2020
Manuali i Përgjithshëm në Dispozicion në Format Digjital
Nëntor 2020


Manuali i Përgjithshëm në Dispozicion në Format Digjital

Vazhdon procesi i rishikimit të materialit Manuali i Përgjithshëm: Shërbimi në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, me përkthime të materialit të përzgjedhur në 21 gjuhë kryesore që do të publikohen së shpejti.

Manuali i ri u botua në format digjital në anglisht në shkurt 2020, me publikime të tjera të materialeve të rishikuara në mars dhe korrik. Deri tani, 16 nga 38 kapitujt e librit janë rishkruar dhe botuar. Kapitujt e mbetur do të rishikohen gjatë muajve të ardhshëm, përfshirë rishikime për ta zvogëluar gjatësinë dhe për ta thjeshtuar nivelin e leximit.

Pak kohë pas konferencës së përgjithshme të tetorit 2020, kapitulli 32, “Pendimi dhe Këshillat e Kishës për Anëtarësinë” dhe fragmente të pjesës 38.6, “Rregulloret për Çështjet Morale” (që përkrah kapitullin 32), do të fillojnë të botohen në 21 gjuhë (përveç anglishtes). Kapituj të tjerë janë duke u përkthyer dhe përgatitur për botim në muajt e ardhshëm dhe përfundimisht i gjithë materiali do të jetë në dispozicion në 35 gjuhë.

Edhe pse manuali është në dispozicion në faqen në internet të Kishës dhe në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit], publiku parësor për materialin janë udhëheqësit e Kishës. Manuali i rishikuar zëvendëson Handbook 1 [Manualin 1] (për presidentët e kunjeve dhe peshkopët) dhe Handbook 2 [Manualin 2] (për të gjithë udhëheqësit) dhe e ndërthur gjithë informacionin e manualeve në një botim të vetëm.

Kuadri organizues për manualin e ri është puna për shpëtim dhe ekzaltim, që përfshin katër fusha përqendrimi ndërsa ne vijmë te Krishti dhe japim ndihmë në punën e Perëndisë:

  1. Të jetuarit e ungjillit të Jezu Krishtit

  2. Përkujdesja për njerëzit nevojtarë

  3. Ftesa ndaj të gjithë njerëzve që ta marrin ungjillin

  4. Bashkimi i familjeve për përjetësinë

Kapitujt janë hartuar për t’i ndihmuar udhëheqësit rreth e rrotull botës që të shërbejnë me kujdes si të Krishtit kur i vënë në zbatim programet, rregulloret dhe procedurat e ndryshme të Kishës dhe, kur është e nevojshme, i përshtatin ato sipas rrethanave vendore.

Botimi digjital i manualit bën të mundur që të bëhen përditësime dhe rishikime teksa Kisha rritet dhe teksa rregulloret përshtaten. Parimet e elasticitetit dhe përshtatjes të përfshira në manual, i ndihmojnë udhëheqësit dhe anëtarët që t’i vënë në zbatim në mënyrë të efektshme parimet dhe programet e Kishës në bashkësitë e të gjitha përmasave dhe nëpër një komunitet të larmishëm, global të shenjtorëve.