Sy për të Parë dhe Veshë për të Dëgjuar
Nëse shikojmë te Krishti dhe i hapim sytë dhe veshët tanë, Fryma e Shenjtë do të na bekojë ta shohim Zotin Jezu Krisht duke vepruar në jetën tonë.
Në shërbesën e tij në vdekshmëri, Jezusi bëri mrekulli kaq të mëdha të shërimit dhe dha mësim me një autoritet e fuqi të atillë saqë shkrimet e shenjta thonë: “Fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; … [d]he një mori e madhe njerëzish i shkonte pas”1.
Disa që e panë Atë të shëronte dhe e dëgjuan të jepte mësim, nuk e pranuan Atë. Të tjerët e ndoqën për njëfarë kohe, por pastaj nuk shkuan më me Të.2 Zoti Jezu Krisht ishte atje, përballë me ta, por ata nuk e panë se kush ishte Ai me të vërtetë. Ata ishin të verbër dhe zgjodhën të largoheshin. Për ta, Jezusi tha:
“Unë erdha te të mitë dhe të mitë nuk më pranuan”3.
“I janë rënduar veshët dhe kanë mbyllur sytë.”4
Megjithatë, kishte shumë burra e gra, përfshirë Apostujt e Tij besnikë, që e përqendruan jetën e tyre tek Ai. Edhe pse ata hasën vështirësi me shpërqendrimet e kësaj bote, me pështjellimin rreth asaj që Ai dha mësim, madje edhe me frikën, ata e besuan Atë, e deshën Atë dhe e ndoqën Atë.
Për ta Jezusi tha: “Por lum sytë tuaj që shohin dhe veshët tuaj që dëgjojnë”5.
Pikërisht përpara vuajtjes së Tij në Gjetseman dhe Kalvar, Jezusi u bëri dishepujve të Tij këtë premtim të mrekullueshëm: “Kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto; sepse unë po shkoj tek Ati”6.
Jezusi e përmbushi atë premtim: duke filluar me ditën e Rrëshajëve, dishepujt u bekuan me pagëzimin e zjarrit dhe të Frymës së Shenjtë.7 Nëpërmjet besimit në Krisht, pendimit dhe bindjes, Fryma e Shenjtë u bë shoqëruesi i tyre, i ndryshoi zemrat e tyre dhe i bekoi ata me një dëshmi të qëndrueshme të së vërtetës.
Këto dhurata dhe bekime i forcuan dishepujt e Zotit. Megjithëse koha në të cilën ata jetuan ishte e rrezikshme dhe pështjelluese, ata morën dhuratën shpirtërore të syve për të parë dhe të veshëve për të dëgjuar. Me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë, ata filluan ta shikonin të vërtetën e gjërave ashtu siç ato janë, veçanërisht për Zotin Jezu Krisht dhe punën e Tij midis tyre.8 Fryma e Shenjtë e ndriçoi kuptueshmërinë e tyre dhe ata e dëgjuan më qartësisht zërin e Zotit. Ungjilli i Jezu Krishtit hyri thellë në zemrën e tyre.9 Ata ishin të palëkundur dhe të bindur.10 Ata e predikuan ungjillin me guxim e fuqi dhe e ndërtuan mbretërinë e Perëndisë.11 Ata patën gëzim te Zoti Jezu Krisht.
Ne kemi kaq shumë të përbashkëta me ata burra e gra besnike në meridianin e kohës. Edhe ne jetojmë në një kohë kur Zoti Jezu Krisht bën mrekulli midis nesh – përfshirë shërimin e të sëmurëve, pastrimin tonë nga mëkati, ndryshimin e zemrës sonë dhe mundësimin e shpëtimit të fëmijëve të Perëndisë nga të dyja anët e velit. Në kohën tonë ne gjithashtu kemi profetë dhe apostuj të gjallë, fuqinë e priftërisë, dhurata shpirtërore dhe bekimet hyjnore të ordinancave të shpëtimit.
Koha jonë është një kohë e rrezikshme – një kohë ligësie dhe tundimi të madh, një kohë pështjellimi e trazire. Në këto kohë të rrezikshme, profeti i Zotit në tokë, Presidenti Tomas S. Monson, na ka thirrur të shpëtojmë të lënduarit në shpirt12, të qëndrojmë për të vërtetën me guxim13 dhe të ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë.14 Çfarëdo niveli shpirtëror ose të besimit apo të bindjes që kemi tani, nuk do të jetë i mjaftueshëm për punën që kemi përpara. Ne kemi nevojë për një dritë dhe fuqi më të madhe shpirtërore. Na nevojiten sy për ta parë më qartësisht Shpëtimtarin duke vepruar në jetën tonë dhe veshë për ta dëgjuar zërin e Tij më thellë në zemrën tonë.
Ky bekim i mrekullueshëm vjen kur ne e hapim zemrën tonë dhe e pranojmë15, me të vërtetë e pranojmë, Zotin Jezu Krisht, doktrinën e Tij dhe Kishën e Tij në jetën tonë. Ne nuk kemi pse të jemi të përkryer, por kemi nevojë që të jemi të mirë dhe të bëhemi më të mirë. Ne kemi nevojë që të përpiqemi t’i jetojmë të vërtetat e qarta e të thjeshta të ungjillit. Nëse e marrim mbi vete emrin e Krishtit, veprojmë me besim tek Ai që të pendohemi për mëkatet tona, i zbatojmë urdhërimet e Tij dhe e kujtojmë Atë gjithmonë, ne do ta marrim shoqërimin e Frymës së Shenjtë nëpërmjet mëshirës dhe hirit të Jezu Krishtit.
Bindja e thjeshtë sjell Shpirtin në zemrën tonë. Në shtëpitë tona ne lutemi me besim, i hetojmë shkrimet e shenjta dhe e mbajmë të shenjtë ditën e Shabatit. Në kishën tonë ne marrim sakramentin dhe i bëjmë premtime të shenjta Atit Qiellor në emër të Krishtit. Në tempujt e shenjtë, ne marrim pjesë në ordinanca të shenjta në emër të vëllezërve dhe motrave tona në anën tjetër të velit. Në familjet tona dhe në detyrat tona nga Zoti, ne u shtrijmë dorën të tjerëve, duke i ngritur barrët e tyre dhe duke i ftuar të vijnë te Krishti.
Vëllezër e motra, e di se nëse do t’i bëjmë këto gjëra, Fryma e Shenjtë do të vijë! Ne do të rritemi shpirtërisht dhe do të fitojmë përvojë me Frymën e Shenjtë dhe Ai do të jetë shoqëruesi ynë. Nëse shikojmë te Krishti dhe i hapim sytë dhe veshët tanë, Fryma e Shenjtë do të na bekojë ta shohim Zotin Jezu Krisht duke vepruar në jetën tonë, duke e forcuar besimin tonë tek Ai me siguri dhe prova. Ne do t’i shohim të gjithë vëllezërit dhe motrat tona gjithnjë e më shumë ashtu si Perëndia i sheh ata, me dashuri e dhembshuri. Ne do ta dëgjojmë zërin e Shpëtimtarit në shkrimet e shenjta, në pëshpëritjet e Shpirtit dhe në fjalët e profetëve të gjallë.16 Ne do ta shohim fuqinë e Perëndisë të qëndrojë mbi profetin e Tij dhe tek të gjithë udhëheqësit e Kishës së Tij të vërtetë e të gjallë dhe ne do ta dimë me siguri se kjo është vepra e shenjtë e Perëndisë.17 Ne do ta shohim dhe do ta kuptojmë veten tonë dhe botën përreth nesh në mënyrën se si e sheh dhe e kupton Shpëtimtari. Ne do të arrijmë të kemi atë që Apostulli Pal e quajti “mendjen e Krishtit”18. Ne do të kemi sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar dhe ne do ta ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë.
Jeta mund të bëhet e vështirë, e pështjelluar, e dhembshme dhe shkurajuese. Jap dëshminë time se, nëpërmjet shoqërisë së Frymës së Shenjtë, drita e ungjillit të Jezu Krishtit do të çajë përtej pështjellimit, dhembjes dhe errësirës. Nëse ajo vjen si një shpërthim i mrekullueshëm apo si një rrjedhë e qetë, ajo fuqi e lavdishme shpirtërore do të ngjallë dashuri e ngushëllim shërues te shpirti i penduar e i lënduar; do ta shpërndajë errësirën me dritën e së vërtetës; dhe do ta dëbojë shkurajimin me shpresën te Krishti. Ne do t’i shohim këto bekime të vijnë dhe ne do ta dimë me anë të dëshmisë së Shpirtit se është Zoti Jezu Krisht që po vepron në jetën tonë. Barrët tona me të vërtetë do të “përpi[hen] nga gëzimi për [Shëlbuesin tonë]”19.
Një përvojë që patën nëna dhe babai im shumë vite më parë, ilustron rëndësinë dhe fuqinë e syve për të parë dhe të veshëve për të dëgjuar. Në vitin 1982, prindërit e mi u thirrën për të shërbyer në misionin e Davaos në Filipine. Kur nëna hapi letrën dhe pa se ku ishin thirrur, ajo i klithi babait: “Jo! Ti duhet t’i marrësh në telefon dhe t’u thuash se ne nuk mund të shkojmë në Filipine. Ata e dinë që ti ke astmë.” Babai kishte vuajtur nga astma për shumë vite dhe nëna ishte shumë e shqetësuar për të.
Disa net më vonë nëna e zgjoi babanë nga gjumi rreth orës 2:30 të mëngjesit. Ajo tha: “Merlin, a e dëgjove atë zë?”
“Jo, nuk dëgjova as edhe një zë.”
“Epo, unë e kam dëgjuar të njëjtin zë tri herë sonte, duke thënë: ‘Përse shqetësohesh? A nuk e di ti se unë e di që ai ka astmë? Unë do të kujdesem për të dhe unë do të kujdesem për ty. Bëhu gati për të shërbyer në Filipine.’”
Nëna dhe babai im shërbyen në Filipine dhe patën një përvojë të mrekullueshme. Fryma e Shenjtë ishte shoqëruesi i tyre dhe ata u bekuan dhe u mbrojtën. Babai nuk pati kurrë probleme me astmën. Ai shërbeu si këshilltari i parë në presidencën e misionit dhe ai e nëna ime u dhanë trajnim qindra misionarëve dhe mijëra shenjtorëve besnikë të ditëve të mëvonshme në përgatitje për krijimin e lagjeve dhe të kunjeve në ishullin e Mindanaos. Ata u bekuan me sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar.
Vëllezër e motra, unë dëshmoj për Jezu Krishtin. E di se Ai jeton. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. E di që, nëse e pranojmë Atë në jetën tonë dhe i jetojmë të vërtetat e qarta dhe të thjeshta të ungjillit të Tij, ne do të gëzojmë shoqërinë e Frymës së Shenjtë. Ne do të kemi dhuratën e çmuar të syve për të parë dhe veshëve për të dëgjuar. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.