2018
Plaku Ulises Soares
maj 2018


Plaku Ulises Soares

Kuorumi i Dymbëdhjetë Apostujve

Plaku Ulises Soares

Profetët e gjallë, përfshirë Presidentin Rasëll M. Nelson, janë shenjë e dashurisë së Perëndisë për fëmijët e Tij, dëshmoi Plaku Ulises Soares gjatë bisedës së tij të parë në konferencën e përgjithshme si anëtar i Kuorumit të Dymbëdhjetëve Apostujve.

“A nuk është bekim të kemi profetë, shikues dhe zbulues në tokë në këto ditë në të cilat jetojmë, të cilët kërkojnë të dinë vullnetin e Zotit dhe ta ndjekin atë vullnet? Është ngushëlluese të dimë se nuk jemi vetëm në botë, pavarësisht nga sfidat me të cilat përballemi në jetë.”

Edhe pse u ndje i papërshtatshëm për thirrjen e tij si Apostull, tha Plaku Soares, “fjalët e [Presidentit Nelson] dhe vështrimi i dhembshur në sytë e tij, teksa ma drejtoi këtë përgjegjësi, më bënë të ndihem i përqafuar nga dashuria e Shpëtimtarit”.

Me mbështetjen e tij më 31 mars 2018, Plaku Soares u bë Apostulli i parë i Kishës nga Amerika Latine. Përpara thirrjes së tij, ai kishte qenë anëtar i Presidencës së Të Shtatëdhjetëve që nga 6 janari 2013 dhe po shërbente në një detyrë të veçantë për Peshkopatën Kryesuese në Solt‑Lejk‑Siti.

Plaku Soares u thirr si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë më 2 prill 2005. Në këtë detyrë, ai shërbeu si këshilltar në Zonat e Afrikës Juglindore dhe të Brazilit të Jugut, si edhe si President i Zonës së Brazilit.

Plaku Soares ka shërbyer në shumë thirrje të tjera të Kishës. Ai ka qenë misionar kohëplotë në Misionin e Brazilit, Rio‑de‑Zhanejro, president i kuorumit të pleqve, këshilltar në peshkopatë, këshilltar i lartë, sekretar ekzekutiv i kunjit, veprues krahinor për mirëqenien, president kunji dhe president i Misionit të Portugalisë, Lisbonë nga viti 2000 deri në 2003.

Një nga thirrjet e tij më të rëndësishme i erdhi në moshën 15‑vjeçare kur peshkopi i tij i kërkoi që përkohësisht të jepte mësim në një klasë të Shkollës të së Dielës për rininë. Në përgatitje për një mësim se si të marrim dëshmi, djaloshi Ulises vendosi të lutej për pohim të vërtetësisë së ungjillit.

“Kur rashë në gjunjë dhe e pyeta Zotin a është i vërtetë ungjilli”, solli ndërmend ai, “më erdhi në zemër një ndjenjë shumë e ëmbël, një zë i ulët që më vërtetoi se unë duhej të vazhdoja në të. Ishte kaq e fortë sa nuk mundesha kurrë të thosha se nuk e dija.”

Në vitin 1985 ai mori diplomën universitare për kontabilitet dhe ekonomik në Shkollën e Shkencave Ekonomike të Universitetit Katolik Pontifikal të San‑Paolos. Pas marrjes së diplomës pasuniversitare për administrim biznesi, ai punoi si financier dhe kontrollor financiar për korporata ndërkombëtare në Brazil dhe si drejtor për çështjet materiale në zyrën zonale të Kishës në San‑Paolo.

Ulises Soares u lind në San‑Paolo të Brazilit më 2 tetor 1958. Ai u martua me Rosana Fernandesin në tetor 1982. Në bisedën e tij në konferencën e përgjithshme, Plaku Soares i dha merita bashkëshortes së tij për dashurinë dhe përkrahjen e saj.

“Ajo ka qenë shembull i mirësisë, dashurisë dhe përkushtimit tërësor ndaj Zotit për mua dhe familjen time”, përfshirë tre fëmijët e çiftit dhe tre nipër e mbesa, tha ai në bisedën e tij në konferencë. “E dua atë me çdo grimë të zemrës sime dhe jam mirënjohës për ndikimin pozitiv që ajo ka pasur mbi ne.”