Nuk Është Kurrë Tepër Herët dhe Nuk Është Kurrë Tepër Vonë
Nuk është kurrë tepër herët dhe nuk është kurrë tepër vonë për t’i udhëhequr, drejtuar dhe për të ecur përkrah fëmijëve tanë, sepse familjet janë përgjithmonë.
Vëllezër e motra, ne jemi përfshirë në një betejë me botën. Në të kaluarën, bota konkurronte për energjinë dhe kohën e fëmijëve tanë. Sot, ajo lufton për identitetin dhe mendjen e tyre. Shumë zëra të lartë dhe të spikatur po përpiqen të përcaktojnë se kush janë fëmijët tanë dhe se çfarë duhet të besojnë ata. Ne nuk mund ta lejojmë shoqërinë që ta shndërrojë familjen tonë sipas shëmbëllimit të botës. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë. Çdo gjë varet prej saj.
Fëmijët e Kishës këndojnë një këngë që u mëson atyre rreth identitetit të tyre të vërtetë: “Fëmi i Per’ndis’ jam, Këtu ai më çoi, në tok’ më dha, o, një shtëpi me prindër kaq të mir’”. Më pas, përgjërimi i fëmijëve ndaj nesh: “Tregom’, drejtom’, pran’ ti më rri. … Ndihmom’ që fjal’t e tij t’kuptoj gjersa nuk është von’.”1
Presidenti Rasëll M. Nelson në konferencën tonë të fundit të përgjithshme na mësoi se, që tani e tutje, ne duhet të përfshihemi në “prindërim … të kujdesshëm”2. Këto janë kohë të vështira. Por lajmi i mirë është që Perëndia e dinte se kjo do të ndodhte dhe Ai na ka dhënë këshilla në shkrimet e shenjta që ne të dimë se si t’i ndihmojmë fëmijët tanë dhe nipërit e mbesat tona.
Në Librin e Mormonit, Shpëtimtari iu shfaq nefitëve. Ai i mblodhi fëmijët e tyre të vegjël përreth Vetes. Ai i bekoi ata, u lut për ta dhe qau për ta.3 Pastaj u tha prindërve: “Vini re të vegjlit tuaj”4.
Fjalët vini re kanë kuptimin të vështrosh dhe të shohësh. Çfarë donte Jezusi që prindërit të shihnin tek të vegjlit e tyre? A donte Ai që ata të rroknin një përfytyrim të potencialit hyjnor të fëmijëve të tyre?
Ndërsa i vështrojmë fëmijët tanë dhe nipërit e mbesat tona sot, çfarë do Shpëtimtari që ne të shohim tek ata? A e kuptojmë ne se fëmijët tanë janë grupi më i madh i kërkuesve në Kishë? Çfarë duhet të bëjmë ne që të ndodhë kthimi i tyre i përhershëm në besim?
Në librin e Mateut, Shpëtimtari na mëson rreth kthimit të përhershëm në besim. Një grup i madh njerëzish ishin mbledhur pranë detit të Galilesë për ta dëgjuar Atë të jepte mësim.
Në këtë rast, Jezusi tregoi një histori për mbjelljen e farave – shëmbëlltyrën e mbjellësit.5 Duke ua shpjeguar këtë dishepujve të Tij dhe përfundimisht neve, Ai tha: “Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe i merr atë që ishte mbjellë në zemrën e tij”6. Mesazhi për prindërit është i qartë: ka një ndryshim midis të dëgjuarit dhe të kuptuarit. Nëse fëmijët tanë thjesht e dëgjojnë, por nuk e kuptojnë ungjillin, atëherë dera është lënë hapur që Satani t’i largojë këto të vërteta nga zemrat e tyre.
Sidoqoftë, nëse i ndihmojmë ata që të hedhin rrënjë të kthimit të thellë në besim, atëherë në nxehtësinë e ditës, kur jeta të vështirësohet – dhe kjo do të ndodhë – ungjilli i Jezu Krishtit mund t’u japë atyre diçka të brendshme që nuk mund të ndikohet nga jashtë. Si mund të sigurohemi që këto të vërteta të fuqishme nuk po hyjnë nga njëri vesh dhe po dalin nga tjetri? Thjesht dëgjimi i fjalëve mund të mos jetë i mjaftueshëm.
Ne të gjithë e dimë se fjalët zhvillohen. Ndonjëherë ne themi fjalët tona dhe ata dëgjojnë fjalë të tjera. Ju mund t’u thoni fëmijëve tuaj të vegjël: “Flet si magnetofon i prishur”. Ata ndoshta do të përgjigjen: “Babi, çfarë është një magnetofon?”
Ati ynë Qiellor do që ne të kemi sukses sepse në të vërtetë, në fund të fundit, ata qenë fëmijët e Tij përpara se të ishin tanët. Si prindër në Sion, ju keni marrë dhuratën e Frymës së Shenjtë. Ndërsa luteni për udhërrëfim, “ai do t’ju tregojë të gjitha gjërat që duhet të bëni”7 për t’i mësuar fëmijët tuaj. Ndërsa ju zhvilloni metoda të të nxënit, “fuqia e Frymës së Shenjtë e çon atë në zemrat e fëmijëve të njerëzve”8.
Nuk mund të mendoj për një shembull më të mirë të të ndihmuarit të dikujt që të fitojë kuptueshmëri sesa historia e Helen Kelerit. Ajo ishte e verbër dhe e shurdhër dhe jetonte në një botë që ishte e errët dhe e qetë. Një mësuese që quhej Ana Salivan, erdhi për ta ndihmuar atë. Si do t’i jepnit mësim një fëmije që as nuk mund t’ju shohë as t’ju dëgjojë?
Për një kohë të gjatë, Ana pati vështirësi të komunikonte me Helenën. Një ditë, rreth mesditës, ajo e çoi atë te një pompë uji. Ajo e vendosi njërën dorë të Helenës nën vorbullën e ujit dhe filloi ta pomponte ujin. Ana pastaj germëzoi fjalën U-J-Ë në dorën tjetër të Helenës. Asgjë nuk ndodhi. Ndaj u përpoq sërish. U-J-Ë. Helena e shtrëngoi dorën e Anës për shkak se filloi të kuptonte. Deri në muzg, ajo kishte mësuar 30 fjalë. Brenda disa muajve, ajo kishte mësuar 600 fjalë dhe ishte në gjendje të lexonte me metodën brajl. Helen Keleri arriti që të merrte një diplomë kolegji dhe ndihmoi që të ndryshonte botën për njerëzit që nuk mund të shihnin apo dëgjonin.9 Kjo ishte një mrekulli dhe mësuesja e saj ishte mrekullibërësja, ashtu siç do të jeni ju, prindër.
I pashë frytet e një mësuesi tjetër të mrekullueshëm ndërsa shërbeja si president i një kunji beqarësh në moshë madhore në UBJ – Ajdaho. Ajo përvojë ndryshoi jetën time. Në një mbrëmje të veçantë të martën, unë intervistova një të ri që quhej Pablo, nga Meksiko-Siti, që donte të shërbente në një mision. E pyeta rreth dëshmisë së tij dhe dëshirës për të shërbyer. Përgjigjet e tij për pyetjet e mia ishin të përkryera. Pastaj e pyeta rreth denjësisë së tij. Përgjigjet e tij ishin të sakta. Në fakt, ato ishin kaq të mira, saqë i thashë vetes: “Ndoshta ai nuk e kupton se për çfarë po e pyes”. Kështu që i rishpreha pyetjet dhe përcaktova se ai e dinte saktësisht atë që unë doja të thoja dhe ishte plotësisht i ndershëm.
Më bëri kaq shumë përshtypje ky i ri saqë e pyeta: “Pablo, kush ishte ai që të ndihmoi të arrije në këtë pikë të jetës duke qëndruar kaq i drejtë para Zotit?”
Ai tha: “Babi im”.
Unë thashë: “Pablo, më trego historinë tënde”.
Pablo vazhdoi: “Kur isha nëntë vjeç, babi më mori mënjanë dhe më tha: ‘Pablo, dikur kam qenë edhe unë nëntë vjeç. Ja ku janë disa nga gjërat që mund të hasësh. Ti do t’i shikosh njerëzit të kopjojnë në shkollë. Ti mund të rrethohesh nga njerëz që shajnë. Ti ndoshta do të kesh ditë kur nuk do të duash të shkosh në kishë. Tani, kur të ndodhin këto gjëra – apo çfarëdo gjëje tjetër që të shqetëson – unë dua që ti të vish e të bisedosh me mua dhe unë do të të ndihmoj që t’i kalosh ato. Dhe pastaj unë do të të them se çfarë vjen më pas.’”
“Pra, Pablo, çfarë të tha kur ishe 10 vjeç?”
“Epo, ai më paralajmëroi rreth pornografisë dhe shakave të pista.”
“Po kur ishte 11 vjeç?” e pyeta unë.
“Ai më paralajmëroi rreth gjërave që mund të krijonin varësi, dhe më kujtoi rreth përdorimit të lirisë sime të zgjedhjes.”
Ja ku ishte një baba, vit pas viti, “[r]regull mbi [r]regull, pak këtu dhe pak atje”10, i cili e ndihmoi të birin që jo vetëm të dëgjonte, por edhe të kuptonte. Babai i Pablos e dinte që fëmijët tanë mësojnë kur janë gati për të mësuar, jo thjesht kur ne jemi gati për t’i mësuar ata. Isha krenar për Pablon kur ne e dorëzuam aplikimin e tij për mision atë natë, por isha edhe më shumë krenar për të atin e Pablos.
Kur e ngava makinën atë natë për në shtëpi, e pyeta veten: “Çfarë lloj babai do të jetë Pablo?” Dhe përgjigjja ishte tepër e qartë: ai do të jetë ashtu si i ati. Jezusi tha: “Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati”11. Ky është modeli se si Ati Qiellor i bekon fëmijët e Tij nga brezi në brez.
Ndërsa vazhdova të mendoja rreth përvojës sime me Pablon, u ndjeva i trishtuar ngaqë katër vajzat e mia ishin rritur dhe nëntë nipërit e mbesat e mia që kisha në atë kohë, nuk jetonin afër. Pastaj mendova: “Si mund t’i ndihmoj ndonjëherë ata në mënyrën që babai i Pablos e ndihmoi atë? A mos vallë kishte kaluar shumë kohë?” Ndërsa bëra një lutje në zemrën time, Shpirti më pëshpëriti këtë të vërtetë të madhe: “Nuk është kurrë tepër herët dhe nuk është kurrë tepër vonë për ta filluar këtë proces të rëndësishëm”. E kuptova menjëherë çfarë donte të thoshte. Mezi prisja të shkoja në shtëpi. I kërkova gruas sime, Sharolës, që t’i merrte në telefon të gjithë fëmijët tanë dhe t’u thoshte se ne duhej të takoheshim me ta; kisha diçka shumë të rëndësishme për t’u thënë. Ngutja ime i trembi paksa.
Ne filluam me vajzën tonë të madhe dhe bashkëshortin e saj. U thashë: “Unë dhe nëna juaj duam që ju të dini se dikur edhe ne kemi qenë në moshën tuaj. Ne ishim 31 vjeç, me një familje të vogël. E kemi një ide se me çfarë mund të përballeni. Mund të jetë një sfidë financiare ose shëndetësore. Mund të jetë një krizë besimi. Ju thjesht mund të ndiheni të mbingarkuar me jetën. Kur këto gjëra të ndodhin, ne duam që ju të vini dhe të bisedoni me ne. Ne do t’ju ndihmojmë që t’i kaloni ato. Tani, ne nuk duam t’i futim hundët në punët tuaja gjatë gjithë kohës, por duam që ju të dini se ne do t’ju mbështetim gjithmonë. Dhe ndërkohë që jemi së bashku, unë dua t’ju tregoj për një intervistë që sapo bëra me një të ri që quhet Pablo.”
Pas historisë, unë thashë: “Ne nuk duam që ju të dështoni në të ndihmuarin e fëmijëve tuaj dhe të nipërve e mbesave tona për t’i kuptuar këto të vërteta të rëndësishme”.
Vëllezër e motra, tani e kuptoj në një mënyrë më kuptimplotë atë që Zoti pret nga unë si baba dhe gjysh në krijimin e një procesi për ta ndihmuar familjen time që jo vetëm të dëgjojë, por edhe të kuptojë.
Teksa plakem, e shoh veten time të reflektojë mbi këto fjalë:
O kohë, o kohë, ik me vrap,
Lëri fëmij’t e mi të jenë të vegjël edhe për një natë!12
E di që nuk mund ta kthej kohën prapa, por tani e di këtë – që nuk është kurrë tepër herët dhe nuk është kurrë tepër vonë për t’i udhëhequr, drejtuar dhe për të ecur përkrah fëmijëve tanë, sepse familjet janë përgjithmonë.
Është dëshmia ime se Ati ynë Qiellor na deshi kaq shumë saqë dërgoi Birin e tij të Vetëmlindur që të jetonte jetën e një të vdekshmi, kështu që Jezusi të mund të na thoshte: “Kam qenë ku ju jeni, e di çfarë vjen më pas dhe do t’ju ndihmoj ta kaloni atë”. Unë e di se Ai do ta bëjë këtë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.