2020
Prandaj Rrini Zgjuar dhe Lutuni Kurdoherë
Nëntor 2020


15:1

Prandaj Rrini Zgjuar dhe Lutuni Kurdoherë

Sot unë e zgjeroj thirrjen time për lutje ndaj të gjithë njerëzve, në çdo vend, kudo në botë.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, gjatë javës së fundit të shërbesës së Tij në vdekshmëri, Jezusi u dha mësim dishepujve të Tij: “Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut”1.

Midis “të gjitha at[yre] që do të ngjasin” përpara Ardhjes së Tij të Dytë kemi “lufta dhe … ushtima luftash[,] … zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme”2.

Te Doktrina e Besëlidhje, Shpëtimtari tha: “Dhe gjithë gjërat do të jenë në rrëmujë … sepse frikë do të vijë mbi gjithë njerëzit3.

Sigurisht ne jetojmë në një kohë gjatë së cilës gjërat janë rrëmujë. Shumë njerëz i druhen të ardhmes dhe shumë zemra janë larguar nga besimi i tyre te Perëndia dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.

Raportimet e lajmeve janë të mbushura me histori dhune. Denigrimi moral nxirret në internet. Varrezat, kishat, xhamitë, sinagogat dhe faltoret fetare janë vandalizuar.

Një pandemi globale ka arritur pothuajse në çdo cep të botës: miliona njerëz janë infektuar; mbi një milion njerëz kanë vdekur. Diplomimet në shkolla, shërbimet e adhurimit në kishë, martesat, shërbimi misionar dhe një sërë ngjarjesh të tjera të rëndësishme në jetë janë ndërprerë. Për më tepër, njerëz të panumërt janë lënë vetëm dhe të izoluar.

Ndryshimet e papritura të ekonomisë kanë shkaktuar sfida për kaq shumë njerëz, veçanërisht për fëmijët më të cenueshëm të Atit tonë Qiellor.

Ne kemi parë njerëz që ushtrojnë me pasion të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore dhe kemi parë turma të inatosura të rebelohen.

Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të shohim konflikte kudo nëpër botë.

Mendoj shpesh për ata prej jush që po vuajnë, që janë të shqetësuar, të trembur ose që ndihen vetëm. E siguroj secilin prej jush se Zoti ju njeh, se Ai është në dijeni për shqetësimin dhe ankthin tuaj dhe se Ai ju do – nga afër, personalisht, thellësisht dhe përgjithmonë.

Çdo natë kur lutem, i kërkoj Zotit t’i bekojë të gjithë ata që janë të rënduar me brenga, dhembje, vetmi dhe trishtim. Unë e di se udhëheqësit e tjerë të Kishës i bëjnë jehonë të njëjtës lutje. Zemrat tona, individualisht dhe kolektivisht, ndiejnë keqardhje për ju dhe lutjet tona i shkojnë Perëndisë në emrin tuaj.

Vitin e kaluar, kalova disa ditë në pjesën verilindore të Shteteve të Bashkuara duke vizituar vendndodhje historike të Amerikës dhe të Kishës, duke marrë pjesë në mbledhje me misionarët dhe anëtarët tanë, dhe duke vizituar udhëheqës qeveritarë e të sipërmarrjeve.

Të dielën, në 20 tetor, i fola një grumbullimi të madh njerëzish pranë Bostonit në Masaçusets. Ndërsa po flisja, u nxita të thoja: “Ju përgjërohem … të luteni për këtë vend, për udhëheqësit tanë, për popullin tonë dhe për familjet që jetojnë në këtë komb të madh të themeluar nga Perëndia”4.

Unë thashë gjithashtu se Amerika dhe shumë kombe të tokës, si në kohët e shkuara, janë në një tjetër udhëkryq vendimtar dhe kanë nevojë për lutjet tona.5

Lutja ime nuk ishte në shënimet e mia të parapërgatitura. Ato fjalë më erdhën teksa e ndjeva Shpirtin të më nxiste që t’i ftoja të pranishmit të luten për vendin e tyre dhe udhëheqësit e tyre.

Sot unë e zgjeroj thirrjen time për lutje ndaj të gjithë njerëzve, në çdo vend, kudo në botë. Pavarësisht se si luteni apo se kujt i luteni, ju lutem, ushtrojeni besimin tuaj – cilido qoftë besimi juaj – dhe lutuni për vendin tuaj dhe për udhëheqësit tuaj kombëtarë. Ashtu siç thashë tetorin e kaluar në Masaçusets, ne qëndrojmë sot në një udhëkryq madhor në histori, dhe kombet e tokës kanë nevojë të dëshpëruar për frymëzim e udhërrëfim hyjnor. Kjo nuk ka të bëjë me politikën apo rregulloren. Kjo ka të bëjë me paqen dhe shërimin që mund t’ju vijë shpirtrave individualë sikurse edhe shpirtrave të vendeve – qyteteve, qytezave dhe fshatrave të tyre – nëpërmjet Princit të Paqes dhe burimit të të gjithë shërimit, Zotit Jezu Krisht.

Gjatë muajve të fundit kam patur mbresën se mënyra më e mirë për të ndihmuar në situatën e tanishme në botë, është që të gjithë njerëzit të mbështeten më plotësisht te Perëndia dhe t’i kthejnë zemrat e tyre drejt Tij nëpërmjet lutjes së sinqertë. Përulja e vetes dhe kërkimi i frymëzimit qiellor për të duruar apo mposhtur atë që është përpara nesh, do të jetë mënyra jonë më e sigurt dhe më e mundshme për të shkuar përpara me vetëbesim në këto kohë të trazuara.

Shkrimet e shenjta nxjerrin në pah lutjet e bëra nga Jezusi sikurse edhe mësimet e Tij rreth lutjes gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Ju do ta kujtoni lutjen e Zotit:

“Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen.”6

Kjo lutje e përqendruar, e bukur, e përsëritur shpesh kudo në krishterim, e bën të qartë që është e përshtatshme t’i drejtohemi direkt “Ati[t tonë] që [është] në qiej” për përgjigje ndaj asaj që na trazon. Prandaj, le të lutemi për udhërrëfim hyjnor.

Unë ju ftoj të luteni kurdoherë.7 Lutuni për familjen tuaj. Lutuni për udhëheqësit e kombeve. Lutuni për njerëzit guximtarë të cilët janë në vijën e parë në betejat e tanishme kundër murtajave shoqërore, mjedisore, politike dhe biologjike, që kanë ndikim tek të gjithë njerëzit anekënd botës: të pasur dhe të varfër, të rinj dhe të moshuar.

Shpëtimtari na mësoi të mos kufizohemi se për kë të lutemi. Ai tha: “Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin”8.

Mbi kryq në Kalvari, ku Jezusi vdiq për mëkatet tona, Ai e vuri në praktikë atë që Ai dha mësim kur u lut: “O Atë, fali ata sepse nuk dinë ç’bëjnë”9.

Lutja me sinqeritet për ata të cilët mund të konsiderohen armiqtë tanë tregon besimin tonë se Perëndia mund t’i ndryshojë zemrat tona dhe zemrat e të tjerëve. Lutje të tilla duhet ta forcojnë vendosmërinë tonë për të bërë çfarëdo ndryshimesh që janë të nevojshme në jetën, familjet dhe komunitetet tona.

Pavarësisht se ku jetoni, çfarë gjuhe flisni, ose sfidat që hasni, Perëndia ju dëgjon dhe ju përgjigjet në mënyrën e Tij dhe në kohën e Tij. Për shkak se jemi fëmijët e Tij, ne mund t’i afrohemi Atij për të kërkuar ndihmë, ngushëllim dhe një dëshirë të përtërirë për të bërë një ndryshim pozitiv në botë.

Të lutemi për drejtësi, paqe, të varfrit dhe të sëmurët shpesh nuk mjafton. Pasi gjunjëzohemi në lutje, ne kemi nevojë të ngrihemi pas gjunjëzimit dhe të bëjmë çfarë mundemi për të ndihmuar – për të ndihmuar si veten edhe të tjerët.10

Shkrimet e shenjta janë plot me shembuj të njerëzve besimtarë të cilët e ndërthurën lutjen me vepra për të sjellë një ndryshim në vetë jetën e tyre dhe në jetën e të tjerëve. Në Librin e Mormonit, për shembull, ne lexojmë për Enosin. Është vënë re se “rreth dy të tretat e librit të tij të shkurtër përshkruan një lutje apo seri lutjesh, dhe pjesa e mbetur na tregon se çfarë bëri ai si rrjedhojë e përgjigjeve që mori”11.

Ne kemi shumë shembuj për mënyrën se si lutja solli një ndryshim në vetë historinë e Kishës sonë, duke filluar me lutjen e parë me zë të Jozef Smithit në një lirishtë pranë shtëpisë prej druri të prindërve të tij në pranverën e vitit 1820. Duke kërkuar falje dhe drejtim shpirtëror, lutja e Jozefit hapi qiejt. Sot ne jemi përfituesit e Jozef Profetit dhe të grave e burrave të tjerë besnikë shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të cilët u lutën dhe vepruan për të ndihmuar në themelimin e Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Mendoj shpesh për lutjet e grave besnike si Meri Filding Smith e cila, me ndihmën e Perëndisë, e udhëhoqi me guxim familjen e saj nga përndjekja në rritje në Ilinois drejt sigurisë në këtë luginë, ku familja e saj përparoi si shpirtërisht dhe materialisht. Pasi u lut me zell në gjunjë, ajo më pas punoi fort për t’i kapërcyer sfidat e veta dhe për ta bekuar familjen e vet.

Lutja do të na lartësojë dhe do të na sjellë së bashku si individë, si familje, si kishë dhe si botë. Lutja do të ndikojë te shkencëtarët dhe do t’i ndihmojë ata drejt zbulimeve të vaksinave dhe mjekimeve që do t’i japin fund kësaj pandemie. Lutja do t’i ngushëllojë ata që kanë humbur një njeri të dashur. Ajo do të na drejtojë për të ditur se çfarë të bëjmë për mbrojtjen tonë vetjake.

Vëllezër dhe motra, ju nxit që ta dyfishoni zotimin tuaj ndaj lutjes. Ju nxit që të luteni në dhomëzat tuaja, gjatë ecjeve tuaja të përditshme, në shtëpitë tuaja, në lagjet tuaja dhe gjithmonë në zemrën tuaj.12

Në emër të udhëheqësve të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, unë ju falënderoj për lutjet tuaja për ne. Ju nxit të vazhdoni të luteni që ne të mund të marrim frymëzim dhe zbulesë për ta drejtuar Kishën nëpër këto kohë të vështira.

Lutja mund të ndryshojë vetë jetën tonë. Të shtyrë nga lutja e sinqertë, ne mund të përmirësohemi dhe t’i ndihmojmë të tjerët që të bëjnë të njëjtën gjë.

E njoh fuqinë e lutjes nga vetë përvoja ime. Kohët e fundit isha vetëm në zyrën time. Sapo kisha bërë një procedurë mjekësore për dorën. Ajo ishte e mavijosur, e ënjtur dhe më dhembte. Kur u ula në tryezën time, nuk mund të përqendrohesha në çështje të rëndësishme dhe vendimtare sepse isha i shpërqendruar nga kjo dhembje.

U gjunjëzova në lutje dhe i kërkova Zotit të më ndihmonte të përqendrohesha që të mund të përmbushja punën time. U ngrita në këmbë dhe iu ktheva pirgut të letrave mbi tryezën time. Pothuajse menjëherë, qartësia dhe përqendrimi erdhën në mendjen time, dhe isha në gjendje t’i mbyllja çështjet e ngutshme përpara meje.

Situata e tanishme kaotike në botë mund të duket e frikshme kur marrim parasysh morinë e problemeve dhe sfidave. Por është dëshmia ime e zjarrtë që nëse do të lutemi dhe do t’i kërkojmë Atit Qiellor për bekimet dhe udhërrëfimin e nevojshëm, ne do të arrijmë të dimë se si mund t’i bekojmë familjet, fqinjët, komunitetet tona dhe madje vendet në të cilat jetojmë.

Shpëtimtari u lut dhe më pas “e përshkoi vendin duke bërë mirë”13, duke ushqyer të varfrit, duke u dhënë kurajë dhe mbështetje njerëzve në nevojë dhe duke ua shtrirë dorën me dashuri, falje, paqe dhe prehje të gjithë atyre që do të vinin tek Ai. Ai vazhdon të na e shtrijë dorën.

Unë i ftoj të gjithë anëtarët e Kishës, sikurse edhe fqinjët dhe miqtë tanë nga grupe të tjera besimi në mbarë botën, të bëjnë ashtu siç Shpëtimtari i këshilloi dishepujt e Tij: “Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë14 për paqe, për ngushëllim, për siguri dhe për mundësi për t’i shërbyer njëri‑tjetrit.

Sa e madhe është fuqia e lutjes dhe sa të nevojshme janë sot në botë lutjet tona të besimit në Perëndi dhe Birin e Tij të Dashur! Le ta kujtojmë dhe vlerësojmë fuqinë e lutjes! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.