Dhënia e Shërbesës
Ne do të vëmë në zbatim një qasje më të re, më të shenjtë ndaj përkujdesjes dhe dhënies së shërbesës për të tjerët.
Faleminderit, Plaku Gong dhe Plaku Soares, për shprehjen tuaj të përzemërt të besimit. Jemi shumë mirënjohës për ju dhe shoqërueset tuaja të dashura.
Vëllezër dhe motra të dashura, ne kërkojmë vazhdimisht drejtim nga Zoti mbi mënyrën se si mund t’i ndihmojmë anëtarët tanë që t’i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë, veçanërisht ato dy urdhërime të mëdha për t’i dashur Perëndinë dhe të afërmit tanë.1
Për muaj me radhë kemi qenë duke kërkuar një mënyrë më të mirë për t’u dhënë shërbesë nevojave shpirtërore e materiale të njerëzve tanë sipas mënyrës së Shpëtimtarit.
Kemi marrë vendimin për t’i ndërprerë mësimet e shtëpisë dhe vizitat mësimore siç i kemi njohur deri tani. Në vend të tyre, do të vëmë në zbatim një qasje më të re, më të shenjtë ndaj përkujdesjes e dhënies së shërbesës për të tjerët. Këtyre përpjekjeve do t’iu referohemi thjesht si “dhënia e shërbesës”.
Përpjekjet e efektshme për dhënien e shërbesës mundësohen nga dhuratat e lindura të motrave dhe nga fuqia e pakrahasueshme e priftërisë. Ne të gjithë kemi nevojë për një mbrojtje të tillë nga kurthet djallëzore të kundërshtarit.
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dhe Motra Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, do të shpjegojnë mënyrën se si do të funksionojnë tani vëllezërit e caktuar të priftërisë dhe motrat e caktuara të Shoqatës së Ndihmës në shërbimin dhe kujdesin ndaj anëtarëve të Kishës në mbarë botën.
Presidenca e Parë dhe Të Dymbëdhjetët janë të bashkuar për përkrahjen e mesazheve të tyre. Me mirënjohje dhe plot lutje, ne hapim këtë kapitull të ri në historinë e Kishës. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.