Dhurata të Çmuara nga Perëndia
Jeta mund të mbushet me besim, gëzim, lumturi, shpresë dhe dashuri teksa ushtrojmë sasinë më të vogël të besimit të vërtetë te Krishti.
Vëllezërit dhe motrat e mia, sapo kemi marrë pjesë në një kuvend solemn, një praktikë gjurmët e së cilës mund të gjenden në Bibël, kur Izraeli i lashtë u mblodh të ndiente praninë e Zotit dhe të kremtonte bekimet e Tij.1 Ne kemi privilegjin të jetojmë në një kohë kur kjo praktikë e lashtë është rivendosur nëpërmjet Profetit Jozef Smith.2 Ju nxit ta shënoni në ditarin tuaj vetjak se çfarë ndiet lidhur me këtë rast, më të shenjtin, në të cilin keni marrë pjesë.
Kohët e fundit i dhamë lamtumirën mikut dhe profetit tonë të dashur, Presidentit Tomas S. Monson. Edhe pse të gjithëve na merr malli për të, ne i jemi thellësisht mirënjohës Zotit që ka thirrur një profet të ri, Presidentin Rasëll M. Nelson, që të kryesojë mbi Kishën e Tij. Sipas një mënyre të rregull, tani kemi filluar një kapitull të ri në historinë e Kishës sonë. Kjo është një dhuratë e çmuar nga Perëndia.
Kur secili prej nesh e mbështeti Presidentin Nelson nëpërmjet ngritjes së duarve tona, ne vepruam si dëshmitarë përpara Perëndisë dhe e pranuam se ai është pasuesi i ligjshëm i Presidentit Monson. Me duart tona të ngritura, ne premtuam që t’i bindemi zërit të tij ndërkohë që ai merr udhëzim nga Zoti.
Zoti ka thënë:
“Ju duhet t’u vini veshin fjalëve dhe urdhërimeve të tij [domethënë, të Presidentit të Kishës], që ai do t’jua japë ashtu siç i merr ato … ;
Sepse fjalën e tij duhet ta merrni si nga goja ime, plot durim e besim.”3
E kam njohur presidentin dhe profetin tonë të ri për më shumë se 60 vjet. Kam shërbyer me të në Kuorumin e Të Dymbëdhjetëve për 33 vjet dhe jam dëshmitar se dora e Zotit ka qenë duke e përgatitur atë që të bëhej Apostulli ynë kryesues dhe Profeti ynë për t’i administruar të gjithë çelësat e priftërisë së shenjtë në tokë. Secili prej nesh e mbështettë plotësisht atë dhe këshilltarët e tij dhe e ndjektë drejtimin e tyre. Dhe gjithashtu mirëpresim ngrohtësisht Plakun Gong dhe Plakun Soares si anëtarë të Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve.
Pas Ringjalljes së Jezusit, ngjarje të cilën e kremtojmë këtë fundjavë të lavdishme të Pashkës, Ai iu shfaq dishepujve të tij dhe tha: “Paqja me ju! Sikurse më ka dërguar mua Ati, ashtu unë po ju dërgoj ju.”4 Vini re një veprim me dy faza – Perëndia dërgon Birin e Tij. Biri dërgon shërbëtorët e Tij – burra dhe gra të vdekshme – që ta përmbushin veprën e Tij.
Nuk duhet të habitemi kur dimë që ata individë, të cilët thirren për të bërë punën e Zotit, nuk janë njerëz të përsosur. Histori në shkrimet e shenjta japin hollësi për raste rreth burrave dhe grave që u thirrën nga Perëndia që të përmbushnin një vepër të madhërishme – bij dhe bija të mira të Atit tonë Qiellor, të thirrur të shërbenin në detyrat e tyre në Kishë, duke u përpjekur fort që të bënin më të mirën, por prapëseprapë askush prej tyre nuk ishte i përsosur. E njëjta gjë është e vërtetë për ne sot.
Nisur nga realiteti i dobësive dhe paaftësive tona njerëzore, si mund të shkojmë përpara drejt përkrahjes dhe mbështetjes së njëri‑tjetrit? Kjo fillohet me besim – besim të vërtetë, të sinqertë në Zotin Jezu Krisht. Besimi në Shpëtimtarin është parimi i parë i doktrinës dhe i ungjillit të Krishtit.
Disa vite më parë, po vizitoja Tokën e Shenjtë. Teksa kaluam me makinë pranë një bime sinapi, drejtori i Qendrës së UBJ-së në Jerusalem më pyeti nëse kisha parë ndonjëherë një kokërr sinapi. Nuk kisha parë kështu që ndaluam. Më tregoi farat prej bimës së sinapit. Çuditërisht ishin të vogla.
Atëherë m’u kujtuan mësimet e Jezusit: “Sepse në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Zhvendosu nga këtu atje’, dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju”5.
Nëse kemi besim sa një kokërr sinapi, Zoti mund të na ndihmojë që t’i zhvendosim malet e shkurajimit dhe të dyshimit në detyrat përpara nesh, kur shërbejmë me fëmijët e Perëndisë, përfshirë pjesëtarët e familjes, anëtarët e Kishës dhe ata që nuk janë ende anëtarë të Kishës.
Vëllezër dhe motra, jeta mund të mbushet me besim, gëzim, lumturi, shpresë dhe dashuri teksa ushtrojmë sasinë më të vogël të besimit të vërtetë te Krishti – madje të besimit sa një kokërr sinapi.
Plaku Xhorxh A. Smith kujtoi një këshillë që Profeti Jozef Smith ia dha atij: “Ai më tha se unë kurrë nuk duhet ta humbas kurajën, çfarëdo vështirësish që mund të më rrethojnë. Nëse do të mbytesha në gropën më të ulët të Nova‑Skocias dhe të gjitha Malet Shkëmbore të më mbulonin përsipër, unë nuk duhej ta humbisja kurajën, por të vazhdoja të mbahesha fort, të ushtroja besim dhe ta ruaja kurajën e mirë, dhe në fund, do të dilja në majë të pirgut.”6
Ne duhet ta mbajmë mend shpalljen e Palit: “Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më forcon”7. Njohuria e kësaj gjëje është një dhuratë tjetër e çmuar nga Perëndia.
Përveç dhuratave që kam përmendur, ka shumë, shumë të tjera. Tani do të flas për vetëm disa prej tyre – dhuratën e ditës së Shabatit, të sakramentit, të shërbimit ndaj të tjerëve dhe dhuratën e pashembullt, të dhënë nga Perëndia, të vetë Shpëtimtarit tonë.
Fuqia e ditës së Shabatit është të përjetojmë në kishë dhe në shtëpi kënaqësinë, gëzimin dhe ngrohtësinë e të ndierit të Shpirtit të Zotit pa asnjë lloj shpërqendrimi.
Shumë njerëz ia lejojnë vetvetes që të jetojnë pothuajse në internet me pajisjet e tyre inteligjente – me ekrane që i ndriçojnë fytyrat e tyre ditë e natë dhe me kufje në veshë që e bllokojnë zërin e qetë, të vogël të Shpirtit. Nëse nuk gjejmë kohë që të largohemi prej mjeteve elektronike, ne mund t’i humbasim mundësitë për ta dëgjuar zërin e Atij që tha: “Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi”8. Tani, nuk ka asgjë të gabuar që të përfitojmë nga përparimet në teknologjitë, të frymëzuara nga Zoti, por ne duhet të jemi të urtë në përdorimin e tyre. Mbajeni mend dhuratën e ditës së Shabatit.
Bekimi i marrjes së sakramentit në mbledhjen e sakramentit nuk duhet të bëhet kurrë rutinë ose thjesht diçka që e bëjmë. Janë vetëm 70 minuta nga e gjithë java kur mund të bëjmë një ndërprerje dhe të gjejmë më shumë paqe, gëzim e lumturi në jetën tonë.
Marrja e sakramentit dhe ripërtëritja e besëlidhjeve tona është shenjë nga ne për Zotin që ne gjithmonë e kujtojmë Atë. Shlyerja e Tij është një dhuratë e hirshme nga Perëndia.
Privilegji i shërbimit ndaj fëmijëve të Atit Qiellor është një mundësi tjetër për ta ndjekur shembullin e Birit të Tij të Dashur nëpërmjet shërbimit ndaj njëri‑tjetrit.
Disa mundësi shërbimi janë të caktuara zyrtarisht – në familjen tonë, në thirrjet tona të Kishës dhe në pjesëmarrjen tonë në organizatat e shërbimit në komunitet.
Anëtarët e Kishës – si burrat ashtu edhe gratë – nuk duhet të ngurojnë, nëse dëshirojnë, që të vënë kandidatura për detyra shtetërore në çfarëdo rangu qeveritar kudo ku jetojnë. Zërat tanë janë thelbësorë sot dhe të rëndësishëm në shkollat tona, qytetet tona dhe vendet tona. Atje ku ekziston demokracia, është detyra jonë si anëtarë që të votojmë për burra e gra të nderuara, që janë të gatshëm të shërbejnë.
Shumë mundësi për të shërbyer nuk janë të përcaktuara zyrtarisht – pa detyra të caktuara – dhe vijnë kur u shtrijmë dorën e ndihmës të tjerëve që i hasim në udhëtimin e jetës. Mbani mend, Jezusi i dha mësim doktorit të ligjit se ne duhet ta duam Perëndinë dhe të afërmin tonë porsi veten, duke përdorur samaritanin e mirë si shembull.9
Shërbimi hap një mundësi nëpërmjet të cilës ne e kuptojmë jetën dhe shërbesën e Krishtit. Ai erdhi të shërbente, sikurse na mësojnë shkrimet e shenjta, “sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve”10.
Pjetri mund të ketë dhënë përshkrimin më të mirë të shërbesës së Shpëtimtarit në vdekshmëri me gjashtë fjalë kur iu drejtua Jezusit, “i cili e përshkoi vendin duke bërë mirë”11.
Zoti Jezu Krisht është dhurata më e çmuar e të gjitha dhuratave tona nga Perëndia. Jezusi … tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje”12.
Nefi e shpjegoi rëndësinë e Shpëtimtarit tonë kur shpalli: “Ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë për Krishtin, ne profetizojmë mbi Krishtin dhe shkruajmë sipas profecive tona, që fëmijët tanë të mund të dinë se cilit burim t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre”13. Ne duhet ta mbajmë Krishtin si qendrën e jetës sonë në të gjitha kohët dhe në të gjitha vendet.
Ne duhet të mbajmë mend se është emri i Tij që shfaqet në vendet tona të adhurimit; ne pagëzohemi në emrin e Tij; dhe ne konfirmohemi, shugurohemi, marrim dhurimin [indaumentin] dhe vulosemi në martesë në emrin e Tij. Ne e marrim sakramentin dhe premtojmë ta marrim mbi vete emrin e Tij – dhe të bëhemi të krishterë të vërtetë. Së fundmi, neve na kërkohet në lutjen e sakramentit që “gjithmonë ta kujtoj[më] atë”14.
Teksa përgatitemi për të dielën e Pashkës nesër, ne duhet të kujtojmë se Krishti është më i larti. Ai është Gjykatësi i drejtë, Avokati ynë besnik, Shëlbuesi ynë i bekuar, Bariu i Mirë, Mesia i premtuar, një Mik i vërtetë dhe shumë, shumë më tepër. Ai është me të vërtetë një dhuratë shumë e çmuar për ne nga Ati ynë.
Në dishepullimin tonë ne kemi shumë kërkesa, shqetësime dhe detyra. Gjithsesi, disa veprimtari duhet të jenë gjithmonë në thelbin e anëtarësisë sonë në Kishë. “Prandaj”, urdhëroi Zoti, “ji besnik; qëndro në detyrën që të kam caktuar; ndihmo të dobëtit, ngri duart që varen poshtë dhe forco gjunjët e këputur.”15
Kjo është Kisha në veprim! Kjo është feja e pastër! Ky është ungjilli në kuptimin e tij të vërtetë kur ne ndihmojmë, ngremë dhe forcojmë ata që kanë nevoja shpirtërore dhe materiale! Bërja e kësaj gjëje na kërkon që t’i vizitojmë dhe t’i ndihmojmë ata16, që dëshmitë e tyre për besimin tek Ati Qiellor, Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij të nguliten në mënyrë të palëkundshme në zemrat e tyre.
Zoti na ndihmoftë dhe na bekoftë që t’i ruajmë si thesar dhuratat tona të shumta, të çmuara, të marra nga Perëndia, përfshirë anëtarësinë tonë në Kishën e Tij të rivendosur. Lutem që ne do të mbushemi vërtet me dashuri për fëmijët e Atit tonë Qiellor, do të jemi në gjendje t’i kuptojmë nevojat e tyre dhe do të jemi të gatshëm që t’u përgjigjemi pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre rreth ungjillit në mënyra të qarta dhe dashamirëse, të cilat do ta shtojnë të kuptuarin dhe vlerësimin për njëri‑tjetrin.
Dëshmoj se Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë. Ajo që do të na mësohet në këtë konferencë të përgjithshme, na vjen me anë të frymëzimit nga apostujt e profetët, nga Autoritetet e Përgjithshme dhe motrat udhëheqëse që janë Drejtuese të Përgjithshme të Kishës. Qëndroftë gëzimi dhe paqja e Zotit me secilin prej nesh është lutja ime e përulur, në emrin e Zotit Jezu Krisht, amen.