2020
Fuqia e Qëndrueshme
Nëntor 2020


9:53

Fuqia e Qëndrueshme

Vetëm besimi dhe fjala e Perëndisë që e mbushin brendësinë e shpirtit tonë, janë të mjaftueshme për të na mbështetur – e lejuar t’i qasemi fuqisë së Tij.

Duke rishikuar mësimet e profetit tonë të dashur, Presidentit Rasëll M. Nelson, gjeta një fjalë që ai e ka përdorur shpesh në shumë biseda. Kjo fjalë është fuqia.

Në konferencën e parë të përgjithshme pasi u mbështet si Apostull, Presidenti Nelson foli rreth fuqisë.1 Ai ka vijuar të japë mësim rreth fuqisë gjatë viteve. Qysh kur e kemi mbështetur Presidentin Nelson si profetin tonë, ai ka dhënë mësim rreth parimit të fuqisë – konkretisht fuqisë së Perëndisë – dhe se si mund të kemi qasje tek ajo. Ai ka dhënë mësim se si mund të mbështetemi te fuqia e Perëndisë ndërsa u japim shërbesë të tjerëve2, se si pendimi e fton fuqinë e Jezu Krishtit dhe të Shlyerjes së Tij në jetën tonë3 dhe se si priftëria – fuqia dhe autoriteti i Perëndisë – i bekon të gjithë ata që bëjnë dhe mbajnë besëlidhje me Të.4 Presidenti Nelson ka dëshmuar se fuqia e Perëndisë rrjedh në mënyrë të vazhdueshme tek të gjithë ata që e kanë marrë dhurimin në tempull ndërsa i mbajnë besëlidhjet e tyre.5

Unë u preka veçanërisht nga ftesa që Presidenti Nelson bëri në konferencën e përgjithshme të prillit 2020. Ai na udhëzoi: “Studioni dhe lutuni për të mësuar më shumë rreth fuqisë dhe njohurisë që ju është dhuruar – ose që do t’ju dhurohet”6.

Në përgjigje të kësaj ftese, unë kam studiuar, jam lutur dhe kam mësuar disa gjëra të dobishme rreth fuqisë dhe njohurisë që më janë dhuruar – ose që ende do të më dhurohen.

Të kuptuarit se çfarë duhet të bëjmë për të pasur qasje ndaj fuqisë së Perëndisë në jetën tonë nuk është e lehtë, por kam zbuluar se është e mundur duke e studiuar në mendjen tonë dhe duke u lutur që Fryma e Shenjtë të na ndriçojë.7 Plaku Riçard G. Skot dha një përkufizim të qartë se çfarë është fuqia e Perëndisë: ajo është “fuqi për të bërë më shumë se ç’mund të bëjmë të vetëm”8.

Mbushja e zemrës sonë dhe madje e shpirtit tonë me fjalën e Perëndisë dhe themeli i besimit në Jezu Krisht janë jetike për përftimin e fuqisë së Perëndisë që të na ndihmojë në këto kohë sfiduese. Pa i futur fjalën e Perëndisë dhe besimin në Jezu Krisht thellë në zemrën tonë, dëshmitë e besimi ynë mund të dështojnë dhe ne mund ta humbasim qasjen te fuqia që Perëndia dëshiron të na japë. Besimi sipërfaqësor është i pamjaftueshëm. Vetëm besimi dhe fjala e Perëndisë që na e mbushin brendësinë e shpirtit tonë, janë të mjaftueshme për të na mbështetur – e lejuar t’i qasemi fuqisë së Tij.

Kur Motra Xhonson dhe unë po rritnim fëmijët tanë, ne e nxitnim secilin prej tyre të mësonte të luante një instrument muzikor. Por ne do t’i lejonim fëmijët tanë të merrnin mësime muzike vetëm nëse ata bënin pjesën e tyre dhe ushtroheshin në instrument çdo ditë. Një të shtunë, bija jonë e tretë ishte e gëzuar se do të shkonte të luante me shoqe, por ende nuk ishte ushtruar në piano. Duke ditur se ishte zotuar të ushtrohej për 30 minuta, ajo synonte të vinte një kohëmatës, sepse nuk donte të ushtrohej asnjë minutë më shumë sesa kërkohej.

Ndërsa po ecte pranë furrës me mikrovalë për të shkuar te pianoja, ajo u ndal dhe shtypi disa butona. Por në vend që të vendoste kohëmatësin, ajo e vuri mikrovalën për gatim për 30 minuta dhe shtypi butonin “Fillo”. Pas 20 minutash së ushtruari, ajo u kthye në kuzhinë të kontrollonte se sa kohë kishte mbetur dhe e gjeti furrën me mikrovalë në zjarr.

Ajo më pas vrapoi në oborrin prapa shtëpisë ku unë po bëja kopshtari, duke bërtitur se shtëpia po digjej. U futa me vrap në shtëpi dhe, vërtet, e gjeta furrën me mikrovalë në flakë.

Në një përpjekje për të shpëtuar shtëpinë tonë nga djegia, zgjata dorën prapa mikrovalës, e hoqa nga priza, dhe përdora kordonin e korrentit për ta ngritur nga banaku mikrovalën që po digjej. Me shpresë që të isha heroi dhe të zgjidhja situatën e të shpëtoja shtëpinë tonë, e vërtita mikrovalën e përflakur me kordonin e korrentit për ta mbajtur larg trupit, shkova në oborrin pas shtëpisë dhe me një lëvizje tjetër vërtitëse e hodha mikrovalën në lëndinë. Atje, ne mundëm t’i shuanim flakët e zjarrit me një zorrë uji.

Çfarë kishte shkuar keq? Furrës me mikrovalë i duhet diçka që të përthithë energjinë e saj, dhe kur brenda nuk ka asgjë që ta përthithë energjinë, këtë e bën vetë furra, nxehet dhe mund të marrë zjarr, duke u kthyer në një masë flakësh dhe hiri.9 E tërë mikrovala jonë mori flakë dhe u dogj sepse nuk kishte asgjë brenda.

Po kështu, ata që e kanë besimin dhe fjalën e Perëndisë thellë në zemrën e tyre do të jenë në gjendje t’i përthithin dhe t’i mposhtin shigjetat e flakta, që kundërshtari me siguri do t’i dërgojë për të na shkatërruar.10 Ndryshe, besimi, shpresa dhe bindja jonë mund të mos zgjatin dhe ashtu si furra me mikrovalë e zbrazët, ne mund të bëhemi viktimë.

Kam mësuar se pasja e fjalës së Perëndisë thellë në shpirtin tim, e bashkuar me besimin në Zotin Jezu Krisht dhe Shlyerjen e Tij, më lejon të mbështetem te fuqia e Perëndisë për të mposhtur kundërshtarin dhe gjithçka që ai mund të hedhë mbi mua. Ndërsa përballemi me sfida, ne mund të mbështetemi te premtimi i Zotit që u dha mësim nga Pali: “Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie”11.

Ne e dimë se si fëmijë Shpëtimtari “rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të”12. Ne dimë se ndërsa Ai rritej në moshë, “Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve”13. Dhe ne e dimë se në kohën që filloi shërbesa e Tij, ata që e dëgjonin Atë, “habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet”14.

Nëpërmjet përgatitjes, Shpëtimtari u rrit në fuqi dhe ishte në gjendje t’u rezistonte të gjitha tundimeve të Satanit.15 Ndërsa ndjekim shembullin e Shpëtimtarit dhe përgatitemi duke e studiuar fjalën e Perëndisë dhe duke e thelluar besimin tonë, ne gjithashtu mund të mbështetemi te fuqia e Perëndisë për t’u rezistuar tundimeve.

Gjatë kësaj kohe grumbullimi të kufizuar që nuk e mundëson frekuentimin e rregullt të tempullit, vendosa të studioj e mësoj më shumë rreth fuqisë së Perëndisë që na vjen kur bëjmë dhe mbajmë besëlidhje tempulli. Sikurse u premtua në lutjen përkushtuese të Tempullit të Kirtlandit, ne largohemi nga tempulli të armatosur me fuqinë e Perëndisë.16 Nuk ka datë të mbarimit të vlefshmërisë e cila lidhet me fuqinë që Perëndia u jep atyre që bëjnë dhe mbajnë besëlidhje tempulli, apo kufizim në qasjen tek ajo fuqi gjatë një pandemie. Fuqia e Tij pakësohet në jetën tonë vetëm nëse nuk arrijmë t’i mbajmë besëlidhjet tona dhe nuk jetojmë në një mënyrë që na lejon të kualifikohemi vazhdimisht për ta marrë fuqinë e Tij.

Ndërsa shërbenim si udhëheqës misioni me bashkëshorten time të dashur në Tajlandë, në Laos dhe Mianmar, ne e dëshmuam personalisht fuqinë e Perëndisë që u vjen atyre të cilët bëjnë dhe mbajnë besëlidhje të shenjta në tempull. Fondi i Ndihmës për Frekuentuesit e Tempullit mundësoi që shumë shenjtorë në këto tri vende të shkonin në tempull pasi bënë gjithçka mundën nëpërmjet sakrificës dhe përgatitjes vetjake. Më kujtohet takimi me një grup prej 20 shenjtorësh besnikë nga Laosi në një aeroport në Bankok të Tajlandës, për t’i ndihmuar të zhvendoseshin në një aeroport tjetër të Bankokut që të kapnin avionin për në Hong‑Kong. Këta anëtarë ishin plot gëzim që më në fund po udhëtonin për në shtëpinë e Zotit.

Anëtarë në Laos

Kur i takuam këta shenjtorë të mirë në kthim, pjekuria e shtuar për ungjillin dhe fuqia shoqëruese që buron nga marrja e dhurimit në tempull dhe hyrja në besëlidhje me Perëndinë, ishin të dukshme. Këta shenjtorë dolën qartësisht nga tempulli “të armatosur me fuqinë [e Tij]”17. Kjo fuqi për të bërë më shumë sesa mund të bënin vetë, u dha fuqi për të duruar sfidat e anëtarësisë në Kishë në vendin e tyre dhe për të shkuar përpara duke sjellë “lajme tepër të mëdha dhe të lavdishme, me të vërtetë”18, ndërsa vijojnë të ndërtojnë mbretërinë e Zotit në Laos.

Gjatë kohës që nuk kemi mundur të shkojmë në tempull, a është mbështetur secili prej nesh te besëlidhjet që bëmë në tempull, për të vendosur një drejtim të qartë, të pandryshueshëm në jetën tonë? Këto besëlidhje, nëse mbahen, na japin largpamësi dhe pritshmëri lidhur me të ardhmen dhe një vendosmëri të qartë që të kualifikohemi për të marrë nëpërmjet besnikërisë sonë gjithçka që Zoti ka premtuar.

Ju ftoj ta kërkoni fuqinë që Perëndia dëshiron t’ju japë. Dëshmoj që, nëse e kërkojmë këtë fuqi, ne do të bekohemi me një kuptim më të thellë të dashurisë që Ati ynë Qiellor ka për ne.

Dëshmoj që, për shkak se Ati Qiellor ju do ju dhe mua, Ai dërgoi Birin e Tij të Dashur, Jezu Krishtin, që të jetë Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë. Dëshmoj për Jezu Krishtin, për Atë që ka gjithë fuqinë19, dhe e bëj këtë në emrin e Jezu Krishtit, amen.