Merreni Shpirtin e Shenjtë si Udhërrëfyesin Tuaj
Çfarë dhurate e pakrahasueshme u vjen atyre që e vënë besimin e tyre te Jezu Krishti! Ajo dhuratë është Shpirti i Shenjtë.
Këtë të diel Pashke, mendimet tona shkojnë te Ringjallja e Zotit Jezu Krisht dhe te varri i zbrazët që i jep çdo besimtari shpresë në ngadhënjimin e Krishtit mbi disfatën e sigurt të vdekjes pa ringjallje. Unë, si apostulli Pal, besoj se ashtu siç Perëndia “e ringjalli Krishtin prej së vdekurish [ashtu] do t’u japë jetë edhe trupave t[anë] vdekatarë me anë të Frymës së tij që banon në [ne]”.1
T’u japë jetë do të thotë t’i bëjë të gjallë. Në të njëjtën mënyrë që Krishti i kthen sërish në jetë trupat tanë pas vdekjes fizike nëpërmjet fuqisë së Ringjalljes së tij, ashtu ai mund të na japë jetë, ose të na bëjë të gjallë nga vdekja shpirtërore.2 Në librin e Moisiut, lexojmë për Adamin tek i nënshtrohet kësaj dhënieje të jetës: “[Adami] u pagëzua dhe Shpirti i Perëndisë zbriti mbi të e kështu ai u lind nga Shpirti dhe u gjallërua në njeriun e brendshëm”3.
Çfarë dhurate e pakrahasueshme u vjen atyre që e vënë besimin e tyre te Jezu Krishti! Ajo dhuratë është Shpirti i Shenjtë që na jep atë që Dhiata e Re e quan “jetë… në Jezu Krishtin”.4 Por a e marrim ndonjëherë si të mirëqenë një dhuratë të tillë?
Vëllezër e motra, është një privilegj i jashtëzakonshëm ta “marr[im] Shpirtin e Shenjtë si udhëzuesin [tonë]”5 sikurse dëftohet me anë të përvojës vijuese.
Gjatë Luftës së Koresë, nëntogeri Frenk Bler shërbeu në një anije për transportin e trupave ushtarake me bazë në Japoni.6 Anija nuk ishte aq e madhe sa të kishte një kapelan në detyrë formale, ndaj kapiteni i kërkoi vëllait Bler që të ishte kapelani joformal i anijes, pasi kishte vërejtur se i riu ishte një njeri me besim dhe parime, tejet i respektuar nga i gjithë ekuipazhi.
Nëntogeri Bler shkroi: “Anijen tonë e zuri një tajfun i fuqishëm. Dallgët ishin rreth 14 m të larta. Isha duke vrojtuar … gjatë kohës kur një prej tre motorëve tanë ndaloi së funksionuari dhe u raportua një çarje në aksin qendror të anijes. Na mbetën dy motorë, një prej të cilëve po funksiononte vetëm me gjysmën e fuqisë. Ishim në telash të madh.”
Nëntogeri Bler e mbaroi [turnin] e vrojtimit dhe po shkonte në shtrat kur kapiteni i trokiti në derë. Ai i kërkoi: “Të lutem,a do të lutesh për këtë anije?”. Sigurisht, nëntogeri Bler pranoi ta bënte.
Në atë pikë, nëntogeri Bler mund të ishte lutur thjesht: “Atë Qiellor, të lutem bekoje anijen tonë dhe na mbro” dhe më pas të kishte shkuar në shtrat. Përkundrazi, ai u lut që të dinte a kishte ndonjë gjë që mund ta bënte që të ndihmonte për të siguruar mbrojtjen e anijes. Në përgjigje të lutjes së vëllait Bler, Fryma e Shenjtë e nxiti që të shkonte në urën e komandimit, të fliste me kapitenin e të mësonte më shumë. Ai zbuloi se kapiteni po përpiqej të përcaktonte shpejtësinë me të cilën duhej të punonin motorët e mbetur të anijes. Nëntogeri Bler u rikthye në kabinën e tij për t’u lutur sërish.
Ai u lut: “Çfarë mund të bëj që të ndihmoj për ta zgjidhur problemin e motorëve?”
Në përgjigje, Fryma e Shenjtë i pëshpëriti që duhej të ecte rreth e qark anijes dhe të vëzhgonte që të mblidhte më shumë informacion. Ai u kthye sërish te kapiteni dhe kërkoi leje që të ecte përqark kuvertës. Pastaj, me një litar shpëtimi të lidhur në bel, doli jashtë në mes të stuhisë.
Duke qëndruar mbi kiç, ai vëzhgoi helikat gjigante teksa dilnin nga uji kur anija ngrihej mbi dallgë. Vetëm njëra po punonte plotësisht dhe po rrotullohej shumë shpejt. Pas këtyre vëzhgimeve, nëntogeri Bler u lut edhe një herë. Përgjigjja e qartë që mori ishte se motori i mirë që kishte mbetur po sforcohej tej mase dhe duhej t’ia ulnin shpejtësinë. Ndaj ai u kthye te kapiteni dhe ia dha si rekomandim. Kapiteni u befasua, duke i thënë se inxhinieri i anijes sapo i kishte thënë të kundërtën – që t’ia shtonin shpejtësinë motorit të mirë në mënyrë që ta linin pas stuhinë. Megjithatë, kapiteni zgjodhi të ndiqte sugjerimin e nëntogerit Bler dhe ia uli shpejtësinë motorit. Në të gdhirë, anija ishte e sigurt në ujëra të qeta.
Vetëm dy orë më vonë, motori i mirë pushoi së funksionuari një herë e mirë. Me gjysmën e fuqisë që kishte motori i mbetur, anija ia doli me mund të arrinte në port.
Kapiteni i tha nëntogerit Bler: “Nëse nuk do t’ia kishim ulur shpejtësinë motorit në atë kohë, do ta kishim humbur atë në mes të stuhisë”.
Pa atë motor, nuk do të kishim pasur asnjë mundësi për të manovruar. Anija do të ishte kthyer përmbys e do të ishte fundosur. Kapiteni e falënderoi oficerin e ri shdm dhe tha se e besonte që ndjekja e mbresave shpirtërore të nëntogerit Bler e kishin shpëtuar anijen dhe ekuipazhin e saj.
Tani, kjo histori është mjaft dramatike. Ndërkohë që nuk ka të ngjarë që ne të përballemi me rrethana kaq të llahtarshme, kjo histori përmban udhëzime të rëndësishme rreth mënyrës se si mund ta marrim më shpesh udhërrëfimin e Shpirtit.
Së pari, kur bëhet fjalë për zbulesën, duhet ta rregullojmë siç duhet marrësin tonë që të kapë valët e qiellit. Nëntogeri Bler po jetonte një jetë të pastër e me besnikëri. Po të mos kishte qenë i bindur, nuk do të kishte pasur sigurinë e nevojshme shpirtërore për t’u lutur siç bëri për sigurinë e anijes së tij dhe për të marrë një udhërrëfim kaq specifik. Secili prej nesh duhet të jetë duke bërë përpjekjen për ta përputhur jetën e vet me urdhërimet e Perëndisë në mënyrë që të drejtohet prej Tij.
Nganjëherë nuk mund ta dëgjojmë sinjalin e qiellit sepse nuk jemi të denjë. Pendimi dhe bindja janë mënyra për të arritur përsëri një komunikim të qartë. Fjala në Dhiatën e Vjetër konvertohuni do të thotë “të largohesh” ose “të ndryshosh drejtim”.7 Kur ndiheni larg nga Perëndia, ju nevojitet vetëm të merrni vendimin për t’u larguar nga mëkati, dhe të ktheheni në drejtim të Shpëtimtarit, ku do ta gjeni duke ju pritur, me krahë të zgjatur. Ai pret me padurim t’ju udhërrëfejë dhe ju jeni vetëm një lutje larg nga marrja e atij udhërrëfimi përsëri.8
E dyta, nëntogeri Bler nuk i kërkoi Zotit thjesht që t’ia zgjidhte problemin. Ai pyeti për atë që mund të bënte që të ishte pjesë e zgjidhjes. Në mënyrë të ngjashme ne mund të pyetim: “Zot, çfarë më duhet të bëj që të jem pjesë e zgjidhjes? Në vend që thjesht t’i renditim problemet tona në lutje dhe t’i kërkojmë Zotit të na i zgjidhë, ne duhet të kërkojmë mënyra më aktive për ta marrë ndihmën e Zotit dhe të zotohemi për të vepruar sipas udhërrëfimit të Shpirtit.
Ka një mësim të tretë të rëndësishëm në historinë e nëntogerit Bler. A mund të ishte lutur ai me një siguri kaq të qetë po të mos kishte marrë udhërrëfim nga Shpirti në raste të mëparshme? Ardhja e tajfunit nuk është koha për t’i shkundur pluhurin dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe për të zbuluar se si ta përdorim atë. Ky i ri po ndiqte qartazi një model që e kishte përdorur shumë herë më parë, përfshirë kohën kur ishte misionar kohëplotë. Kemi nevojë për Shpirtin e Shenjtë si udhërrëfyesin tonë në ujëra të qeta, që zëri i Tij të jetë i pangatërrueshëm për ne në stuhinë më të egër.
Disa mund të mendojnë se ne nuk duhet të presim udhërrëfim të përditshëm nga Shpirti sepse “nuk është e përshtatshme që [Perëndia] duhet të urdhëroj[ë] për gjithçka”, që të mos bëhemi shërbëtorë të ngathët.9 Sidoqoftë, ky shkrim i shenjtë iu dha disa misionarëve të hershëm që i kërkuan Jozef Smithit të merrte zbulesën që ata duhej ta kishin marrë vetë për veten. Në një varg më sipër, Zoti u tha atyre të vinin në fushën e misionit: “siç do të këshillohen mes tyre dhe meje”.10
Këta misionarë dëshironin një zbulesë të posaçme për planet e udhëtimit të tyre. Ata nuk kishin mësuar ende të kërkonin drejtim vetë për çështje vetjake. Zoti e quajti këtë qëndrim ashtu siç është: i ngathët. Anëtarët e hershëm të Kishës mund të kenë qenë kaq të lumtur që kishin një profet të vërtetë, sa rrezikonin të mos e mësonin dot se si të merrnin vetë zbulesë. Të qenit i mbështetur te vetja shpirtërisht është të dëgjosh zërin e Zotit nëpërmjet Shpirtit të Tij për vetë jetën tënde.
Alma e këshilloi të birin që të “këshilloh[ej] me Zotin për të gjitha veprimet e t[ij]”.11 Të jetosh në këtë mënyrë – në mënyrën që shpesh e quajmë “të jetuarit me anë të Shpirtit” – është një privilegj i lartë. Ajo sjell një ndjesi qetësie dhe sigurie si dhe frytet e Shpirtit, të tilla si dashuria, gëzimi dhe paqja.12
Aftësia e nëntogerit Bler për të marrë zbulesë e shpëtoi atë dhe shokët e tij të anijes nga një stuhi e tërbuar. Lloje të tjera stuhish po afrohen me tërbim sot. Shëmbëlltyra e pemës së jetës në Librin e Mormonit13 jep një imazh të fuqishëm të mënyrës se si arrihet mbrojtja shpirtërore në një botë të tillë. Kjo ëndërr tregon për një mjegull të papritur errësire që po ngrihej për t’u sjellë shkatërrim shpirtëror anëtarëve të Kishës që po ecnin në shtegun e kthimit për te Perëndia.14
Duke e sjellë ndër mend këtë imazh, unë shoh me sytë e mendjes mizëri njerëzish që po udhëtojnë drejt shtegut, disa me duar të kapura fort pas shufrës së hekurt, por shumë të tjerë duke ndjekur gjurmët e njerëzve përpara tyre. Kjo qasja e dytë nuk kërkon shumë mendim ose përpjekje. Ju mundeni thjesht të bëni e të mendoni atë që të tjerët po bëjnë dhe mendojnë. Kjo funksionon fare mirë në mot me diell. Por stuhitë e mashtrimit dhe mjegullat e gënjeshtrave ngrihen pa paralajmërim. Në këto situata, familjarizimi me zërin e Frymës së Shenjtë është një çështje jete a vdekje shpirtërore.
Premtimi i fuqishëm i Nefit është që “ata që do të dëgjonin fjalën e Perëndisë, dhe … do të mbaheshin fort në të, … nuk do të mbaronin kurrë; as tundimet dhe shigjetat e flakta të kundërshtarit nuk do të mund t’i mposhtnin ata në verbëri, t’i çojnë ata në shkatërrim”.15
Ndjekja e gjurmëve të njerëzve që janë përpara jush në shteg, nuk mjafton. Ne nuk mundemi thjesht të bëjmë e të mendojmë atë që të tjerët po bëjnë dhe mendojnë; secili prej nesh duhet të jetojë një jetë të udhërrëfyer. Secili prej nesh duhet të ketë dorën e vet te shufra e hekurt. Atëherë mund të shkojmë te Zoti me vetëbesim të përulur, duke e ditur që Ai “do të [na] udhëheqë përdore dhe do t’u japë përgjigje lutjeve [tona]”.16 Në emrin e Jezu Krishtit, amen.