2020
Gjetja e Gëzimit në Krisht
Nëntor 2020


9:56

Gjetja e Gëzimit në Krisht

Mënyra më e sigurt për të gjetur gëzim në këtë jetë është që të bashkohemi me Krishtin për t’i ndihmuar të tjerët.

Zoti nuk u kërkon të rinjve tanë të priftërisë Aarone që të bëjnë gjithçka, por ajo që kërkon Ai është e mahnitshme.

Disa vite më parë, familja jonë e vogël kaloi atë me të cilën përballen shumë familje në këtë botë të rënë. Djali ynë më i vogël, Taner Kristian Landi, u sëmur me kancer. Ai kishte një shpirt të jashtëzakonshëm, siç priren të jenë fëmijët nëntëvjeçarë. Ai ishte i prapë e i hareshëm dhe në të njëjtën kohë, i ndërgjegjshëm shpirtërisht në një mënyrë mahnitëse. Tinëzar dhe engjëll, trazovaç dhe i mirë. Kur ishte i vogël dhe na befasonte çdo ditë me dredhitë e tij, ne pyetnim veten nëse kur të rritej do të bëhej profet ose grabitës banke. Sido të ishte, dukej sikur ai do të linte një shenjë në botë.

Më pas ai u sëmur rëndë. Gjatë tre viteve në vazhdim, mjekësia bashkëkohore përdori masa heroike, duke përfshirë dy transplante të palcës së kockave, gjatë së cilës mori pneumoninë, ç’ka kërkoi që ai të kalonte 10 javë pa ndjenja në një ventilator. Mrekullisht, ai e mori veten për një periudhë të shkurtër, por më pas kanceri iu rishfaq.

Pak kohë përpara se të ndërronte jetë, sëmundja e Tanerit i kishte zaptuar kockat e tij, madje edhe me ilaçe të forta, ai prapë kishte dhembje. Mezi çohej nga shtrati. Një mëngjes të diele, nëna e tij, Kelleni, hyri në dhomën e tij për ta kontrolluar përpara se familja të nisej për në Kishë. Ajo u befasua kur pa që ai në njëfarë mënyre ishte veshur vetë dhe ishte ulur në cep të shtratit, duke u munduar plot dhembje të mbërthente këmishën. Kelleni u ul pranë tij. “Taner”, tha ajo, “a je i sigurt që ke aq fuqi sa të shkosh në Kishë? Ndoshta duhet të qëndrosh në shtëpi e të pushosh sot.”

Ai ia nguli sytë dyshemesë. Ai ishte një dhjak. Ai kishte një kuorum. Dhe kishte një detyrë.

“Sot më duhet të shpërndaj sakramentin.”

“Epo, jam e sigurt që mund ta bëjë dikush tjetër për ty.”

“Po”, tha ai, “por … e shoh se si njerëzit më shohin kur e shpërndaj sakramentin. Mendoj se kjo i ndihmon ata.”

Kështu që Kelleni e ndihmoi atë ta mbërthente këmishën e të lidhte kravatën dhe u nisën me makinë për në Kishë. Qartazi, diçka e rëndësishme po ndodhte.

Unë erdha në Kishë nga një mbledhje e mëparshme dhe kështu që u befasova kur e pashë Tanerin të ulur në rreshtin e dhjakëve. Kelleni më tha me zë të ulët se përse ai ndodhej aty dhe se çfarë i kishte thënë: “Kjo i ndihmon njerëzit”.

Kështu pra i vështrova teksa dhjakët u afruan te tryeza e sakramentit. Ai u mbështet lehtë te një dhjak tjetër teksa priftërinjtë u kaluan tabakatë e bukës. Më pas, Taneri me ecje të plogësht shkoi në vendin e tij të caktuar dhe u kap në fund të stolit për të ruajtur ekuilibrin teksa shpërndante sakramentin.

Dukej sikur çdo shikim në godinën kishtare ishte drejtuar nga ai, i mallëngjyer nga vuajtja e tij teksa kryente detyrën e tij të thjeshtë. Në njëfarë mënyre Taneri shprehu një predikim të heshtur teksa ai lëvizte solemnisht, i plogët nga rreshti në rresht – koka e tij pa flokë, e njomur nga djersët – duke përfaqësuar Shpëtimtarin në atë mënyrë që bëjnë dhjakët. Trupi i këtij dhjaku dikur i paepur ishte paksa i mavijosur, i copëtuar dhe i dërrmuar dhe po vuante vullnetarisht për të shërbyer duke i mbartur emblemat e Shlyerjes së Shpëtimtarit në jetën tonë.

Duke parë se çfarë mendimi arriti ai të kishte rreth të qenit një dhjak na bëri edhe ne të mendonim ndryshe – rreth sakramentit, rreth Shpëtimtarit dhe rreth dhjakëve e mësuesve dhe priftërinjve.

Vras mendjen për atë mrekulli të pashprehur që e shtyu atë në atë mëngjes të përgjigjej kaq guximshëm ndaj asaj thirrjeje të qetë e të vogël për të shërbyer dhe për forcën dhe aftësitë e të gjithë të rinjve e të rejave tona në formim e sipër teksa e shtyjnë veten t’u përgjigjen thirrjes së një profeti për t’u regjistruar në batalionet e Perëndisë dhe për t’u bashkuar në veprën e shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Sa herë që një dhjak mban tabakanë e sakramentit, neve na kujtohet historia e shenjtë e Darkës së Fundit, e Gjetsemanit, e Kalvarit dhe e varrit në kopsht. Kur Shpëtimtari u tha Apostujve të Tij: “Bëni këtë në përkujtimin tim”1, Ai po i fliste gjithashtu përgjatë epokave, secilit prej nesh. Ai po fliste për mrekullinë e pafundme që Ai do të siguronte ndërsa dhjakët, mësuesit dhe priftërinjtë e ardhshëm do t’i paraqitnin emblemat e Tij dhe do t’i ftonin fëmijët e Tij që ta pranonin dhuratën e Tij shlyese.

Të gjitha simbolet e sakramentit na drejtojnë tek ajo dhuratë. Ne kundrojmë bukën që Ai e copëtoi dikur – dhe bukën që priftërinjtë përpara nesh, me radhë, po e copëtojnë tani. Ne mendojmë për kuptimin e ujit të shenjtëruar, në atë kohë dhe tani, teksa fjalët e atyre lutjeve të sakramentit kalojnë solemnisht nga gojët e priftërinjve të rinj në zemrat tona dhe drejt qiellit, duke përtërirë besëlidhjet që na lidhin ne me vetë fuqitë e shpëtimit të Krishtit. Ne mund të mendojmë se ç’domethënie ka kur një dhjak i mbart emblemat e shenjta për te ne, duke qëndruar atje ku do të qëndronte Jezusi nëse Ai do të ishte aty, duke ofruar që t’i ngrejë barrët tona dhe dhembjen tonë.

Fatmirësisht, të rinjtë dhe të rejat nuk kanë përse të sëmuren për të zbuluar gëzimin dhe qëllimin në shërbimin ndaj Shpëtimtarit.

Plaku Dejvid A. Bednar ka dhënë mësim se për t’u rritur dhe bërë siç janë misionarët, ne duhet të bëjmë atë që bëjnë misionarët, dhe më pas, “rresht pas rreshti dhe parim pas parimi, … [ne] dalëngadalë mund të bëhe[m]i misionari … që Shpëtimtari pret [të bëhemi]”2.

Në mënyrë të ngjashme, nëse dëshirojmë “t’jem[i] si Jezusi”3, ne duhet të bëjmë atë që bën Jezusi, dhe me një fjali mahnitëse, Zoti shpjegon se çfarë është ajo që bën Ai: “Sepse, vër re, kjo është vepra ime dhe lavdia ime – të bëj të ndodhë pavdekësia dhe jeta e përjetshme e njeriut”4.

Misioni i Shpëtimtarit ka qenë dhe do të jetë gjithmonë t’i shërbejë Atit të Tij duke i shpëtuar fëmijët e Tij.

Dhe mënyra më e sigurt për të gjetur gëzim në këtë jetë është që të bashkohemi me Krishtin për t’i ndihmuar të tjerët.

Kjo është e vërteta e thjeshtë që frymëzoi programin Fëmijët dhe Rinia.

Të gjitha veprimtaritë e programit Fëmijët dhe Rinia dhe të gjitha mësimet e programit Fëmijët dhe Rinia kanë të bëjnë me të ndihmuarin e të rinjve dhe të rejave që të bëhen më shumë si Jezusi duke u bashkuar me Të në veprën e Tij të shpëtimit dhe të ekzaltimit.

Programi Fëmijët dhe Rinia është një mjet për të ndihmuar çdo fëmijë të Fillores dhe të ri e të re, për t’u rritur në dishepullim dhe për të fituar një largpamësi plot besim për faktin se si është lumturia. Ata mund të mësojnë të presin dhe t’i dëshirojnë fort stacionet dhe sinjalizimet përgjatë shtegut të besëlidhjeve, ku do të pagëzohen dhe konfirmohen me dhuratën e Frymës së Shenjtë dhe shpejt do t’u përkasin kuorumeve dhe klasave të Të Rejave, ku do të ndiejnë gëzimin e ndihmës ndaj të tjerëve nëpërmjet vijimësisë së veprave të shërbimit si Krishti. Ata do të vendosin synime, të mëdha e të vogla, që do të sjellin ekuilibër në jetët e tyre teksa bëhen më shumë si Shpëtimtari. Konferencat dhe revistat Për Forcën e Rinisë, Miku dhe programi kompjuterik Gospel Living [Të Jetuarit e Ungjillit], do të ndihmojnë t’i qendërzojnë ata te gjetja e gëzimit në Krisht. Ata do të presin bekimet e mbajtjes së rekomandimeve të tempullit me përdorim të kufizuar dhe të ndiejnë shpirtin e Elijas nëpërmjet ndikimit të Frymës së Shenjtë teksa rendin pas bekimeve të tempullit dhe historisë familjare. Ata do të udhërrëfehen nga bekimet patriarkale. Me kalimin e kohës, ata do ta shohin veten duke hyrë brenda në tempuj për të marrë dhurimin me fuqi dhe për të gjetur gëzim atje teksa lidhen përjetësisht, sido që të vijë, me familjet e tyre.

Kundër drejtimit të caktuar të pandemisë dhe fatkeqësisë, përmbushja e premtimit të plotë të programit të ri Fëmijët dhe Rinia është ende një punë në proces e sipër – por ka nevojë të ngutshme. Të rinjtë e të rejat tona nuk mund të presin që bota të ndreqet përpara se ata të arrijnë ta njohin Shpëtimtarin. Disa janë duke marrë vendime edhe tani që nuk do t’i merrnin po ta kuptonin identitetin e tyre të vërtetë – dhe identitetin e Tij.

Kështu që, thirrja e ngutshme nga batalionet e Perëndisë në stërvitjen vendimtare është: “Të gjithë në veprim!”

Nëna dhe etër, bijtë tuaj kanë nevojë që ju t’i përkrahni ata tani me aq dëshirë sa keni bërë ndonjëherë në të kaluarën kur kanë qenë të shqetësuar për gjëra edhe më të vogla të tilla si medaljonet dhe karficat. Nëna dhe etër, udhëheqës të priftërisë dhe udhëheqëse të Të Rejave, nëse të rinjtë e të rejat tuaja kanë vështirësi, programi Fëmijët dhe Rinia do t’i ndihmojë që t’i sjellë ata te Shpëtimtari dhe Shpëtimtari do t’u sjellë atyre paqe5.

Presidenca të kuorumeve dhe të klasave, bëni para dhe merrni vendin që ju takon në veprën e Zotit.

Peshkopë, bashkojini çelësat tuaj me çelësat e presidentëve të kuorumeve e të kuorumeve tuaja – dhe lagjet tuaja – do të ndryshojnë përgjithmonë.

Dhe ju, brezit të ri, unë ju dëshmoj, si dikush që e di, se ju jeni bijtë dhe bijat e dashura të Perëndisë dhe Ai ka një punë për t’u bërë nga ju.

Teksa rriteni në madhështinë e stacioneve tuaja, me gjithë zemrën, fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, ju do të arrini ta doni Perëndinë e t’i mbani besëlidhjet tuaja dhe të mirëbesoni te priftëria e Tij, teksa punoni për t’i bekuar të tjerët, duke filluar nga vetë shtëpitë tuaja.

Unë lutem që ju do të përpiqeni fort, me energji të dyfishuar, të denjë për këtë kohë, që të shërbeni, të ushtroni besim, të pendoheni dhe të përmirësoheni çdo ditë, që të kualifikoheni për të marrë bekimet e tempullit dhe gëzimin e përhershëm që vjen vetëm nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit. Unë lutem që ju do të përgatiteni për t’u bërë ai/ajo misionar/e i/e zellshëm/me, ai bashkëshort apo bashkëshorte besnike, ai atë apo nënë e dashur, që ju është premtuar se do të bëheni përfundimisht, duke qenë një dishepull i vërtetë i Jezu Krishtit.

Ndihmofshi për ta përgatitur botën për kthimin e Shpëtimtarit duke i ftuar të gjithë që të vijnë te Krishti dhe të marrin bekimet e Shlyerjes së Tij! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Lluka 22:19.

  2. Dejvid A. Bednar, “Të Bëhesh Misionar”, Liahona, nëntor 2005, f. 46, [në anglisht], Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 64.

  3. “Përpiqem t’jem si Jezusi; N’udhët e Tij po e ndjek. Përpiqem t’dua si Ai desh’, në gjithçka që bëj e them” (“Përpiqem t’Jem si Jezusi”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41).

  4. Moisiu 1:39.

  5. Personalisht shpreh vlerësim për prindërit dhe udhëheqësit e përkushtuar gjatë gjithë historisë sonë, të cilët kanë ndihmuar kaq trimërisht të rinjtë e të rejat që të përjetojnë rritje. Unë pohoj se përpjekja e re Fëmijët dhe Rinia erdhi në saje të çdo veprimtarie dhe programi arritjeje që e parapriu atë.