2018
Punës Le t’i Vihemi
maj 2018


Punës Le t’i Vihemi

Dëshira juaj për t’u bindur do të shtohet kur e mbani mend dhe mendoni për atë që e keni ndier këto dy ditë të fundit.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, teksa arrijmë në mbylljen e kësaj konference historike, unë bashkohem me ju për ta falënderuar Zotin për udhëzimin dhe ndikimin e Tij frymëzues. Muzika ka qenë e bukur dhe lartësuese shpirtërisht. Mesazhet jo vetëm që kanë qenë lartësuese, por ato kanë qenë jetëndryshuese!

Në kuvendin solemn ne mbështetëm një Presidencë të Parë të re. Dy burra të mëdhenj janë vendosur në Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve. Dhe tetë Autoritete të reja të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë janë thirrur.

Tani një himn i parapëlqyer e përmbledh vendosmërinë tonë të ripërtërirë, sfidën tonë dhe detyrën tonë në ecjen përpara:

Punës s’Zotit të gjith’ le t’i vihemi,

Që kur jeta t’mbaroj’ shpërblim ne të kemi;

N’luftën për drejt’si ne një shpat’ le t’nxjerrim,

Shpat’n e fort’ të s’vërtetës.

Frik’ kurr’ dhe armiku në na tallt’;

Guxim, sepse Zotin kemi pran’.

Ne s’do t’dëgjojm’ çfar’ të ligjt’ mund të thon’;

Por vetëm Zotin ton’ do t’dë-gjojm’.1

Unë ju nxit t’i studioni mesazhet e kësaj konference vazhdimisht – madje në mënyrë të përsëritur – gjatë gjashtë muajve që vijnë. Me vetëdije kërkoni mënyra se si t’i përfshini këto mesazhe në mbrëmjet tuaja familjare, në mësimdhënien tuaj të ungjillit, në bashkëbisedimet tuaja me familjen e miqtë dhe në diskutimet tuaja me njerëz jo të besimit tonë. Shumë njerëz të mirë do t’u përgjigjen të vërtetave të dhëna mësim në këtë konferencë kur ato ofrohen me dashuri. Dhe dëshira juaj për t’u bindur do të shtohet kur e mbani mend dhe mendoni për atë që e keni ndier këto dy ditë të fundit.

Kjo konferencë e përgjithshme shënon fillimin e një epoke të re të dhënies së shërbesës. Zoti ka bërë përshtatje të rëndësishme në mënyrën se si përkujdesemi për njëri-tjetrin. Motrat dhe vëllezërit – të moshuarit e të rinjtë – do t’i shërbejnë njëri-tjetrit në një mënyrë të re, më të shenjtë. Kuorumet e pleqve do të forcohen për të bekuar jetën e burrave, grave dhe fëmijëve anembanë botës. Motrat e Shoqatës së Ndihmës do të vazhdojnë të japin shërbesë në mënyrën e tyre të dashur e të pashoqe duke iu dhënë mundësi motrave të reja të bashkohen me to sipas caktimit të përshtatur.

Mesazhi ynë drejtuar botës është i thjeshtë dhe i sinqertë: ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit të vijnë te Shpëtimtari i tyre, të marrin bekimet e tempullit të shenjtë, të kenë gëzim të përhershëm dhe të kualifikohen për jetën e përjetshme.2

Ekzaltimi më së fundmi kërkon tani besnikërinë tonë tërësore ndaj besëlidhjeve që i bëjmë dhe ordinancave që i marrim në shtëpinë e Zotit. Në këtë kohë, kemi 159 tempuj në funksionim dhe më shumë janë në ndërtim. Ne duam t’i sjellim tempujt më pranë anëtarësisë në zgjerim të Kishës. Kështu që tani kemi kënaqësinë të shpallim planet për ndërtimin e shtatë tempujve të tjerë. Këta tempuj do të gjenden në vendndodhjet vijuese: Salta, Argjentinë; Bengaluri, Indi; Managua, Nikaragua; Kagajan de Oro, Filipine; Lejtën, Juta; Riçmond, Virxhinia; dhe një qytet kryesor ende për t’u përcaktuar në Rusi.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, ndërtimi i këtyre tempujve mund të mos e ndryshojë jetën tuaj, por koha juaj në tempull sigurisht do të ndryshojë. Në këtë frymë, ju bekoj t’i dalloni ato gjëra të cilat mund t’i vini mënjanë që të mund të harxhoni më shumë kohë në tempull. Ju bekoj me harmoni dhe dashuri më të madhe në shtëpitë tuaja dhe dëshirë më të thellë për t’u kujdesur për marrëdhëniet tuaja familjare të përjetshme. Ju bekoj me besim më të madh te Zoti Jezu Krisht dhe aftësi më të madhe për ta ndjekur Atë si dishepujt e vërtetë të Tij.

Ju bekoj që ta ngrini zërin tuaj në dëshmi, sikurse e bëj unë tani, që ne jemi të përfshirë në veprën e Perëndisë së Plotfuqishëm! Jezusi është Krishti. Kjo është Kisha e Tij, të cilën Ai e drejton nëpërmjet shërbëtorëve të Tij të vajosur. Dëshmoj kështu, duke shprehur dashurinë time për secilin prej jush, në emrin e shenjtë të Jezu Krishtit, amen.

Shënime

  1. “Punës Le t’i Vihemi”, Himne, nr. 154.

  2. E përcaktuar te Doktrina e Besëlidhje 14:7 si “më e madhja nga të gjitha dhuratat e Perëndisë”.