2020
Lejojeni Perëndinë të Triumfojë
Nëntor 2020


18:51

Lejojeni Perëndinë të Triumfojë

A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj?

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, sa mirënjohës jam për mesazhin e mrekullueshëm të kësaj konference dhe për privilegjin tim që të flas me ju tani.

Për më shumë se 36 vjet që kam qenë Apostull, doktrina e mbledhjes së Izraelit e ka tërhequr vëmendjen time.1 Gjithçka rreth saj ma ka shtuar kureshtjen, përfshirë shërbesat dhe emrat2 e Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; jeta e tyre dhe bashkëshortet e tyre; besëlidhja që Perëndia bëri me ta dhe që e shtriu përgjatë linjës së pasardhësve të tyre3; shpërndarja e të dymbëdhjetë fiseve; dhe profecitë e shumta rreth mbledhjes në kohën tonë.

E kam studiuar mbledhjen, jam lutur për të, jam ushqyer me bollëk me çdo shkrim të shenjtë që lidhet me të, dhe i kam kërkuar Zotit të ma rritë kuptueshmërinë time.

Pra, përfytyrojeni kënaqësinë time kur kohët e fundit u udhëhoqa te një ide e re. Me ndihmën e dy studiuesve hebrenj, mësova se njëri prej kuptimeve në hebraisht të fjalës Izrael është “lejojeni Perëndinë të triumfojë”4. Pra, vetë emri i Izraelit i referohet një njeriu që është i gatshëm ta lejojë Perëndinë të triumfojë në jetën e tij ose të saj. Ky koncept ma gufon shpirtin!

Fjala i gatshëm është vendimtare për këtë interpretim të fjalës Izrael.5 Ne të gjithë kemi lirinë tonë të zgjedhjes. Ne mund të zgjedhim që të jemi pjesë e Izraelit ose jo. Ne mund të zgjedhim që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë ose jo. Ne mund të zgjedhim që ta lejojmë Perëndinë të jetë ndikimi më i fuqishëm në jetën tonë ose jo.

Për një çast, le të kujtojmë një pikë vendimtare që solli ndryshim në jetën e Jakobit, nipit të Abrahamit. Në vendin që Jakobi e quajti Peniel (që do të thotë “fytyra e Perëndisë”6), Jakobi u ndesh me një sfidë të rëndë. Liria e tij e zgjedhjes u vu në provë. Nëpërmjet kësaj ndeshjeje, Jakobi provoi atë që ishte gjëja më e rëndësishme për të. Ai tregoi se ishte i gatshëm ta lejonte Perëndinë të triumfonte në jetën e tij. Si përgjigje, Perëndia e ndryshoi emrin e Jakobit në Izrael7, që do të thotë “lejojeni Perëndinë të triumfojë”. Më pas Perëndia i premtoi Izraelit se të gjitha bekimet që ishin shqiptuar mbi kokën e Abrahamit, do të ishin edhe të tijat.8

Për fat të keq, pasardhësit e Izraelit i shkelën besëlidhjet e tyre me Perëndinë. Ata i vranë me gurë profetët dhe nuk ishin të gatshëm që ta lejonin Perëndinë të triumfonte në jetën e tyre. Si rrjedhojë, Perëndia i shpërndau në të katër anët e tokës.9 Plot mëshirë, Ai më vonë premtoi që t’i mblidhte ata, sikurse u njoftua nga Isaia: “Të kam braktisur për një çast të shkurtër [Izrael], por me dhembshuri të pamasë do të të mbledh”10.

Me përkufizimin hebraik të fjalës Izrael në mendje, ne shohim se mbledhja e Izraelit merr një kuptim më të madh. Zoti po mbledh ata që janë të gatshëm ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre. Zoti po mbledh ata që do të zgjedhin ta lejojnë Perëndinë që të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën e tyre.

Për shekuj, profetët e kanë parashikuar këtë mbledhje11 dhe ajo po ndodh pikërisht tani! Si një prelud thelbësor për Ardhjen e Dytë të Zotit, ajo është vepra e rëndësishme në botë!

Kjo mbledhje përpara Mijëvjeçarit është një sagë individuale e besimit në zgjerim e sipër dhe e kurajës shpirtërore për miliona njerëz. Dhe si anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ose si “Izraeli i besëlidhur i ditëve të mëvonshme”12, neve na është ngarkuar përgjegjësia që ta ndihmojmë Zotin për këtë vepër thelbësore.13

Kur flasim për mbledhjen e Izraelit në të dyja anët e velit, ne po i referohemi, sigurisht, punës misionare, punës në tempull dhe për historinë familjare. Gjithashtu po i referohemi ndërtimit të besimit dhe të dëshmisë në zemrat e atyre me të cilët jetojmë, punojmë dhe shërbejmë. Në çfarëdo kohe që bëjmë çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën anë të velit – që të bëjë dhe të mbajë besëlidhjet e veta me Perëndinë, ne po ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin.

Jo shumë kohë më parë, bashkëshortja e njërit prej nipërve tanë po haste vështirësi nga ana shpirtërore. Do ta quaj “Xhill”. Pavarësisht nga agjërimi, lutja dhe bekimet e priftërisë, babai i Xhillit po vdiste. Ajo u pushtua nga frika se do të humbiste si babanë ashtu edhe dëshminë e saj.

Një mbrëmje vonë, bashkëshortja ime, Motra Uendi Nelson, më tregoi për gjendjen e Xhillit. Të nesërmen në mëngjes Uendi pati mbresën që t’i tregonte Xhillit se përgjigjja ime për ndeshjen e saj shpirtërore ishte një fjalë. Fjala ishte miopi.

Më vonë Xhilli i pohoi Uendit se fillimisht ajo u dërrmua nga përgjigjja ime. Ajo tha: “Po shpresoja që gjyshi të më premtonte një mrekulli për babin tim. Vazhdoja të vrisja mendjen përse fjala miopi ishte fjala që ai u ndie i nxitur të thoshte.”

Pasi ndërroi jetë i ati i Xhillit, fjala miopi vazhdoi t’i vinte në mendje. Ajo e hapi zemrën e saj që të kuptonte edhe më thellësisht se miopi do të thotë “dritëshkurtër”. Dhe të menduarit e saj filloi të ndryshonte. Më pas Xhilli tha: “Miopia më bëri të ndalem, të mendoj dhe të shërohem. Ajo fjalë tani më mbush me paqe. Më kujton që ta zgjeroj këndvështrimin tim dhe të kërkoj të përjetshmen. Më kujton se ka një plan hyjnor dhe se babi im ende jeton, më do dhe kujdeset për mua. Miopia më ka çuar drejt Perëndisë.”

Jam shumë krenar për nusen e shtrenjtë të nipit tonë. Gjatë kësaj kohe zemërndrydhëse në jetën e saj, e dashura Xhill po mëson që ta përqafojë vullnetin e Perëndisë për babin e saj, me një këndvështrim të përjetshëm për vetë jetën e saj. Duke zgjedhur që ta lejojë Perëndinë të triumfojë, ajo po gjen paqe.

Nëse do ta lejojmë atë, ka mënyra të shumta se si ky interpretim hebraik i Izraelit mund të na ndihmojë. Përfytyroni se si lutjet tona për misionarët tanë – dhe për vetë përpjekjet tona që ta mbledhim Izraelin – mund të ndryshojnë me këtë koncept në mendje. Shpesh lutemi që ne dhe misionarët do të udhëhiqemi drejt atyre që janë të përgatitur për të marrë të vërtetat e ungjillit të rivendosur të Jezu Krishtit. Pyes veten, drejt kujt do të udhëhiqemi kur të përgjërohemi për të gjetur ata që janë të gatshëm që ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre?

Mund të udhëhiqemi drejt njerëzve që nuk kanë besuar kurrë te Perëndia ose Jezu Krishti, por të cilët tani janë të etur të mësojnë për Ta dhe për planin e Tyre për lumturinë. Të tjerë mund të jenë “lindur në besëlidhje”14, por që nga ajo kohë janë endur larg shtegut të besëlidhjeve. Tani ata mund të jenë gati të pendohen, të kthehen dhe ta lejojnë Perëndinë që të triumfojë. Mund t’i ndihmojmë duke i mirëpritur me krahët dhe zemrën hapur. Dhe disa prej atyre drejt të cilëve mund të udhëhiqemi, mund ta kenë ndier gjithmonë se kishte diçka që mungonte në jetën e tyre. Ata gjithashtu mezi i presin plotësinë dhe gëzimin që u vijnë atyre që janë të gatshëm ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre.

Rrjeta e ungjillit për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë, është e gjerë. Ka vend për çdo njeri që do ta përqafojë tërësisht ungjillin e Jezu Krishtit. Çdo i kthyer në besim bëhet njëri prej fëmijëve besëlidhës të Perëndisë15, qoftë me anë të lindjes apo të birësimit. Secili bëhet një trashëgimtar i plotë i të gjitha gjërave që Perëndia ua ka premtuar fëmijëve besnikë të Izraelit!16

Secili prej nesh ka një potencial hyjnor ngaqë secili është një fëmijë i Perëndisë. Secili është i barabartë në sytë e Tij. Nënkuptimet e kësaj të vërtete janë të thella. Vëllezër e motra, ju lutem dëgjojeni me kujdes atë që do t’ju them tani. Perëndia nuk e do një racë më shumë sesa një tjetër. Doktrina e Tij për këtë çështje është e qartë. Ai i fton të gjithë të vijnë tek Ai, “të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra”17.

Ju siguroj se gjendja juaj para Perëndisë nuk përcaktohet nga ngjyra e lëkurës suaj. I favorizuar ose jo nga Perëndia varet nga përkushtimi juaj ndaj Perëndisë dhe urdhërimeve të Tij dhe jo nga ngjyra e lëkurës suaj.

Brengosem që vëllezërit dhe motrat tona me ngjyrë në të gjithë botën po durojnë dhembjet e racizmit dhe të paragjykimit. Sot u bëj thirrje anëtarëve tanë kudo, që të prijnë udhën në braktisjen e qëndrimeve dhe veprimeve paragjykuese. Ju lutem që të nxitni respekt për të gjithë fëmijët e Perëndisë.

Pyetja për secilin prej nesh, pavarësisht nga raca, është e njëjtë. A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj? A jeni ju të gatshëm ta lejoni Perëndinë të jetë ndikimi më i rëndësishëm në jetën tuaj? A do t’i lejoni fjalët e Tij, urdhërimet e Tij dhe besëlidhjet e Tij që të ndikojnë tek ajo që bëni çdo ditë? A do ta lejoni zërin e Tij të ketë përparësi mbi çdo zë tjetër? A jeni të gatshëm ta lejoni çfarëdo gjëje që Ai ka nevojë që ju të bëni, që të ketë përparësi mbi çdo ambicie tjetër? A jeni të gatshëm që vullneti juaj të shkrihet me të Tijin?18

Merreni parasysh se sa shumë mund t’ju bekojë një gatishmëri e tillë. Nëse jeni të pamartuar dhe po kërkoni një shok ose shoqe të përjetshme, dëshira juaj për të qenë “të Izraelit” do t’ju ndihmojë të vendosni se me kë dhe si të dilni të takime.

Nëse jeni të martuar me një bashkëshort/e që i ka shkelur besëlidhjet e veta, gatishmëria juaj për ta lejuar Perëndinë që të triumfojë në jetën tuaj, do t’i lejojë besëlidhjet tuaja me Perëndinë që të mbeten të paprekura. Shpëtimtari do ta shërojë zemrën tuaj të copëtuar. Qiejt do të hapen teksa përpiqeni të dini se si të shkoni përpara. Nuk keni nevojë të endeni ose të pyetni veten.

Nëse keni pyetje të sinqerta rreth ungjillit ose Kishës, kur zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë, ju do të udhëhiqeni që të gjeni e kuptoni të vërtetat absolute, të përjetshme që do ta udhërrëfejnë jetën tuaj dhe do t’ju ndihmojnë të qëndroni të palëkundur në shtegun e besëlidhjeve.

Kur përballeni me tundimin – edhe nëse tundimi vjen kur jeni të stërmunduar ose ndiheni të vetmuar apo të keqkuptuar – përfytyroni guximin që mund të merrni teksa zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj dhe teksa i përgjëroheni Atij që t’ju forcojë.

Kur dëshira juaj më e madhe është ta lejoni Perëndinë të triumfojë, të jeni pjesë e Izraelit, kaq shumë vendime bëhen më të lehta. Kaq shumë gjëra me rëndësi bëhen pa rëndësi! E dini se si ta paraqitni veten sa më mirë. E dini se çfarë të shihni e lexoni, ku ta shpenzoni kohën tuaj dhe me kë të shoqëroheni. E dini se çfarë dëshironi të përmbushni. E dini se çfarë njeriu dëshironi vërtet të bëheni.

Tani, vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kërkon si besim edhe guxim që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë. Kërkohet punë shpirtërore këmbëngulëse dhe e përpiktë për t’u penduar dhe për ta zhveshur njeriun e natyrshëm nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.19 Kërkohet përpjekje e vazhdueshme, e përditshme për të zhvilluar zakone vetjake që ta studioni ungjillin, të mësoni më shumë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, që të kërkoni zbulesë vetjake dhe të veproni sipas saj.

Gjatë këtyre kohëve të rrezikshme për të cilat profetizoi Apostulli Pal20, Satani as nuk po përpiqet më që t’i fshehë sulmet e tij kundrejt planit të Perëndisë. Ligësisë që s’i dridhet qerpiku gëlon me bollëk. Si rrjedhim, e vetmja mënyrë për të mbijetuar shpirtërisht është të jemi të vendosur që ta lejojmë Perëndinë të triumfojë në jetën tonë, të mësojmë ta dëgjojmë zërin e Tij dhe ta përdorim energjinë tonë për të ndihmuar që të mblidhet Izraeli.

Tani, si ndihet Zoti rreth njerëzve që do ta lejojnë Perëndinë të triumfojë? Nefi e përmblodhi mirë këtë: “[Zoti] i do ata që duan ta kenë atë të jetë Perëndia i tyre. Vini re, ai i deshi etërit tanë, po, madje Abrahamin, Isakun dhe Jakobin dhe ai bëri besëlidhje me ta; dhe i mba[n] mend besëlidhjet që [ka] bë[rë].”21

Dhe çfarë është Zoti i gatshëm të bëjë për Izraelin? Zoti është betuar se Ai do t’i “luftoj[ë] betejat [tona] dhe betejat e fëmijëve [tanë], dhe [betejat e] fëmijëve të fëmijëve [tanë], … deri në brezin e tretë dhe të katërt”!22

Ndërkohë që i studioni shkrimet tuaja të shenjta gjatë gjashtë muajve të ardhshëm, ju nxit të bëni një listë të gjithçkaje që Zoti ka premtuar se do ta bëjë për Izraelin besëlidhës. Mendoj se do të mahniteni! Përsiatini këto premtime. Flisni për to me familjarët dhe miqtë tuaj. Më pas jetoni dhe vëzhgoni që këto premtime të përmbushen në vetë jetën tuaj.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, kur zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, ju do të përjetoni vetë se Perëndia jonë është “një Perëndi mrekullish”23. Si një popull, ne jemi fëmijët e Tij të besëlidhur dhe ne do të thirremi me emrin e Tij. Për këtë unë dëshmoj, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Unë kam folur për Izraelin në të paktën 378 prej më shumë se 800 mesazheve që kam dhënë gjatë 36 vjetëve të mia si Apostull.

  2. Në hebraisht, Abram është një emër fisnik që do të thotë “atë i ekzaltuar”. Por kur Perëndia e ndryshoi atë emër në Abraham, emri mori kuptim edhe më të madh dhe do të thotë “atë i një morie njerëzish”. Me të vërtetë, Abrahami do të ishte “baba[i i] një shumice kombesh”. (Shih Zanafilla 17:5; Nehemias 9:7.)

  3. Zoti Perëndi Jehova bëri një besëlidhje me Abrahamin që Shpëtimtari i botës do të lindej prej pasardhësve të Abrahamit, tokë të caktuara do të trashëgoheshin dhe të gjitha kombet do të bekoheshin nëpërmjet linjës së prejardhjes nga Abrahami (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besëlidhje e Abrahamit”).

  4. Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Izrael”.

  5. Fjala Izrael shfaqet më shumë se një mijë herë në shkrimet e shenjta. Ajo mund të gjejë zbatim për familjen e Jakobit (Izraelit) e përbërë prej 12 bijsh, së bashku me bijat (shih Zanafilla 35:23–26; 46:7). Sot ajo mund të gjejë zbatim gjeografikisht si një vend në planetin Tokë. Por përdorimi i saj doktrinor gjen zbatim për njerëzit të cilët janë të gatshëm ta lejojnë Perëndinë të triumfojë në jetën e tyre.

  6. Shih Zanafilla 32:30.

  7. Shih Zanafilla 32:28.

  8. Shih Zanafilla 35:11–12.

  9. Për studim të mëtejshëm, shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpërndarje e Izraelit”.

  10. Isaia 54:7.

  11. Shih Isaia 11:11–12; 2 Nefi 21:11–12; Mosia 15:11.

  12. Shih Encyclopedia of Mormonism (1992), “Covenant Israel, Latter-Day”, 1:330–331.

  13. Ndërkohë që marrim pjesë në mbledhjen e Izraelit, Zoti ka një mënyrë të mrekullueshme për të përshkruar ata që po mblidhen. Ai na drejtohet kolektivisht si “thesari [i Tij] i veçantë” (Eksodi 19:5; Psalmeve 135:4; Malakia 3:17), si “xhevahirët” e Tij (Doktrina e Besëlidhje 101:3) dhe si një “komb i shenjtë” (Eksodi 19:6; shih edhe Ligji i Përtërirë 14:2; 26:18).

  14. Kjo frazë i referohet vetë besëlidhjes që bëri Perëndia me Abrahamin, duke thënë: “Në farën tënde do të bekohen të gjitha fiset e tokës” (3 Nefi 20:27). “Të lindur në besëlidhje” do të thotë që përpara se të lindë një njeri, nëna dhe babai i atij personi u vulosën në tempull.

  15. Një premtim i tillë iu mësua nga Perëndia Abrahamit: “Të gjithë ata që e marrin këtë Ungjill, do të quhen sipas emrit tënd e do të llogariten si fara jote dhe do të ngrihen e do të të bekojnë ty, si atin e tyre” (Abraham 2:10; shih edhe Romakëve 8:14–17; Galatasve 3:26–29).

  16. Çdo anëtar besnik mund të kërkojë një bekim patriarkal. Nëpërmjet frymëzimit nga Fryma e Shenjtë, patriarku shpall linjën e prejardhjes së atij personi në shtëpinë e Izraelit. Ai deklarim nuk është domosdoshmërisht një shpallje e racës, kombësisë apo përbërjes gjenetike të tij ose të saj. Përkundrazi, linja e shpallur e prejardhjes përcakton fisin e Izraelit nëpërmjet të cilit ai individ do të marrë bekimet e tij ose të saj.

  17. 2 Nefi 26:33.

  18. Shih Mosia 15:7. Të jesh nga Izraeli nuk është për njerëzit me zemër të ligshtë. Për të marrë të gjitha bekimet që Perëndia i ka ruajtur për farën e Abrahamit, secili prej nesh mund të presë që t’i jepet “prova [e vet e pashoqe] e Abrahamit”. Perëndia do të na vërë në provë, siç dha mësim Profeti Jozef Smith, duke i këputur me forcë telat e zemrës sonë. (Shih kujtimet e Xhon Tejlorit në Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 243.)

  19. Shih Mosia 3:19.

  20. Shih 2 Timoteut 3:1–13.

  21. 1 Nefi 17:40; theksimi i shtuar.

  22. Doktrina e Besëlidhje 98:37; shih edhe Psalmeve 31:23; Isaia 49:25; Doktrina e Besëlidhje 105:14.

  23. Mormoni 9:11.