2020
Duajini Armiqtë Tuaj
Nëntor 2020


16:19

Duajini Armiqtë Tuaj

Njohuria se të gjithë ne jemi fëmijë të Perëndisë, na jep një largpamësi për vlerën e njerëzve të tjerë dhe aftësinë për t’u ngritur mbi paragjykimet.

Mësimet e Zotit janë për përjetësi dhe për të gjithë fëmijët e Perëndisë. Në këtë mesazh do të jap disa shembuj nga Shtetet e Bashkuara, por parimet që ato japin mësim, gjejnë zbatim kudo.

Ne jetojmë në një kohë zemërimi dhe urrejtjeje në marrëdhëniet dhe rregulloret politike. Ne e ndiem këtë gjë në verë ku disa njerëz shkuan përtej protestave paqësore dhe u përfshinë në sjellje shkatërruese. Ne e ndiejmë atë në disa fushata të tanishme elektorale për pozicione publike. Për fat të keq, disa prej këtyre gjërave janë shfaqur madje në deklarata politike dhe referime jodashamirëse në mbledhjet tona të Kishës.

Në një qeveri demokratike ne gjithmonë do të kemi ndryshime në lidhje me kandidatët dhe rregulloret e propozuara. Sidoqoftë, si pasues të Krishtit ne duhet të heqim dorë nga zemërimi dhe urrejtja me të cilat debatohen ose denoncohen zgjedhjet politike në shumë mjedise.

Predikimi në Mal

Këtu është një prej mësimeve të Shpëtimtarit tonë, ndoshta shumë i njohur por rrallëherë i praktikuar:

“Ju keni dëgjuar se qe thënë: ‘Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd’.

Por unë po ju them: ‘Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin’” (Mateu 5:43–44)1.

Për breza të tërë, judenjve u ishte mësuar t’i urrenin armiqtë e tyre dhe në atë kohë ata po vuanin nën sundimin dhe mizoritë e pushtimit romak. Prapëseprapë, Jezusi u dha atyre mësim: “Duani armiqtë tuaj” dhe “u bëni të mirë atyre që ju … ketrajtojnë!”

Jezusi duke dhënë mësim në kontinentin amerikan

Çfarë mësimesh revolucionare për marrëdhëniet vetjake dhe politike! Por kjo është ende ajo që Shpëtimtari ynë urdhëron. Te Libri i Mormonit ne lexojmë: “Pasi në të vërtetë, në të vërtetë, unë ju them juve se ai që ka shpirtin e grindjes nuk është i imi, por është i djallit i cili është ati i grindjes dhe ai nxit zemrat e njerëzve, që të grinden me zemërim me njëri-tjetrin” (3 Nefi 11:29).

T’i duam armiqtë dhe kundërshtarët tanë nuk është e lehtë. “Shumica prej nesh nuk e kanë arritur atë fazë … dashurie dhe faljeje”, vërejti Presidenti Hinkli, duke shtuar: “Ajo kërkon vetëdisiplinë pothuajse më të madhe sesa jemi ne të aftë të kemi”2. Por ajo duhet të jetë thelbësore, sepse është pjesë e dy urdhërimeve të mëdha të Shpëtimtarit, ta “dua[sh] Zotin, Perëndinë tënde” dhe ta “dua[sh] të afërmin tënd porsi vetveten” (shih Mateu 22:37, 39). Dhe duhet të jetë e mundur, sepse Ai gjithashtu dha mësim: “Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju çelet” (Mateu 7:7)3.

Si i zbatojmë këto urdhërime hyjnore në një botë ku ne gjithashtu u nënshtrohemi ligjeve të njeriut? Për fat të mirë, ne kemi shembullin e vetë Shpëtimtarit se si t’i drejtpeshojmë ligjet e Tij të përjetshme me anën praktike të ligjeve të krijuara nga njeriu. Kur kundërshtarët u përpoqën ta zinin Atë në kurth me një pyetje nëse judenjtë duhet t’i paguanin taksa Romës, Ai tregoi me gisht te figura e Cezarit në monedhat e tyre dhe shpalli: “I jepni, pra, Cezarit atë që i përket Cezarit, dhe Perëndisë atë që është e Perëndisë” (Lluka 20:25)4.

Jepini Cezarit

Si rrjedhim, ne duhet të ndjekim ligjet e njerëzve (t’i japim Cezarit) që të jetojmë të qetë nën autoritetin civil dhe ne ndjekim ligjet e Perëndisë drejt vendmbërritjes sonë të përjetshme. Por si ta bëjmë këtë – veçanërisht, si mësojmë t’i duam kundërshtarët dhe armiqtë tanë?

Mësimi i Shpëtimtarit për të mos u “grind[ur] me zemërim” është një hap i parë i mirë. Djalli është ati i grindjes dhe është ai që i tundon njerëzit të grinden me zemërim. Ai ushqen armiqësi dhe marrëdhënie urrejtjeje midis individëve dhe brenda grupeve. Presidenti Tomas S. Monson dha mësim se zemërimi është “mjet i Satanit”, sepse “të jesh i zemëruar do të thotë t’i dorëzohesh ndikimit të Satanit. Askush nuk mund të na zemërojë. Është zgjedhja jonë.”5 Zemërimi i hap rrugë përçarjes dhe armiqësisë. Ne shkojmë drejt dashurisë për kundërshtarët tanë kur e shmangim zemërimin dhe armiqësinë ndaj atyre me të cilët nuk biem dakord. Gjithashtu na ndihmon nëse jemi edhe të gatshëm të mësojmë prej tyre.

Ndër mënyrat e tjera për të zhvilluar fuqinë për t’i dashur të tjerët, është metoda e thjeshtë e përshkruar në një dramë muzikore shumë kohë më parë. Kur përpiqemi të kuptojmë dhe të lidhemi me njerëz të një kulture tjetër, ne duhet të përpiqemi t’i njohim ata. Në rrethana të panumërta, dyshimi apo edhe armiqësia ndaj të huajve i lënë vendin miqësisë apo edhe dashurisë kur kontaktet vetjake prodhojnë mirëkuptim e respekt të ndërsjellë.6

Një ndihmë edhe më e madhe për të mësuar që t’i duam kundërshtarët dhe armiqtë tanë është të kërkojmë dhe kuptojmë fuqinë e dashurisë. Këtu janë tre nga shumë mësime profetike në lidhje me këtë gjë.

Profeti Jozef Smith dha mësim se “është një fjalë e urtë e respektuar nga koha që thotë se dashuria lind dashurinë. Le të japim dashuri me shumicë – të tregojmë mirësinë tonë ndaj gjithë njerëzimit.”7

Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim: “Bota në të cilën jetojmë do të përfitonte shumë nëse burrat dhe gratë kudo do të ushtronin dashurinë e pastër të Krishtit, që është e dashur, e duruar dhe e përulur. Është pa zili apo krenari. … Nuk kërkon asgjë në kthim. … Nuk ka vend për paragjykim, urrejtje apo dhunë. … Ajo nxit njerëz të ndryshëm të jetojnë së bashku në dashuri të krishterë pavarësisht besimit fetar, racës, kombësisë, gjendjes financiare, arsimit apo kulturës.”8

Dhe Presidenti Rasëll M. Nelson na ka nxitur që ta “zgjerojmë rrethin tonë të dashurisë për të përfshirë të gjithë familjen njerëzore”9.

Një pjesë thelbësore e dashurisë për armiqtë tanë është që t’i japim Cezarit pjesën e vet duke i zbatuar ligjet e shteteve tona të ndryshme. Megjithëse mësimet e Jezusit ishin revolucionare, Ai nuk dha mësim për revolucione apo shkelje të ligjit. Ai dha mësim një mënyrë më të mirë. Zbulesa bashkëkohore na mëson të njëjtën gjë:

“Askush të mos shkelë ligjet e vendit, sepse ai që zbaton ligjet e Perëndisë, nuk ka nevojë të shkelë ligjet e vendit.

Si rrjedhim, nënshtrojuni fuqive që janë” (Doktrina e Besëlidhje 58:21–22).

Dhe neni ynë i besimit, i shkruar nga Profeti Jozef Smith pasi shenjtorët e hershëm kishin vuajtur përndjekje të ashpër nga zyrtarët e Misurit, shpall: “Ne besojmë në nënshtrimin ndaj mbretërve, presidentëve, sundimtarëve dhe gjykatësve, në bindjen, nderimin dhe mbështetjen e ligjit” (Nenet e Besimit 1:12).

Kjo nuk do të thotë që ne biem dakord me të gjitha ato që bëhen me forcën e ligjit. Do të thotë që ne i bindemi ligjit të tanishëm dhe përdorim mënyra paqësore për ta ndryshuar atë. Do të thotë gjithashtu se i pranojmë paqësisht rezultatet e zgjedhjeve elektorale. Ne nuk do të marrim pjesë në dhunën e paralajmëruar prej atyre që janë të zhgënjyer me rezultatin.10 Në një shoqëri demokratike gjithmonë kemi mundësinë dhe detyrën të këmbëngulim paqësisht deri në zgjedhjet e ardhshme elektorale.

Mësimi i Shpëtimtarit për t’i dashur armiqtë tanë bazohet në realitetin se të gjithë njerëzit e vdekshëm janë fëmijë të dashur të Perëndisë. Ai parim i përjetshëm dhe disa parime themelore të ligjit u vunë në provë në protestat e kohëve të fundit në shumë qytete amerikane.

Protestë paqësore

Në njërin skaj, disa njerëz duket se e kanë harruar që amendamenti i parë i kushtetutës së Shteteve të Bashkuara garanton “të drejtën e njerëzve për t’u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për t’i bërë kërkesë Qeverisë për zgjidhjen e ankesave”. Kjo është mënyra e autorizuar për të rritur ndërgjegjësimin publik dhe për t’u përqendruar te padrejtësitë në përmbajtjen ose administrimin e ligjeve. Dhe ka pasur padrejtësi. Në veprimet publike dhe qëndrimet tona vetjake, ne kemi pasur racizëm dhe ankesa lidhur me të. Në një ese personale bindëse, klerikja Tereza A. Dir e Shoqatës Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë (SHKPNJN) na ka kujtuar se “racizmi lulëzon në urrejtje, shtypje, mosveprim, mospërfillje dhe heshtje”11. Si qytetarë dhe si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne duhet të veprojmë më mirë për të ndihmuar në çrrënjosjen e racizmit.

Trazira të paligjshme

Në skajin tjetër, një pakicë e pjesëmarrësve dhe mbështetësve të këtyre protestave dhe akteve të paligjshme që i kanë pasuar ato, duket se ka harruar që protestat e mbrojtura nga kushtetuta janë protesta paqësore. Protestuesit nuk kanë të drejtë të shkatërrojnë, prishin ose vjedhin pronën apo të minojnë fuqinë ligjore të zbatimit të ligjit nga ana e qeverisë. Kushtetuta dhe ligjet nuk përmbajnë asnjë ftesë për revolucion ose anarki. Të gjithë ne – policia, protestuesit, mbështetësit dhe spektatorët – duhet të kuptojmë kufijtë e të drejtave tona dhe rëndësinë e detyrave tona për të qëndruar brenda kufijve të ligjit ekzistues. Abraham Linkolni kishte të drejtë kur tha: “Nuk ka asnjë ankesë që është një çështje e përshtatshme për t’u zgjidhur nga ligji i turmës”12. Zgjidhja e ankesave nga turmat është zgjidhje me mjete të paligjshme. Ajo është anarki, një gjendje që nuk ka qeveri të efektshme dhe asnjë polici zyrtare, e cila i shkatërron në vend që t’i mbrojë të drejtat e individit.

Një arsye pse protestat e kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara ishin tronditëse për shumë njerëz, ishte se armiqësitë dhe veprimet e paligjshme që janë përjetuar midis etnive të ndryshme në kombe të tjera, nuk duhet të ndihen në Shtetet e Bashkuara. Ky vend duhet të jetë më i mirë në asgjësimin e racizmit, jo vetëm kundrejt amerikanëve me ngjyrë, të cilët ishin më të dukshëm në protestat e kohëve të fundit, por edhe kundrejt latinëve, aziatikëve dhe grupeve të tjera. Historia e këtij kombi lidhur me racizmin nuk është një histori e lumtur dhe ne duhet të veprojmë më mirë.

Ishulli Elis
Emigrantë

Shtetet e Bashkuara u themeluan nga emigrantë të kombësive të ndryshme dhe etnive të ndryshme. Qëllimi i tyre bashkues nuk ishte që të vendosej një fe e veçantë ose të përjetësohej ndonjë nga kulturat e ndryshme apo besnikëritë fisnore të vendeve të vjetra. Brezi që e themeloi këtë vend, u përpoq që të bashkohej nga një kushtetutë e re dhe ligje të reja. Kjo nuk do të thotë se dokumentet që na bashkojnë ose të kuptuarit e atëhershëm për domethënien e tyre ishte i përsosur. Historia e dy shekujve të parë të Shteteve të Bashkuara tregoi nevojën për shumë përmirësime, të tilla si e drejta e grave për të votuar dhe, veçanërisht, heqja e skllavërisë, duke përfshirë ligje për të siguruar se ata që kishin qenë të skllavëruar, do t’i kishin të gjitha kushtet e lirisë.

Dy studiues të Universitetit të Jellit kohët e fundit na kujtuan:

“Me gjithë të metat e veta, Shtetet e Bashkuara janë të pajisura në mënyrë të pashoqe për ta bashkuar një shoqëri të larmishme e të ndarë. …

… Qytetarët e saj nuk kanë pse të zgjedhin midis një identiteti kombëtar dhe kulturave të shumta. Amerikanët mund t’i kenë që të dyja. Por kyçi është patriotizmi kushtetues. Ne duhet të qëndrojmë të bashkuar me anë të Kushtetutës dhe nëpërmjet saj, pavarësisht nga mosmarrëveshjet tona ideologjike.”13

Shumë vite më parë, një sekretar i punëve të jashtme britanike dha këtë këshillë të shkëlqyer në një debat në Dhomën e Ulët: “Ne nuk kemi asnjë aleat të përjetshëm dhe nuk kemi asnjë armik të përhershëm. Interesat tona janë të përjetshme dhe të përhershme dhe këto interesa është detyra jonë që t’i ndjekim.”14

Kjo është një arsye e mirë laike për të ndjekur interesat “e përjetshme dhe të përhershme” në çështje politike. Për më tepër, doktrina e Kishës së Zotit na mëson një tjetër interes të përjetshëm që duhet të na udhërrëfejë: mësimet e Shpëtimtarit tonë, i cili frymëzoi kushtetutën e Shteteve të Bashkuara dhe ligjet themelore të shumë prej vendeve tona. Besnikëria ndaj ligjit të vendosur në vend të “aleatëve” të përkohshëm, është mënyra më e mirë për t’i dashur kundërshtarët tanë dhe armiqtë tanë ndërsa kërkojmë unitet në larmishmëri.

Njohuria se të gjithë ne jemi fëmijë të Perëndisë, na jep një largpamësi hyjnore për vlerën e të gjithë njerëzve të tjerë, si dhe vullnetin e aftësinë për t’u ngritur mbi paragjykimet dhe racizmin. Ndërsa kam jetuar shumë vjet në vende të ndryshme të këtij kombi, Zoti më ka mësuar se është e mundur t’u bindemi ligjeve të kombit tonë, të përpiqemi t’i përmirësojmë ato ligje dhe gjithashtu t’i duam kundërshtarët tanë e armiqtë tanë. Ndërkohë që nuk është e lehtë, kjo gjë është e mundur me ndihmën e Zotit tonë, Jezu Krishtit. Ai e dha këtë urdhër për të dashur dhe Ai premton ndihmën e Tij ndërsa përpiqemi t’i bindemi atij. Dëshmoj se ne na duan dhe do të ndihmohemi nga Ati ynë Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Shih edhe Lluka 6:27–28, 30.

  2. Gordon B. Hinckley, “The Healing Power of Christ”, Ensign, nëntor 1988, f. 59; shih edhe Teachings of Gordon B. Hinckley (1997), f. 230.

  3. Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 6:5.

  4. Shih edhe Mateu 22:21; Marku 12:17.

  5. Tomas S. Monson, “O Vëllai Im, Disiplino Ndjenjat e Tua”, Liahona, nëntor 2009, f. 68.

  6. Shih Becky dhe Bennett Borden, “Moving Closer: Loving as the Savior Did”, Ensign, shtator 2020, f. 24–27.

  7. Joseph Smith, në History of the Church, 5:517. Në mënyrë të ngjashme, Martin Luter King i Riu (1929–1968) tha: “Kthimi i dhunës me dhunë e shumëfishon dhunën, duke i shtuar një nate tashmë pa yje një errësirë më të thellë. Errësira nuk mund ta largojë errësirën; vetëm drita mund ta bëjë atë. Urrejtja nuk mund ta largojë urrejtjen; vetëm dashuria mund ta bëjë atë” (Where Do We Go from Here: Chaos or Community? [2010], f. 64–65).

  8. Mësime të Presidentëve të Kishës: Hauard W. Hanter (2015), f. 268.

  9. Russell M. Nelson, “Blessed Are the Peacemakers”, Liahona, nëntor 2002; f. 41; shih edhe Teachings of Russell M. Nelson (2018), f. 83.

  10. Shih “A House Divided”, The Economist, 5 shtator 2020, f. 17–20.

  11. Theresa A. Dear, “America’s Tipping Point: 7 Ways to Dismantle Racism”, Deseret News, 7 qershor 2020, A1.

  12. Abraham Lincoln, fjalim në Young Men’s Lyceum, Springfield, Illinois, 27 janar 1838, në John Bartlett, Bartlett’s Familiar Quotations, bot. 18‑të (2012), f. 444.

  13. Amy Chua dhe Jed Rubenfeld, “The Threat of Tribalism”, Atlantic, tetor 2018, f. 81, theatlantic.com.

  14. Henry John Temple, Viscount Palmerston, fjalim në House of Commons, 1 mars 1848; në Bartlett, Bartlett’s Familiar Quotations, f. 392; theksimi i shtuar.