2020
Perëndia do të Bëjë Diçka të Paimagjinueshme
Nëntor 2020


15:17

Perëndia do të Bëjë Diçka të Paimagjinueshme

Perëndia i ka përgatitur fëmijët e Tij dhe Kishën e Tij për këtë kohë.

Jo shumë kohë pasi mbërritën në luginën e Solt-Lejkut, shenjtorët e ditëve të mëvonshme filluan të ndërtonin tempullin e tyre të shenjtë. Ata ndien se e kishin gjetur më në fund një vend ku mund ta adhuronin Perëndinë në paqe dhe të ishin të lirë nga përndjekjet.

Megjithatë, ndërsa themelet e tempullit po arrinin drejt përfundimit, një ushtri me ushtarë të Shteteve të Bashkuara u afrua për të vendosur me forcë një guvernator të ri.

Për shkak se udhëheqësit e Kishës nuk e dinin se sa armiqësore do të ishte ushtria, Brigam Jangu i urdhëroi shenjtorët që të evakuoheshin dhe ta mbulonin me dhe themelin e tempullit.

Jam i sigurt që disa anëtarë të Kishës e pyetnin veten se përse përpjekjet e tyre për të ndërtuar mbretërinë e Perëndisë po dështonin në mënyrë të vazhdueshme.

Si përfundim, rreziku kaloi dhe u hoq dheu nga themelet e tempullit dhe ato i inspektuan. Ishte në atë kohë që ndërtuesit pionierë zbuluan se disa prej gurëve ranorë origjinalë ishin krisur, duke i bërë të papërshtatshëm për një themel.

Si rrjedhim, Brigami i vuri që ta riparonin themelin që të mund të mbante mjaftueshëm mirë muret prej graniti1 të Tempullit madhështor të Solt-Lejkut2. Më në fund, shenjtorët mund të këndonin himnin “Sa i Fort’ Një Themel”3 dhe e dinin se tempulli i tyre i shenjtë qe ndërtuar mbi një themel të shëndoshë që do të rezistonte për breza me radhë.

Themeli i Tempullit të Solt‑Lejkut

Kjo histori mund të na mësojë se si Perëndia e përdor fatkeqësinë që të bëjë të ndodhin qëllimet e Tij.

Një Pandemi Mbarëbotërore

Nëse kjo ju duket situatë e njohur, duke u nisur nga rrethanat në të cilat ndodhemi sot, kjo ndodh ngaqë është e tillë.

Dyshoj të ketë ndonjë person që e dëgjon zërin tim apo i lexon fjalët e mia, që nuk është ndikuar nga pandemia mbarëbotërore.

Njerëzve që vajtojnë për humbjen e familjarëve dhe miqve të tyre, u themi se ne vajtojmë me ju. Ne i përgjërohemi Atit Qiellor që t’ju ngushëllojë dhe lehtësojë.

Pasojat afatgjata të këtij virusi shkojnë përtej shëndetit fizik. Shumë familje kanë humbur të ardhurat dhe janë të kanosura nga uria, pasiguria dhe frika. Ne i admirojmë përpjekjet vetëmohuese të kaq shumë njerëzve për ta parandaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje. Ne jemi të përulur nga sakrifica e heshtur dhe përpjekjet fisnike të atyre që kanë rrezikuar vetë sigurinë e tyre për t’u ardhur në ndihmë, për të shëruar dhe për t’u dhënë përkrahje njerëzve në nevojë. Zemrat tona janë plot me mirënjohje për mirësinë dhe dhembshurinë tuaj.

Lutemi fuqishëm që Perëndia do t’i hapë pragjet e qiellit dhe do ta mbushë jetën tuaj me bekimet e përjetshme të Perëndisë.

Ne Jemi Fara

Ka ende shumë të panjohura rreth këtij virusi. Por nëse ka një gjë që unë njëmend e di, është se ky virus nuk e kapi në befasi Atin Qiellor. Atij nuk i duhej të mblidhte batalione engjëjsh shtesë, të zhvillonte mbledhje për urgjenca apo t’i zhvendoste burimet nga sektori i krijimit të botëve për të përballuar një nevojë të papritur.

Mesazhi im sot është që edhe pse kjo pandemi nuk është ajo që donim apo pritnim, Perëndia i ka përgatitur fëmijët e Tij dhe Kishën e Tij për këtë kohë.

Ne do t’i bëjmë ballë kësaj, po. Por do të bëjmë më shumë sesa thjesht të mbledhim forcat, të mbahemi fort dhe të presim që gjërat të kthehen në normalitetin e vjetër. Ne do të shkojmë përpara dhe, për pasojë, do të jemi më mirë.

Në njëfarë mënyre, ne jemi fara. Në mënyrë që fara ta arrijë potencialin e saj, ajo duhet të groposet përpara se të mbijë. Dëshmia ime është që edhe pse hera-herës ne mund të ndihemi si të groposur nga sprovat e jetës ose të rrethuar nga errësira emocionale, dashuria e Perëndisë dhe bekimet e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit do të prodhojnë diçka të paimagjinueshme kur ajo të ndodhë.

Bekime Vijnë nga Vështirësitë

Çdo periudhë ungjillore është përballur me kohët e saj të sprovës dhe vështirësisë.

Enoku dhe populli i tij jetuan në një kohë ligësie, luftërash dhe gjakderdhjeje. “Por Zoti erdhi dhe banoi me popullin e tij.” Ai kishte në mendje diçka të paimagjinueshme për ta. Ai i ndihmoi ata të ngrinin Sionin – një popull “[i] një zemre dhe [i] një mendjeje” i cili “ban[oi] në drejtësi”4.

Jozefin në moshë të re, birin e Jakobit, e hodhën në një pus, e shitën në skllavëri, e tradhtuan dhe e braktisën5. Jozefi duhet ta ketë pyetur veten a e kishte harruar Perëndia atë. Perëndia kishte në mendje diçka të paimagjinueshme për Jozefin. Ai e përdori këtë periudhë sprove për ta forcuar karakterin e Jozefit dhe për ta vënë atë në pozitën që të shpëtonte familjen e tij6.

Jozefi në burgun e Libertisë

Mendoni për Jozef Smith Profetin ndërkohë që ishte i burgosur në burgun e Libertisë, se si ai u përgjërua për lehtësimin e vuajtjeve të shenjtorëve. Ai duhet ta ketë pyetur veten se si mund të ngrihej Sioni në ato rrethana. Por Zoti i foli paqe atij dhe zbulesa e lavdishme që pasoi u solli paqe shenjtorëve – dhe ajo vazhdon t’ju sjellë paqe juve dhe mua7.

Sa herë në vitet e para të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u dëshpëruan shenjtorët dhe e pyetën veten a i kishte harruar Perëndia ata? Por nëpërmjet përndjekjeve, rreziqeve dhe kanosjes së shfarosjes, Zoti, Perëndia i Izraelit kishte diçka tjetër në mendje për tufën e Tij të vogël. Diçka të paimagjinueshme.

Çfarë mësojmë nga këta shembuj – dhe nga qindra të tjerë në shkrimet e shenjta?

Së pari, të drejtëve nuk u jepet një leje kalimi e posaçme që i lejon ata të shmangin luginat e hijes. Të gjithë ne duhet të ecim përmes kohëve të vështira, pasi është në këto kohë fatkeqësie që ne i mësojmë parimet, të cilat e forcojnë karakterin tonë dhe bëjnë që ne t’i afrohemi më shumë Perëndisë.

Së dyti, Ati ynë Qiellor e di se ne vuajmë dhe, për shkak se jemi fëmijët e Tij, Ai nuk do të na braktisë8.

Mendoni për të dhembshurin, Shpëtimtarin, i cili shpenzoi kaq shumë kohë nga jeta e Tij duke u dhënë shërbesë të sëmurëve, të vetmuarve, dyshuesve dhe të dëshpëruarve9. A mendoni se Ai shqetësohet më pak për ju sot?

Miqtë e mi të shtrenjtë, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, Perëndia do të kujdeset për ju dhe do t’ju udhëheqë gjatë këtyre kohëve pasigurie dhe frike. Ai ju njeh. Ai i dëgjon përgjërimet tuaja. Ai është besnik dhe i besueshëm. Ai do t’i përmbushë premtimet e Tij.

Perëndia ka në mendje diçka të paimagjinueshme për ju personalisht dhe për Kishën kolektivisht – një punë të mrekullueshme dhe një çudi.

Të Falënderojmë, Perëndi, për Profetin

Ditët tona më të mira i kemi para nesh, jo prapa nesh. Kjo është arsyeja pse Perëndia na jep zbulesë bashkëkohore! Pa të, jeta mund të duket sikur po fluturojmë në një trajektore rrethore, duke pritur që mjegulla të largohet që të mund të ulemi të sigurt në tokë. Qëllimet e Zotit për ne janë shumë më të larta se kjo. Për shkak se kjo është Kisha e Krishtit të gjallë dhe për shkak se Ai i udhëzon profetët e Tij, ne po shkojmë përpara dhe lart në vende ku nuk kemi qenë kurrë, në lartësi që zor se mund t’i imagjinojmë!

Tani, kjo nuk do të thotë se nuk do të përjetojmë turbullira gjatë fluturimit tonë përgjatë jetës në vdekshmëri. Nuk do të thotë se nuk do të ketë avari të papritura të instrumenteve, mosfunksionime mekanike apo sfida të rënda nga moti. Në fakt, gjërat mund të përkeqësohen përpara se të përmirësohen.

Si pilot luftarak dhe kapiten linje ajrore, mësova se ndërkohë që nuk mund ta zgjidhja kundërshtarin që do të hasja gjatë fluturimit, unë mund të zgjidhja se si të përgatitesha e si të reagoja. Ajo që nevojitet gjatë kohëve të krizës, është qetësia dhe mirëbesimi me një mendje të kthjellët.

Si e bëjmë ne këtë?

Ne i pranojmë faktet dhe kthehemi te gjërat themelore, te parimet bazë të ungjillit, tek ajo që ka vlerë më shumë. Ju e forconi sjelljen tuaj vetjake fetare – të tillë si lutjen dhe studimin e shkrimeve të shenjta, dhe zbatimin e urdhërimeve të Perëndisë. Ju i merrni vendimet bazuar te praktikat që janë vërtetuar si më të mirat.

Përqendroheni te gjërat që mund të bëni dhe jo te gjërat që nuk mund të bëni.

Ju e mobilizoni besimin tuaj. Dhe ju mbani vesh për fjalën udhërrëfyese të Zotit dhe profetit të Tij, që t’ju udhëheqë drejt sigurisë.

Mbani mend, kjo është Kisha e Jezu Krishtit – Ai është në timon.

Mendoni për përparimet e shumta të frymëzuara që ndodhën vetëm dekadën e kaluar. Le të përmendim vetëm disa:

  • Sakramenti u ritheksua si qendra e adhurimit tonë në ditën e Shabatit.

  • Manuali Eja, Më Ndiq u mundësua si një mjet i përqendruar te shtëpia dhe i përkrahur nga Kisha për të forcuar individët dhe familjet.

  • Ne filluam një mënyrë më të lartë dhe më të shenjtë të dhënies së shërbesës ndaj të gjithë njerëzve.

  • Përdorimi i teknologjisë për shpërndarjen e ungjillit dhe bërjen e punës së Zotit është përhapur në mbarë Kishën.

Madje edhe këto sesione të konferencës së përgjithshme nuk do të ishin të mundura pa mjetet e mrekullueshme të teknologjisë.

Vëllezër dhe motra, me Krishtin në timon, gjërat jo vetëm që do të shkojnë shumë mirë; por ato do të jenë të paimagjinueshme.

Vepra e Mbledhjes së Izraelit Shkon Përpara

Fillimisht mund të jetë dukur sikur një pandemi mbarëbotërore do të ishte një barrikadë për veprën e Zotit. Për shembull, metodat tradicionale për përhapjen e ungjillit nuk kanë qenë të mundura. Megjithatë, pandemia po zbulon mënyra të reja dhe më krijuese se si t’u shkojmë në ndihmë njerëzve të ndershëm në zemër. Vepra e mbledhjes së Izraelit po rritet në fuqi dhe entuziazëm. Qindra e mijëra histori e dëshmojnë këtë.

Një mikeshë e mirë që jeton në Norvegjinë e bukur, na shkroi Harrietës dhe mua rreth një rritjeje të pagëzimeve gjatë kohëve të fundit. “Në vendet ku Kisha është e vogël”, shkroi ajo, “degëzat do të bëhen degë dhe degët do të bëhen lagje!”

Në Letoni, një grua që e kishte gjetur Kishën duke klikuar në një reklamë në internet, ishte kaq e emocionuar që mësoi për ungjillin e Jezu Krishtit, saqë erdhi në takimin e saj një orë përpara dhe para se misionarët ta mbaronin mësimin e tyre të parë, ajo kërkoi një datë për t’u pagëzuar.

Në Europën Lindore, një grua që mori një telefonatë nga misionaret, thirri: “Motra, përse nuk më keni telefonuar më herët? Kam qenë duke pritur!”

Shumë nga misionarët tanë janë më të ngarkuar se kurrë. Shumë nga ata po u japin mësim më shumë njerëzve se kurrë. Ka një lidhje të shtuar ndërmjet anëtarëve dhe misionarëve.

Në të shkuarën, ne mund të kemi qenë kaq të lidhur ngushtë pas qasjeve tradicionale saqë na u desh një pandemi për t’i hapur sytë. Ndoshta ishim duke ndërtuar ende me gurë ranorë ndërkohë që graniti ishte tashmë në dispozicion. Nga nevoja, tani ne po mësojmë se si të përdorim një larmi metodash, përfshirë teknologjinë, për t’i ftuar njerëzit – në mënyra të zakonshme dhe të natyrshme – që të vijnë e të shohin, të vijnë e të ndihmojnë dhe të vijnë e të gjejnë përkatësi.

Vepra e Tij, Mënyrat e Tij

Kjo është vepra e Zotit. Ai na fton që të gjejmë mënyrat e Tij për ta bërë këtë dhe ato mund të ndryshojnë nga përvojat tona të kaluara.

Kjo i ndodhi Simon Pjetrit dhe dishepujve të tjerë që shkuan për të peshkuar në Detin e Tiberiadës.

“Atë natë nuk zunë asgjë.

Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu. …

Dhe ai u tha atyre: ‘Hidhni rrjetën në anën … [tjetër] të barkës dhe do të gjeni’.”

Ata i hodhën rrjetat e tyre në anën tjetër dhe “s’mundën më t[’i] tërhiqnin nga shumica e peshqve”10.

Perëndia ka zbuluar dhe do të vazhdojë ta zbulojë dorën e Tij të fuqishme. Do të vijë dita kur do të shohim prapa dhe do të kuptojmë se gjatë kësaj kohe fatkeqësie, Perëndia po na ndihmonte për të gjetur mënyra më të mira – mënyrat e Tij – për ta ndërtuar mbretërinë e Tij mbi një themel të fortë.

Unë jap dëshminë time se kjo është vepra e Perëndisë dhe Ai do të vazhdojë të bëjë shumë gjëra të paimagjinueshme mes fëmijëve të Tij, popullit të Tij. Perëndia na mban në pëllëmbët e duarve të Tij përkujdesëse dhe të dhembshura.

Unë dëshmoj se Presidenti Rasëll M. Nelson është profeti i Perëndisë për kohën tonë.

Si Apostull i Zotit, unë ju ftoj dhe ju bekoj që t’i “bë[ni] me gëzim të gjitha gjërat që janë në fuqinë t[uaj]; dhe atëherë qëndrofshi[t] të patundur, me sigurinë më të madhe, për të parë shpëtimin e Perëndisë dhe që krahu i tij të zbulohet”11. Unë premtoj se Zoti do të bëjë që të vijnë gjëra të paimagjinueshme nga punët tuaja të drejta. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Monzonit kuarci që dukej si granit, marrë nga një gurore në grykën e Kanionit Kotonud i Vogël, 32,19 km në juglindje të qytetit.

  2. Për një kërkim më të thellë të kësaj periudhe historike, shikoni Saints: The Story of the Church of Jesus Christ in the Latter Days, vëll. 2, No Unhallowed Hand, 1846–1893 (2020), kapitujt 17, 19 dhe 21.

  3. Shih “Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41.

    Këto vargje të këtij himni të madh mund të shërbejnë si një motiv për kohët tona dhe, kur e dëgjojmë tekstin me një vesh të ri, ai na jep këndvështrim për sfidat që hasim:

    Në çfarëdo gjendje, sëmundje a shëndet,

    I varfër në qofsh, a i pasur vërtet,

    N’atdhe apo jasht’, ti në tok’ apo det –

    Siç ditët ta kërkojn’ … ndihma jote t’jet’.

    Frik’ mos ki, me ty jam; mos bjer n’dëshpërim,

    Se jam Per’ndia yt dhe t’vij Un’ në ndihm’.

    T’forcoj, të ndihmoj, t’bëj në këmb’ të qëndrosh, …

    Mbështetur në krahun Tim t’drejt’ dhe plot forc’.

    Kur n’uj’rat e thella të them që të shkosh,

    Lumenjt’ e dëshp’rimit mbi ty s’do t’vërshojn’,

    Se me ty do t’jem, shqet’simet t’i bekoj

    Dhe vuajtjet e m’dha … un’ t’i shenjtëroj.

    Kur mes sprovash t’zjarrta udha të shtrihet,

    Ky hiri Im i mjaftueshëm do t’jet.

    Flaka ty s’të djeg, Un’ atë e krijoj

    Zgjyrën të ta heqë … dhe arin tënd t’pastroj’. …

    Shpirtin që te Jezusi kërkon t’pushoj’

    Në duar t’armiqve Un’ kurr’ s’e lëshoj.

    Atë shpirt, gjith’ ferri t’përpiqet t’trondis’,

    Un’ kurrë, jo kurrë … jo kurr’ s’e braktis!

  4. Shih Moisiu 7:13–18.

  5. Jozefi do të ketë qenë ndoshta jo më shumë se 17 vjeç kur vëllezërit e tij e shitën në skllavëri (shih Zanafilla 37:2). Ai ishte 30 vjeç kur u vu në shërbim të Faraonit (shih Zanafilla 41:46). A mund ta imagjinoni se sa e vështirë ishte për një të ri në lule të moshës që ta tradhtonin, ta shitnin në skllavëri, ta akuzonin padrejtësisht dhe më pas ta burgosnin? Jozefi pa dyshim, është një model jo vetëm për të rinjtë e të rejat e Kishës, por edhe për çdo burrë, grua dhe fëmijë që dëshiron ta marrë kryqin e ta ndjekë Shpëtimtarin.

  6. Shih Zanafilla 45:4–11; 50:20–21. Te Psalmeve 105:17–18, lexojmë: “Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri”. Në një përkthim tjetër, vargu 18 thotë: “Ata ia kanë rënduar me pranga këmbët, hekuri ia ka përshkuar shpirtin” (shih Young’s Literal Translation [Përkthimi i Fjalëpërfjalshëm i Jangut]). Për mua, kjo sugjeron se vështirësitë e Jozefit i dhanë atij një shpirt aq të fortë dhe të qëndrueshëm sa hekuri – një cilësi që do t’i duhej për të ardhmen e madhe dhe të paimagjinueshme që Zoti kishte në ruajtje për të.

  7. Shih Doktrina e Besëlidhje 121–123.

  8. Nëse Perëndia i urdhëron fëmijët e Tij që të jenë të vëmendshëm dhe të dhembshur kundrejt të uriturve, nevojtarëve, të zhveshurve, të sëmurëve dhe të vuajturve, me siguri që Ai do të jetë i vëmendshëm dhe i mëshirshëm ndaj nesh, fëmijëve të Tij (shih Mormoni 8:39).

  9. Shih Lluka 7:11–17.

  10. Shih Gjoni 21:1–6.

  11. Doktrina e Besëlidhje 123:17.