Plaku Xhek N. Xherard
Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë
Kur ishte djalosh, Plaku Xhek N. Xherard zgjohej çdo ditë rreth orës 5:00 në mëngjes që të ndihmonte për t’u kujdesur për lopët e familjes që përdoreshin për bulmet. Rritja në një komunitet të vogël fermer pranë liqenit Mad në Ajdaho të SHBA‑së i mësoi atij jo vetëm që të punonte shumë dhe të mbante përgjegjësi, por edhe ta dallonte vlerën e të gjithë individëve si fëmijë të Perëndisë.
“Kushdo kishte një rol për ta luajtur dhe kushdo ishte këtu për një qëllim, pavarësisht nga gjendja ose pozita në jetë”, tha Plaku Xherard, i cili u mbështet më 31 mars 2018 si Autoritet i Përgjithshëm I Shtatëdhjetë. Ai mësim ka qenë një dhuratë gjatë gjithë jetës së tij.
Karriera e tij, e cila ka përfshirë role të shquara udhëheqjeje për disa subjekte – të tilla si Shoqata Kombëtare e Minierave, Këshilli Amerikan i Kimisë dhe, kohën e fundit, Instituti Amerikan i Naftës – i ka siguruar mundësi që të bashkëpunojë me njerëz nga të gjitha fushat e jetës.
Plaku Xherard u lind në vitin 1957 nga Xhejms dhe Sesil Gejzër Xherardi. Pasi shërbeu në Misionin e Australisë, Sidnei, Plaku Xherard ndoqi Universitetin e Ajdahos, ku bëri stazhin dhe më pas punoi në një pozitë me kohë të plotë si nëpunës i një kongresmeni të Ajdahos.
Teksa punonte në Uashington, D.K., u takua me Klodet Nefin, e cila po punonte si ndihmësnëpunëse për një senator të Jutës. “Ajo e rrezatonte dritën e ungjillit”, tha Plaku Xherard për takimin e tyre. Ata u martuan më 4 prill 1984 në Tempullin e Solt‑Lejkut. Kanë tetë fëmijë dhe katër nipër e mbesa.
Plaku Xherard mori një diplomë universitare për shkenca politike dhe një gradë doktori për drejtësi në Universitetin “Xhorxh Uashington”.
Plaku Xherard ka shërbyer si peshkop, president kunji, I Shtatëdhjetë Zonal, mësues i Doktrinës së Ungjillit dhe si president i Shkollës të së Dielës.
Plaku Xherard tha se ai dhe gruaja e tij kanë dëshirë të bëjnë vullnetin e Zotit. “Si njerëz të vdekshëm, të dobët, ne zotohemi ndaj çfarëdo gjëje që Zoti do të na donte të bënim dhe jemi të përulur e të nderuar … t’ia përkushtojmë kohën dhe përpjekjet tona punës së Zotit.”