2020
Pusho dhe Fashitu
Nëntor 2020


11:0

Pusho dhe Fashitu

Shpëtimtari na mëson se si të ndiejmë paqe dhe qetësi edhe kur erërat fryjnë furishëm rreth nesh dhe dallgët me tallaze kërcënojnë të na i fundosin shpresat.

Kur fëmijët tanë ishin të vegjël, familja jonë kaloi disa ditë pranë një liqeni të bukur. Një pasdite, disa nga fëmijët veshën jelekët e shpëtimit përpara se të hidheshin nga moli drejt e në ujë. Bija jonë më e vogël vështroi me ngurrim, duke i vëzhguar me kujdes vëllezërit e motrat e saj. Pasi mori gjithë guximin e mundshëm, ajo e mbylli hundën me një dorë dhe u hodh. Doli menjëherë nga uji dhe me një zë paksa të trembur bërtiti: “Më ndihmo! Më ndihmo!”

Tani, ajo nuk është se ishte në rrezik për jetën; jeleku i saj i shpëtimit po e kryente funksionin dhe ajo po pluskonte e sigurt. Ne mund të ishim afruar e me pak përpjekje mund ta kishim tërhequr sërish për te moli. Sidoqoftë, nga këndvështrimi i saj, ajo kishte nevojë për ndihmë. Ndoshta e kishte nga uji i ftohtë ose përvoja e re. Sidoqoftë, ajo u ngjit sërish në mol, ku e mbështollëm me një peshqir të thatë dhe e përgëzuam për trimërinë e saj.

Qofshim të moshuar apo të rinj, shumë prej nesh, në çaste shqetësimi, kanë shqiptuar menjëherë fjalë të tilla si: “Më ndihmo!” “Më shpëto!” ose “Të lutem, përgjigjju lutjes sime!”

Një ngjarje e tillë ndodhi me dishepujt e Jezusit gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Te Marku ne lexojmë se Jezusi “nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë … e madhe”1. Turma u bë aq e madhe saqë Jezusi “hyri në barkë”2 dhe foli nga bashi. Gjithë ditën Ai u dha mësim njerëzve me anë të shëmbëlltyrave teksa ata rrinin ulur në breg.

“Si u ngrys”, Ai u tha dishepujve të Tij: “Kalojmë te bregu matanë! Dhe dishepujt, si e nisën popullin”3, u larguan nga bregu dhe vazhduan rrugën matanë detit të Galilesë. Me të gjetur një vend në pjesën e pasme të barkës, Jezusi u shtri dhe menjëherë e zuri gjumi. Shpejt “shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo [gati] po mbushej”4 plot me ujë.

Shumë nga dishepujt e Jezusit ishin peshkatarë me përvojë dhe e dinin se si ta manovronin një barkë në stuhi. Ata ishin njëmend dishepujt e Tij të mirëbesuar – dishepujt e Tij të dashur. Ata kishin lënë punët, interesat vetjake dhe familjen për ta ndjekur Jezusin. Besimi i tyre në Të ishte i dukshëm nga prania e tyre në barkë. Tani, barka e tyre ishte në mes të furtunës dhe në prag të fundosjes.

Ne nuk e dimë se për sa kohë ata luftuan për ta mbajtur barkën mbi ujë nga stuhia, por ata e zgjuan Jezusin me zë paska të trembur, duke thënë:

“Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?”5

“O Zot, na shpëto, ne po mbarojmë!”6

Ata e thirrën atë “Mësues”, dhe Ai i tillë është. Ai është gjithashtu “Jezu Krisht[i], Biri i Perëndisë, Ati i qiellit dhe i tokës, Krijuesi i të gjitha gjërave nga fillimi”7.

Pusho dhe fashitu

Atje, nga pozicioni i Tij në barkë, Jezusi u ngrit, e qortoi erën dhe i foli detit të tërbuar: “Pusho dhe fashitu! Dhe era [vërtet] pushoi dhe u bë qetësi e madhe.”8 Duke qenë përherë Mësuesi Mjeshtër, Jezusi më pas u dha mësim dishepujve të Tij nëpërmjet dy pyetjeve të thjeshta e megjithatë të përzemërta. Ai pyeti:

“Pse jeni ju aq frikacakë?”9

“Ku është besimi juaj?”10

Ekziston një prirje e jetës tokësore, madje një tundim, që kur gjendemi në mes të sprovave, shqetësimeve apo hidhërimeve ne thërrasim: “Mësues, a nuk merakosesh që unë po marr fund? Më shpëto.” Madje edhe Jozef Smithi u përgjërua nga një burg i tmerrshëm: “O Perëndi, ku je ti? Dhe ku është tenda që mbulon vendin tënd të fshehjes?”11

Me siguri, Shpëtimtari i botës i kupton kufizimet tona tokësore, sepse Ai na mëson se si të ndiejmë paqe dhe qetësi edhe kur erërat fryjnë furishëm rreth nesh dhe dallgët me tallaze kërcënojnë të na i fundosin shpresat.

Ata që kanë besim të sprovuar, besimin e një fëmije, apo edhe pjesëzën më të vogël të besimit12, Jezusi i fton duke thënë: “Ejani tek unë”13. “Beso[ni] në emrin tim.”14 “Mëso[ni] nga unë dhe dëgjoji[ni] fjalët e mia.”15 Ai butësisht na urdhëron: “Pendoh[uni] dhe pagëzoh[uni] në emrin tim”16, “doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur”17 dhe “më kujtoni gjithnjë”18. Jezusi na siguron sërish, duke shpjeguar: “Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!”19

Mund t’i imagjinoj dishepujt e Jezusit në barkën që lëkundej nga stuhia, të cilët nga nevoja, ishin të angazhuar duke vërejtur dallgët tek përplaseshin brenda barkës dhe duke nxjerrë ujin prej saj. Mund t’i përfytyroj ata duke mbajtur velat dhe duke u përpjekur të ruajnë disi kontrollin e mjetit të tyre të vogël. Qëllimi i tyre ishte që t’i mbijetonin çastit dhe përgjërimi i tyre për ndihmë ishte i sinqertë e me ngut.

Shumë prej nesh nuk janë ndryshe në kohën tonë. Ngjarjet e fundit anembanë globit dhe në kombet, komunitetet dhe familjet tona, na kanë goditur me sprova të paparashikuara. Në kohë trazirash, besimi ynë mund të duket i tendosur deri në skajet e durimit dhe kuptueshmërisë sonë. Dallgët e frikës mund të na shpërqendrojnë, duke bërë që ta harrojmë mirësinë e Perëndisë, kështu duke e lënë këndvështrimin tonë dritëshkurtër dhe jashtë objektivit. Sidoqoftë, është nëpërmjet këtyre tendosjeve të forta të rrugëtimit tonë, që besimi ynë jo vetëm që mund të sprovohet por edhe të përforcohet.

Pavarësisht nga rrethanat tona, ne mund të bëjmë përpjekje të qëllimshme për ta ndërtuar dhe rritur besimin tonë te Jezu Krishti. Ai forcohet kur ne kujtojmë se jemi fëmijë të Perëndisë dhe se Ai na do. Besimi ynë rritet kur eksperimentojmë me fjalën e Perëndisë me shpresë e zell, duke u përpjekur me më të mirën tonë për t’i ndjekur mësimet e Krishtit. Besimi ynë rritet kur zgjedhim të besojmë në vend që të dyshojmë, të falim në vend që të gjykojmë, të pendohemi në vend që të ngremë krye. Besimi ynë përmirësohet kur mbështetemi me durim te meritat, mëshira dhe hiri i Mesias së Shenjtë20.

“Ndërkohë që besimi nuk është një njohuri e përsosur”, tha Plaku Nil A. Maksuell, “ai sjell një mirëbesim të thellë te Perëndia, njohuria e të cilit është e përsosur!”21. Edhe në kohë të trazuara, besimi në Zotin Jezu Krisht është i guximshëm e i patundur. Ai na ndihmon t’i shoshitim shpërqendrimet e parëndësishme. Ai na nxit ta vazhdojmë rrugëtimin përgjatë shtegut të besëlidhjeve. Besimi çan përmes shkurajimit dhe na lejon që të përballemi me të ardhmen me vendosmëri e me shpatullat drejt. Ai na nxit që të kërkojmë shpëtim dhe lehtësim teksa i lutemi Atit në emrin e Birit të Tij. Dhe kur përgjërimet plot lutje duket sikur nuk marrin përgjigje, besimi ynë këmbëngulës në Jezu Krisht, sjell durim, përulësi dhe aftësi për t’i shprehur me nderim fjalët: “U bëftë vullneti yt”22.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:

“Ne nuk duhet t’i lejojmë pasiguritë tona të zëvendësojnë besimin tonë. Ne mund t’i luftojmë ato pasiguri nëpërmjet forcimit të besimit tonë.

Filloni me fëmijët tuaj. … Lërini të ndiejnë besimin tuaj, edhe kur ju vijnë sprova të vështira. Lëreni besimin tuaj të përqendrohet tek Ati ynë i dashur Qiellor dhe Biri i Tij i dashur, Zoti Jezu Krisht. … Mësojeni secilin djalë ose vajzë të çmuar, që ai ose ajo është fëmijë i Perëndisë, krijuar sipas shëmbëlltyrës së Tij, me një qëllim dhe potencial të shenjtë. Secili ka lindur për të kapërcyer sfida dhe për të zhvilluar besim.”23

Kohët e fundit dëgjova dy fëmijë katërvjeçarë që treguan besimin e tyre te Jezu Krishti kur iu përgjigjën pyetjes: “Si të ndihmon ty Jezu Krishti?” Fëmija i parë tha: “Unë e di se Jezusi më do sepse Ai vdiq për mua. Ai i do edhe të rriturit.” Fëmija i dytë tha: “Ai më ndihmon kur jam i mërzitur ose i inatosur. Ai më ndihmon edhe kur jam duke u fundosur.”

Jezusi shpalli: “Prandaj, kushdo që pendohet dhe vjen tek unë si një fëmijë i vogël, atë do ta pranoj, pasi për të tillë është mbretëria e Perëndisë”24.

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.”25

Kohët e fundit, Presidenti Nelson premtoi se “pakësimi i frikës dhe shtimi i besimit [do të pasojë]” teksa “fillo[jmë] sërish t’i dëgjo[jmë], t’i mba[jmë] vesh e t’i kushto[jmë] vëmendje vërtet fjalëve të Shpëtimtarit”26.

Jezusi duke qetësuar detin

Motra dhe vëllezër, rrethanat tona sfiduese të tanishme nuk janë pikëmbërritja jonë e përjetshme përfundimtare. Si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, ne kemi marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit me anë të besëlidhjes. Ne kemi besim në fuqinë e Tij shëlbuese dhe shpresë në premtimet e Tij të mëdha e të çmuara. Kemi çdo arsye për t’u gëzuar, pasi Zoti dhe Shpëtimtari ynë është plotësisht i vetëdijshëm për problemet, shqetësimet dhe brengat tona. Ashtu si Jezusi ishte me dishepujt e Tij në lashtësi, Ai është edhe në barkën tonë! Unë dëshmoj se Ai ka dhënë jetën e Tij që ju dhe unë të mos mbarojmë. Mirëbesofshim tek Ai, iu bindshim urdhërimeve të Tij dhe me besim e dëgjofshim Atë të thotë: “Pusho dhe fashitu!”27 Në emrin e shenjtëruar dhe të shenjtë të Jezu Krishtit, amen.