Konferenca e Përgjithshme
Ushqejini Rrënjët dhe Degët do të Rriten
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


14:32

Ushqejini Rrënjët dhe Degët do të Rriten

Degët e dëshmisë suaj do të marrin forcë ngaqë ju do ta thelloni besimin tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur.

Një Godinë e Vjetër Kishtare në Cvikau

Viti 2024 është një lloj viti historik për mua. Ai shënon 75 vjet që kur u pagëzova dhe u konfirmova anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme në Cvikau të Gjermanisë.

Anëtarësia ime në Kishën e Jezu Krishtit është e çmuar për mua. Të llogaritem mes njerëzve të besëlidhur me Perëndinë, bashkë me ju vëllezërit dhe motrat e mia, është një nga nderimet më të mëdha të jetës sime.

Kur mendoj për rrugëtimin tim vetjak të dishepullimit, mendja më shkon shpesh pas te një vilë e vjetër në Cvikau, nga ku kam kujtime të vyera prej marrjes pjesë në mbledhjet e sakramentit të Kishës së Jezu Krishtit kur isha fëmijë. Pikërisht atje filizi i dëshmisë sime mori ushqyerjen e tij më të hershme.

Kjo godinë kishtare kishte një organo të vjetër me shtypje ajri. Çdo të diel, një i ri caktohej të shtynte lart e poshtë levën e fortë që vinte në funksionim kacekun për ta vënë në punë organon. Disa herë pata privilegjin e madh që të ndihmoja për këtë detyrë të rëndësishme.

Ndërsa bashkësia këndonte himnet tona të dashura, unë shtyja me të gjithë forcën time që organoja të mos mbetej pa ajër. Nga ndenjësja e operatorit të kacekut, kisha një pamje të madhërishme të disa dritareve të hatashme me vitrazh, njëra që paraqiste Shpëtimtarin Jezu Krisht dhe një tjetër që portretizonte Jozef Smithin në Korijen e Shenjtë.

Ende i mbaj mend ndjenjat e shenjta që pata teksa i vështroja ato dritare të ndriçuara nga dielli, ndërsa dëgjoja dëshmitë e shenjtorëve dhe këndoja himnet e Sionit.

Në atë vend të shenjtë, Shpirti i Perëndisë më dha dëshmi në mendje dhe zemër se ishte e vërtetë: Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës. Kjo është Kisha e Tij. Profeti Jozef Smith i pa Perëndinë, Atin, dhe Jezu Krishtin, si dhe ua dëgjoi zërin.

Më herët gjatë këtij viti, ndërsa isha me detyrë në Europë, pata mundësinë të kthehesha në Cvikau. Trishtueshëm, ajo godinë kishtare e vjetër dhe e dashur, nuk është më atje. E shembën shumë vjet më parë për t’i hapur vend një pallati të madh.

Çfarë Është e Përjetshme dhe Çfarë Nuk Është?

E pranoj se është e trishtueshme të di që kjo ndërtesë e dashur nga fëmijëria ime, tanimë është veçse një kujtim. Qe një ndërtesë e shenjtë për mua. Por qe thjesht një ndërtesë.

Në të kundërt, dëshmia shpirtërore që fitova nga Fryma e Shenjtë ato vite të kaluara, nuk është shuar. Në fakt, është bërë më e fortë. Gjërat që mësova në rininë time rreth parimeve themelore të ungjillit të Jezu Krishtit, kanë qenë themeli im i palëkundur gjatë gjithë jetës. Lidhja besëlidhëse që farkëtova me Atin tim Qiellor dhe Birin e Tij të Dashur, ka mbetur brenda meje, shumë kohë pasi godina kishtare në Cvikau u çmontua dhe humbën dritaret me vitrazh.

“Qielli dhe toka do të kalojnë”, – tha Jezusi, – “por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”

“Malet [do] të zhvendose[n] dhe kodrat [do] të lua[jnë] nga vendi, [por] dashuria ime nuk do të largohet prej teje as besëlidhja e paqes nuk do të hiqet, thotë Zoti.”

Një nga gjërat më të rëndësishme që mund të mësojmë në këtë jetë, është ndryshimi midis asaj që është e përjetshme dhe asaj që nuk është. Pasi ta kemi kuptuar atë, çdo gjë ndryshon: marrëdhëniet tona, zgjedhjet që bëjmë, mënyra se si i trajtojmë njerëzit.

Njohuria se çfarë është e përjetshme dhe çfarë nuk është, është kyç për të rritur një dëshmi për Jezu Krishtin dhe Kishën e Tij.

Mos i Ngatërroni Degët me Rrënjët

Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit, siç dha mësim Profeti Jozef Smith, “përqafo[n] të tërën dhe çdo pjesë të së vërtetës”. Por kjo nuk do të thotë se e gjithë e vërteta ka vlerë të njëjtë. Disa të vërteta janë në palcë, në thelb, në rrënjë të besimit tonë. Të tjerat janë shtojca, apo degë: me vlerë, por vetëm kur janë të lidhura me themelet.

Profeti Jozef Smith tha gjithashtu: “Parimet themelore të besimit tonë janë dëshmia e Apostujve dhe Profetëve në lidhje me Jezu Krishtin, që Ai vdiq, u varros, u ngrit sërish ditën e tretë dhe u ngjit në qiell; dhe gjithë gjërat e tjera që i përkasin besimit tonë janë vetëm shtojca të kësaj”.

Me fjalë të tjera, Jezu Krishti dhe flijimi i Tij shlyes janë rrënja e dëshmisë sonë. Gjithë gjërat e tjera janë degë.

Me këtë nuk po them që degët janë të parëndësishme. Një pemë ka nevojë për degët. Por ashtu si Shpëtimtari iu tha dishepujve të Tij: “[Dega] nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi”. Pa një lidhje me Shpëtimtarin, me lëndët ushqyese që gjenden te rrënjët, dega vyshket e thahet.

Kur vjen puna tek të ushqyerit e dëshmive tona për Jezu Krishtin, vras mendjen nëse nganjëherë i ngatërrojmë degët me rrënjët. Ky ishte gabimi që Jezusi vërejti te farisejtë e kohës së Tij. Ata u kushtuan kaq shumë vëmendje hollësive relativisht të vogla të ligjit, saqë përfunduan duke i shpërfillur ato që Shpëtimtari i quajti “gjërat më të rëndësishme”, parimet themelore si “[drejtësinë], mëshirën dhe besimin”.

Nëse doni të ushqeni një pemë, nuk i spërkatni degët me ujë. Ujitni rrënjët. Po kështu, nëse doni që degët e dëshmisë suaj të rriten dhe të japin fryt, ushqejini rrënjët. Nëse jeni të pasigurt rreth një doktrine, ose praktike, apo elementi të veçantë të historisë së Kishës, kërkoni qartësi me besim te Jezu Krishti. Kërkoni ta kuptoni flijimin e Tij për ju, dashurinë e Tij për ju, vullnetin e Tij për ju. Ndiqeni Atë me përulësi. Degët e dëshmisë suaj do të marrin forcë ngaqë ju do ta thelloni besimin tek Ati Qiellor dhe Biri i Tij i Dashur.

Për shembull, nëse doni një dëshmi më të fortë për Librin e Mormonit, përqendrohuni te dëshmia e tij për Jezu Krishtin. Vini re se si Libri i Mormonit dëshmon për Të, çfarë jep mësim rreth Tij dhe se si ju fton dhe ju frymëzon të vini tek Ai.

Nëse po kërkoni një përvojë më kuptimplotë në mbledhjet e Kishës apo në tempull, përpiquni ta kërkoni Shpëtimtarin në ordinancat e shenjta që marrim atje. Gjejeni Zotin në shtëpinë e Tij të shenjtë.

Nëse ndiheni ndonjëherë të rraskapitur ose të mbingarkuar nga thirrja juaj në Kishë, përpiquni ta ripërqendroni shërbimin tuaj te Jezu Krishti. Bëjeni atë një shprehje të dashurisë suaj për Të.

Ushqejini rrënjët dhe degët do të rriten. Me kalimin e kohës, do të japin fryte.

Duke Pasur Rrënjë dhe Duke u Ndërtuar në Të

Besimi i fortë te Jezu Krishti nuk ndodh sa hap e mbyll sytë. Jo, në këtë botë në vdekshmëri, janë gjembat dhe gjembaçët e dyshimit që rriten spontanisht. Pema e shëndetshme e plot fruta e besimit kërkon përpjekje të qëllimshme. Një pjesë jetësore e asaj përpjekjeje është të sigurohemi se jemi rrënjosur palëkundshëm te Krishti.

Për shembull: Në fillim, mund të na tërheqin ungjilli dhe Kisha e Shpëtimtarit sepse na kanë lënë mbresë anëtarët miqësorë ose peshkopi i sjellshëm, apo pamja e pastër e godinës kishtare. Këto rrethana sigurisht që janë të rëndësishme për ta rritur Kishën.

Megjithatë, nëse rrënjët e dëshmisë sonë nuk rriten kurrë më thellë se aq, çfarë do të ndodhë kur të zhvendosemi te një lagje kishtare që mblidhet në një ndërtesë më pak mbresëlënëse, me anëtarë që nuk janë aq miqësorë dhe peshkopi thotë diçka që na fyen?

Një shembull tjetër: A nuk duket e arsyeshme të shpresojmë që, po t’i zbatojmë urdhërimet dhe të vulosemi në tempull, do të bekohemi me një familje të madhe e të lumtur, me fëmijë të shkëlqyer e të bindur, të cilët që të gjithë qëndrojnë aktivë në Kishë, shërbejnë në misione, këndojnë në korin e lagjes dhe dalin vullnetarë për të ndihmuar të pastrohet shtëpia e mbledhjeve çdo të shtunë në mëngjes?

Sigurisht që shpresoj se ne të gjithë do ta shohim këtë në jetën tonë. Por, po sikur të mos ndodhë? A do të qëndrojmë të lidhur me Shpëtimtarin pavarësisht nga rrethanat, duke i mirëbesuar Atij dhe kohës së caktuar prej Tij?

Duhet t’i bëjmë vetes pyetjen: A bazohet dëshmia ime tek ajo që shpresoj të ndodhë në jetën time? A varet ajo nga veprimet ose qëndrimet e të tjerëve? Apo është ajo e themeluar palëkundshëm mbi Jezu Krishtin, “duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të”, pavarësisht nga rrethanat e ndryshueshme të jetës?

Traditat, Zakonet dhe Besimi

Libri i Mormonit tregon për njerëz që “ishin të rreptë në respektimin e ordinancave të Perëndisë”. Por atëherë një njeri skeptik, i quajtur Korihor, erdhi duke u tallur me ungjillin e Shpëtimtarit, duke e quajtur atë “të marrë” dhe “tradita të marra të etërve të tyre”. Korihori “nx[ori] zemrat e shumë prej tyre nga udha e drejtë, duke shkaktuar që të ngrinin kokat e tyre në ligësinë e tyre”. Por njerëz të tjerë, ai nuk mundi t’i mashtronte, sepse për ata ungjilli i Jezu Krishtit ishte shumë më tepër se një traditë.

Besimi është i fortë kur ka rrënjë të thella në përvojën vetjake, zotimin vetjak ndaj Jezu Krishtit, pavarësisht se cilat janë traditat tona ose se çfarë mund të thonë apo të bëjnë të tjerët.

Dëshmia jonë do të vihet në provë dhe sprovohet. Besimi nuk është besim nëse nuk vihet kurrë në provë. Besimi nuk është i fortë nëse nuk kundërshtohet kurrë. Prandaj mos u dëshpëroni nëse keni sprova të besimit ose pyetje pa përgjigje.

Nuk duhet të presim të kuptojmë gjithçka përpara se të veprojmë. Ai nuk është besim. Ashtu siç dha mësim Alma: “Besim nuk është që të kesh një njohuri të përsosur të gjërave”. Nëse presim të veprojmë derisa të gjitha pyetjet tona të marrin përgjigje, ne e kufizojmë rëndë të mirën që mund të përmbushim, dhe e kufizojmë fuqinë e besimit tonë.

Besimi është i bukur sepse ngulmon edhe kur bekimet nuk vijnë siç e kishim shpresuar. Ne nuk mund ta shohim të ardhmen, nuk i dimë të gjitha përgjigjet, por mund t’i mirëbesojmë Jezu Krishtit teksa vazhdojmë të shkojmë përpara dhe lart, sepse Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë.

Besimi i duron sprovat dhe pasiguritë e jetës ngaqë rrënjoset palëkundshëm te Krishti dhe doktrina e Tij. Jezu Krishti dhe Ati ynë në Qiell që e dërgoi Atë, së bashku përbëjnë objektin e vetëm, të padevijueshëm, përsosurisht të besueshëm të mirëbesimit tonë.

Dëshmia nuk është diçka që e ndërton një herë dhe qëndron në këmbë përgjithmonë. Është më shumë si një pemë që e ushqen vazhdimisht. Mbjellja e fjalës së Perëndisë në zemrën tuaj është vetëm hapi i parë. Kur dëshmia juaj fillon të rritet, atëherë nis puna e vërtetë. Atëherë është koha kur ta “ushqe[ni] me kujdes të madh, që të mund të lëshojë rrënjë, që të mund të rritet dhe t[’ju] japë frut”. Nevojitet “zell [i] madh” dhe “durim … me fjalën”. Por premtimet e Zotit janë të sigurta: “Ju do të korrni shpërblimet e besimit tuaj dhe të zellit tuaj dhe të durimit, dhe të durueshmërisë, duke pritur që pema t’ju japë frut”.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, miqtë e mi të dashur, ka një pjesë timen të cilën e merr malli për godinën e vjetër kishtare të Cvikaut dhe dritaret e saj me vitrazh. Por gjatë 75 vjetëve të shkuara, Jezu Krishti më ka udhëhequr në një rrugëtim jete që është më emocionues nga sa mund ta kisha përfytyruar ndonjëherë. Ai më ka ngushëlluar në pikëllimet e mia, më ka ndihmuar t’i dalloj dobësitë, i ka shëruar plagët e mia shpirtërore dhe më ka ushqyer në besimin tim në rritje.

Është lutja e sinqertë dhe bekimi im që ne do t’i ushqejmë vazhdimisht rrënjët e besimit tonë te Shpëtimtari, te doktrina e Tij dhe te Kisha e Tij. Për këtë unë dëshmoj në emrin e shenjtë të Shpëtimtarit tonë, Shëlbuesit tonë, Mësuesit tonë, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Viti 2024 gjithashtu shënon 30 vjet që nga thirrja ime si Autoritet i Përgjithshëm dhe 25 vjet që kur familjes sonë iu desh të shpërngulej nga Gjermania për në Shtetet e Bashkuara si rezultat i asaj thirrjeje. Thuajse saktësisht 20 vjet më parë, më 2 tetor 2004, unë u mbështeta si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe një dëshmitar i veçantë i “emrit të Krishtit në gjithë botën” (Doktrina e Besëlidhje 107:23).

  2. Në disa mënyra, ndjenjat e mia rreth asaj ndërtese janë si ajo që ndjeu populli i Almës rreth Ujërave të Mormonit: ishte një vend i bukur për ta sepse ata “erdhën atje në njohurinë e Shëlbuesit të tyre” (Mosia 18:30).

  3. Mateu 24:35; shihni edhe te Joseph Smith – Mateu 1:35.

  4. Isaia 54:10; shihni edhe tek 3 Nefi 22:10.

  5. Presidenti Tomas S. Monson dha mësim po këtë të vërtetë me këto fjalë: “Unë besoj se ndër mësimet më të mëdha që do të marrim në këtë [qëndrim të shkurtër] mbi tokë, janë mësimet që na ndihmojnë të dallojmë mes asaj që është e rëndësishme dhe asaj që nuk është. Unë [ju përgjërohem] që të mos [i] lini t’ju ikin gjërat më të rëndësishme” (“Të Gjejmë Gëzim në Udhëtim”, Liahona, nëntor 2008, f. 85). Në mënyrë të ngjashme, kur Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit na nxiti të “mendojmë çelestialisht”, ai tha: “Vdekshmëria është një shkollë mjeshtërie për të mësuar të zgjedhim gjërat me rëndësinë më të madhe në përjetësi” (“Mendoni Çelestialisht!”, Liahona, nëntor 2023, f. 117–118).

  6. Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith (2009), f. 280; shihni edhe tek Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young (1997), f. 16–18.

  7. Mësimet: Jozef Smith, f. 52.

  8. Gjoni 15:4.

  9. Matthew 23:23 [Mateu 23:23], Varianti i Ri Standard i Rishikuar [në anglisht].

  10. A është interesante t’i vëmë re ngjashmëritë arkeologjike mes kulturave të lashta amerikane dhe popujve të Librit të Mormonit? Mund të jetë. A është e dobishme të mësojmë nga rrëfimet e shkruesve dhe njerëzve të tjerë rreth hollësive se si Jozef Smithi e përktheu Librin e Mormonit? Është për disa njerëz. Por asnjëra prej këtyre nuk përbën një dëshmi të qëndrueshme se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë. Për atë, ju nevojitet ta gjeni Shpëtimtarin në Librin e Mormonit, ta dëgjoni zërin e Tij t’ju flasë. Pasi të ndodhë kjo, nuk do të ketë rëndësi për ju se ku ndodhej i vendosur aktualisht qyteti i Zarahemlës ose se çfarë pamjeje kishin Urimi dhe Thumimi. Këto janë degë që mund të krasiten nga pema juaj nëse nevojitet, por pema do të mbetet.

  11. Shihni te Doktrina e Besëlidhje 84:19–20.

  12. Shihni te Xhoi D. Xhons, “Për Të”, Liahona, nëntor 2018, f. 50–52.

  13. Shihni te Zanafilla 3:18.

  14. Presidenti Rasëll M. Nelson na ka ftuar të gjithëve: “Merrni mbi vete përgjegjësinë për dëshminë tuaj vetjake për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij. Punoni për të. Kultivojeni me qëllim që ajo të rritet” (“Mundeni Botën dhe Gjeni Prehje”, Liahona, nëntor 2022, f. 97–98).

  15. Kolosianëve 2:7.

  16. Alma 30:3.

  17. Shihni tek Alma 30:12–16, 31.

  18. Alma 30:18.

  19. Në mënyrë interesante, argumentet e Korihorit qenë tërësisht jobindëse mes lamanitëve të kthyer në besim së fundmi, të quajtur populli i Amonit (shihni tek Alma 30:19–20), të cilët nuk po e ndiqnin Krishtin për shkak të traditave të etërve të tyre.

    Në të kundërt, Libri i Mormonit flet edhe për një brez të ri që u nda nga Kisha e Zotit sepse “ata nuk besonin traditën e etërve të tyre” (shihni te Mosia 26:1–4). Është mirë që familjet të krijojnë tradita të drejta. Por është po aq e rëndësishme që familjet ta kuptojnë qartë arsyen që qëndron pas këtyre traditave. Pse lutemi çdo mëngjes e mbrëmje? Pse kemi studim familjar të shkrimeve të shenjta? Pse bëjmë mbrëmje të përjavshme të shtëpisë, veprimtari si familje dhe projekte shërbimi e kështu me radhë? Nëse fëmijët tanë e kuptojnë se si këto tradita na sjellin më pranë tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, do të ketë më shumë gjasa që ata t’i vazhdojnë ato, dhe të përmirësohen në to, në vetë familjet e tyre.

  20. Alma 32:21. Besimi është i fuqishëm jo për shkak të asaj që di, por për shkak të asaj që bën.

  21. Shihni te Hebrenjve 10:23.

  22. Alma 32:37, 41–43.