2020
Të Vënë në Provë, të Provuar dhe të Lëmuar
Nëntor 2020


15:59

Të Vënë në Provë, të Provuar dhe të Lëmuar

Bekimi më i madh që do të vijë kur e provojmë vetveten besnikë ndaj besëlidhjeve tona gjatë sprovave tona, do të jetë një ndryshim i natyrës sonë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jam mirënjohës që t’ju flas sot. Shpresa ime është që të jap inkurajim kur jeta duket veçanërisht e vështirë dhe e pasigurt. Për disa prej jush, ajo kohë është tani. Nëse jo, një kohë e tillë do të vijë.

Ajo nuk është një pamje e zymtë. Është realiste – prapëseprapë optimiste – për shkak të qëllimit të Perëndisë në Krijimin e kësaj bote. Ai qëllim ishte që t’u jepte fëmijëve të Tij mundësinë për t’u provuar se ishin të aftë dhe të gatshëm që të zgjedhin të drejtën kur është e vështirë. Duke e bërë këtë gjë, natyra e tyre do të ndryshohej dhe ata do të mund të bëheshin më shumë si Ai. Ai e dinte se kjo do të kërkonte besim të patundur tek Ai.

Shumë prej asaj që di, erdhi nga familja ime. Kur isha rreth tetë vjeç, nëna ime e mençur na kërkoi vëllait dhe mua që të shkulnim me të barërat e këqija në kopshtin prapa shtëpisë sonë. Tani, kjo duket një detyrë e thjeshtë, por ne jetonim në Nju‑Xhersi. Binte shi shpesh. Dheu kishte shumë argjilë. Barërat e këqija rriteshin më shpejt se perimet.

Më kujtohet mërzitja ime kur barërat e këqija më këputeshin në dorë, me rrënjët e tyre të ngulura fort në baltën e madhe. Nëna dhe vëllai im shpejt ishin shumë përpara në radhët e tyre. Sa më shumë që përpiqesha, aq më pas ngelesha.

“Kjo është tepër e vështirë!” – thirra.

Në vend që të më merrte me të mirë, nëna buzëqeshi dhe tha: “O, Hal, sigurisht që është e vështirë. Ashtu duhet të jetë. Jeta është një provë.”

Në atë çast e dija se fjalët e saj ishin të vërteta dhe do të vazhdonin të ishin të vërteta në të ardhmen time.

Arsyeja për buzëqeshjen plot dashuri të nënës u bë e qartë vite më vonë kur lexova për Atin Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur duke folur për qëllimin e Tyre në krijimin e kësaj bote dhe në dhënien fëmijëve shpirtërorë të mundësisë për jetën në vdekshmëri:

“Dhe ne do t’i provojmë me këtë, për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë;

Dhe ata që e ruajnë gjendjen e parë, atyre do t’u shtohet; dhe ata që nuk e ruajnë gjendjen e parë, nuk do të kenë lavdi në të njëjtën mbretëri me ata që e ruajnë gjendjen e tyre të parë; dhe ata që e ruajnë gjendjen e tyre të dytë, do të kenë lavdi të shtuar mbi kokat e tyre përherë e përgjithmonë”1.

Ju dhe unë e pranuam atë ftesë për t’u vënë në provë dhe për t’u provuar se do të zgjidhnim të zbatonim urdhërimet e Perëndisë, kur të mos ishim më në praninë e Atit tonë Qiellor.

Edhe me një ftesë të tillë plot dashuri nga Ati ynë Qiellor, Luciferi ia mbushi mendjen një të tretës së fëmijëve shpirtërorë për ta ndjekur atë dhe për ta refuzuar planin e Atit për rritjen dhe lumturinë tonë të përjetshme. Për shkak të ngritjes krye të Satanit, ai u dëbua së bashku me pasuesit e tij. Tani ai përpiqet të bëjë sa më shumë njerëz të mundet, që të largohen prej Perëndisë gjatë kësaj jete në vdekshmëri.

Ata prej nesh që e pranuan planin, e bënë këtë gjë për shkak të besimit tonë te Jezu Krishti, i cili ofroi që të bëhej Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Ne duhet ta kemi besuar në atë kohë se çfarëdo dobësie që do të kishim në vdekshmëri dhe çfarëdo forcash të liga që do të ishin kundër nesh, forcat e së mirës do të ishin jashtëzakonisht më të mëdha.

Ati Qiellor dhe Jezu Krishti ju njohin dhe ju duan. Ata duan që ju të ktheheni tek Ata dhe të bëheni si Ata. Suksesi juaj është suksesi i Tyre. Ju e keni ndier atë dashuri të pohohet nga Fryma e Shenjtë kur keni lexuar ose dëgjuar këto fjalë: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”2.

Perëndia ka fuqinë për ta bërë udhën tonë më të lehtë. Ai i ushqeu me manë fëmijët e Izraelit në endjen e tyre drejt tokës së premtuar. Zoti në shërbesën e Tij në vdekshmëri shëroi të sëmurët, ngjalli të vdekurit dhe qetësoi detin. Pas Ringjalljes së Tij, Ai hapi “burgu[n] për ata që ishin të lidhur”3.

Prapëseprapë, Profeti Jozef Smith, njëri prej profetëve të Tij më të mëdhenj, vuajti në burg dhe iu dha mësimi nga i cili ne të gjithë përfitojmë dhe për të cilin kemi nevojë në provat tona të përsëritura të besimit: “Në qoftë se ti do të hidhesh në gropë apo në duart e vrasësve dhe vendimi me vdekje jepet mbi ty, në qoftë se do të hidhesh në thellësi, në qoftë se dallgët e trazuara komplotojnë kundër teje, në qoftë se erërat e forta bëhen armiku yt, në qoftë se qiejt mbledhin errësirë dhe gjithë elementet ndërthuren për të penguar rrugën; dhe, mbi të gjitha, në qoftë se edhe grykat e ferrit do ta shqyejnë gojën për ty, dije, biri im, se gjithë këto gjëra do të të japin përvojë dhe do të jenë për të mirën tënde”4.

Me arsye mund të pyesni veten përse një Perëndi i dashur dhe i gjithëfuqishëm lejon që provat tona në vdekshmëri të jenë kaq të vështira. Është ngaqë Ai e di se ne duhet të rritemi në pastërtinë dhe shtatin shpirtëror që të jemi të aftë të jetojmë në praninë e Tij në familje përgjithmonë. Për ta bërë të mundur atë, Ati Qiellor na dha një Shpëtimtar dhe fuqinë për të zgjedhur për veten tonë me anë të besimit që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, të pendohemi dhe kështu të vijmë tek Ai.

Plani i Atit për lumturinë ka në qendër të tij bërjen tonë gjithnjë e më shumë si Biri i Tij i Dashur, Jezu Krishti. Në të gjitha gjërat, shembulli i Shpëtimtarit është udhërrëfyesi ynë më i mirë. Ai nuk u përjashtua nga nevoja për ta provuar veten e Tij. Ai duroi për të gjithë fëmijët e Atit Qiellor, duke paguar çmimin për të gjitha mëkatet tona. Ai e ndjeu vuajtjen e të gjithë atyre që kanë ardhur dhe do të vijnë në vdekshmëri.

Kur e pyesni veten se sa shumë dhembje mund të duroni ashtu siç duhet, kujtojeni Atë. Ai e vuajti atë që po vuani, në mënyrë që Ai të mund të dinte se si t’ju lartësonte moralisht. Ai mund të mos e heqë barrën, por Ai do t’ju japë forcë, ngushëllim e shpresë. Ai e di udhën. Ai e piu kupën e hidhur. Ai e duroi vuajtjen e të gjithëve.

Ju po ushqeheni shpirtërisht dhe po ngushëlloheni nga një Shpëtimtar i dashur, i cili e di se si t’ju ndihmojë në çfarëdo provash që hasni. Alma dha mësim:

“Dhe ai do të shkojë përpara, duke vuajtur dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij.

Dhe ai do të marrë përsipër vdekjen që ai të mund të zgjidhë rripat e vdekjes, që e lidhin popullin e tij; dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, sesi të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre.”5

Një mënyrë se si Ai do t’ju ndihmojë, do të jetë që t’ju ftojë ta kujtoni gjithmonë Atë dhe të vini tek Ai. Ai na ka nxitur:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.”6

Mënyra se si të vijmë tek Ai është të ushqehemi me bollëk me fjalët e Tij, të ushtrojmë besim deri në pendim, të zgjedhim që të pagëzohemi dhe konfirmohemi nga shërbëtori i Tij i autorizuar dhe më pas t’i mbajmë besëlidhjet tona me Perëndinë. Ai e dërgon Frymën e Shenjtë që të jetë shoqëruesi, ngushëlluesi dhe udhërrëfyesi juaj.

Kur jetoni të denjë për dhuratën e Frymës së Shenjtë, Zoti mund t’ju drejtojë drejt sigurisë edhe kur nuk mund ta shihni udhën. Për mua, Ai më së shpeshti më ka treguar një ose dy hapa pasues për t’i ndërmarrë. Rrallëherë Ai më ka dhënë një vështrim të shkurtër të së ardhmes së largët, por edhe ato vështrime të rralla e udhërrëfejnë atë që zgjedh të bëj në jetën e përditshme.

Zoti shpjegoi:

“Ju nuk mund të shihni me sytë tuaj natyrorë, në këtë kohë, planin e Perëndisë tuaj lidhur me ato gjëra që do të vijnë më pas dhe me lavdinë që do të pasojë … shumë mundime.

Sepse pas shumë mundimesh vijnë bekimet.”7

Bekimi më i madh që do të vijë kur e provojmë vetveten besnikë ndaj besëlidhjeve tona gjatë sprovave tona, do të jetë një ndryshim i natyrës sonë. Kur zgjedhim t’i mbajmë besëlidhjet tona, fuqia e Jezu Krishtit dhe bekimet e Shlyerjes së Tij mund të veprojnë brenda nesh. Zemrat tona mund të zbuten që t’i duam, t’i falim dhe t’i ftojmë të tjerët për të ardhur te Shpëtimtari. Vetëbesim ynë te Zoti rritet. Frika jonë pakësohet.

Tani, edhe me bekime të tilla të premtuara nëpërmjet mundimit, ne nuk e kërkojmë mundimin. Gjatë përvojës në vdekshmëri, ne do të kemi mjaft mundësi për ta provuar veten tonë, për t’i kaluar provat tona mjaft të vështira për t’u bërë edhe më shumë si Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor.

Përveç kësaj, ne duhet të vëmë re mundimin e të tjerëve dhe të përpiqemi që t’i ndihmojmë. Ajo do të jetë veçanërisht e vështirë kur ne po vihemi rëndë në provë vetë. Por do të zbulojmë se kur ngremë barrën e dikujt tjetër, qoftë edhe pak, shpinat tona forcohen dhe ne ndiejmë dritë në errësirë.

Në këtë, Zoti është Shembulli ynë. Në kryqin e Golgotës, pasi kishte vuajtur tashmë dhembje kaq të madhe sa Ai do të kishte vdekur po të mos ishte Biri i Vetëmlindur i Perëndisë, Ai i vështroi xhelatët e Tij dhe i tha Atit të Tij: “Fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”8. Ndërkohë që vuante për të gjithë ata që do të jetonin ndonjëherë, Ai, nga kryqi, e hodhi vështrimin drejt Gjonit dhe vetë nënës së Tij të hidhëruar dhe i dha asaj shërbesë në sprovën e saj:

“Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: ‘O grua, ja biri yt!’.

Pastaj i tha dishepullit: ‘Ja nëna jote!’ Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.”9

Nëpërmjet veprimeve të Tij në ditën më të shenjtë nga të gjitha, Ai vullnetarisht e dha jetën e Tij për secilin prej nesh, duke ofruar jo vetëm ndihmë në këtë jetë, por jetë të përjetshme në kohën që do të vijë.

Unë kam parë njerëz që janë ngritur në lartësi të mëdha nëpërmjet besnikërisë së tyre në sprova të tmerrshme. Ka shembuj sot anembanë Kishës. Fatkeqësia i gjunjëzon njerëzit. Me anë të durimit dhe përpjekjes së tyre besnike, ata bëhen më shumë si Shpëtimtari dhe Ati ynë Qiellor.

Mësova edhe një mësim tjetër nga nëna ime. Kur ishte vajzë e vogël, ajo kaloi difterinë dhe gati vdiq. Më vonë pati meningjit të shtyllës kurrizore. I ati i vdiq në moshë të re dhe kështu nëna ime dhe vëllezërit e saj ndihmonin që ta përkrahnin nënën e tyre.

Gjatë gjithë jetës, i ndjeu efektet e sprovave të sëmundjes. Në 10 vitet e fundit të jetës së saj, iu deshën shumë operacione. Por përmes gjithçkaje, ajo e provoi veten të ishte besnike ndaj Zotit, edhe kur ishte e ngujuar në shtrat. E vetmja fotografi në murin e dhomës së saj të gjumit ishte ajo e Shpëtimtarit. Fjalët e saj të fundit për mua në shtratin ku po vdiste ishin këto: “Hal, dukesh se po ftohesh. Duhet të kujdesesh më shumë për veten.”

Në shërbesën e saj mortore folësi i fundit ishte Plaku Spenser W. Kimball. Pasi tha diçka për sprovat e saj dhe besnikërinë e saj, ai në thelb tha këtë: “Disa prej jush mund ta pyesin veten përse Milldredit iu desh të vuante kaq shumë dhe kaq gjatë. Do t’jua them përse. Ishte ngaqë Zoti dëshironte ta lëmonte atë pak më shumë.”

Shpreh mirënjohjen time për anëtarët e shumtë besnikë të Kishës së Jezu Krishtit që i mbajnë barrët me besim të vazhdueshëm dhe që i ndihmojnë të tjerët të mbajnë barrët e tyre ndërkohë që Zoti përpiqet t’i lëmojë pak më shumë. Gjithashtu shpreh dashuri dhe admirim për përkujdesësit/et dhe udhëheqësit/et anembanë botës, që u shërbejnë të tjerëve ndërkohë që ata/o dhe familjet e tyre durojnë këtë lloj lëmimi.

Dëshmoj se jemi fëmijë të një Ati Qiellor, i cili na do. E ndiej dashurinë e Presidentit Rasëll M. Nelson për ne të gjithë. Ai është profeti i Zotit në botë sot. Kështu dëshmoj në emrin e shenjtë të Zotit Jezu Krisht, amen.