2020
Ne Flasim për Krishtin
Nëntor 2020


15:1

Ne Flasim për Krishtin

Kur bota flet më pak për Jezu Krishtin, le të flasim ne më shumë për Të.

Unë shpreh dashurinë time për ju, miq të dashur dhe bashkëbesimtarët tanë. Unë e kam admiruar besimin dhe kurajën tuaj gjatë këtyre muajve të kaluar, ndërsa kjo pandemi mbarëbotërore e ka trazuar jetën tonë dhe ka marrë pjesëtarë të çmuar të familjeve dhe miq të dashur.

Gjatë kësaj periudhe pasigurie, unë kam ndier një mirënjohje të pazakontë për njohurinë time të sigurt e të padyshimtë se Jezusi është Krishti. A jeni ndier kështu? Ka vështirësi që rëndojnë mbi secilin prej nesh, por gjithmonë përpara nesh është Ai që me përulësi deklaroi: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta”1. Ndërsa durojmë një periudhë distancimi fizik me të tjerët, ne kurrë nuk duhet të durojmë një periudhë distancimi shpirtëror nga Ai që vazhdimisht, me krahë të shtrira, na lutet: “Ejani tek unë”2.

Si një yll drejtues në një qiell të pastër, të errët, Jezu Krishti e ndriçon udhën tonë. Ai erdhi në tokë në një grazhd të thjeshtë. Ai jetoi një jetë të përkryer. Ai i shëroi të sëmurët dhe ngriti të vdekurit. Ai ishte mik për të harruarit. Ai na mësoi të bëjmë mirë, të bindemi dhe ta duam njëri-tjetrin. Ai vdiq në kryq, duke u ngritur mrekullisht tri ditë më vonë, duke na mundësuar neve dhe atyre që i duam, që të jetojmë përtej varrit. Me mëshirën dhe hirin e Tij të pakrahasueshëm, Ai mori mbi Vete mëkatet tona dhe vuajtjen tonë, duke sjellë falje kur pendohemi dhe paqe në stuhitë e jetës. Ne e duam Atë. Ne e adhurojmë Atë. Ne e ndjekim Atë. Ai është spiranca e shpirtrave tanë.

Në mënyrë interesante, ndërsa kjo bindje shpirtërore rritet brenda nesh, ka shumë njerëz në botë që dinë fare pak për Jezu Krishtin, dhe, në disa pjesë të botës ku emri i Tij është shpallur ndër shekuj, besimi në Jezu Krisht po pakësohet. Shenjtorët e guximshëm në Europë kanë parë të bjerë besimi në vendet e tyre ndër dekada3. Mjerisht, këtu në Shtetet e Bashkuara, besimi po mpaket gjithashtu. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se në 10 vitet e fundit 30 milionë njerëz në Shtetet e Bashkuara janë larguar nga besimi në hyjninë e Jezu Krishtit4. Në nivel botëror, një studim tjetër parashikon se në dekadat e ardhshme do ta lënë krishterimin më shumë se dyfishi i atyre që do ta përqafojnë5.

Ne, sigurisht, respektojmë të drejtën e secilit për të zgjedhur, megjithatë Ati ynë Qiellor ka thënë: “Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni”6. Unë dëshmoj se do të vijë dita që çdo gju do të gjunjëzohet dhe çdo gjuhë do të pohojë se Jezusi është Krishti7.

Si duhet të përgjigjemi ndaj botës sonë në ndryshim? Ndërkohë që disa po e shpërfillin besimin e tyre, të tjerë po e kërkojnë të vërtetën. Ne kemi marrë mbi vete emrin e Shpëtimtarit. Çfarë duhet të bëjmë më shumë?

Përgatitja e Presidentit Rasëll M. Nelson

Një pjesë e përgjigjes sonë mund të vijë teksa shqyrtojmë se si Zoti e mësoi Presidentin Rasëll M. Nelson në muajt para thirrjes së tij si President i Kishës. Kur foli një vit përpara thirrjes së tij, Presidenti Nelson na ftoi t’i studiojmë më thellë 2 200 referencat e emrit Jezu Krisht, të renditura në Udhëzuesin Tematik8.

Presidenti Nelson duke studiuar shkrimet e shenjta

Tre muaj më vonë, në konferencën e përgjithshme të prillit, ai tregoi se si ndikoi aq shumë, edhe me dekadat e dishepullimit të tij të përkushtuar, ky studim më i thelluar i Jezu Krishtit. Motra Uendi Nelson e pyeti për ndikimin që pati nga studimi. Ai iu përgjigj: “Jam bërë tjetër njeri!” Ai ishte tjetër njeri? Në moshën 92 vjeç, tjetër njeri? Presidenti Nelson shpjegoi:

“Ndërsa shpenzojmë kohë për të mësuar rreth Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij shlyes, ne tërhiqemi … ndaj [Tij]. …

… Përqendrimi ynë [bëhet i] ngulit[ur] te Shpëtimtari dhe ungjilli i Tij.”9

Shpëtimtari tha: “Shihni tek unë në çdo mendim”10.

Në një botë pune, brengash e përpjekjesh të denja, ne e mbajmë zemrën, mendjen dhe mendimet tek Ai që është shpresa dhe shpëtimi ynë.

Nëse një studim i përtërirë për Shpëtimtarin e ndihmoi Presidentin Nelson të përgatitej, a nuk do të na ndihmonte edhe ne të përgatitemi?

Presidenti Rasëll M. Nelson

Në theksimin e emrit të Kishës, Presidenti Nelson dha mësim: “Nëse ne … dëshirojmë të kemi të drejtë për ta përdorur fuqinë e Shlyerjes së Jezu Krishtit – që të na pastrojë e shërojë, të na forcojë e lartësojë dhe përfundimisht të na ekzaltojë – ne duhet ta pranojmë qartë Atë si burimin e asaj fuqie”11. Presidenti Nelson na mësoi se përdorimi i vazhdueshëm i emrit të saktë të Kishës, diçka që mund të duket si një gjë e vogël, nuk është aspak e vogël dhe do t’i japë formë të ardhmes së botës.

Një Premtim për Përgatitjen Tuaj

Unë ju premtoj se kur e përgatitni veten, siç bëri Presidenti Nelson, edhe ju do të jeni ndryshe, duke menduar më shumë rreth Shpëtimtarit, duke folur për Të më shpesh e me më pak ngurrim. Kur arrini ta njihni dhe ta doni Atë edhe më thellësisht, fjalët tuaja do të rrjedhin më lirshëm, siç ndodh kur flisni për një nga fëmijët tuaj apo një mik të dashur. Ata që ju dëgjojnë do të ndiejnë më pak dëshirë të debatojnë apo t’ju shpërfillin e më shumë dëshirë të mësojnë nga ju.

Ju dhe unë flasim për Jezu Krishtin, por ndoshta mund të bëjmë pak më mirë. Nëse bota do të flasë më pak për Të, kush do të flasë më shumë për Të? Ne do të flasim! Së bashku me të krishterët e tjerë të përkushtuar!

Të Folurit për Krishtin në Shtëpitë Tona

A ka pamje të Shpëtimtarit në shtëpitë tona? A u flasim shpesh fëmijëve tanë rreth shëmbëlltyrave të Jezusit? “Historitë e Jezusit [janë] si erë e vrullshme nëpër prushin e besimit në zemrat e fëmijëve tanë.”12 Kur fëmijët tuaj ju bëjnë pyetje, mendoni me vetëdije t’u mësoni atë që Shpëtimtari dha mësim. Për shembull, nëse fëmija juaj pyet: “Babi, përse lutemi?” Ju mund të përgjigjeni: “Kjo është një pyetje e shkëlqyer. A të kujtohet kur Jezusi u lut? Le të flasim për arsyen pse u lut Ai dhe si u lut Ai.”

“Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, … që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre.”13

Të Folurit për Krishtin në Kishë

Po ky shkrim i shenjtë shton që të “predikojmë për Krishtin”14. Në shërbesat tona të adhurimit, le të përqendrohemi te Shpëtimtari Jezu Krisht dhe te dhurata e sakrificës së Tij shlyese. Kjo nuk do të thotë se nuk mund të tregojmë një përvojë nga vetë jeta jonë apo të themi një mendim të të tjerëve. Ndërsa tema jonë mund të jetë rreth familjeve, apo shërbimit, apo tempujve, apo një misioni kohët e fundit, çdo gjë në adhurimin tonë duhet të tregojë Zotin Jezu Krisht.

Tridhjetë vjet më parë, Presidenti Dallin H. Ouks foli për një letër që pati marrë “nga një burrë që thoshte se pati marrë pjesë në një mbledhje [sakramenti] dhe dëgjoi shtatëmbëdhjetë dëshmi pa dëgjuar të përmendej Shpëtimtari”15. Presidenti Ouks atëherë vërejti: “Ndoshta ai përshkrim është i zmadhuar [por] unë e citoj sepse jep një kujtesë të gjallë për të gjithë ne”16. Ai mandej na ftoi të flasim më shumë për Jezu Krishtin në bisedat dhe mësimet tona. Unë kam vërejtur se po përqendrohemi gjithnjë e më shumë te Krishti në mbledhjet tona të Kishës. Le të vijojmë vetëdijshëm në këto përpjekje shumë pozitive.

Të Folurit për Krishtin me të Tjerët

Me njerëzit përreth nesh, le të jemi më të hapur, më të gatshëm për të folur për Krishtin. Presidenti Nelson tha: “Dishepujt e vërtetë të Jezu Krishtit janë të gatshëm të ngulmojnë, ta ngrenë zërin dhe të jenë të ndryshëm nga njerëzit e botës”17.

Ndonjëherë mendojmë se biseda me dikë duhet të çojë tek ardhja e tij apo e saj në kishë ose tek takimi me misionarët. Le t’i drejtojë Zoti sipas gatishmërisë së tyre, ndërsa ne të mendojmë më shumë për përgjegjësinë tonë për të qenë zëri i Tij, gjithmonë të kujdesshëm dhe të sinqertë për besimin tonë. Plaku Diter F. Uhtdorf na ka mësuar që kur dikush na pyet rreth fundjavës sonë, ne duhet të jemi të gatshëm të përgjigjemi lumturisht se na pëlqeu të dëgjonim fëmijët e Fillores duke kënduar: “Përpiqem t’Jem si Jezusi”18. Le ta dëshmojmë me mirësi besimin tonë në Krisht. Nëse dikush tregon një problem që ai apo ajo ka në jetën personale, ne mund t’i themi: “Xhon, Meri, ju e dini që unë besoj në Jezu Krisht. Po mendoja diçka që Ai tha dhe që mund t’ju ndihmojë.”

Jini më të hapur në mediat shoqërore për të folur rreth mirëbesimit tuaj në Krisht. Shumica do ta respektojnë besimin tuaj, por nëse dikush është shpërfillës kur flisni për Shpëtimtarin, merrni kurajë nga premtimi i Tij: “Lum ju kur do t’ju shajnë … për shkakun tim. … Sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej”19. Ne kujdesemi më shumë rreth të qenit ndjekës të Tij sesa “të pëlqyer” nga vetë ndjekësit tanë. Pjetri këshilloi: “Jini gjithnjë gati për t’u përgjigjur … për shpresën që është në ju”20. Le të flasim për Krishtin.

Libri i Mormonit është një dëshmi e fuqishme e Jezu Krishtit. Thuajse çdo faqe dëshmon për Shpëtimtarin dhe misionin e Tij hyjnor21. Një kuptim mbi Shlyerjen dhe hirin e Tij mbush faqet e librit. Si shoqërues i Dhiatës së Re, Libri i Mormonit na ndihmon të kuptojmë më mirë përse Shpëtimtari erdhi të na shpëtojë dhe si ne mund të vijmë më thellësisht tek Ai.

Disa nga miqtë tanë të krishterë janë, ndonjëherë, të pasigurt rreth bindjeve dhe motiveve tona. Le të gëzohemi vërtet me ta në besimin tonë të përbashkët te Jezu Krishti dhe shkrimet e shenjta të Dhiatës së Re që të gjithë i duam. Në ditët që do të vijnë, ata që besojnë në Jezu Krisht, do të kenë nevojë për miqësinë dhe mbështetjen e njëri-tjetrit22.

Drita e Botës

Kur bota flet më pak për Jezu Krishtin, le të flasim ne më shumë për Të. Kur bindjet tona të vërteta si dishepuj të Tij zbulohen, shumë përreth nesh do të jenë të përgatitur të dëgjojnë. Kur përhapim dritën që kemi marrë prej Tij, drita e Tij dhe fuqia e Tij e jashtëzakonshme shpëtuese do të shkëlqejnë mbi ata që duan t’i hapin zemrat e tyre. Jezusi tha: “Unë kam ardhur si drita për botën”23.

Rritja e Dëshirës Sonë për të Folur për Krishtin

Asgjë nuk e nxit dëshirën time për të folur për Krishtin më shumë sesa përfytyrimi i kthimit të Tij. Ndonëse nuk e dimë se kur do të vijë Ai, ngjarjet e kthimit të Tij do të jenë mahnitëse! Ai do të vijë në retë e qiellit, në madhështi dhe lavdi, me të gjithë engjëjt e Tij të shenjtë. Jo thjesht disa engjëj por të gjithë engjëjt e Tij të shenjtë. Këta nuk janë kerubinët me faqe si qershi të pikturuar nga Rafaeli, që gjenden në kartolinat tona të Shën Valentinit. Këta janë engjëj të shekujve, engjëjt e dërguar për t’u mbyllur gojën luanëve24, për të hapur dyert e burgut25, për të lajmëruar lindjen e shumëpritur të Tij26, për ta ngushëlluar Atë në Gjetseman27, për të siguruar dishepujt për Ngritjen e Tij28 dhe për të hapur Rivendosjen e lavdishme të ungjillit29.

Ardhja e Dytë

A mund ta përfytyroni të rrëmbeheni për ta takuar Atë, qoftë në këtë anë të velit apo në tjetrën?30 Ky është premtimi i Tij për të drejtët. Kjo përvojë mahnitëse do ta shenjojë shpirtin tonë përgjithmonë.

Sa mirënjohës jemi për profetin tonë të dashur, Presidentin Rasëll M. Nelson, që e ka rritur dëshirën tonë për ta dashur Shpëtimtarin dhe shpallur hyjninë e Tij. Unë jam dëshmitar okular i dorës së Zotit mbi të dhe i dhuratës së zbulesës që e drejton atë. Presidenti Nelson, ne presim me padurim këshillën tuaj.

Miqtë e mi të dashur nëpër botë, le të flasim për Krishtin, duke pritur premtimin e Tij të lavdishëm: “Kushdo që do të më rrëfenjë përpara njerëzve, … unë do ta rrëfejë përpara Atit tim”31. Unë dëshmoj se Ai është Biri i Perëndisë. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Gjoni 14:6.

  2. Mateu 11:28.

  3. Shih Niztan Peri-Rotem, “Religion and Fertility in Western Europe: Trends across Cohorts in Britain, France and the Netherlands”, European Journal of Population, maj 2016, f. 231–265; marrë nga ncbi.nlm.nih.gov/pmc/articles/PMC4875064.

  4. “[Gjashtëdhjetë e pesë përqind] e amerikanëve të rritur e përshkruajnë veten si të krishterë kur pyeten për fenë e tyre, 12 përqind më pak se në dekadën e kaluar. Ndërkohë, pjesa pa lidhje fetare e popullsisë, nga njerëz që e përshkruajnë identitetin e tyre fetar si ateistë, agnostikë apo ‘asgjë në veçanti’, tani është te 26%, nga 17% në vitin 2009” (Pew Research Center, “In U.S., Decline of Christianity Continues at Rapid Pace”, 17 tetor 2019, pewforum.org).

  5. Shih Pew Research Center, “The Future of World Religions: Population Growth Projections, 2010–2050”, 2 prill 2015, pewforum.org.

  6. Marku 9:7; Lluka 9:35; shih edhe Mateu 3:17; Joseph Smith—Historia 1:17.

  7. Shih Filipianëve 2:9-11.

  8. Shih Rasëll M. Nelson, “Profetët, Udhëheqja dhe Ligji Hyjnor” (takimi shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017), broadcasts.ChurchofJesusChrist.org.

  9. Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 40–41.

  10. Doktrina e Besëlidhje 6:36.

  11. Rasëll M. Nelson, “Emri i Saktë i Kishës”, Liahona, nëntor 2018, f. 88.

  12. Nil L. Andersen, “Tregomë Historitë e Jezusit”, Liahona, maj 2010 f. 108.

  13. 2 Nefi 25:26.

  14. 2 Nefi 25:26.

  15. Dallin H. Oaks “Another Testament of Jesus Christ” (takim rreth vatrës i Universitetit “Brigam Jang”, 6 qershor 1993), f. 7, speeches.byu.edu.

  16. Dallin H. Oaks, “Witnesses of Christ”, Ensign, nëntor 1990.

  17. Rasëll M. Nelson, “Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, f. 40.

  18. Shih Diter F. Uhtdorf, “Puna Misionare: Shprehja e Asaj që Keni në Zemër”, Liahona, maj 2019, f. 17; “Përpiqem t’Jem si Jezusi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40.

  19. Mateu 5:11–12.

  20. 1 Pjetër 3:15.

  21. “Kur [shkruesit profetikë të Librit të Mormonit] shkruan dëshmitë e tyre për Mesian e premtuar, ata përmendën disa forma të emrit të tij mesatarisht në çdo 1,7 vargje. [Ata] iu referuan Jezu Krishtit, mirëfilli, me 101 emra të ndryshëm. … Kur kuptojmë se një varg zakonisht përbëhet nga një fjali, duket që nuk mundemi, me mesataren, të lexojmë te Libri i Mormonit dy fjali pa parë një formë të emrit të Krishtit” (Susan Easton Black, Finding Christ through the Book of Mormon [1987], f. 5, 15).

    “Ndërsa fjalët shlyej apo shlyerje, në cilëndo formë të tyre, shfaqen vetëm një herë në përkthimin e Mbretit Xhejms të Dhiatës së Re, ato shfaqen 35 herë në Librin e Mormonit. Si një dëshmi tjetër e Jezu Krishtit, ai hedh dritë të çmuar mbi Shlyerjen e Tij” (Russell M. Nelson, “The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35).

  22. Ata që largohen nga krishterimi në Shtetet e Bashkuara janë më të rinj. “Më shumë se tetë në dhjetë anëtarë të Silent Generation [Brezit të Heshtur] (ata që u lindën midis viteve 1928 dhe 1945) e përshkruajnë veten si të krishterë (84%), siç bëjnë tre të katërtat e Baby Boomers [Fëmijët Shpërthyes] (76%). Në kontrast të fortë, vetëm gjysma e Mijëvjeçaristëve (49%) e përshkruajnë veten si të krishterë, katër në dhjetë janë njerëzit e ‘asnjë feje’ dhe një në dhjetë Mijëvjeçaristë e përcakton veten si i besimeve jo të krishtera” (“In U.S., Decline of Christianity Continues”, pewforum.org).

  23. Gjoni 12:46.

  24. Shih Daniel 6:22.

  25. Shih Veprat e Apostujve 5:19.

  26. Shih Lluka 2:2–14.

  27. Shih Lluka 10:42–43.

  28. Shih Veprat e Apostujve 1:9–11.

  29. Shih Doktrina e Besëlidhje 13; 27:12–13; 110:11–16; Joseph Smith—Historia 1:27–54.

  30. Shih 1 Thesalonikasve 4:16–17; Doktrina e Besëlidhje 88:96–98.

  31. Mateu 10:32.