Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta
Duhet të kujtojmë se në përgjithësi dhe gjatë një periudhe të rëndësishme kohore, gjëra në dukje të vogla bëjnë të ndodhin gjëra të mëdha.
I.
Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ashtu si ju, unë jam prekur, lartësuar e frymëzuar thellësisht nga mesazhet, muzika dhe ndjenjat e kësaj kohe së bashku. Jam i sigurt se flas në emrin tuaj kur i shpreh falënderime vëllezërve dhe motrave, të cilët, si mjete në duart e Zotit, na kanë dhënë ndikimin forcues të kësaj kohe së bashku.
Jam mirënjohës që i flas këtij publiku në të dielën e Pashkës. Sot ne u bashkohemi të krishterëve të tjerë për të kremtuar Ringjalljen e Zotit Jezu Krisht. Për anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, Ringjallja e mirëfilltë e Jezu Krishtit është një shtyllë e besimit tonë.
Për shkak se i besojmë rrëfimet, si në Bibël ashtu edhe në Librin e Mormonit rreth Ringjalljes së mirëfilltë të Jezu Krishtit, ne gjithashtu i besojmë mësimet e shumta të shkrimeve të shenjta se një ringjallje e ngjashme do t’u ndodhë të gjithë të vdekshmëve që kanë jetuar ndonjëherë mbi këtë tokë. Ajo ringjallje na jep atë që Apostulli Pjetër e quajti “një shpresë të gjallë” (1 Pjetër 1:3). Ajo shpresë e gjallë është bindja jonë se vdekja nuk është fundi i identitetit tonë, por thjesht një hap i nevojshëm në planin e mëshirshëm të Atit tonë Qiellor për shpëtimin e fëmijëve të Tij. Ai plan kërkon një kalim nga vdekshmëria në pavdekësi. Thelbësor për atë kalim është perëndimi i vdekjes dhe mëngjesi i lavdishëm, i mundësuar nga Ringjallja e Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, që ne e kremtojmë këtë të diel Pashke.
II.
Një një himn madhështor, fjalët e të cilit u shkruan nga Eliza R. Snou, ne këndojmë:
Sa i madh, i lavdishëm, i mir’,
Ësht’ plan’ i shëlbimit,
Ku drejt’si, dashuri, mëshir’
Takohen n’harmoni!1
Për ta çuar më tej atë plan dhe harmoni hyjnore, ne mblidhemi në kuvende, përfshirë këtë konferencë, për ta mësuar dhe për ta nxitur njëri-tjetrin.
Këtë mëngjes e kam ndier që të përdor si tekstin tim, mësimdhënien e Almës drejtuar birit të tij, Helamanit, të shënuar në Librin e Mormonit: “Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen” (Alma 37:6).
Në ungjillin e Jezu Krishtit neve na mësohen shumë gjëra të vogla dhe të thjeshta. Duhet të kujtojmë se në përgjithësi dhe gjatë një periudhe të rëndësishme kohore, këto gjëra në dukje të vogla bëjnë të ndodhin gjëra të mëdha. Ka pasur shumë biseda mbi këtë temë nga Autoritetet e Përgjithshme dhe nga mësues të tjerë të respektuar. Tema është kaq e rëndësishme sa kam ndjesinë që të flas sërish për të.
U kujtova për fuqinë që gjërat e vogla dhe të thjeshta kanë me kalimin e kohës nga diçka që e pashë në një shëtitje në mëngjes. Kjo është fotografia që bëra. Trotuari i trashë dhe i fortë prej betoni po plasaritet. A është kjo rrjedhojë e disa goditjeve të mëdha dhe të fuqishme? Jo, kjo plasaritje shkaktohet nga rritja e ngadaltë dhe e vogël e njërës prej rrënjëve që shtrihen nga pema aty pranë. Këtu është një shembull i ngjashëm që e pashë në një rrugë tjetër.
Fuqia goditëse që i plasariti këto trotuare betoni të rëndë, ishte shumë e vogël për t’u matur çdo ditë apo edhe çdo muaj, por efekti i saj me kalimin e kohës ishte jashtëzakonisht i fuqishëm.
Kështu është efekti i fuqishëm që kanë me kalimin e kohës gjërat e vogla dhe të thjeshta, të cilat na mësohen në shkrimet e shenjta dhe nga profetët e gjallë. Merreni parasysh studimin e shkrimit të shenjtë që na është mësuar ta përfshijmë në jetën tonë të përditshme. Ose merrini parasysh lutjet vetjake dhe lutjet e gjunjëzuara familjare që janë praktika të rregullta për shenjtorët besnikë të ditëve të mëvonshme. Merreni parasysh pjesëmarrjen në seminar për rininë ose klasat e institutit për të rinjtë në moshë madhore. Edhe pse secila prej këtyre praktikave mund të duket e vogël dhe e thjeshtë, me kalimin e kohës ato rezultojnë në një lartësim dhe rritje të fuqishme shpirtërore. Kjo ndodh ngaqë secila prej këtyre gjërave të vogla dhe të thjeshta e fton shoqërimin e Frymës së Shenjtë, të Dëshmitarit, i cili na ndriçon dhe na udhërrëfen drejt së vërtetës, ashtu siç ka shpjeguar Presidenti Ajring.
Një burim tjetër i lartësimit dhe rritjes shpirtërore është një praktikë e vazhdueshme e pendimit, edhe për shkelje në dukje të vogla. Vetëvlerësimet tona të frymëzuara mund të na ndihmojnë që të shohim se si kemi dështuar dhe se si mund të përmirësohemi. Një pendim i tillë duhet të paraprijë marrjen e përjavshme të sakramentit nga ana jonë. Disa tema që mund të merren parasysh në këtë proces pendimi sugjerohen në himnin “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?”
A kam bër’ sot në bot’ un’ ndonjë të mir’?
Kam ndihmuar dikë në nevoj’?
A e bëra t’pik’lluarin të ndjehet mir’?
N’se jo, un’ vërtet dështoj.
A ësht’ m’e leht’ sot barra e dikujt,
Se të ndaj’ dëshir’ un’ kisha?
A ndihmova të lodhur edhe të sëmur’?
Kur ndihm’ iu duhej pran’ a isha?2
Sigurisht këto janë gjëra të vogla, por me siguri janë shembuj të mirë të asaj që Alma i mësoi birit të tij, Helamanit: “Dhe Zoti Perëndi vepron me anë të mjeteve, që të realizojë qëllimet e tij të mëdha dhe të përjetshme; dhe me mjete fare të vogla Zoti … realizon shpëtimin e shumë shpirtrave” (Alma 37:7).
Presidenti Stiven C. Uillrajt, në një pritje në Universitetin “Brigam Jang – Havai”, dha këtë përshkrim të frymëzuar të mësimdhënies së Almës: “Alma pohon për djalin e tij se vërtet modeli që Zoti ndjek kur ne ushtrojmë besim tek Ai dhe e ndjekim këshillën e tij në gjëra të vogla dhe të thjeshta, është se Ai na bekon me mrekulli të vogla, të përditshme dhe, me kalimin e kohës, me vepra të mrekullueshme”3.
Presidenti Hauard W. Hanter dha mësim se “shpesh janë detyrat e zakonshme … të cilat kanë ndikimin më të madh pozitiv në jetën e të tjerëve, krahasuar me gjërat që bota aq shpesh i lidh me madhështinë”4.
Një mësim bindës, laik i po këtij parimi vjen nga ish-senatori Den Kouts nga Indiana, i cili shkroi: “E vetmja përgatitje për atë vendim të madh që mund ta ndryshojë një jetë, apo madje një komb, janë ato qindra e mijëra vendime gjysmë të vetëdijshme, vetë-përcaktuese, në dukje të parëndësishme, të bëra në mënyrë personale”5.
Ato vendime personale, “në dukje të parëndësishme”, përfshijnë mënyrën se si e përdorim kohën tonë, atë që shohim në televizor dhe internet, atë që lexojmë, artin dhe muzikën me të cilat e rrethojmë veten në punë e në shtëpi, atë që kërkojmë për argëtim dhe mënyrën se si e vëmë në jetë zotimin tonë për të qenë të ndershëm e të vërtetë. Një tjetër gjë e vogël dhe e thjeshtë në dukje është të qenit të sjellshëm dhe të gëzuar në ndërveprimet tona vetjake.
Asnjë nga këto gjëra të dëshirueshme, të vogla dhe të thjeshta nuk do të na lartësojnë në gjëra të mëdha nëse nuk praktikohen në mënyrë të qëndrueshme e të vazhdueshme. Presidenti Brigam Jang u raportua të ketë thënë: “Jeta jonë përbëhet nga rrethana të vogla, të thjeshta që, kur mblidhen së bashku, janë shumë të rëndësishme, dhe përbëjnë tërë jetën e burrit ose të gruas”6.
Ne jemi të rrethuar nga ndikime të medias dhe përkeqësime kulturore që do të na bëjnë t’i ulim vlerat tona nëse nuk u bëjmë ballë vazhdimisht. Për të shkuar lart drejt synimit tonë të përjetshëm, ne duhet që të vozitim vazhdimisht. Ndihmon në qoftë se jemi pjesë e një skuadre që vozit së bashku, si një ekuipazh në veprim. Për ta çuar atë shembull edhe më tej, rrymat kulturore janë aq të forta saqë nëse ndalojmë së vozituri, ne do të çohemi poshtë drejt një vendmbërritjeje që nuk e kërkojmë, por që bëhet e pashmangshme nëse nuk përpiqemi vazhdimisht për të ecur përpara.
Pasi tregoi për një ngjarje të vogël në dukje që pati pasoja të mëdha, Nefi shkroi: “Dhe kështu ne shikojmë se nëpërmjet mjeteve të vogla, Zoti mund të shkaktojë gjëra të mëdha” (1 Nefi 16:29). Dhiata e Vjetër përmban një shembull të paharrueshëm të kësaj. Atje ne lexojmë se si izraelitët u munduan nga gjarpërinjtë flakërues. Shumë njerëz vdiqën nga pickimet e tyre (shih Numrat 21:6) Kur Moisiu u lut për ndihmë, ai u frymëzua që të bënte “një gjarpër prej bronzi dhe e vuri mbi një shtizë”. Më pas, “nëse një gjarpër kafshonte dikë, në rast se ky shikonte gjarprin prej bronzi, ai vazhdonte të jetonte” (vargu 9). Një gjë kaq e vogël për një rezultat kaq mrekullibërës! Megjithatë, ashtu siç e shpjegoi [edhe] Nefi kur ua mësoi këtë shembull atyre që po ngrinin krye ndaj Zotit, madje edhe kur Zoti kishte përgatitur një mënyrë të thjeshtë me anë të së cilës të mund të shëroheshin, “për shkak të thjeshtësisë së udhës ose lehtësisë së saj, kishte shumë që mbaruan” (1 Nefi 17:41).
Ai shembull dhe ai mësim na kujtojnë se thjeshtësia e udhës ose lehtësia e detyrës së urdhëruar nuk nënkuptojnë se është e parëndësishme që ta arrijmë dëshirën tonë të drejtë.
Në mënyrë të ngjashme, edhe veprime të vogla të mosbindjes ose dështime të vogla për të ndjekur praktika të drejta, mund të na tërheqin drejt një rezultati që jemi paralajmëruar ta shmangim. Fjala e Urtësisë jep një shembull të kësaj. Ka mundësi që efekti në trup i një cigareje ose pijeje alkoolike të vetme apo i një doze të një droge tjetër mund të mos matet. Por me kalimin e kohës, efekti është i fuqishëm dhe mund të jetë i pakthyeshëm. Mos harroni plasaritjen e trotuarit nga zgjerimet e vogla, të ngadalshme të rrënjës së pemës. Një gjë është e sigurt, pasojat e tmerrshme të marrjes së çdo gjëje që mund të krijojë varësi, si drogat që e sulmojnë trupin tonë apo materialet pornografike që i zvetënojnë mendimet tona, janë krejtësisht të shmangshme nëse nuk i provojmë kurrë ato për herë të parë – madje as edhe një herë.
Shumë vite më parë, Presidenti M. Rasëll Ballard u përshkroi dëgjuesve në konferencën e përgjithshme “se si gjëra të vogla dhe të thjeshta mund të jenë negative dhe shkatërruese për shpëtimin e një personi”. Ai dha mësim: “Ashtu si fibrat e dobëta që formojnë një fill, pastaj një spango dhe më së fundi një litar, këto gjëra të vogla, të ndërthurura së bashku, mund të bëhen shumë të forta për t’u copëtuar. Ne duhet të jemi përherë të vetëdijshëm për fuqinë që gjërat e vogla dhe të thjeshta mund të kenë në ndërtimin e shpirtmërisë”, tha ai. “Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të vetëdijshëm se Satani do të përdorë gjëra të vogla dhe të thjeshta për të na udhëhequr në dëshpërim e mjerim.”7
Presidenti Uillrajt i dha një paralajmërim të ngjashëm publikut të tij në UBJ – Havai: “Është në mosbërjen e gjërave të vogla dhe të thjeshta që besimi lëkundet, mrekullitë ndalojnë dhe përparimi drejt Zotit dhe mbretërisë së Tij vihet fillimisht në pritje dhe pastaj fillon të përkeqësohet teksa të kërkuarit për mbretërinë e Perëndisë zëvendësohet me përpjekje tokësore dhe ambicie të kësaj bote”8.
Për t’u mbrojtur ndaj efekteve negative të ndërthurura që janë shkatërruese për përparimin tonë shpirtëror, ne kemi nevojë të ndjekim modelin shpirtëror të gjërave të vogla dhe të thjeshta. Plaku Dejvid A. Bednar e përshkroi këtë parim në një Konferencë për Gratë në UBJ: “Ne mund të mësojmë shumë për natyrën dhe rëndësinë e këtij modeli shpirtëror nga teknika e … derdhjes së ujit në tokë me ritme shumë të ngadalta”, në dallim nga vërshimi ose spërkatja e sasive të mëdha të ujit atje ku mund të mos jetë e nevojshme.
Ai shpjegoi: “Pikat e vazhdueshme të ujit zhyten thellë në tokë dhe sigurojnë një nivel të lartë lagështie në tokë në të cilën bimët mund të lulëzojnë. Në të njëjtën mënyrë, nëse unë dhe ju jemi të përqendruar dhe të shpeshtë në marrjen e pikave të qëndrueshme të ushqimit shpirtëror, atëherë rrënjët e ungjillit mund të zhyten thellë në shpirtin tonë, mund të bëhen të vendosura e të ngulitura fort dhe mund të prodhojnë fryte të jashtëzakonshme e të shijshme.”
Duke vazhduar, ai tha: “Modeli shpirtëror i gjërave të vogla dhe të thjeshta që sjellin gjëra të mëdha, prodhon qëndrueshmëri dhe vendosmëri, përkushtim që thellohet dhe kthim më të plotë në besim në Zotin Jezu Krisht dhe në ungjillin e Tij.”9
Profeti Jozef Smith e dha mësim këtë parim me fjalë që tani përfshihen te Doktrina e Besëlidhje: “Askush të mos i numërojë ato gjëra si të vogla; sepse ka shumë … lidhur me shenjtorët, që vare[n] nga këto gjëra” (DeB 123:15).
Lidhur me përpjekjet më të hershme për ta ngritur Kishën në Misuri, Zoti këshilloi durim pasi të “gjitha gjërat duhet të ndodhin në kohën e tyre” (DeB 64:32). Më pas Ai dha këtë mësim të madhërishëm: “Prandaj, mos u lodhni së bëri mirë, sepse ju po ngrini themelin e një vepre të madhe. Dhe nga gjëra të vogla vjen ajo që është e madhe” (DeB 64:33).
Unë besoj se të gjithë ne dëshirojmë ta ndjekim sfidën e Presidentit Rasëll M. Nelson për të ecur përpara “në rrugën e besëlidhjes”10. Angazhimi ynë për ta bërë këtë forcohet nga ndjekja vazhdimisht e “gjëra[ve të] vogla” që na janë mësuar nga ungjilli i Jezu Krishtit dhe udhëheqësit e Kishës së Tij. Unë dëshmoj për Të dhe i kërkoj bekimet e Tij për të gjithë ata që përpiqen të vazhdojnë në shtegun e Tij të besëlidhjeve, në emrin e Jezu Krishtit, amen.