2020
Plaku Din M. Dejvis
Nëntor 2020


Plaku Din M. Dejvis

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Kur Plaku Din M. Dejvis po kthehej me makinë nga puna për në shtëpi në vitin 1989, ra një tërmet në San‑Francisko të Kalifornisë në SHBA, që e tundi dhunshëm makinën e tij. Më vonë, teksa përsiati dëmin që erdhi si rezultat në atë zonë, ai kujtoi rëndësinë e ndërtimit të jetës sonë mbi një themel të sigurt.

“Asnjëri prej nesh nuk do t’i ndërtonte shtëpitë, vendet e punës apo shtëpitë e shenjta të adhurimit me dijeni mbi rërë, mbetje rrënojash ose pa plane dhe materiale të përshtatshme”, tha ai. “E pranofshim ftesën e Shpëtimtarit që të vijmë tek Ai. E ndërtofshim jetën tonë mbi një themel të sigurt e të siguruar.”1

Plaku Dejvis, i cili ka shërbyer në Peshkopatën Kryesuese që nga prilli 2012, u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 3 tetor 2020. Në Peshkopatën Kryesuese, Plaku Dejvis shërbeu si Këshilltar i Dytë për Peshkopin Geri E. Stivenson derisa Peshkopi Stivenson u mbështet si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve më 3 tetor 2015. Plaku Dejvis u mbështet atëherë si Këshilltar i Parë për Peshkopin Zherald Kosé, që e zëvendësoi Plakun Stivenson si Peshkopi i ri Kryesues.

Din Majrën Dejvisi u lind në Solt-Lejk-Siti të Jutës në SHBA në vitin 1951. Pasi shërbeu si misionar kohëplotë në Misionin e Uruguait/Paraguait, ai u martua me Darla Xhejmsin në vitin 1973 në Tempullin e Solt‑Lejkut. Ata kanë 5 fëmijë dhe 17 nipër e mbesa.

Në korrik 1995, ai filloi të punonte për Kishën ku ishte drejtori përgjegjës i Sektorit të Projekteve të Posaçme, me përgjegjësinë për pasuritë e patundshme për qëllime të posaçme, projektimin e tempujve dhe ndërtimin e tempujve. Përpara punësimit në Kishë, Peshkopi Dejvis punoi për kompanitë High Industries, Inc., të Lankasterit në Pensilvani, SHBA dhe Bechtel Investments, Inc., të San‑Franciskos. Ai mori një diplomë universitare të nivelit të parë për ekonominë bujqësore në Universitetin “Brigam Jang” dhe kreu programe të përparuara për drejtues në Universitetet e Stenfordit dhe të Northuestërnit.

Peshkopi Dejvis ka shërbyer si president i Misionit të Puerto-Rikos, San-Huan, këshilltar i presidentit të misionit, president kunji, këshilltar i presidentit të kunjit, sekretar ekzekutiv i kunjit, këshilltar i lartë dhe në disa peshkopata.

Shënim

  1. Shih Din M. Dejvis, “Një Themel i Sigurt”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 9, 11.