2020
Një Gjendje e Re Normale
Nëntor 2020


5:26

Një Gjendje e Re Normale

Ju ftoj që ta ktheni zemrën, mendjen dhe shpirtin tuaj gjithnjë e më shumë tek Ati Ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

Të dashur vëllezërit e motrat e mia, këto dy ditë të konferencës së përgjithshme kanë qenë të lavdishme! Jam dakord me Plakun Xhefri R. Holland. Siç e përmendi ai, mesazhet, lutjet dhe muzika që të gjitha kanë qenë të frymëzuara nga Zoti. Jam mirënjohës për të gjithë ata që kanë marrë pjesë në çfarëdo mënyre.

Gjatë gjithë punimeve, ju kam përfytyruar në mendje duke dëgjuar konferencën. I kam kërkuar Zotit të më ndihmojë të kuptoj se çfarë po ndieni, për çfarë po shqetësoheni apo çfarë po përpiqeni të zgjidhni. Kam vrarë mendjen se çfarë mund të them për ta përmbyllur këtë konferencë që do t’ju përcjellë me optimizëm për të ardhmen që e di se Zoti dëshiron që ju ta ndieni.

Jetojmë në një epokë të lavdishme, të parashikuar nga profetët prej shekujsh. Kjo është periudha ungjillore kur asnjë bekim shpirtëror nuk do të mbahet nga të drejtët.1 Pavarësisht nga rrëmuja në botë2, Zoti do të donte që ne të shohim tek e ardhmja “me pritje të gëzuar”3. Le të mos i xhirojmë në vend rrotat në kujtimet e së djeshmes. Mbledhja e Izraelit ecën përpara. Zoti Jezu Krisht i drejton punët e Kishës së Tij dhe ajo do t’i arrijë objektivat e saj hyjnorë.

Sfida për ju dhe mua është të sigurohemi që secili prej nesh do ta arrijë potencialin hyjnor të tij apo të saj. Sot, ne shpesh dëgjojmë për një gjendje “të re normale”. Nëse vërtet doni të përqafoni një gjendje të re normale, unë ju ftoj që ta ktheni zemrën, mendjen dhe shpirtin tuaj gjithnjë e më shumë tek Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Le të jetë kjo gjendja juaj e re normale.

Përqafojeni gjendjen tuaj të re normale duke u penduar çdo ditë. Kërkoni të jeni gjithmonë e më shumë të dëlirë në mendim, fjalë dhe veprim. Jepuni shërbesë të tjerëve. Mbani një këndvështrim të përjetshëm. Lartësojini thirrjet tuaja. Dhe cilatdo qofshin sfidat tuaja, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, jetojeni çdo ditë në mënyrë që ju të jeni më të përgatitur për ta takuar Krijuesin tuaj.4

Kjo është arsyeja pse ne kemi tempuj. Ordinancat dhe besëlidhjet e Zotit na përgatitin për jetën e përjetshme, më të madhen nga të gjitha bekimet e Perëndisë.5 Siç e dini, pandemia e COVID‑it kërkoi një mbyllje të përkohshme të tempujve tanë. Më pas, ne filluam një rihapje të bashkërenduar me kujdes, me faza. Me fazën 2 tani në fuqi në shumë tempuj, mijëra çifte janë vulosur dhe mijëra njerëz kanë marrë vetë dhurimet e tyre vetëm brenda disa muajve të fundit. Ne presim me padurim ditën kur të gjithë anëtarët e denjë të Kishës mund t’u shërbejnë sërish paraardhësve të tyre dhe të adhurojnë në një tempull të shenjtë.

Tani kam kënaqësinë të njoftoj planet për ndërtimin e gjashtë tempujve të rinj që do të ndërtohen në vendet e mëposhtme: Taraua, Kiribati; Port‑Vila, Vanuatu; Lindon, Jutë; Guatemala-Siti me Rrethinat, Guatemalë; San‑Paolo, Lindje, Brazil; dhe Santa‑Kruz, Bolivi.

Teksa i ndërtojmë dhe i mirëmbajmë këta tempuj, ne lutemi që secili prej jush do ta ndërtojë dhe mirëmbajë veten që të mund të jeni të denjë për të hyrë në tempullin e shenjtë.

Tani, të dashur vëllezërit dhe motrat e mia, ju bekoj që të mbusheni me paqen e Zotit Jezu Krisht. Paqja e Tij është përtej gjithë kuptueshmërisë së njerëzve të vdekshëm.6 Ju bekoj me një dëshirë dhe aftësi të shtuar për t’iu bindur ligjeve të Perëndisë. Ju premtoj që, ndërsa e bëni këtë, ju do të mbuloheni me bekime, përfshirë kurajë më të madhe, zbulesë të shtuar vetjake, harmoni më të ëmbël në shtëpitë tuaja dhe gëzim madje mes pasigurisë.

Shkofshim përpara së bashku për ta përmbushur mandatin tonë hyjnor – atë që ta përgatitim veten dhe botën për Ardhjen e Dytë të Zotit! Unë lutem kështu, duke shprehur dashurinë time për ju, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.