2018
Plaku Matias Held
maj 2018


Plaku Matias Held

Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë

Plaku Matias Held

Plaku Matias Held dhe bashkëshortja e tij, Irena, me vend mund të quhen mishërime të Kishës mbarëbotërore. Ata janë kolumbianë me origjinë gjermane. Punët dhe shkollimi i kanë çuar nga atdheu i tyre në Amerikën Latine drejt Kanadasë, Gjermanisë, Guatemalës e Brazilit dhe më së fundi përsëri në Kolumbi. Në çdo vend, ata iu përshtatën gjuhëve dhe kulturave të reja.

“Por Kisha ishte saktësisht e njëjtë kudo ku shkuam”, tha Plaku Held, i cili u mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 31 mars 2018.

Ajo “njëtrajtshmëri” shpirtërore krijoi themelin për çiftin teksa i rritnin tre fëmijët e tyre dhe forcoheshin në ungjill.

Ata ishin shokë klase në një shkollë në gjuhën gjermane në qytetin e tyre të lindjes në Bogota të Kolumbisë. U vulosën më 13 qershor 1989 në Tempullin e Frankfurtit në Gjermani, pasi Matiasi mori një diplomë universitare për inxhinieri mekanike në Bogota dhe një diplomë pasuniversitare për administrim biznesi në Kanada.

Mundësitë për punë më pas e çuan çiftin e ri në Hanover të Gjermanisë ku Motra Held mori një mbresë të fuqishme që jeta e tyre ishte gati për të ndryshuar.

“I thashë Matiasit se pata një ndjenjë që do të merrnim një lajm nga qielli”, tha ajo. Ai lajm qiellor mbërriti në një pasdite me shi të vitit 1987 me një trokitje në derën e hyrjes. Jashtë po qëndronin misionarë mormonë që flisnin gjermanisht me theks amerikan.

Gjatë 10 muajve të ardhshëm, çifti Held studioi me misionarët dhe bëri miq në bashkësinë vendore shdm. Pas shumë lutjeje, ata morën pohimin shpirtëror të vërtetësisë së ungjillit dhe u pagëzuan në vitin 1988.

Plaku Held punoi për më shumë se 25 vjet për prodhuesin e makinave Daimler‑Benz, ku detyrat e tij si administrator e çuan anembanë botës. Çifti Held është mbështetur te Zoti në çdo vendndalesë.

“Nuk ka rëndësi se përmes çfarë sprovash po kalon”, tha ai. “Në qoftë se po komunikon me qiellin, do të jesh në rregull.”

I lindur më 5 qershor 1960 nga Mikael dhe Elizabet Heldi, Plaku Held ka shërbyer si këshilltar në një presidencë kunji, këshilltar në peshkopatë dhe I Shtatëdhjetë Zonal në Zonën Veriperëndimore të Amerikës Jugore.