Theksi mbi Dhënien e Shërbesës
Mësimi i shtëpisë dhe vizitat mësimore do të ndërpriten, shpalli Presidenti Rasëll M. Nelson gjatë sesionit të pasdites të së dielës në konferencën e përgjithshme. “Dhënia e shërbesës”, një “qasje e re, më e shenjtë” ndaj kujdesit si të Krishtit për të tjerët, do të sigurojë përpjekje të bashkërenduar për të ndihmuar në plotësimin e nevojave shpirtërore dhe materiale të anëtarëve.
Motra Xhin B. Bingham, Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dhe Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, gjithashtu folën rreth mënyrës se si kjo metodë e re do t’i përqendrojë më mirë përpjekjet e kuorumeve të Priftërisë Melkizedeke dhe të Shoqatave të Ndihmës lidhur me dhënien e shërbesës siç bëri Shpëtimtari (shih faqet 101 dhe 104).
Dafinat dhe Trëndafilet mund të shërbejnë tani si shoqëruese shërbestare të motrave të Shoqatës së Ndihmës. Në një intervistë tremujore, vëllezërit dhe motrat shërbestare do të këshillohen me udhëheqësit rreth nevojave dhe anëve të forta të atyre njerëzve që u caktohen. Numri i intervistave që patën udhëheqësit gjatë një tremujori, do të jetë i vetmi raport zyrtar që bëhet. Vizitat janë të rëndësishme kur është e mundur, por dhënia e shërbesës nuk përfshin një mënyrë të përshkruar që të viheni në kontakt çdo muaj.
“Të rinjtë dhe të rejat mund t’i përdorin dhuntitë e tyre të pashoqe dhe të rriten shpirtërisht teksa shërbejnë së bashku me të rriturit në punën e shpëtimit”, tha Motra Bingham. Përfshirja e rinisë gjithashtu e rrit numrin e anëtarëve që kujdesen për të tjerët dhe i ndihmon të rinjtë e të rejat “që të përgatiten më mirë për t’i përmbushur rolet e tyre si udhëheqëse në Kishë e komunitet dhe si partnere kontribuese në familjet e tyre”.
“Ne në zyrat qendrore të Kishës nuk kemi nevojë të dimë se si ose se ku apo se kur u vutë në kontakt me njerëzit tuaj”, tha Plaku Holland, “neve na intereson që ju njëmend ta bëni atë dhe që t’i bekoni ata në çdo mënyrë që mundeni.”
Sipas një letre nga Presidenca e Parë, përshtatjet në dhënien e shërbesës mund të kërkojnë ca kohë, por duhet të bëhen sa më shpejt që të jetë e mundur. Ministering.lds.org siguron hollësi shtesë, përfshirë pyetje që bëhen rëndom. Materiale filmike udhëzuese dhe burime të tjera do të shtohen në faqen e internetit në javët e ardhshme.
Duke filluar nga qershori, Liahona do të përfshijë një rubrikë mujore të quajtur “Parimet e Dhënies së Shërbesës”, për t’i ndihmuar anëtarët të kuptojnë se si mund të jenë më shumë si Krishti ndërkohë që i japin shërbesë njëri‑tjetrit.