2018
Fuqitë e Priftërisë
maj 2018


Fuqitë e Priftërisë

Lartësimi i priftërisë së shenjtë që ju mbani është jetik për punën e Zotit në familjet tuaja dhe në thirrjet tuaja në Kishë.

Vëllezërit e mi të dashur, kemi dëgjuar një shpallje zbuluese nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Kemi dëgjuar shtjellime të rëndësishme nga Plaku Kristoferson, Plaku Rasband dhe Presidenti Ajring. Ato që nuk janë thënë ende, përfshirë gjëra të tjera nga Presidenti Nelson, do të shtjellojnë atë që ju, udhëheqësit e Zotit dhe mbajtës të priftërisë, do të bëni tani në përgjegjësitë tuaja. Për të ndihmuar me këtë, unë do të rishikoj disa nga parimet themelore që e qeverisin priftërinë që ju mbani.

I. Priftëria

Priftëria Melkizedeke është autoriteti hyjnor që Perëndia e ka deleguar për të përmbushur veprën e Tij që “të bëj[ë] të ndodhë … jeta e përjetshme e njeriut” (Moisiu 1:39). Në vitin 1829, priftëria iu dha Jozef Smithit dhe Oliver Kaudërit nga Apostujt e Shpëtimtarit, Pjetri, Jakobi e Gjoni (shih DeB 27:12). Ajo është e shenjtë dhe e fuqishme përtej fuqive tona për ta përshkruar.

Çelësat e priftërisë janë fuqitë për të drejtuar ushtrimin e autoritetit të priftërisë. Pra, kur Apostujt ia dhanë Priftërinë Melkizedeke Jozefit dhe Oliverit, ata u dhanë gjithashtu çelësat për ta drejtuar ushtrimin e saj (shih DeB 27:12–13). Por jo të gjithë çelësat e priftërisë u dhanë në atë kohë. Të gjithë çelësat dhe njohuria e nevojshme për këtë “periudhë [të] plotësisë së kohëve” (DeB 128:18) janë dhënë “rresht pas rreshti” (vargu 21). Çelësa shtesë u dhanë në Tempullin e Kirtlandit shtatë vjet më vonë (shih DeB 110:11–16). Këta çelësa u dhanë për të drejtuar autoritetin e priftërisë në detyrat shtesë që u dhanë në atë kohë, të tilla si pagëzimi për të vdekurit.

Priftëria Melkizedeke nuk është një pozitë apo emërtim. Është një fuqi hyjnore që mbahet në mirëbesim, për ta përdorur në dobi të punës së Perëndisë për fëmijët e Tij. Ne duhet të kujtojmë gjithmonë se burrat që e mbajnë priftërinë nuk janë “priftëria”. Nuk është e përshtatshme që t’i referohemi si “priftëria dhe gratë”. Ne duhet t’u referohemi si “mbajtësit e priftërisë dhe gratë”.

II. Një Shërbesë Shërbimi

Tani le të marrim në shqyrtim atë që Zoti Jezu Krisht pret nga ata që e mbajnë priftërinë e Tij – mënyrën se si duhet të sjellim shpirtra tek Ai.

Presidenti Jozef F. Smith dha mësim: “Është thënë me të vërtetë se Kisha është e organizuar në mënyrë të përsosur. I vetmi shqetësim është që këto organizata nuk janë plotësisht të ndërgjegjshme për detyrimet që qëndrojnë mbi to. Kur ato të bëhen plotësisht të ndërgjegjshme për kërkesat ndaj tyre, ato do t’i përmbushin detyrat e tyre me më shumë besnikëri dhe puna e Zotit do të jetë shumë më e vendosur, më e fuqishme dhe më me ndikim në botë.”1

Presidenti Smith gjithashtu paralajmëroi:

“Titujt e nderit të dhënë nga Perëndia … që shoqërohen me disa detyra në Priftërinë e Shenjtë dhe në urdhrat e saj, nuk duhet të përdoren e as të konsiderohen si tituj të krijuar nga njeriu; ato nuk janë për zbukurim, as nuk janë shprehje e zotërimit, por janë më tepër detyra për shërbim të përulur në punën e të vetmit Mësues, të cilit ne shpallim se i shërbejmë. …

… Jemi duke punuar për shpëtimin e shpirtrave dhe duhet ta ndiejmë se kjo është detyra më e madhe që bie mbi ne. Prandaj, ne duhet të ndihemi të gatshëm që të sakrifikojmë çdo gjë, nëse është e nevojshme, për dashurinë e Perëndisë, shpëtimin e njerëzve dhe ngadhënjimin e mbretërisë së Perëndisë në tokë.”2

III. Detyrat në Priftëri

Në Kishën e Zotit, detyrat në Priftërinë Melkizedeke kanë funksione të ndryshme. Doktrina e Besëlidhje u referohet priftërinjve të lartë si [priftërinj të lartë] që “qëndrojnë si presidentë ose shërbëtorë mbi kunja të ndryshëm, të shpërndarë larg” (DeB 124:134). Ajo i përmend pleqtë si “shërbestarë që qëndrojnë me kishën [e Zotit]” (DeB 124:137). Ja mësime të tjera mbi këto funksione të veçanta.

Një prift i lartë kryeson dhe administron në gjëra shpirtërore (shih DeB 107:10,12). Gjithashtu, siç dha mësim Presidenti Jozef F. Smith: “Për aq sa ai është shuguruar si prift i lartë, [ai] duhet të ndiejë se është i detyruar … të japë një shembull përpara të moshuarve dhe të rinjve të denjë për t’u imituar dhe ta vendosë veten në një pozitë për të qenë një mësues i drejtësisë, jo vetëm me anë të parimit, por më veçanërisht me anë të shembullit – duke u dhënë më të rinjve dobinë e përvojës së moshës, dhe duke u bërë kështu individualisht një fuqi në mes të komunitetit ku ai banon.”3

Mbi detyrat e një plaku, Plaku Brus R. Mek-Konki, i Kuorumit të Të Dymbëdhjetëve, dha mësim: “Një plak është një shërbestar i Zotit Jezu Krisht. … Ai autorizohet të qëndrojë në vendin e duhur dhe në vend të Mësuesit të tij … duke u dhënë shërbesë bashkëqenieve të tij. Ai është vepruesi për Zotin”4.

Plaku Mek-Konki e kritikoi idenë se një burrë është “vetëm një plak”. “Çdo plak në Kishë mban po aq priftëri sa edhe Presidenti i Kishës …”, tha ai. “Çfarë është një plak? Ai është një bari, një bari që po shërben në vathën e Bariut të Mirë.”5

Në këtë funksion të rëndësishëm për të dhënë shërbesë në vathën e Bariut të Mirë, nuk ka dallim midis detyrave të priftit të lartë dhe plakut në Priftërinë Melkizedeke. Në të madhërishmin seksion 107 të Doktrinës e Besëlidhjeve, Zoti shpall: “Priftërinjtë e lartë sipas urdhërit të Priftërisë Melkizedeke kanë të drejtë të veprojnë në detyrat e tyre, nën drejtimin e presidencisë, në administrimin e gjërave shpirtërore dhe gjithashtu në detyrën e një plaku [ose në detyrat në Priftërinë Aarone]” (DeB 107:10; shih edhe vargu 12).

Parimi më i rëndësishëm për të gjithë mbajtësit e priftërisë është parimi i dhënë mësim nga profeti Jakob në Librin e Mormonit. Pasi ai dhe vëllai i tij, Jozefi, u shuguruan priftërinj dhe mësues të popullit, ai shpalli: “Dhe ne lartësuam detyrën tonë ndaj Zotit, duke marrë përsipër përgjegjësinë, duke u përgjigjur me kokën tonë për mëkatet e popullit, po të mos u mësonim atyre fjalën e Perëndisë me gjithë zell” (Jakobi [LiM] 1:19).

Vëllezër, përgjegjësitë tona si mbajtës të priftërisë janë çështje të rëndësishme. Organizata të tjera mund të kënaqen me standarde veprimi si të botës kur i përçojnë mesazhet e tyre dhe kryejnë funksione të tyre të tjera. Por ne që e mbajmë priftërinë e Perëndisë, kemi fuqinë hyjnore që qeveris gjithashtu hyrjen në mbretërinë çelestiale të Perëndisë. Ne kemi qëllimin dhe përgjegjësinë që Zoti e përkufizoi në parathënien e zbuluar te Doktrina e Besëlidhje. Ne duhet t’i shpallim botës:

“Që çdo njeri të mund të flasë në emër të Perëndisë, Zotit, madje Shpëtimtarit të botës;

Që besimi gjithashtu të mund të rritet në tokë;

Që besëlidhja ime e përjetshme të mund të themelohet;

Që plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës” (DeB 1:20–23).

Për ta përmbushur këtë porosi hyjnore, ne duhet të jemi besnikë në “lartësimin” e thirrjeve dhe përgjegjësive tona në priftëri (shih DeB 84:33). Presidenti Harold B. Li shpjegoi se çfarë do të thotë të lartësosh priftërinë: “Kur dikush bëhet mbajtës i priftërisë, ai bëhet një veprues për Zotin. Ai duhet ta konsiderojë thirrjen e tij sikur të ishte në punën e Zotit. Kjo është çfarë do të thotë të lartësosh priftërinë”6.

Prandaj, vëllezër, nëse Vetë Zoti do t’ju kërkonte të ndihmonit një nga bijtë ose bijat e Tij – gjë të cilën Ai e ka bërë nëpërmjet shërbëtorëve të Tij – a do ta bënit? Dhe nëse do ta bënit, a do të vepronit si vepruesi i Tij, “në punën e Zotit”, duke u mbështetur te ndihma e Tij e premtuar?

Presidenti Li dha një tjetër mësim rreth lartësimit të priftërisë: “Kur ju mbani një lupë zmadhuese mbi diçka, ajo e bën atë gjë të duket më e madhe sesa mund të shihet me sy të lirë; kjo është një lupë zmadhuese. Tani … nëse dikush e lartëson priftërinë e tij – domethënë, e bën më të madhe sesa mendoi fillimisht se ishte dhe më të rëndësishme sesa ajo që dikush mendoi se ishte – kjo është mënyra se si ju e lartësoni priftërinë tuaj”7.

Ja tek është një shembull i një mbajtësi të priftërisë që e lartësoi përgjegjësinë e tij priftërore. E dëgjova këtë nga Plaku Xhefri D. Erekson, shoqëruesi im në një konferencë kunji në Ajdaho. Si një i ri në moshë me detyrën e plakut, i martuar, tmerrësisht i varfër dhe duke mos qenë në gjendje ta mbaronte vitin e fundit të kolegjit, Xhefri vendosi ta linte shkollën dhe të pranonte një ofertë joshëse për punë. Pak ditë më vonë, presidenti i kuorumit të tij të pleqve erdhi në shtëpinë e tij. “A e kupton domethënien e çelësave të priftërisë që unë mbaj?”, e pyeti presidenti i kuroumit të pleqve. Kur Xhefri tha se e kuptonte, presidenti i tha se qëkurse dëgjoi për qëllimin e tij që ta linte kolegjin, Zoti e kishte munduar gjatë netëve pa gjumë për t’i dhënë Xhefrit këtë mesazh: “Si president i kuorumit tënd të pleqve, të këshilloj të mos e lësh shkollën. Ky është një mesazh nga Zoti për ty”. Xhefri qëndroi në shkollë. E takova atë vite më vonë kur ishte një sipërmarrës i suksesshëm dhe e dëgjova t’i thoshte një publiku mbajtësish të priftërisë: “Ajo [këshillë] solli gjithë ndryshimin në jetën time”.

Një mbajtës i priftërisë e lartësoi priftërinë dhe thirrjen e tij, dhe solli “gjithë ndryshimin” në jetën e një fëmije tjetër të Perëndisë.

IV. Priftëria në Familje

Deri tani, kam qenë duke folur për funksionet e priftërisë në Kishë. Tani do të flas për priftërinë në familje. Po e filloj me çelësat. Parimi se autoriteti i priftërisë mund të ushtrohet vetëm nën drejtimin e atij që i mban çelësat për atë funksion, është thelbësor në Kishë, por nuk gjen zbatim për ushtrimin e autoritetit të priftërisë në familje.8 Një baba që e mban priftërinë, kryeson në familjen e tij me anë të autoritetit të priftërisë që ai mban. Ai nuk ka nevojë të ketë drejtimin apo miratimin e çelësave të priftërisë me qëllim që të këshillojë pjesëtarë të familjes së tij, të mbajë mbledhje familjare, t’i japë bekime të priftërisë bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, ose t’u japë bekime shëruese pjesëtarëve të familjes apo të tjerëve.

Familje duke studiuar së bashku

Nëse etërit do ta lartësonin priftërinë e tyre në vetë familjen e tyre, kjo do ta çonte përpara misionin e Kishës po aq sa çdo gjë që tjetër që mund të bëjnë. Etërit që e mbajnë Priftërinë Melkizedeke, duhet t’i zbatojnë urdhërimet, kështu ata do të kenë fuqinë e priftërisë për t’u dhënë bekime pjesëtarëve të familjes së tyre. Etërit duhet të kultivojnë gjithashtu marrëdhënie të dashura familjare në mënyrë që pjesëtarët e familjes do të duan t’u kërkojnë etërve të tyre bekime. Dhe prindërit duhet të nxitin më shumë bekime të priftërisë në familje.

Bekimi i priftërisë

Etër, funksiononi si “partnerë të barabartë” të bashkëshorteve tuaja, ashtu siç na mëson proklamata për familjen.9 Dhe, etër, kur ta keni privilegjin për ta ushtruar fuqinë dhe ndikimin e autoritetit tuaj të priftërisë, bëjeni këtë “nëpërmjet bindjes, nëpërmjet durimit, nëpërmjet mirësjelljes e zemërbutësisë dhe nëpërmjet dashurisë së pashtirur” (DeB 121:41). Ai standard i lartë për ushtrimin e autoritetit të priftërisë është më i rëndësishmi në familje. Presidenti Harold B. Li dha këtë premtim menjëherë pasi u bë President i Kishës: “Asnjëherë nuk është fuqia e priftërisë, të cilën e mbani, më e mrekullueshme sesa kur ka një vështirësi në shtëpinë tuaj, një sëmundje të rëndë apo ndonjë vendim të madh që duhet të merret … E veshur me fuqinë e priftërisë, që është fuqia e Perëndisë së Plotfuqishëm, është fuqia për të kryer mrekulli nëse ky është vullneti i Zotit, por në mënyrë që ta përdorim atë priftëri, duhet të jemi të denjë për ta ushtruar atë. Kur nuk arrijmë ta kuptojmë këtë parim, nuk arrijmë t’i marrim bekimet e mbajtjes së asaj priftërie të madhe”10.

Vëllezërit e mi të dashur, lartësimi i priftërisë së shenjtë që mbani, është jetik për punën e Zotit në familjet tuaja dhe në thirrjet tuaja në Kishë.

Unë dëshmoj për Atë, priftëria e të cilit është kjo. Nëpërmjet vuajtjes dhe flijimit të Tij shlyes dhe ringjalljes së Tij, të gjithë burrat e gratë kanë sigurinë e pavdekësisë dhe mundësinë për jetë të përjetshme. Secili prej nesh duhet të jetë besnik dhe i zellshëm në bërjen e pjesës sonë në këtë vepër madhështore të Perëndisë, Atit tonë të Amshuar, në emrin e Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith (1998), f. 343.

  2. Teachings: Joseph F. Smith, f. 340, 343.

  3. Joseph F. Smith, Gospel Doctrine, bot. 5-të (1939), f. 182.

  4. Bruce R. McConkie, “Only an Elder”, Ensign, qershor 1975, f. 66; theksimi në origjinal nuk është ruajtur.

  5. Bruce R. McConkie, “Only an Elder”, f. 66; theksimi në origjinal nuk është ruajtur.

  6. Teachings of Presidents of the Church: Harold B. Lee (2000), f. 93.

  7. Teachings of Harold B. Lee, red. Clyde J. Williams (1996), f. 499.

  8. Shih Dallin H. Oaks, “Autoriteti i Priftërisë në Familje dhe në Kishë”, Liahona, nëntor 2005, f. 24–27 [Konferenca e Përgjithshme, tetor 2005, f. 35–39].

  9. Shih “Familja: Një Proklamatë drejtuar Botës”, Liahona, maj 2017, f. 145.

  10. Teachings: Harold B. Lee, f. 97.