Plaku Zhozé A. Teisheira
Presidenca e Të Shtatëdhjetëve
Plaku Zhozé A. Teisheira sjell ndërmend një mësim që e mori kur ishte djalë i vogël në Portugali. Gjatë një takimi të familjeve të të afërmve të tij, ai u largua fshehurazi që të shkonte për peshkim. Pati ndjenjën që duhej t’u thoshte prindërve të tij se ku po shkonte, por vendosi të mos u thoshte se ishin të zënë duke biseduar.
Orë më vonë, prindërit e tij të shqetësuar e gjetën në buzë të lumit. Nga ajo përvojë mësoi t’u bindej jo vetëm prindërve të vet, por edhe pëshpëritjeve të Frymës së Shenjtë.
Që nga ajo kohë, Plaku Teisheira e ka bërë zakon t’ia vërë veshin zërit të qetë, të ulët. Ai dhe familja e tij u njohën me ungjillin në vitin 1976, pasi Portugalia u hap si vend për punën misionare. Ai u pagëzua në moshën 16‑vjeçare dhe më vonë shërbeu si misionar në Misionin e Portugalisë, Lisbonë.
“Zgjedhjet tona kanë fuqi të pamohueshme në ndryshimin e jetës sonë”, tha Plaku Teisheira, i mbështetur si anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve më 31 mars 2018. “Kjo dhuratë është një shenjë e jashtëzakonshme e mirëbesimit te ne dhe njëkohësisht një përgjegjësi e gëzueshme vetjake për të shërbyer me urtësi”, dha mësim ai në konferencën e përgjithshme të prillit 2009.
Plaku Teisheira mori diploma universitare për financë e administrim biznesi dhe punoi për Kishën si kontrollor ndërkombëtar. Ai gjithashtu shërbeu në Forcën Ajrore Portugeze si pjesë e një njësie të NATO‑s. Gjatë asaj kohe, ai u thirr si drejtori kombëtar i çështjeve publike për Kishën. Shpejt pas kësaj ai u takua me bashkëshorten e tij, Maria Filomena Lopes Teles Grilon. Ata u martuan në vitin 1984 në Tempullin e Bernës në Zvicër dhe janë prindër të tre fëmijëve.
Zhozé Augusto Teisheira da Silva lindi në Vila Real, Portugali, më 24 shkurt 1961. Ai ka shërbyer si këshilltar në peshkopatë, president distrikti, president kunji, I Shtatëdhjetë Zonal dhe president i Misionit të Brazilit, San‑Paolo Jugore. U mbështet si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 5 prill 2008. Ai shërben tani si President i Zonës Jugore të Amerikës së Jugut dhe do ta fillojë shërbimin e tij në Presidencën e Të Shtatëdhjetëve më 1 gusht 2018.
Mbi të gjitha, Plaku Teisheira na këshilloi në konferencën e përgjithshme të prillit 2015 që ta “thellojmë kuptueshmërinë tonë për Shpëtimtarin. … Të mos e lëmë për nesër atë që mund ta bëjmë sot. Është tani që ne duhet të vijmë te Krishti.”