2020
Nga Uniteti i Ndjenjës Ne Marrim Fuqi nga Perëndia
Nëntor 2020


10:6

Nga Uniteti i Ndjenjës Ne Marrim Fuqi nga Perëndia

Ndërsa kërkojmë unitet të ndjenjave, ne do të thërrasim për fuqinë e Perëndisë që t’i bëjë përpjekjet tona më të plota.

Nëna e Gordonit i tha atij që, në qoftë se do t’i mbaronte punët e tij të shtëpisë, ajo do t’i bënte një ëmbëlsirë. Atë që pëlqente ai më shumë. Vetëm për të. Gordoni iu fut punës për t’i kryer ato punë shtëpie dhe nëna e tij bëri brumin e ëmbëlsirës. Motra e tij më e madhe, Kethi, hyri në shtëpi me një shoqe. Ajo e pa ëmbëlsirën dhe pyeti nëse ajo dhe shoqja e saj mund të hanin një copë.

“Jo”, tha Gordoni, “është ëmbëlsira ime. Mami e bëri për mua dhe e fitova me punë.”

Kethi iu kthye me të ashpër vëllait të saj të vogël. Ai ishte kaq egoist dhe zemërngushtë. Si mund ta mbante të gjithë këtë për vete?

Disa orë më vonë, kur Kethi hapi derën e makinës për ta çuar shoqen e saj në shtëpi, atje në ndenjëse ishin dy peceta letre të palosura bukur, dy pirunë të vendosur sipër tyre dhe dy copa të mëdha ëmbëlsire në pjata. Kethi e tregoi këtë histori në shërbesën mortore të Gordonit për të treguar se sa i gatshëm ishte ai që të ndryshonte dhe të tregonte mirësi ndaj atyre që jo gjithmonë e meritonin.

Në vitin 1842, shenjtorët po punonin shumë për të ndërtuar Tempullin e Navusë. Pas themelimit të Shoqatës së Ndihmës në mars, Profeti Jozef vinte shpesh në mbledhjet e tyre për t’i përgatitur ato për besëlidhjet e shenjta, bashkuese që do të bënin së shpejti në tempull.

Në 9 qershor, Profeti “tha se do të predikonte mëshirë. Supozoni se Jezu Krishti dhe engjëjt e shenjtë nuk do të na duronin për gjëra të pavlera, çfarë do të bëhej me ne? Ne duhet të jemi të mëshirshëm me njëri-tjetrin dhe të mos vëmë re gjëra të vogla.” Presidenti Smith vazhdoi: “Brengosem që nuk ka vëllazërim më të plotë – nëse vuan një gjymtyrë, të gjitha e ndiejnë – nga uniteti i ndjenjës ne marrim fuqi nga Perëndia”1.

Ajo pjesë e shkurtër fjalie më goditi si vetëtimë. Nga uniteti i ndjenjës ne marrim fuqi nga Perëndia. Kjo botë nuk është ajo që unë dëshiroj që të jetë. Ka shumë gjëra tek të cilat dëshiroj të kem ndikimin tim dhe t’i bëj më mirë. Dhe sinqerisht, ka shumë kundërshti ndaj asaj për të cilën shpresoj, dhe ndonjëherë ndihem e pafuqishme. Kohët e fundit, i kam bërë vetes pyetje hulumtuese: Si mund t’i kuptoj më mirë njerëzit përreth meje? Si do ta krijoj atë “unitet … ndjenje” kur të gjithë janë kaq të ndryshëm? Cilën fuqi të Perëndisë mund të përdor, në qoftë se kam vetëm pak më shumë unitet me të tjerët? Nga kërkimet brenda vetes sime, unë kam tri sugjerime. Ndoshta ato do t’ju ndihmojnë edhe juve.

Kini Mëshirë

Jakobi [LiM] 2:17 thotë: “Mendoni për vëllezërit [dhe motrat] tuaj si për veten tuaj dhe jini të dashur me të gjithë dhe bujarë me pasurinë tuaj, që ata të mund të jenë të pasur sikurse ju”. Le ta zëvendësojmë fjalën pasuri me mëshirë – jini bujarë me mëshirën tuaj, që ata të mund të jenë të pasur sikurse ju.

Ne shpesh e lidhim pasurinë me ushqimin ose paratë, por ndoshta ajo që na nevojitet më shumë të gjithëve në dhënien e shërbesës sonë është mëshira.

Presidentja ime e Shoqatës së Ndihmës kohët e fundit tha: “Gjëja që ju … premtoj … është se do ta mbaj emrin tuaj të sigurt. … Unë do t’ju shoh për atë që jeni në më të mirën tuaj. … Kurrë nuk do të them asgjë për ju që është e keqe, që nuk do t’ju lartësojë. Ju kërkoj që të bëni të njëjtën gjë për mua, sepse sinqerisht, jam e tmerruar se mos ju zhgënjej.”

Jozef Smithi u tha motrave atë ditë qershori në vitin 1842:

“Kur njerëzit shfaqin mirësinë dhe dashurinë më të vogël ndaj meje, o çfarë fuqie ka kjo gjë në mendjen time. …

… Sa më pranë i afrohemi Atit tonë Qiellor aq më të gatshëm jemi që t’i shohim me dhembshuri shpirtrat që po mbarojnë – [ndiejmë se duam] t’i marrim ata mbi supet tona e t’i hedhim mëkatet e tyre pas shpine. [Biseda ime ka si synim] gjithë këtë Shoqatë – nëse doni që Perëndia të ketë mëshirë për ju, kini mëshirë për njëra‑tjetrën.”2

Kjo këshillë ishte posaçërisht për Shoqatën e Ndihmës. Le të mos e gjykojmë njëra‑tjetrën ose le të mos lejojmë që fjalët tona të lëndojnë. Le ta mbajmë të sigurt emrin e njëra‑tjetrës dhe të japim dhuratën e mëshirës.3

Bëni që Barka Juaj të Ketë Ritëm

Në vitin 1936, një ekip i panjohur kanotazhi nga Universiteti i Uashingtonit udhëtoi drejt Gjermanisë për të marrë pjesë në Lojërat Olimpike. Ishte kulmi i Depresionit të Madh. Këta ishin djem të klasës punëtore, qytetet e vogla me miniera e lëndë drusore të të cilëve dhuruan shuma të vogla parash që djemtë të mund të udhëtonin drejt Berlinit. Çdo aspekt i konkurrimit dukej sikur ishte mbledhur kundër tyre, por diçka ndodhi në garë. Në botën e kanotazhit, ata e quajnë “ritmi”. Dëgjojeni këtë përshkrim të bazuar në librin Djemtë në Barkë:

Nganjëherë ndodh diçka që është e vështirë të arrihet dhe e vështirë të përcaktohet. Ai quhet “ritmi”. Ndodh vetëm kur të gjithë po vozitin njëherazi në mënyrë kaq të përsosur, saqë asnjë veprim i vetëm nuk është i pasinkronizuar.

Vozitësit duhet të kenë kontroll mbi pavarësinë e tyre të fortë dhe në të njëjtën kohë të qëndrojnë të vërtetë ndaj aftësive të tyre individuale. Garat nuk fitohen nga klone. Ekipet e mira janë një përzierje e mirë – dikush që udhëheq detyrën, dikush që mban diçka rezervë, dikush që bën garën, dikush që bën paqe. Asnjë vozitës nuk është më i vlefshëm se një tjetër, të gjithë janë me vlerë për barkën, por nëse duhet të vozitin mirë së bashku, secili duhet të përshtatet me nevojat dhe aftësitë e të tjerëve – personi me krahë më të shkurtër zgjatet pak më shumë, personi me krahë më të gjatë tërhiqet pak mbrapa.

Ndryshimet mund të kthehen në diçka të favorshme në vend që të kthehen në diçka të pafavorshme. Vetëm atëherë do të duket sikur barka po lëviz vetë. Vetëm atëherë dhembja ia lë krejtësisht vendin haresë. “Ritmi” i mirë ngjan si poezi4.

Kundrejt pengesave shumë të mëdha, kjo skuadër gjeti ritëm të përsosur dhe fitoi. Medalja e arit në Lojërat Olimpike ishte ngazëllyese, por uniteti që përjetoi çdo vozitës atë ditë ishte një çast i shenjtë që mbeti me ta gjatë gjithë jetës.

Pastroni të Këqijat, për aq sa të Mirat do të Rriten

Në alegorinë plot finesë te Jakobi [LiM] 5, Zoti i vreshtit mbolli një pemë të mirë në tokë të mirë, por ajo u prish me kalimin e kohës dhe dha frutë të egër. Zoti i vreshtit tha tetë herë: “Më hidhëron që unë ta humb këtë pemë”.

Shërbëtori i thotë Zotit të vreshtit: “Mbaje [pemën] pak më gjatë. Dhe Zoti tha: Po, unë do ta mbaj pak më gjatë.”5

Dhe më pas vjen udhëzimi që mund të gjejë zbatim për të gjithë ne që përpiqemi të gërmojmë dhe të gjejmë fruta të mira në vetë vreshtat tona të vogla: “Ju do të pastroni të këqijat, për aq sa të mirat do të rriten”6.

Uniteti nuk ndodh me magji; kërkon punë. Është i rrëmujshëm, nganjëherë i parehatshëm dhe ndodh gradualisht kur i pastrojmë të këqijat po aq shpejt sa mund të rriten të mirat.

Ne nuk jemi kurrë të vetëm në përpjekjet tona për të krijuar unitet. Jakobi [LiM] 5 vazhdon: “Shërbëtorët shkuan dhe punuan me fuqitë e tyre; dhe Zoti i vreshtit punoi gjithashtu me ta”7.

Secila prej nesh do të ketë përvoja që do ta lëndojnë thellësisht, gjëra që nuk duhet të ndodhin kurrë. Secila prej nesh gjithashtu, në kohë të ndryshme, do ta lejojë krenarinë dhe kryelartësinë ta prishë frutën që japim. Por Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë në të gjitha gjërat. Fuqia e Tij na ndihmon edhe në çastet më të vështira dhe është sigurisht atje për ne, kur ne e thërrasim Atë. Të gjithë lypim për mëshirë për mëkatet dhe dështimet tona. Ai e jep lirisht atë. Dhe Ai na kërkon nëse mund t’ia japim të njëjtën mëshirë dhe mirëkuptim njëra-tjetrës.

Jezusi e tha hapur: “Jini një; dhe nëse nuk jeni një, nuk jeni të mitë”8. Por nëse jemi një – nëse mund të kursejmë një copë ëmbëlsire ose t’i përshtatim talentet tona individuale në mënyrë që barka të ketë ritëm njëherazi në mënyrë të përsosur – atëherë ne jemi të Tijat. Dhe Ai do të ndihmojë në pastrimin e së keqes po aq shpejt sa rritet e mira.

Premtime Profetike

Ne mund të mos jemi ende atje ku dëshirojmë të jemi dhe tani nuk jemi atje ku do të jemi. Besoj se ndryshimi që kërkojmë te vetja dhe te grupet ku bëjmë pjesë, do të vijë më pak nga aktivizimi dhe më shumë nga përpjekja në mënyrë aktive çdo ditë për ta kuptuar njëra‑tjetrën. Përse? Sepse ne po ndërtojmë Sionin – një popull “të një zemre dhe të një mendjeje”9.

Si gra besëlidhëse, ne kemi ndikim të gjerë. Ky ndikim gjen zbatim në çastet e përditshme kur jemi duke studiuar me një mikeshë, kur vëmë fëmijët në shtrat, kur bisedojmë me dikë që ulemi në autobus, kur përgatitim një paraqitje me një koleg/e. Ne kemi fuqi ta heqim paragjykimin dhe të ndërtojmë unitet.

Shoqata e Ndihmës dhe Të Rejat nuk janë thjesht klasa. Ato mund të jenë gjithashtu përvoja të paharrueshme ku ne si gra shumë të ndryshme futemi të gjitha në të njëjtën barkë dhe vozitim derisa të gjejmë ritmin tonë. Ju bëj këtë ftesë: Bëhuni pjesë e një force kolektive që e ndryshon botën për mirë. Detyra jonë besëlidhëse është të japim shërbesë, të ngremë duart që varen, t’i vëmë njerëzit që kanë vështirësi mbi shpinat tona ose në krahët tanë dhe t’i mbartim ata. Nuk është e ndërlikuar për të ditur se çfarë të bëni, por shpesh kjo bie ndesh me interesat tona egoiste, dhe ne duhet të përpiqemi. Gratë e kësaj Kishe kanë potencial të pakufizuar për ta ndryshuar shoqërinë. Kam vetëbesim të plotë shpirtëror se, ndërsa kërkojmë unitet të ndjenjave, ne do të thërrasim për fuqinë e Perëndisë që t’i bëjë përpjekjet tona më të plota.

Kur Kisha përkujtoi zbulesën e vitit 1978 mbi priftërinë, Presidenti Rasëll M. Nelson dha një bekim të fuqishëm profetik: “Është lutja dhe bekimi im që u lë të gjithë atyre që po dëgjojnë, që ne të mund ta kapërcejmë çdo barrë paragjykimi dhe të ecim drejtësisht me Perëndinë – dhe me njëri-tjetrin – në paqe dhe harmoni të përsosur”10.

U mbështetshim te ky bekim profetik dhe i përdorshim përpjekjet tona individuale dhe kolektive për ta rritur unitetin në botë! E lë dëshminë time me fjalët e lutjes së përulur, të përjetshme të Zotit Jezu Krisht: “Që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne”11. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.