2020
Duke Pritur për Zotin
Nëntor 2020


14:18

Duke Pritur për Zotin

Besim do të thotë t’i mirëbesojmë Perëndisë në kohë të mira e të këqija, edhe nëse kjo përfshin disa vuajtje derisa ta shohim krahun e Tij të zbulohet në emrin tonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ne të gjithë jemi të etur – askush më shumë se unë – për të dëgjuar fjalët përmbyllëse nga profeti ynë i dashur, Presidenti Rasëll M. Nelson. Kjo ka qenë një konferencë e mrekullueshme, por është hera e dytë që COVID‑19 i ka ndryshuar punimet tona tradicionale. Jemi kaq të lodhur nga kjo sëmundje ngjitëse, sa na vjen të shkulim flokët. Dhe me sa duket, disa nga Vëllezërit e mi e kanë nisur tashmë atë udhë. Ju lutemi, dijeni se ne vërtet lutemi vazhdimisht për ata që janë prekur në çfarëdolloj mënyre, veçanërisht për ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur. Çdo njeri e pranon se kjo ka vazhduar tepër, tepër gjatë.

Sa kohë presim për lehtësim nga vështirësitë që na vijnë? Po rreth të duruarit të sprovave vetjake ndërkohë që presim e presim dhe ndihma duket se mezi po vjen? Përse ka vonesa kur barrët duken më shumë sesa mund të mbajmë?

Ndërkohë që bëjmë pyetje të tilla, nëse përpiqemi, ne mund të dëgjojmë thirrjen e dikujt tjetër që jehon nga një qeli burgu e lagësht, e zymtë, gjatë njërit prej dimrave më të ftohtë të shënuar deri atëherë në atë vend.

“O Perëndi, ku je ti?” e dëgjojmë nga thellësia e burgut të Libertisë. “Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes? Për sa kohë do të frenohet dora jote?”1 Për sa kohë, O Zot, për sa kohë?

Pra, ne as nuk jemi të parët, as nuk do të jemi të fundit që bëjmë pyetje të tilla kur pikëllimet na vënë poshtë apo kur një dhembje në zemrën tonë vazhdon për një kohë të gjatë. Tani nuk jam duke folur për pandemi apo burgje, por për ju, familjen tuaj dhe fqinjët tuaj, të cilët po përballen me një numër sfidash të tilla. Flas për dëshirën e zjarrtë të shumë njerëzve që do të donin të martoheshin dhe nuk janë martuar, ose që janë të martuar dhe dëshirojnë që marrëdhënia të ishte disi më çelestiale. Flas për ata që iu duhet të përballen me shfaqjen e padëshiruar të një gjendjeje të rëndë mjekësore – ndoshta një gjendje e pashërueshme – apo që ndodhen përballë një beteje gjatë gjithë jetës me një defekt gjenetik që nuk ka shërim. Flas për luftën e vazhdueshme me sfidat emocionale dhe të shëndetit mendor, që kanë peshë të rëndë në shpirtrat e kaq shumë njerëzve të cilët vuajnë prej tyre dhe në zemrat e atyre që i duan dhe vuajnë bashkë me ta. Flas për të varfrit, të cilët Shpëtimtari na tha të mos i harrojmë kurrë, dhe flas për ju që pritni kthimin e një fëmije, pavarësisht nga mosha, që ka zgjedhur një shteg të ndryshëm nga ai për të cilin u lutët që ai ose ajo do të merrte.

Përveç kësaj, e pranoj se edhe kjo listë e gjatë e gjërave për të cilat ne mund të presim personalisht, nuk orvatet të trajtojë shqetësimet e mëdha ekonomike, politike dhe shoqërore me të cilat ballafaqohemi kolektivisht. Ati ynë në Qiell pret qartazi që ne t’i trajtojmë këto çështje stresuese publike, si dhe ato vetjake, por do të ketë raste në jetën tonë kur edhe përpjekja jonë më e mirë shpirtërore dhe lutjet e zjarrta përgjëruese nuk do të japin fitoret për të cilat na pikon në zemër, qoftë në lidhje me çështjet e mëdha globale apo çështjet e vogla vetjake. Pra, ndërsa punojmë dhe presim së bashku për përgjigjet e disa prej lutjeve tona, unë ju ofroj premtimin tim apostolik se ato dëgjohen dhe marrin përgjigje, megjithëse ndoshta jo në kohën apo në mënyrën që i dëshironim. Por ato gjithmonë marrin përgjigje në kohën dhe në mënyrën që një prind i gjithëdijshëm dhe përjetësisht i dhembshur duhet t’u përgjigjet atyre. Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ju lutem kuptojeni se Ai që as nuk fle as nuk dremit kurrë2, kujdeset për lumturinë dhe ekzaltimin përfundimtar të fëmijëve të Tij mbi gjithçka tjetër që një qenie hyjnore duhet të bëjë. Ai është dashuria e pastër, e mishëruar plot lavdi dhe Atë i Mëshirshëm është emri i Tij.

“Po qe se ky është rasti”, mund të thoni ju, “a nuk duhet që dashuria dhe mëshira e Tij thjesht t’i ndajnë Detet tona të Kuqe vetjake dhe të na lejojnë që të kalojmë përmes shqetësimeve tona nëpër tokë të thatë? A nuk duhet të dërgojë Ai pulëbardhat e shekullit të 21‑të, duke fluturuar prej njëfarë vendi për të gëlltitur të gjithë bulkthat tanë të bezdisshëm të shekullit të 21‑të?”

Përgjigjja për pyetje të tilla është: “Po, Perëndia mund t’i bëjë mrekullitë menjëherë, por herët a vonë, ne mësojmë se kohët dhe periudhat e udhëtimit tonë në vdekshmëri janë të Tijat dhe vetëm të Tijat për t’i drejtuar”. Është Ai që e administron atë kalendar për gjithsecilin prej nesh individualisht. Për çdo burrë të sëmurë që shërohet menjëherë teksa pret për të hyrë në pellgun e Betesdës3, dikush tjetër do të kalojë 40 vjet në shkretëtirë duke pritur që të hyjë në tokën e premtuar.4 Për çdo Nefi dhe Lehi që u mbrojtën në mënyrë hyjnore nga një flakë zjarri rrethuese për shkak të besimit të tyre5, ne kemi një Abinad që u dogj në një shtyllë zjarri që flakëronte për shkak të besimit të tij.6 Dhe ne kujtojmë se i njëjti Elia, i cili në një çast bëri thirrje që zjarri të zbriste nga qielli për të dëshmuar kundër priftërinjve të Baalit7, është i njëjti Elia që duroi një periudhë kur nuk pati shi për vite me radhë dhe i cili, për njëfarë kohe, hëngri vetëm ushqimin e paktë që mund të mbartej në kthetrën e një korbi.8 Për mendimin tim, kjo nuk mund të ketë qenë diçka që ne do ta quanim një “vakt që i lumturon fëmijët”.

Thelbi? Thelbi është se besim do të thotë t’i mirëbesojmë Perëndisë në kohë të mira e të këqija, edhe nëse kjo përfshin disa vuajtje derisa ta shohim krahun e Tij të zbulohet në emrin tonë.9 Kjo mund të jetë e vështirë në botën tonë të sotme kur shumë njerëz kanë arritur në pikën që besojnë se gjëja më e mirë që mund të ndodhë në jetë është që ta shmangim tërë vuajtjen, se askush nuk duhet të ketë ankth ndonjëherë për asgjë.10 Por ajo bindje nuk do të na çojë kurrë te “mas[a] e shtatit të plotësisë së Krishtit”11.

Duke i kërkuar ndjesë Plakut Nil A. Maksuell që po guxoj të ndryshoj dhe zgjeroj diçka që ai e tha dikur, edhe unë sugjeroj se “jeta e dikujt … nuk mund të jetë njëkohësisht e mbushur me besim por dhe pa stres”. Thjesht nuk do të funksionojë që “të rrëshqasim përgjatë jetës me naivitet”, duke thënë, teksa rrufisim një gotë tjetër me limonadë: “Zot, më jep të gjitha virtytet e tua më të zgjedhura, por sigurohu që të mos më japësh as hidhërim, as pikëllim, as dhembje, as kundërshti. Të lutem, mos lejo askënd që të mos më dojë apo të më tradhtojë dhe, mbi të gjitha, mos më lër që të ndihem ndonjëherë i braktisur prej Teje apo nga njerëzit që i dua. Në fakt, Zot, bëj kujdes që të më ruash nga të gjitha përvojat që të bënë Ty hyjnor. Dhe atëherë, kur rrëshqitja në shtegun e vështirë për të gjithë të tjerët të ketë mbaruar, të lutem më lër të vij e të banoj me Ty, ku mund të mburrem se sa të ngjashme janë anët tona të forta dhe karakteret tona ndërkohë që pluskoj në renë time të krishterimit të rehatshëm.”12

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, krishterimi sjell rehati, por shpesh nuk është i rehatshëm. Shtegu drejt shenjtërisë dhe lumturisë këtu dhe pas kësaj jete është i gjatë dhe nganjëherë shkëmbor. Kërkon kohë dhe këmbëngulje për të ecur në të. Por, sigurisht, shpërblimi për bërjen e kësaj është monumental. Kjo e vërtetë jepet mësim qartë dhe bindshëm në kapitullin 32 të Almës në Librin e Mormonit. Atje, ky prift i lartë i madh na mëson që, në qoftë se fjala e Perëndisë mbillet në zemrat tona si një farë e thjeshtë dhe në qoftë se kujdesemi sa duhet për ta ujitur, për ta pastruar nga barërat e këqija, për ta ushqyer dhe për t’i dhënë kurajë asaj, ajo në të ardhmen do të japë fryt “që është shumë i çmueshëm, … më i ëmbël se çdo gjë që është e ëmbël”, ngrënia e të cilit çon në një gjendje që nuk ka më etje dhe nuk ka më uri.13

Shumë mësime jepen në këtë kapitull mbresëlënës, por thelbësore tek të gjitha ato është aksioma se fara duhet të ushqehet dhe ne duhet të presim për të që të piqet; ne “presim me një sy besimi te fruti i saj”14. E vjela jonë, thotë Alma, vjen “ca nga ca”15. Nuk është çudi që ai e përfundon udhëzimin e tij mbresëlënës duke e përsëritur tri herë një thirrje për zell dhe durim në ushqyerjen e fjalës së Perëndisë në zemrat tona, “duke pritur”, siç thotë ai, me “durueshmëri … që pema t’ju japë frut”16.

COVID dhe kancer, dyshim dhe tronditje, probleme financiare dhe sprova familjare. Kur do të hiqen këto barrë? Përgjigjja është “ca nga ca”17. Dhe nëse kjo është një periudhë e shkurtër apo e gjatë, ne nuk e kemi gjithnjë në dorë, por me anë të hirit të Perëndisë, bekime do t’u vijnë atyre që kapen fort pas ungjillit të Jezu Krishtit. Asaj çështjeje iu dha zgjidhje në një kopsht mjaft të vetmuar dhe te një kodër plot shikues në Jerusalem kohë më parë.

Ndërsa e dëgjojmë tani profetin tonë të dashur ta mbyllë këtë konferencë, kujtofshim, ashtu siç e ka treguar Rasëll Nelsoni gjatë gjithë jetës së tij, se ata që “shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja [dhe] ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur … ecin pa u lodhur.”18 Lutem që “ca nga ca” – herët a vonë – ato bekime do t’i vijnë secilit prej jush që kërkon lehtësim nga pikëllimet e veta dhe çlirim nga hidhërimet e veta. Dëshmoj për dashurinë e Perëndisë dhe për Rivendosjen e ungjillit të Tij të lavdishëm, i cili, në një mënyrë apo tjetër, është përgjigjja për çdo problem që ndeshim në jetë. Në emrin shëlbues të Zotit Jezu Krishtit, amen.