilegjin që t’i mësonte atij parimet e ungjillit të Jezu Krishtit, përfshirë planin e madh të shëlbimit. Mësimet e Aaronit e frymëzuan thellësisht mbretin.

Reagimi i mbretit ndaj mësimeve të Aaronit gjendet te vargu 15 i Almës, kapitulli 22: “Dhe ndodhi që pasi Aaroni ia shpjegoi këto gjëra, mbreti tha: Çfarë duhet të bëj që të mund të kem këtë jetë të përjetshme, për të cilën fole? Po, çfarë duhet të bëj që të mund të lind nga Perëndia, duke shkulur këtë shpirt të keq nga gjoksi im dhe të marr Shpirtin e tij, që të jem plot gëzim, që të mos përjashtohem në ditën e fundit? Vër re, tha ai, unë do të heq dorë nga çdo gjë që kam, po, unë do ta braktis mbretërinë time, që të mund të marr këtë gëzim të madh”.

Në mënyrë mjaft të habitshme, në krahasim me dhënien e gjysmës së mbretërisë për ta kursyer jetën e tij, mbreti lamanit tani ishte i gatshëm të jepte gjithë mbretërinë e tij që të mund të merrte gëzimin që vjen nga të kuptuarit, të pranuarit dhe të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit.

Bashkëshortja ime, Nensi, është gjithashtu një e kthyer në besim në Kishë. Ajo më ka përmendur shumë herë gjatë viteve, gëzimin që ka ndier në jetën e saj qëkurse e gjeti, e pranoi dhe e jetoi ungjillin e Jezu Krishtit. Ajo që vijon është një reflektim nga motra Meinis mbi përvojën e saj:

“Kur isha e re në moshë madhore, në fillim të të 20-ve, isha në një pikë në jetën time kur e dija se duhej të ndryshoja diçka me qëllim që të isha një person më i lumtur. Ndieja sikur isha në mëshirë të fatit, pa një synim dhe drejtim të vërtetë dhe nuk dija se ku të shkoja për ta gjetur atë. E kisha ditur gjithmonë se Ati Qiellor ekzistonte dhe me raste, gjatë gjithë jetës sime, kisha bërë lutje, duke e ndier që Ai më dëgjonte.

Kur e fillova kërkimin tim, unë mora pjesë në kisha të ndryshme, por kthehesha gjithmonë tek të njëjtat ndjenja dhe shkurajim. Ndihem shumë e bekuar sepse lutja ime për drejtim dhe qëllim në jetë përfundimisht mori përgjigje dhe plotësia e ungjillit të Jezu Krishtit u soll në jetën time. Për herë të parë ndjeva sikur kisha një synim dhe plani i lumturisë solli gëzim të vërtetë në jetën time.”

Një përvojë tjetër nga Libri i Mormonit ilustron qartësisht se si të jetuarit e një jete të përqendruar te Krishti mund të na mbushë me lumturi të madhe edhe kur rrethohemi me vështirësi të jashtëzakonshme.

Pasi profeti Lehi dhe familja e tij u larguan nga Jerusalemi në vitin 600 pr. K., ata u endën përafërsisht tetë vite në vendin e shkretë derisa më në fund mbërritën në një vend që e quajtën Begati, i cili ishte pranë bregdetit. Nefi e përshkruan jetën e tyre me vuajtje në vendin e shkretë në këtë mënyrë: “[Ne] kishim vuajtur shumë hidhërime dhe shumë vështirësi, … madje aq shumë sa nuk mund t’i shkruajmë të gjitha”4.

Ndërsa jetonte në Begati, Nefi ngarkohet nga Zoti me përgjegjësinë që të ndërtonte një anije, e cila do t’i çonte përtej detit për në tokën e premtuar. Pasi mbërritën në tokën e premtuar, vazhduan të krijoheshin mosmarrëveshje të mëdha midis njerëzve që e përqendruan jetën e tyre te Krishti dhe jobesimtarëve, të cilët ndoqën shembujt e Lamanit dhe të Lemuelit. Përfundimisht, rreziku i dhunës midis të dy grupeve ishte kaq i madh saqë Nefi dhe ata që i ndiqnin mësimet e Zotit u shkëputën dhe ikën në vendin e shkretë për siguri. Në këtë pikë, rreth 30 vjet pasi Lehi dhe familja e tij ishin larguar nga Jerusalemi, Nefi bën një shpallje të dokumentuar mirë dhe disi befasuese, veçanërisht pasi i shënoi në shkrimet e shenjta vuajtjet dhe pikëllimet e shumta që kishin hasur për kaq shumë kohë. Këto janë fjalët e tij: “Dhe ndodhi që ne jetuam sipas mënyrës së lumturisë”5. Pavarësisht nga vështirësitë e tyre, ata ishin në gjendje të jetonin sipas mënyrës së lumturisë për shkak se ishin të përqendruar te Krishti dhe ungjilli i Tij.

Vëllezër e motra, ashtu si argjila në rrotën e poçarit, jeta jonë duhet të përqendrohet me saktësi te Krishti, nëse duam të gjejmë gëzim dhe paqe të vërtetë në këtë jetë. Shembujt e mbretit lamanit, të bashkëshortes sime, Nensit, dhe të popullit nefit, e mbështetin që të gjithë këtë parim të vërtetë.

Ju jap dëshminë time sot që edhe ne mund ta gjejmë atë paqe, atë lumturi, atë gëzim të vërtetë nëse zgjedhim të jetojmë një jetë të përqendruar te Krishti, në emrin e Jezu Krishtit, amen.