2020
Fuqia Shëruese e Jezu Krishtit
Nëntor 2020


NaN:NaN

Fuqia Shëruese e Jezu Krishtit

Kur vijmë te Jezu Krishti duke ushtruar besim tek Ai, duke u penduar dhe duke bërë e duke mbajtur besëlidhje, thyerja jonë – cilido qoftë shkaku i saj – mund të shërohet.

Që nga fillimi i këtij viti, ne jemi përballur me shumë ngjarje të papritura. Humbja e jetës dhe të ardhurave për shkak të pandemisë në mbarë botën ka ndikuar seriozisht në komunitetin dhe ekonominë globale.

Tërmetet, zjarret dhe përmbytjet në pjesë të ndryshme të botës, si dhe fatkeqësi të tjera natyrore që lidhen me motin, i kanë bërë njerëzit të ndihen të pafuqishëm, të pashpresë dhe zemërthyer, duke e pyetur veten nëse jeta e tyre do të jetë ndonjëherë njëlloj.

Më lejoni t’ju tregoj një histori vetjake rreth thyerjes.

Kur ishin të vegjël, fëmijët tanë vendosën se dëshironin të merrnin mësime pianoje. Bashkëshorti im, Rudi, dhe unë, dëshironim t’ua siguronim këtë mundësi fëmijëve tanë, por nuk kishim piano. Nuk mund ta përballonim të blinim një piano të re, kështu që Rudi filloi të kërkonte një të përdorur.

Atë vit për Krishtlindje, ai na befasoi të gjithëve me një piano, dhe përgjatë viteve, fëmijët tanë mësuan të luanin në piano.

Piano e vjetër

Kur djemtë tanë u rritën dhe u larguan nga shtëpia, pianoja e vjetër vetëm mblidhte pluhura, kështu që e shitëm. Kaluan disa vite dhe ne patëm kursyer ca para. Një ditë Rudi tha: “Mendoj se është koha të marrim një piano të re”.

E pyeta: “Pse do të marrim një piano të re, kur asnjëri prej nesh nuk luan në të?”

Ai tha: “Oh, por mund të marrim një piano që luan vetë! Duke përdorur një iPad, mund ta programosh pianon që të luajë mbi 4 000 këngë, përfshirë himne, këngë të Tabernacle Choir [Korit të Tabernakullit], të gjitha këngët e Fillores e shumë të tjera.”

Rudi është një agjent i shkëlqyer shitblerjesh.

Piano e re

Blemë një piano të re, të bukur, që luan muzikë me paraprogramim, dhe pak ditë më vonë, dy burra të mëdhenj, të fortë, e sollën në shtëpi.

U tregova se ku dëshiroja ta vija dhe u lirova rrugën.

Lëvizja e pianos

Ishte një piano e madhe, e rëndë dhe për ta futur në derë, ata ia hoqën këmbët dhe arritën ta vendosnin pianon anash mbi karrocën e dorës që kishin sjellë me vete.

Shtëpia jonë ishte e pozicionuar në një të tatëpjetë të vogël dhe për fat të keq më herët atë ditë kishte rënë dëborë, duke i lënë gjërat të lagura e të qullëta. A mund ta shihni se ku po shkon kjo histori?

Ndërkohë që burrat po e ngjitnin pianon në të tatëpjetën e vogël, ajo rrëshqiti dhe dëgjova një zhurmë përplasjeje shumë të fortë. Pianoja kishte rënë nga karroca e dorës dhe ishte përplasur aq fort në tokë sa kishte lënë një shenjë të madhe në oborr.

Thashë: “Oh, mos! A jeni mirë?”

Fatmirësisht të dy burrat ishin mirë.

Ata vështruan me shqetësim nga njëri-tjetri, pastaj panë nga unë dhe thanë: “Na vjen shumë keq. Do ta kthejmë në dyqan dhe administratori ynë do t’ju telefonojë.”

Shpejt administratori po fliste me Rudin për të organizuar dorëzimin e një pianoje të re. Rudi është dashamirës dhe fal, dhe i tha administratorit se nuk kishte problem nëse thjesht e riparonin dëmtimin dhe sillnin sërish të njëjtën piano, por administratori këmbënguli që të merrnim një të re.

Rudi iu përgjigj, duke thënë: “Nuk mund të jetë aq keq. Thjesht rregullojeni dhe silleni.”

Administratori tha: “Druri është thyer dhe kur druri thyhet, tingulli nuk mund të jetë më kurrë njësoj. Do t’ju japim një piano të re.”

Motra dhe vëllezër, a nuk jemi të gjithë ne si kjo piano, paksa e thyer, e krisur dhe e dëmtuar, me ndjesinë sikur nuk do të jemi më kurrë të njëjtët? Sidoqoftë, kur vijmë te Jezu Krishti duke ushtruar besim tek Ai, duke u penduar dhe duke bërë e duke mbajtur besëlidhje, thyerja jonë – cilido qoftë shkaku i saj – mund të shërohet. Ky proces, i cili fton fuqinë shëruese të Shpëtimtarit në jetën tonë, jo vetëm që na rikthen tek ajo që ishim më parë, por na bën më të mirë sesa kemi qenë ndonjëherë. Unë e di që nëpërmjet Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, të gjithë ne mund të ndreqemi, të bëhemi të plotë, ta përmbushim qëllimin tonë dhe të tingëllojmë bukur, ashtu si një piano krejt e re.

Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Kur halle [të mëdha] na pushtojnë, është koha që ta thellojmë besimin tonë te Perëndia, që të punojmë fort dhe t’u shërbejmë të tjerëve. Atëherë Ai do t’i shërojë zemrat tona të thyera. Ai do të na dhurojë paqe dhe ngushëllim [vetjak]. Ato dhurata të mëdha nuk do të shkatërrohen, madje as [nga] vdekj[a].”1

Jezusi tha:

“Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje.

Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse unë jam zemërbutë dhe i përulur nga zemra; dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj.

Sepse zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime është e lehtë” (Mateu 11:28–30).

Shpëtimtari Ynë, Jezu Krishti

Për ta shëruar thyerjen duke ardhur tek Ai, na nevojitet të kemi besim te Jezu Krishti. “Të kemi besim te Jezu Krishti do të thotë të mbështetemi tërësisht tek Ai – të mirëbesojmë te fuqia … dhe dashuria e Tij e pafundme. Kjo përfshin të besojmë te mësimet e Tij. Kjo do të thotë të besojmë që edhe pse ne nuk i kuptojmë të gjitha gjërat, Ai i kupton. Për shkak se Ai i ka provuar të gjitha dhembjet, vuajtjet dhe dobësitë tona, Ai di si të na ndihmojë që të ngrihemi mbi vështirësitë tona të përditshme.”2

Kur vijmë tek Ai, “ne mund të mbushemi me gëzim, paqe dhe ngushëllim. Gjithçka që është e [vështirë dhe sfiduese] në jetë mund të ndreqet me anë të Shlyerjes së Jezu Krishtit”3. Ai na ka këshilluar: “Shihni tek unë në çdo mendim; mos dyshoni, mos kini frikë” (Doktrina e Besëlidhje 6:36).

Në Librin e Mormonit, kur Alma dhe njerëzit e tij ishin pothuajse të dërrmuar nga barrët e vendosura mbi ta, njerëzit u përgjëruan për lehtësim. Zoti nuk ua hoqi barrët; në vend të kësaj, Ai u premtoi atyre:

“Dhe unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrat që ju janë vënë mbi shpatulla, që ju të mos i ndjeni në shpinat tuaja, madje ndërsa jeni në robëri; dhe këtë do ta bëj që ju të qëndroni si dëshmitarë për mua në të ardhmen dhe që ju të dini me siguri se unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre.

Dhe tani ndodhi që barrat që iu vunë Almës dhe vëllezërve të tij u lehtësuan; po, Zoti i forcoi ata që të mund të duronin barrat e tyre me lehtësi dhe ata iu nënshtruan me gëzim dhe me durim gjithë vullnetit të Zotit” (Mosia 24:14–15).

Rreth aftësisë së Shpëtimtarit për të shëruar dhe lehtësuar barrët, Plaku Ted R. Kelister ka dhënë mësim:

“Një nga bekimet e Shlyerjes është që ne mund të marrim nga fuqitë ndihmuese të Shpëtimtarit. Isaia foli vazhdimisht për ndikimin shërues, qetësues të Zotit. Ai dëshmoi se Shpëtimtari ishte ‘një kështjellë për të mjerin në fatkeqësinë e tij, një strehë kundër stuhisë, një hije kundër të nxehtit’ (Isaia 25:4). Për sa u përket atyre që pikëllohen, Isaia shpalli se Shpëtimtari zotëronte fuqinë për të ‘ngushëlluar tërë ata që pikëllohen’ (Isaia 61:2) dhe për të ‘tha[r]ë lotët nga çdo fytyrë’ (Isaia 25:8; shih edhe Zbulesa 7:17); për të ‘ngjallur frymën e të përulurve’ (Isaia 57:15); dhe për të ‘lidh[ur] plagën e atyre që e kanë zemrën të thyer’ (Isaia 61:1; shih edhe Lluka 4:18; Psalmeve 147:3). Aq e shtrirë ishte fuqia e Tij ndihmuese sa Ai mund të shkëmbente ‘diademë[n] në vend të hirit, vajin e gëzimit në vend të zisë dhe mantelin e lavdërimit në vend të një fryme të ligështuar’ (Isaia 61:3).

Oh, çfarë shprese ngrihet mbi ato premtime! … Shpirti i Tij shëron; pastron; ngushëllon; i jep jetë të re zemrave të pashpresa. Ai ka fuqinë ta shndërrojë gjithçka që është e shëmtuar, e mbrapshtë dhe e pa vlerë në jetë, në diçka me shkëlqimin më të lartë dhe të lavdishëm. Ai ka fuqinë ta kthejë hirin e vdekshmërisë në bukuritë e përjetësisë.”4

Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë i dashur, Shëlbuesi ynë, Shëruesi Mjeshtër dhe miku ynë besnik. Nëse i drejtohemi Atij, Ai do të na shërojë dhe do të na bëjë të plotë sërish. Dëshmoj se kjo është Kisha e Tij dhe Ai po përgatitet që të kthehet edhe një herë në këtë tokë për të mbretëruar me fuqi e lavdi. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Rasëll M. Nelson, “Jezu Krishti – Mësuesi Shërues”, Liahona, nëntor 2005, f. 87; Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 118.

  2. Faith in Jesus Christ”, Gospel Topics, topics.ChurchofJesusChrist.org.

  3. Preach My Gospel: A Guide to Missionary Service, bot. i rish. (2018), f. 52, ChurchofJesusChrist.org.

  4. Tad R. Callister, The Infinite Atonement (2000), f. 206–207.