Peshkopi Zherald Kosé
Peshkopi Kryesues
Zherald Koséja ende po krijonte karrierën e tij në industrinë e shpërndarjes së ushqimeve në Francë në moshën 33-vjeçare, kur presidenti i kompanisë së tij e thirri veçmas. Ai i kishte vënë re bindjet shpirtërore të Zheraldit dhe aftësinë e tij për të bërë gjykime të shëndosha e për t’i bashkuar punonjësit – tipare të zhvilluara nëpërmjet veprimtarisë, shërbimit dhe udhëheqjes në Kishë. Presidenti arriti në përfundimin që Zheraldi ishte një burrë tek i cili ai mund të kishte besim.
Për habinë e tij, Zheraldit shpejt iu dha përgjegjësia për të administruar 1.800 punonjës. Në kohën kur u thirr të shërbente si një I Shtatëdhjetë Autoritet i Përgjithshëm një dekadë më vonë, në prill të vitit 2008, ai po administronte disa kompani të shpërndarjes së ushqimeve.
Aftësitë e biznesit dhe të administrimit të Peshkopit Kosé, të ndërthurura me shërbimin e tij kishtar dhe përvojën udhëheqëse, do t’i shërbejnë mirë atij si Peshkopi i ri Kryesues i Kishës. Peshkopi Kosé, i cili kishte qenë duke shërbyer si Këshilltar i Parë në Peshkopatën Kryesuese që nga marsi i vitit 2012, e mori thirrjen e tij të re vetëm pak ditë pas konferencës së përgjithshme të tetorit. Ai zëvendëson Plakun Geri E. Stivenson, i cili u mbështet në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve më 3 tetor 2015.
Peshkopi Zherald Zhan Kosé, Peshkopi i 15-të Kryesues i Kishës, u lind në Bordò të Francës në vitin 1963. Ai u martua me Valeri Babënin në vitin 1986, në Tempullin e Bernës në Zvicër. Ata kanë pesë fëmijë dhe pesë nipër e mbesa.
Përveç përvojës së tij në Peshkopatën Kryesuese dhe si anëtar i Të Shtatëdhjetëve, ai ka shërbyer si këshilltar në Presidencën e Zonës së Europës dhe si një I Shtatëdhjetë Zonal, si president kunji, këshilltar i presidentit të kunjit, këshilltar peshkopi, udhëheqës i grupit të priftërinjve të lartë dhe president i kuorumit të pleqve.
Kur ishte i ri, Peshkopi Kosé gjeti lumturi si edhe besim nëpërmjet shërbimit të tij në Kishë. Ai shërbeu si pianist në Fillore kur ishte 12 vjeç dhe si president i Shkollës të së Dielës në moshën 16 vjeç. Ai gjithashtu qëndroi shumë i përfshirë me detyrat e Priftërisë Aarone.
“Shërbimi në Kishë”, duke përfshirë ndihmën dhënë të atit në detyrat e tij si peshkop dhe president i degës, “më ndihmuan të fitoj dëshminë time”, thotë ai.
Peshkopi Kosé mori një diplomë masteri në biznes nga Shkolla e Biznesit ESSEC në Francë në vitin 1987. Përpara se të fillonte karrierën e tij, ai shërbeu në Forcën Ajrore Franceze, ku u caktua në një agjenci të NATO-s.