2015
Kthehuni tek Ai dhe Përgjigjet Do Të Vijnë
Nëntor 2015


Kthehuni tek Ai dhe Përgjigjet Do Të Vijnë

Jini të bindur, mbajini mend kohët kur ju e keni ndier Shpirtin në të kaluarën, dhe kërkoni me besim. Përgjigjet tuaja do të vijnë.

Kur isha i ri, prindërit e mi u bashkuan me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Ne e dinim se misionarët i kishin dhënë mësim atyre, por prindërit e mi i kishin marrë mësimet misionare vetëm.

Pas këtij njoftimi befasues, vëllezërit e mi dhe unë filluam t’i dëgjojmë misionarët gjithashtu, dhe secili prej tyre e mori mesazhin e Rivendosjes me gëzim. Edhe pse isha kureshtar, unë nuk kisha dëshirë të madhe që ta ndryshoja jetën time. Unë, gjithsesi, e pranova sfidën që të lutesha nëse Libri i Mormonit ishte fjala e Perëndisë, por nuk mora një përgjigje.

Ju mund të pyetni përse Ati Qiellor nuk iu përgjigj asaj lutjeje; unë sigurisht që e pyesja veten. Kam mësuar që nga ajo kohë se premtimi i bërë nga Moroni është i saktë. Perëndia u përgjigjet lutjeve tona rreth vërtetësisë së ungjillit, por Ai iu përgjigjet atyre [lutjeve] kur ne kemi “një zemër të sinqertë” dhe “qëllim të vërtetë”1. Ai nuk përgjigjet thjesht për të shuar kureshtjen tonë.

Mbase ka diçka në jetën tuaj për të cilën ju keni një pyetje. Mbase ka një problem që nuk dini plotësisht se si t’i përgjigjeni. Sot, unë do të doja të shprehja disa mendime që mund t’ju ndihmojnë të merrni përgjigjet ose ndihmën që po kërkoni. Ky proces fillon me të qenit i kthyer në besim në ungjillin e Jezu Krishtit.

Marrja e Zbulesës Varet nga Gjendja dhe Qëllimi i Zemrave Tona

Kam menduar për rrëfimet e disa individëve në shkrimet e shenjta. Të marrim, për shembull, Lamanin dhe Lemuelin. Ashtu si Nefi, ata u “lind[ën] nga prindër të mirë” dhe u mësuan “në të gjithë diturinë e atit [të tyre]”2. Gjithsesi ata mërmëritën sepse ati i tyre ishte një njeri vegimtar. Nga pikëpamja e tyre, vendimet e tij binin ndesh me logjikën, sepse ata nuk i dinin gjërat e Perëndisë dhe, si rrjedhim, ata nuk do të besonin.3

Është interesante të vëmë re se zgjedhjet e tyre u lejuan atyre qasje ndaj përvojave që kishin mundësi t’ua ndërtonin besimin. Ata i lanë shtëpitë e tyre dhe pasuritë e tyre. Vuajtën gjatë endjeve në shkretëtirë. Ata përfundimisht ndihmuan për ta ndërtuar barkën dhe ranë dakord që të udhëtonin drejt një toke të panjohur.

Nefi kaloi përmes të njëjtave përvoja. Por a e ndërtuan besimin e tyre këto veprime? Besimi i Nefit u forcua, por Lamani dhe Lemueli u bënë më cinikë dhe të inatosur. Këta vëllezër madje panë dhe dëgjuan edhe një engjëll, por, mjerisht, ata vazhduan të dyshonin.4

Jeta në vdekshmëri nuk është e lehtë për asnjërin prej nesh. Ne jemi vendosur në tokë për t’u provuar dhe t’u vënë në provë. Reagimi ynë ndaj përvojave të jetës do të ndikojë shpesh herë së tepërmi në dëshminë tonë. Merrni parasysh disa nga reagimet e Lamanit dhe Lemuelit: Ata mërmëritën kur ati i tyre i kërkoi të bënin gjëra të vështira.5 Ata u orvatën t’i merrnin fletët prej tunxhi, por kur suksesi nuk erdhi, ata u dorëzuan. Qëndrimi i tyre ishte: “Ne u përpoqëm, çfarë mund të bëjmë më tepër?”6

Pati madje edhe një kohë kur ata u ndien të trishtuar për shkak se kishin bërë gabim dhe kërkuan falje.7 Ata u lutën dhe u falën. Por shkrimet e shenjta shënojnë se më vonë ata iu kthyen ankesave dhe nuk pranuan që të luteshin. Ata erdhën te Nefi dhe i thanë se “nuk mund t[’i] kupto[nin] fjalët që ati [i tyre] [kishte] folur”8. Nefi i pyeti ata nëse i “k[ishin] kërkuar Zotit”9. Vini re përgjigjen e tyre: “Ne nuk i kemi kërkuar; pasi Zoti nuk na e bën të ditur asgjë të tillë neve”10.

Bindja e Vazhdueshme na Lejon të Marrim Përgjigje

Përgjigjja e Nefit ndaj vëllezërve të tij është çelësi që ne të marrim përgjigje të vazhdueshme ndaj lutjes:

“Si është e mundur që ju nuk i mbani urdhërimet e Zotit? Si është e mundur që ju do të mbaroni për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja?

A nuk i mbani mend ju gjërat që Zoti ka thënë? – Në qoftë se ju nuk do të ngurtësoni zemrat tuaja dhe më kërkoni mua në besim, duke besuar se ju do të merrni, me zell në mbajtjen e urdhërimeve të mia, me siguri këto gjëra do t’ju bëhen të ditura”11.

Njoh disa misionarë të kthyer të cilët kanë pasur përvoja shpirtërore të pamohueshme, por mungesa e disa zakoneve shpirtërore duket se i ka bërë që t’i harrojnë kohët kur Perëndia u ka folur atyre. Misionarëve të kthyer dhe ne të gjithëve, në qoftë se ju e “keni ndier të këndoni këngën e dashurisë shëlbuese, unë do t’ju pyesja, a ndiheni kështu tani?”12 Nëse nuk e ndieni tani, ju mund ta ndieni sërish, por merreni parasysh këshillën e Nefit. Jini të bindur, mbajini mend kohët kur ju e keni ndier Shpirtin në të kaluarën, dhe kërkoni me besim. Përgjigjja juaj do të vijë dhe ju do ta ndieni dashurinë dhe paqen e Shpëtimtarit. Mund të mos vijë aq shpejt ose në formën që ju e dëshironi, por përgjigjja do të vijë. Mos u dorëzoni! Kurrë mos u dorëzoni!

Le t’i krahasojmë Lamanin dhe Lemuelin me bijtë e Mosias. Të dy grupet e burrave u rritën në familje të drejta, sidoqoftë, si njeri dhe tjetri shkuan në udhë të gabuar. Të dy grupet u thirrën që të pendoheshin nga një engjëll, por çfarë qe ndryshe rreth përvojës së bijve të Mosias?

Sprovat Do Ta Ndërtojnë Besimin Tonë

Suksesi i tyre misionar është i paharrueshëm. Mijëra njerëz u kthyen në besim në rrugët e Zotit. Sidoqoftë, ne shpesh harrojmë që kur filluan misionet e tyre, “zemrat [e tyre] ishin të dëshpëruara dhe [ata] ishi[n] gati të ktheheshi[n] prapa, [por] Zoti [i] ngushëlloi [ata]”. Ata u këshilluan nga Zoti t’i “mbani[n] me durim vuajtjet [e tyre]”13.

Studimi i Shkrimeve të Shenjta Na Tregon Vullnetin e Perëndisë

Përse sprovat e këtyre bijve të Mosias e forcuan besimin dhe zotimin e tyre në vend që t’i bënin të mërmëritnin apo të dyshonin? Çelësi është që “ata ishin përforcuar në njohurinë e së vërtetës; pasi ata ishin njerëz me kuptim të saktë dhe kishin kërkuar me zell shkrimet e shenjta, që ata të mund të dinin fjalën e Perëndisë”14. Ne të gjithë do të hasim sprova dhe do të kemi pyetje, por mbani mend që ne duhet të “mba[hemi] vazhdimisht me vendosmëri te shufra e hekurit”15. “Fjalët e Krishtit do t[ë na] tregojnë të gjitha gjërat që [ne] duhet të bë[jmë].”16 Ne duhet ta bëjmë studimin e shkrimeve të shenjta një pjesë të përditshme të jetës sonë meqë kjo do të hapë dyert e zbulesës.

Lutja, e Bashkuar me Agjërimim, Fton Zbulesën

Për bijtë e Mosias, “kjo nuk është e gjitha; ata ishin dhënë pas lutjeve të shumta dhe agjërimit; prandaj ata kishin shpirtin e profecisë dhe shpirtin e zbulesës”17. Lutja dhe agjërimi do të na lejojnë të jemi të ndjeshëm ndaj nxitjeve shpirtërore. Komunikimi me Atin Qiellor, duke u përmbajtur qëllimisht nga ushqimi dhe pija, na lejon që “të thye[jmë] zinxhirët e ligësisë [dhe] të zgjidh[im] verigat e zgjedhës”18. Lutja, e bashkuar me agjërimin, do të sigurojnë që kur ne të “thërras[im], … Zoti do të [na] përgjigjet; … [dhe kur ne të] bërtas[im], … ai do të thotë, ‘Ja ku jam’”19.

Kthehuni tek Ai

Këto zakone fetare vetjake – bindja, studimi i shkrimeve të shenjta, lutja dhe agjërimi – i forcuan bijtë e Mosias. Mungesa e po të njëjtave zakone fetare vetjake ishte një nga arsyet kryesore që Lamani dhe Lemueli mbetën të cenueshëm ndaj tundimit për të mërmëritur dhe për të dyshuar.

Nëse keni qenë të tunduar për të mërmëritur, nëse keni pasur dyshime që ju kanë çuar në mosbesim, nëse sprovat duken më shumë nga ç’mund të mbani, kthehuni tek Ai. Nëse ju jeni një nga ata që janë larguar apo që e kanë arsyetuar sjelljen vetjake, kthehuni tek Ai. A e mbani mend kur Ai i “fol[i] paqe mendjes [suaj] … ? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?”20 Pyeteni veten: “A jam aq pranë të jetuarit si Krishti siç kam qenë më parë?” Ju lutem, kthehuni tek Ai.

Më lejoni t’i kthehem historisë sime vetjake. Përfundimisht fillova të isha i sinqertë. Më kujtohet kur misionari i cili po më mësonte më pyeti nëse isha gati të pagëzohesha. U përgjigja se kisha ende disa dyshime. Ky misionar i urtë më tha se ai mund t’u përgjigjej pyetjeve të mia, por unë duhej t’i përgjigjesha pyetjes së tij më parë. Ai më pyeti nëse Libri i Mormonit ishte i vërtetë dhe nëse Jozef Smithi ishte një profet. Unë i thashë se nuk e dija, por që dëshiroja ta dija.

Pyetjet e mia çuan në një rritje të besimit. Për mua, përgjigjja erdhi jo si një ngjarje, por si një proces. Vura re që kur bëra një “provë mbi fjalët” dhe fillova të “ushtro[ja] një pjesëz të besimit”, Libri i Mormonit u bë i “këndsh[ëm] për mua” dhe e “ndriço[i] kuptimin tim” dhe me të vërtetë e “zmadho[i] shpirtin tim”. Përfundimisht unë pata atë përvojë që shkrimet e shenjta e përshkruajnë si fryrje në kraharorin tuaj21. Ishte në këtë pikë që dëshirova të pagëzohesha dhe t’ia kushtoja jetën time Jezu Krishtit.

Unë me të vërtetë e di se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. E di se Jozef Smithi ishte një profet. O, ka ende gjëra që nuk i kuptoj, por dëshmia ime e së vërtetës më sjell më afër me Shpëtimtarin dhe e ndërton besimin tim.

Vëllezër e motra, kujtojeni Nefin dhe bijtë e Mosias, të cilët patën përvoja shpirtërore dhe më pas vepruan me besim, kështu që përgjigjet erdhën dhe besnikëria e tyre u rrit. Krahasojeni këtë me Lamanin dhe Lemuelin, të cilët dyshuan dhe mërmëritën. Edhe pse disa herë ata vepruan në mënyra të dobishme, punët pa besimin janë të vdekura. Ne duhet të kemi besim me vepra që të marrim përgjigje.

Shpresoj që ju të keni mbajtur vesh këtë mëngjes, në mënyrë që Shpirti të ketë lënë mbresa në mendjet dhe zemrat tuaja për diçka që ju mund të bëni për të marrë përgjigje për pyetjet tuaja ose të gjeni një zgjidhje të frymëzuar për problemin me të cilin përballeni. Unë jap dëshmi solemne se Jezusi është Krishti. Kthehuni tek Ai dhe pyetjet tuaja do të marrin përgjigje. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.