2020
Ecja Përpara
Nëntor 2020


Ecja Përpara

Puna e Zotit po ecën përpara në mënyrë të qëndrueshme.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa gëzim është të jem me ju ndërsa fillojmë Konferencën e Përgjithshme Gjysmëvjetore të 190‑të të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme! Më pëlqen shumë të bashkohem me ju në shtëpitë tuaja apo kudo që jeni, që të dëgjojmë së bashku mesazhet e profetëve, shikuesve e zbuluesve dhe të udhëheqësve të tjerë të Kishës.

Sa mirënjohës jemi për teknologjinë që na lejon të jemi të lidhur si një tubim i vetëm, madhështor e mbarëbotëror i dishepujve të Jezu Krishtit! Konferencën e përgjithshme në prillin e kaluar e panë më shumë njerëz se cilëndo konferencë përpara saj dhe ne kemi çdo pritshmëri që kjo do të ndodhë përsëri.

Gjatë disa muajve të shkuar, një pandemi botërore, zjarre të furishëm dhe fatkeqësi të tjera natyrore e kanë kthyer përmbys botën tonë. Unë brengosem me secilin prej jush që ka humbur një njeri të dashur gjatë kësaj kohe. Dhe unë lutem për të gjithë ata që aktualisht po vuajnë.

Ndërkohë, puna e Zotit po ecën përpara në mënyrë të qëndrueshme. Mes distancës shoqërore, maskave të fytyrës dhe mbledhjeve në platformën Zoom, ne kemi mësuar t’i bëjmë ndryshe disa gjëra dhe disa edhe më me efektshmëri. Kohët e pazakonta mund të sjellin shpërblime të pazakonta.

Misionarët dhe udhëheqësit e misioneve tona kanë qenë plot ide, të aftë të përshtaten dhe vërtet mbresëlënës. Edhe pse shumicës së misionarëve u është dashur të gjejnë mënyra të reja, krijuese për ta bërë punën e tyre, shumë misione kanë raportuar se po bëjnë më shumë mësimdhënie sesa kurdoherë më parë.

Na u desh t’i mbyllnim tempujt për njëfarë kohe dhe disa projekte ndërtimi u shtynë për pak kohë, por tani të gjitha ato po ecin përpara. Në vitin kalendarik 2020, do të kemi filluar punimet për 20 tempuj të rinj!

Puna për historinë familjare është rritur në mënyrë eksponenciale. Janë krijuar shumë lagje dhe kunje të reja. Dhe kemi kënaqësinë të raportojmë se Kisha ka siguruar ndihmë humanitare për trajtimin e pandemisë për 895 projekte në 150 vende.

Studimi i shtuar i ungjillit në shumë shtëpi po sjell si rezultat dëshmi dhe marrëdhënie familjare më të forta. Një nënë shkroi: “Ne ndihemi shumë më pranë fëmijëve dhe nipërve e mbesave tona tani që mblidhemi në platformën Zoom çdo të diel. Secili, me radhë, shpreh mendimet e veta për programin Eja, Më Ndiq. Lutjet për pjesëtarët e familjes sonë kanë ndryshuar, sepse ne e kuptojmë më mirë atë që ata kanë nevojë.”

Unë lutem që ne, si popull, po e përdorim këtë kohë të pashoqe për t’u rritur shpirtërisht. Ne jemi këtu në tokë që të provohemi, për të parë a do të zgjedhim ta ndjekim Jezu Krishtin, të pendohemi rregullisht, të mësojmë dhe të përparojmë. Shpirtrat tanë janë të etur për të përparuar. Dhe ne e bëjmë atë më së miri duke qëndruar të patundur në shtegun e besëlidhjeve.

Pas së gjithash, Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, na duan! Ata kujdesen për ne! Ata dhe engjëjt e Tyre të shenjtë po na mbrojnë.1 E di se kjo është e vërtetë.

Teksa mblidhemi për të dëgjuar fjalët që Zoti i ka frymëzuar shërbëtorët e Tij të përçojnë, unë ju ftoj të përsiatni mbi një premtim që bëri Zoti. Ai shpalli se “kushdo që ka dëshirë mund të mbështetet në fjalën e Perëndisë, që është e shpejtë dhe e fuqishme, e cila do t’i ndajë copë‑copë të gjitha dinakëritë … dhe mashtrimet e djallit, dhe do ta udhëheqë [dishepullin] e Krishtit në një udhë të ngushtë dhe të ngushtuar”2.

Unë lutem që ju do të zgjidhni të mbështeteni në fjalën e Perëndisë ndërkohë që shpallet gjatë kësaj konference të përgjithshme. Dhe unë lutem që ju të mund ta ndieni dashurinë e përsosur të Zotit për ju3, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shtyp në Letër