2020
Pjesë të Spikatura nga Konferenca e Përgjithshme Gjysmëvjetore e 190‑të
Nëntor 2020


Pjesë të Spikatura nga Konferenca e Përgjithshme Gjysmëvjetore e 190‑të

Mes pasigurisë, miliona njerëz gjetën një çast paqeje gjatë konferencës së përgjithshme të mbajtur më 3–4 tetor 2020. Udhëheqësit e Kishës na drejtuan te Jezu Krishti me mesazhe uniteti e dashurie, shprese e shërimi dhe paqeje në qëllimin hyjnor.

Presidenti Rasëll M. Nelson na mësoi se si të marrim bekimet e të bërit populli i Perëndisë.

“Kur zgjidhni ta lejoni Perëndinë të triumfojë në jetën tuaj, ju do të përjetoni vetë se Perëndia jonë është ‘një Perëndi mrekullish’ [Mormoni 9:11].” – Presidenti Rasëll M. Nelson (shih faqen 92)

Shumë folës trajtuan rritjen vetjake nëpërmjet ndjekjes së Jezu Krishtit, të pasurit mirëbesim tek Ai dhe nënshtrimit të vullnetit tonë të Tijit.

“Teksa përulësisht drejtohemi tek [Jezu Krishti], Ai do ta rritë aftësinë tonë për të ndryshuar.” – Beki Krejvën (shih faqen 58)

Edhe një herë, virusi korona i ri ndikoi tek ajo që pamë dhe dëgjuam në konferencë. Megjithatë, me përvojën e shtuar erdhi një këndvështrim më i madh teksa folësit u përqendruan jo vetëm te shpresa, por gjithashtu te një kuptueshmëri më e madhe e planit të Perëndisë për lumturinë tonë të përjetshme.

“Provimet në shkollën e vdekshmërisë janë element jetik i përparimit tonë të përjetshëm. … Lutem që ne … të jemi duke marrë mësime të vlefshme që mund të na i mësojnë vetëm përvojat sfiduese.” – Plaku Dejvid A. Bednar (shih faqen 8)

Me shqetësimet shoqërore që po prekin shumë pjesë të botës, udhëheqësit dënuan racizmin dhe dhunën. Ata bënë thirrje që ne, si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, të bëhemi një në drejtësi, të gjejmë unitet në larminë dhe të ndihmojmë për të ndërtuar një shoqëri morale dhe të dashur.

“Ne jetojmë në një kohë me përçarje veçanërisht të mëdha. … Ne mund të jemi një forcë për ta lartësuar dhe bekuar shoqërinë si një e tërë.” – Plaku Kuentin L. Kuk (shih faqen 18)

Ndërsa e përjetoni sërish konferencën nëpërmjet këtij botimi, shpresojmë se do t’i provoni përsëri shpresën dhe frymëzimin që ndjetë herën e parë, si dhe të fitoni ide të reja nëpërmjet studimit tuaj në muajt e ardhshëm.