Konferenca e Përgjithshme
“Vini re, Unë Jam Drita që ju Duhet të Mbani Lart”
Konferenca e përgjithshme e tetorit 2024


13:29

“Vini re, Unë Jam Drita që ju Duhet të Mbani Lart”

Ne e mbajmë lart dritën e Zotit kur mbahemi fort pas besëlidhjeve tona dhe kur e përkrahim profetin tonë të gjallë.

Dëshmive të shumta në këtë konferencë, unë u shtoj dëshminë time apostolike se Jezu Krishti është Biri i Perëndisë, Zoti dhe Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi i të gjithë fëmijëve të Atit tonë. Me anë të Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti bëri të mundur që ne, në qoftë se jemi të denjë, të kthehemi në praninë e Atit tonë në Qiell dhe të jemi me familjet tona për përjetësinë.

Shpëtimtari nuk mungon në rrugëtimet tona në vdekshmëri. Gjatë dy ditëve të fundit e kemi dëgjuar Atë të flasë nëpërmjet udhëheqësve të Tij të zgjedhur që të mund t’i afrohemi më shumë Atij. Herë pas here, me dashurinë dhe mëshirën e Tij të kulluar, Ai na mbështet teksa përballemi me dramën e jetës. Nefi përshkruan: “Perëndia im ka qenë mbështetja ime; ai më ka nxjerrë prej vuajtjeve të mia. … Ai më ka mbushur me dashurinë e tij.”

Kjo dashuri është e dukshme kur e mbështetim njëri‑tjetrin në veprën e Tij.

Ne e mbështetim profetin tonë të gjallë në konferencën e përgjithshme dhe Presidencën e Parë, Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, Autoritetet e Përgjithshme dhe Drejtuesit e Kishës. Të mbështetim do të thotë ta mbajmë shpirtërisht lart një person tjetër, t’i kushtojmë vëmendje, të jemi besnikë ndaj mirëbesimit të tij ose të saj, të veprojmë sipas fjalëve të tij ose të saj. Ata flasin me frymëzimin e Zotit; ata i kuptojnë çështjet aktuale, rënien morale të shoqërisë dhe përpjekjet në rritje të kundërshtarit për të penguar planin e Atit. Kur e ngremë lart dorën, ne zotohemi për përkrahjen tonë, jo thjesht për atë çast, por në jetën tonë të përditshme.

Mbështetja përfshin mbajtjen shpirtërisht lart të presidentëve të kunjeve dhe peshkopëve, të udhëheqësve të kuorumeve dhe organizatave, mësuesve dhe madje drejtorëve të kampeve në lagjet dhe kunjet tona. Për sa i takon familjes, ne i mbajmë shpirtërisht lart bashkëshortet tona dhe bashkëshortët tanë, fëmijët, prindërit, rrethin familjar dhe fqinjët tanë. Kur e mbajmë shpirtërisht lart njëri‑tjetrin, ne po themi: “Jam këtu për ty, jo vetëm për të ngritur krahët dhe duart e tua kur janë të ‘var[ura] poshtë’, por për të qenë ngushëllim e forcë përkrah teje”.

Koncepti i mbajtjes shpirtërisht lart është i rrënjosur te shkrimi i shenjtë. Në ujërat e Mormonit, anëtarët e sapopagëzuar të Kishës u zotuan “të mbani[n] barrat e njëri‑tjetrit, që ato të mund të [ishin] të lehta … të ngushëlloni[n] ata që k[ishin] nevojë të ngushëllohe[shin] dhe të qëndroni[n] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”.

Nefitëve, Jezusi u tha: “Mbani lart dritën tuaj që të ndriçojë tërë botën. Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart. Ne e mbajmë lart dritën e Zotit kur mbahemi fort pas besëlidhjeve tona dhe kur e përkrahim profetin tonë të gjallë sepse ai flet fjalët e Perëndisë.

Presidenti Rasëll M. Nelson, kur po shërbente në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve, tha: “Mbështetja e profetëve nga ana jonë është një zotim vetjak se ne vërtet do të bëjmë më të mirën për t’i përkrahur përparësitë e tyre profetike”.

mbajmë lart profetin është një punë e shenjtë. Ne nuk rrimë qetësisht si soditës, por e mbrojmë në mënyrë aktive, e ndjekim këshillën e tij, i japim mësim fjalët e tij dhe lutemi për të.

Mbreti Beniamin, në Librin e Mormonit, u tha njerëzve: “Unë jam sikurse ju, mund të prekem nga të gjitha llojet e dobësive në trup dhe mendje; megjithëkëtë, unë jam zgjedhur … nga dora e Zotit … dhe jam mbajtur dhe ruajtur nga fuqia e tij e pakrahasueshme, për t’ju shërbyer juve me të gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën që Zoti më ka dhënë”.

Duke mbajtur lart duart e Moisiut.

Po kështu, në moshën 100‑vjeçare, Presidenti Nelson është mbajtur dhe ruajtur nga Zoti. Presidenti Harold B. Li, në atë kohë anëtar i Presidencës së Parë, përmendi shembullin e Moisiut që qëndroi në majë të kodrës në Refidim. “Duart e [Presidentit të Kishës] mund të lodhen”, – tha ai. “Ato mund të kenë prirje të bien nganjëherë për shkak të përgjegjësive të tij të rënda; por ndërsa ne i ngremë lart duart e tij dhe ndërsa udhëheqim nën drejtimin e tij, përkrah tij, portat e ferrit nuk do të triumfojnë kundër jush dhe kundër Izraelit.” “Siguria juaj dhe e jona varet nëse i ndjekim ose jo ata që Zoti i ka vendosur të kryesojnë mbi Kishën e Tij. Ai e di se cilin dëshiron që të kryesojë mbi këtë Kishë dhe ai nuk do të bëjë asnjë gabim.”

Presidenti Nelson përdor përvojën nga vitet e shërbimit ndaj Zotit. Pjekuria, përvoja e gjerë, urtësia dhe marrja e tij e vazhdueshme e zbulesës janë posaçërisht të përshtatura për kohën tonë. Ai ka thënë: “Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po e përgatit botën për ditën kur toka ‘do të mbushet me njohurinë e Zotit’ (Isaia 11:9). … Kjo punë është fuqizuar prej një shpalljeje hyjnore, e bërë 200 vjet më parë. Përbëhej nga vetëm tetë fjalë: ‘Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!’ (Shihni te Joseph Smith – Historia 1:17).”

Presidenti Nelson ka thënë gjithashtu: “Nuk ka pasur kurrë një kohë në historinë e botës kur njohuria për Shpëtimtarin tonë të ishte më jetike personalisht dhe më me vend për çdo shpirt njerëzor. Përfytyroni se sa shpejt do të zgjidheshin konfliktet shkatërrimtare anembanë botës – dhe ato në jetën tonë individuale – nëse të gjithë do të zgjidhnim të ndiqnim Jezu Krishtin dhe t’ua vinim veshin mësimeve të Tij.”

Vëllezër e motra, nevojitet të bëjmë më shumë ngritje shpirtërore dhe më pak mërmëritje, më tepër mbajtje lart të fjalës së Zotit, të udhëve të Tij dhe të profetit të Tij, i cili ka thënë: “Një nga sfidat tona më të mëdha sot është dallimi mes të vërtetave të Perëndisë dhe trillimeve të Satanit. Kjo është arsyeja pse Zoti na paralajmëroi të ‘lut[emi] gjithmonë, … që [ne] të mund të mposht[im] Satanin dhe … t’u shpëto[jmë] duarve të shërbëtorëve të Satanit që vërtet përkrahin veprën e tij’ [Doktrina e Besëlidhje 10:5; theksimi i shtuar].”

Ripërkushtimi i Tempullit të Mantit në Jutë.

Prillin e shkuar, Motra Rasband dhe unë patëm nderin t’i bashkoheshim profetit tonë të dashur dhe Motrës Nelson për ripërkushtimin e Tempullit të Mantit në Jutë.

Presidenti Nelson i befasoi të gjithë kur hyri në dhomë. Vetëm pak prej nesh e dinin që ai do të vinte. Në praninë e tij, e ndjeva menjëherë dritën dhe mantelin profetik që ai mbart. Pamja e gëzimit në fytyrat e njerëzve që e panë personalisht profetin, do të qëndrojë me mua përgjithmonë.

Në lutjen e ripërkushtimit, Presidenti Nelson i kërkoi Zotit që shtëpia e Tij e shenjtë në thelb t’i mbante shpirtërisht lart të gjithë ata që hynin në tempull, “që ata të mund të marrin bekime të shenjta dhe të qëndrojnë të denjë e besnikë ndaj besëlidhjeve të tyre, … që kjo të mund të jetë një shtëpi paqeje, një shtëpi ngushëllimi dhe një shtëpi e zbulesës vetjake për të gjithë ata që hyjnë përmes këtyre dyerve denjësisht”.

Të gjithë kemi nevojë të lartësohemi nga Zoti me paqe, ngushëllim dhe mbi të gjitha me zbulesë vetjake për të kundërshtuar frikën, errësirën dhe grindjen që rrethon botën.

Përpara shërbesës, ne qëndruam jashtë në diell me Presidentin dhe Motrën Nelson për të parë mjedisin e bukur. Lidhjet stërgjyshore të Presidentit Nelson me këtë zonë janë të thella. Tetë stërgjyshërit e tij u vendosën në luginat përreth tempullit, ashtu siç bënë edhe disa stërgjyshër të mitë. Stërgjyshi im, Endrju Andersoni, shërbeu në brigadën e ndërtimit të pionierëve të hershëm, të cilët punuan 11 vjet për të përfunduar Tempullin e Mantit, i treti në Malet Shkëmbore.

Ndërsa qëndronim me Presidentin Nelson, patëm mundësinë ta mbanim lart dhe ta përkrahnim profetin e Perëndisë në kremtimin e ripërkushtimit të shtëpisë së shenjtë të Zotit. Ishte një ditë që nuk do ta harroj kurrë.

“Ne ndërtojmë tempuj për të nderuar Zotin”, – tha Presidenti Nelson atë ditë të shenjtë. “Ata ndërtohen për adhurim dhe jo për shfaqje. Ne bëjmë besëlidhje të shenjta me rëndësi të përjetshme brenda këtyre mureve të shenjta.” Ne po mbledhim Izraelin.

Presidenti Nelson dhe profetët përpara tij janë kujdesur thellësisht për tempujt e shenjtë. Sot, përqark botës, kemi 350 shtëpi të shenjta të Zotit që janë në funksionim, të lajmëruara ose në ndërtim e sipër. Si profet, që nga viti 2018, Presidenti Nelson ka shpallur 168 tempuj.

“Në kohën tonë”, – ka thënë ai, – “një bashkim i plotë, tërësor dhe i përsosur i të gjitha periudhave ungjillore, çelësave dhe fuqive duhet të saldohet së bashku (shihni te Doktrina e Besëlidhje 128:18). Për këto qëllime të shenjta, tempujt e shenjtë tani e mbushin tokën. E theksoj sërish se ndërtimi i këtyre tempujve mund të mos e ndryshojë jetën tuaj, por shërbimi juaj në tempull sigurisht që do ta ndryshojë.”

“Shpëtimtari dhe mësimet e Tij janë vetë thelbi i tempullit”, – thotë Presidenti. “Çdo gjë që jepet mësim në tempull, nëpërmjet udhëzimit dhe nëpërmjet Shpirtit, e rrit kuptimin tonë për Jezu Krishtin. Ordinancat e Tij thelbësore na lidhin me Të nëpërmjet besëlidhjeve të shenjta të priftërisë. Më pas, ndërsa i mbajmë besëlidhjet tona, Ai na dhuron fuqinë e Tij shëruese, forcuese.”

“Të gjithë ata që adhurojnë në tempull”, – ka thënë Presidenti Nelson, – “do të kenë fuqinë e Perëndisë dhe engjëj të ngarkuar ‘me përgjegjësi për ta’ [Doktrina e Besëlidhje 109:22]. Sa ju shtohet siguria kur e dini se, si një grua ose burrë që e ka marrë dhurimin në tempull ose si një i ri ose e re që frekuenton tempullin, i/e armatosur me fuqinë e Perëndisë, nuk ju duhet ta përballoni jetën të vetëm? Çfarë guximi ju jep vërtet kur e dini se engjëjt realisht do t’ju ndihmojnë?”

Ideja se engjëjt shtrijnë dorën për të na mbajtur shpirtërisht lart, përshkruhet në shkrimet e shenjta kur Jezu Krishti u gjunjëzua me përulësi në Kopshtin e Gjetsemanit. Me vuajtjen e Tij, Ai siguroi një Shlyerje të pafundme. “Atje”, – thotë Presidenti Nelson, – “ndodhi vepra e vetme më e madhe e dashurisë prej të gjitha veprave të shënuara në histori. … Atje në Gjetseman, Zoti ‘vuajti dhembjen e gjithë njerëzve, që [të] gjithë … të mund të pendohen e të vijnë tek ai’ [Doktrina e Besëlidhje 18:11].”

“Largoje këtë kupë nga unë”, – kërkoi Jezu Krishti, – “megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti.”

“Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë.”

Ne kemi engjëj përreth nesh sot. Presidenti Nelson ka thënë: “[Në tempull], ju do të mësoni se si të ndani velin mes qiellit dhe tokës, si të kërkoni që engjëjt e Perëndisë t’ju ndihmojnë”.

Engjëjt sjellin dritë. Perëndia është dritë. Apostujve të Tij nefitë, Jezusi u tha: “Vini re, unë jam drita që ju duhet të mbani lart”. Teksa e mbështetim profetin tonë, ne dëshmojmë se ai është thirrur nga Shpëtimtari ynë, që është “drita … e botës”.

I dashur Presidenti Nelson, në emër të anëtarëve dhe miqve të Kishës së Zotit në mbarë botën, ndihemi të bekuar që i mbajmë lart mësimet tuaja, që e mbajmë lart shembullin tuaj të të jetuarit si Krishti dhe që e mbajmë lart dëshminë tuaj të zjarrtë për Zotin dhe Shpëtimtarin tonë, Shëlbuesin e të gjithëve ne.

Jap dëshminë time apostolike se Jezu Krishti është “drita … e botës”. Të gjithë ne, si dishepuj të Tij, e “mbajtshim lart” dritën e Tij. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.