2020
Motra në Sion
Nëntor 2020


12:53

Motra në Sion

Ju do të jeni një forcë thelbësore në mbledhjen e Izraelit dhe në krijimin e një populli të Sionit.

Motrat e mia të dashura, jam i bekuar të flas gjatë kësaj kohe të mrekullueshme në historinë e botës. Çdo ditë, ne po i afrohemi më shumë çastit të lavdishëm kur Shpëtimtari Jezu Krisht do të vijë sërish në tokë. Ne dimë diçka për ngjarjet e tmerrshme që do të paraprijnë ardhjen e Tij, prapëseprapë zemrat tona mbushen me gëzim e vetëbesim, duke ditur gjithashtu mbi premtimet e lavdishme që do të përmbushen përpara se Ai të kthehet.

Si bijat e dashura të Atit Qiellor dhe si bijat e Zotit Jezu Krisht në mbretërinë e Tij1, ju do të luani një rol vendimtar në kohët madhështore që do të vijnë. Ne e dimë se Shpëtimtari do të vijë te një popull që është mbledhur dhe përgatitur për të jetuar siç jetoi populli në qytetin e Enokut. Njerëzit atje ishin të bashkuar në besimin te Jezu Krishti dhe ishin bërë aq plotësisht të dëlirë sa u morën në qiell.

Ja përshkrimi i dhënë si zbulesë nga Zoti për atë që do t’i ndodhte popullit të Enokut dhe çfarë do të ndodhë në këtë periudhë të fundit ungjillore të plotësisë së kohëve:

“Dhe dita do të vijë kur toka do të prehet, por përpara asaj dite, qiejt do të errësohen dhe një vel errësire do ta mbulojë tokën, dhe qiejt do të dridhen e toka gjithashtu, dhe mundime të mëdha do të jenë mes fëmijëve të njerëzve, por popullin tim unë do ta ruaj;

Dhe drejtësi do të dërgoj nga qiejt; dhe të vërtetë do të dërgoj nga toka, për të dhënë dëshmi për të Vetëmlindurin tim, ringjalljen e tij së vdekuri; po, dhe gjithashtu ringjalljen e njerëzve; dhe drejtësi dhe të vërtetë do të bëj të derdhet mbi tokë si në një përmbytje, për të mbledhur të zgjedhurit e mi nga të katër skajet e tokës, në një vend që unë e kam përgatitur, një Qytet të Shenjtë, që populli im të mund të ngjeshë ijet e tij dhe të presë me padurim kohën e ardhjes sime; sepse atje do të jetë tabernakulli im dhe ai do të quhet Sion, një Jeruzalem i Ri.

Dhe Zoti i tha Enokut: Atëherë ti dhe gjithë qyteti yt do t’i takoni ata atje dhe ne do t’i marrim në kraharorin tonë e ata do të na shohin; dhe ne do t’i përqafojmë dhe ata do të na përqafojnë e do të puthemi me njëri-tjetrin;

Dhe atje do të jetë banesa ime dhe ai do të jetë Sioni, i cili do të vijë nga të gjitha krijesat që unë kam bërë; dhe për hapësirën e një mijë vjetëve toka do të pushojë.”2

Ju motra, bijat tuaja, mbesat tuaja dhe gratë që ju i keni ushqyer shpirtërisht, do të jenë në thelbin e krijimit të asaj shoqërie njerëzish që do të bashkohen në shoqërim të lavdishëm me Shpëtimtarin. Ju do të jeni një forcë thelbësore në mbledhjen e Izraelit dhe në krijimin e një populli të Sionit, i cili do të banojë në paqe në Jerusalemin e Ri.

Zoti, nëpërmjet profetëve të Tij, ju ka bërë një premtim. Në ditët e hershme të Shoqatës së Ndihmës, Profeti Jozef Smith u tha motrave: “Nëse shkoni baras me privilegjet tuaja, engjëjt nuk do të ngurrojnë të bëhen shoqëruesit tuaj”3.

Ai potencial i mrekullueshëm gjendet brenda jush dhe ju po përgatiteni për të.

Presidenti Gordon B. Hinkli tha:

“Ju motra … nuk zini një vend dytësor në planin e Atit tonë për lumturinë dhe mirëqenien e përjetshme të fëmijëve të Tij. Ju jeni një pjesë absolutisht thelbësore e atij plani.

Pa ju plani nuk do të mund të funksiononte. Pa ju i tërë programi do të pengohej. …

Secila prej jush është bijë e Perëndisë, me dhurimin e një të drejte lindjeje hyjnore.”4

Profeti ynë i tanishëm, Presidenti Rasëll M. Nelson, ka dhënë këtë përshkrim për rolin që luani ju në përgatitje për ardhjen e Shpëtimtarit:

“Do të ishte e pamundur të matej ndikimi që kanë gra[të] … jo vetëm mbi familjet, por gjithashtu mbi Kishën e Zotit, si bashkëshorte, nëna dhe gjyshe; si motra dhe si teto; si mësuese dhe udhëheqëse; dhe veçanërisht si shembuj dhe si mbrojtëse të devotshme të besimit.

Kjo ka qenë e vërtetë në çdo periudhë ungjillore, që nga koha e Adamit dhe Evës. Prapëseprapë, gratë e kësaj periudhe ungjillore dallohen nga gratë e çfarëdo periudhe tjetër, sepse kjo periudhë është e dallueshme nga çdo periudhë tjetër ungjillore. Ky dallim sjell si privilegje ashtu edhe përgjegjësi.”5

Kjo periudhë ungjillore është e dallueshme në atë që Zoti do të na udhëheqë të bëhemi të përgatitur për t’u bërë si qyteti i Enokut. Ai ka përshkruar nëpërmjet apostujve dhe profetëve të Tij se çfarë do të thotë ai shndërrim për një popull të Sionit.

Plaku Brus R. Mek‑Konki dha mësim:

“Koha [e Enokut] ishte një kohë ligësie dhe keqdashjeje, një kohë errësire dhe rebelimi, një kohë lufte dhe shkretimi, një kohë që po çonte drejt pastrimit të tokës me ujë.

Enoku, sidoqoftë, ishte besnik. Ai e ‘pa Zotin’ dhe foli me të ‘ballë për ballë’, sikurse një njeri flet me një tjetër. (Moisiu 7:4.) Zoti e dërgoi t’i thërriste pendim botës dhe e autorizoi të ‘pagëzo[nte] në emër të Atit dhe të Birit, që është plot hir e të vërtetë, dhe të Frymës së Shenjtë, që jep dëshmi për Atin dhe Birin’. (Moisiu 7:11.) Enoku bëri besëlidhje dhe mblodhi një bashkësi të besimtarëve të vërtetë, të cilët të gjithë u bënë kaq besnikë sa ‘Zoti erdhi dhe banoi me popullin e tij dhe ata banuan në drejtësi’ dhe u bekuan nga lart. ‘Dhe Zoti e quajti popullin e tij Sion, ngaqë ata ishin të një zemre dhe të një mendjeje dhe banuan në drejtësi; dhe nuk kishte të varfër mes tyre’. (Moisiu 7:18.) …

Pasi Zoti e quajti popullin e tij Sion, shkrimi i shenjtë thotë që Enoku ‘ndërtoi një qytet që u quajt Qyteti i Shenjtërisë, madje Sion’; që Sioni ‘u mor në qiell’ ku ‘Perëndia e mori atë në kraharorin e tij’; dhe ‘nga kjo doli shprehja ‘Sioni u arratis’. (Moisiu 7:19, 21, 69.) …

Po ai Sion që u mor në qiell, do të kthehet … kur Zoti ta sjellë sërish Sionin dhe banorët e tij do të bashkohen me Jerusalemin e ri, që do të themelohet në atë kohë.”6

Nëse e shkuara është prologu, në kohën e ardhjes së Shpëtimtarit, bijat që janë thellësisht të zotuara ndaj besëlidhjeve të tyre me Perëndinë do të jenë më shumë se gjysma e atyre që janë përgatitur për ta mirëpritur Atë kur Ai të vijë. Por cilatdo qofshin numrat, ndihmesa juaj në krijimin e unitetit midis njerëzve të përgatitur për atë Sion, do të jetë shumë më e madhe se gjysma.

Do t’ju them përse besoj se do të jetë kështu. Libri i Mormonit na jep një rrëfim për një popull të Sionit. Ju kujtohet që ishte pasi ata morën mësime, dashuri dhe bekime nga Shpëtimtari i ringjallur që “nuk pati grindje në tokë, për shkak të dashurisë së Perëndisë që jetonte në zemrat e njerëzve”7.

Përvoja më ka mësuar se bijat e Atit Qiellor kanë një dhuratë për të zbutur grindjen dhe nxitur drejtësi me dashurinë e tyre për Perëndinë dhe me dashurinë e Perëndisë që sjellin te njerëzit të cilëve u shërbejnë.

E pashë këtë në rininë time kur dega jonë e vogël mblidhej në shtëpinë time të fëmijërisë. Vëllai im dhe unë ishim të vetmit mbajtës të Priftërisë Aarone, babai im ishte i vetmi mbajtës i Priftërisë Melkizedeke. Presidentja e Shoqatës së Ndihmës së degës ishte një e kthyer në besim, bashkëshorti i së cilës ishte i pakënaqur me shërbimin e saj në Kishë. Anëtaret ishin të gjitha motra të mëdha në moshë, pa mbajtës priftërie në shtëpitë e tyre. I pashë nënën time dhe ato motra ta donin, lartësonin e të kujdeseshin për njëra‑tjetrën pa u lodhur. E kuptoj tani se m’u dha një vështrim i shpejtë i hershëm i Sionit.

Ky trajnim lidhur me ndikimin e grave besnike vazhdoi në një degë të vogël të Kishës në Albakërki të Nju‑Meksikos. Pashë bashkëshorten e presidentit të degës, bashkëshorten e presidentit të distriktit dhe presidenten e Shoqatës së Ndihmës të ngrohnin zemrën e çdo të sapoardhureje dhe të çdo të kthyere të re në besim. Të dielën që u largova nga Albakërki, pas dy vjetësh vëzhgimi të ndikimit të motrave atje, u krijua kunji i parë. Tani Zoti ka vendosur një tempull atje.

Më pas u shpërngula në Boston, ku shërbeva në presidencën e distriktit që kryesonte mbi degë të vogla të shpërndara përgjatë dy shteteve. Pati grindje që më shumë se një herë u zgjidhën prej grave plot dashuri e falje, të cilat ndihmuan në zbutjen e zemrave. Të dielën që u largova nga Bostoni, një anëtar i Presidencës së Parë organizoi kunjin e parë në Masaçusets. Tani atje ka një tempull, pranë vendit ku dikur jetonte presidenti i distriktit. Ai ishte sjellë në aktivitet në Kishë dhe më vonë u thirr të shërbente si president kunji dhe më pas si president misioni, i ndikuar nga një bashkëshorte besnike dhe plot dashuri.

Motra, juve ju dha bekimi i të qenit bija të Perëndisë me dhunti të veçanta. Ju sollët me vete në jetën në vdekshmëri aftësi shpirtërore për t’i ushqyer shpirtërisht të tjerët e për t’i lartësuar edhe më shumë drejt dashurisë e pastërtisë që do t’i kualifikojë për të jetuar së bashku në një shoqëri Sioni. Nuk është rastësore që Shoqata e Ndihmës, e para organizatë e Kishës veçanërisht për bijat e Atit Qiellor, ka si moton e saj “Dashuria Hyjnore Nuk Ligështohet Kurrë”.

Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit. Dhe është besimi tek Ai dhe ndikimet e plota të Shlyerjes së Tij të pafundme që do t’ju kualifikojnë ju dhe njerëzit që i doni e u shërbeni, për dhuratën hyjnore që të jetoni në atë shoqërim të një Sioni të kërkuar e premtuar prej kohësh. Atje ju do të jeni motra në Sion, ku do të keni dashurinë e Zotit vetë dhe të njerëzve që i keni bekuar.

Unë dëshmoj se ju jeni qytetare të mbretërisë së Zotit në tokë. Jeni bija të një Ati të dashur Qiellor, i cili ju dërgoi në botë me dhunti të pashoqe, që premtuat t’i përdornit për të bekuar njerëz të tjerë. Ju premtoj se Zoti do t’ju udhëheqë për dore, nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Ai do të ecë përpara jush teksa e ndihmoni ta përgatitë popullin e Tij që të bëhet Sioni i Tij i premtuar. Unë dëshmoj kështu, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.